Kim Mehmeti…prej thellësinave pus, të së shkuarës

Një rrëfim të tillë përpiqet të ngrejë prej frymës së “Pusit” shkrimtari Kim Mehmeti. Ky na vjen lart prej thellësisë së errët të tij me një narrativë tipike ballkanase e cila në njërën anë priret drejt një rrëfimi me vëmendje traditën më të mirë europiano-perëndimore dhe, nga ana tjetër as në mënyrën e rrëfimit, kuptohet, as në atë të të menduarit, nuk i ka shkëputur marrëdhëniet me rrëfimin tipik Lindor apo më tej ende, të një tradite të Lindjes së Mesme, prej të cilave vlen të përmendet Njëmijë e një net

Nga Dr. Brikena Smajli

Keni provuar ndonjëherë të zgjateni buzëve të pusit dhe të vështroni poshtë gojës së tij që zbret në thellësi të lagështa të tokës? A e keni ndjerë frymëmarrjen, gjallërinë e tij, që tek muret e gurtë, mbushur me likene a lule te vockla, të mezidukshme e të çuditshme? Po thellësinë e tij, të ujtë e keni parë, keni provuar të shiheni në pasqyrën e tij? A i keni zgjatur pasqyrat për të parë fundin e tij, si një fytyrë tonën dhe teksa vlagu ngjitet duke qarë, i mbushur plotpërplot me ujë, ia keni ndjerë sigurisht frymën përtëritëse qe ngjitet drejt jush…

Një rrëfim të tillë përpiqet të ngrejë prej frymës së “Pusit” shkrimtari Kim Mehmeti. Ky na vjen lart prej thellësisë së errët të tij me një narrativë tipike ballkanase e cila në njërën anë priret drejt një rrëfimi me vëmendje traditën më të mirë europiano-perëndimore dhe, nga ana tjetër as në mënyrën e rrëfimit, kuptohet, as në atë të të menduarit, nuk i ka shkëputur marrëdhëniet me rrëfimin tipik Lindor apo më tej ende, të një tradite të Lindjes së Mesme, prej të cilave vlen të përmendet Njëmijë e një net. Kemi kështu në këtë roman, jo natyrën e strukturuar qartë të rrëfimit me një linjë a disa të tilla që shtjellohen gjatë tij dhe vendosin edhe në mënyrën e ndërlidhjes së personazheve të romanit, strukturimit të fabulës; por një shtjellë rrëfimore, vorbulla qendrore e së cilës pikëzohet në figurën e pusit të fëmijërisë së autorit. Pusi, i vështruar në studimet simbolike edhe simbol i shpirtit dhe cilësi e femërores,(Cirlot,1990, 369) orienton pikëvështrimin purifikues të autorit drejt thellësirave të njëmendëta idilike të mëmësisë dhe njëmend, pusi në roman është i lidhur gjithmonë me figurën e nënës, lulet e saj, peshqit, thellësirat…

Në fakt, Pusi, me ujëra të freskët dhe purifikues është simbol aspiratave sublime, ose “filli i argjendtë” i cili bashkon njeriun me thelbin e Krijimit. Vetë D(h)emetra dhe të tjerë hyjni na shfaqen duke qendruar buzë një pusi. Por ky simbol gjendet jo vetëm në kulturat  e larta të antikitetit, por edhe në ato më primitivet. (Cirlot,1990, 369), Dhe pusi me idenë e thellësisë, kthim prapa në mëmësinë e njëmendtë ka një funksion kyç në zgjidhjet narrative të romanit.

Vetë figura e pusit në qendër, qoftë edhe si titull, marrëdhënia konkrete me kujtesën historike dhe individuale, qoftë si nyjë narrative së cilës i jashtashkruhen e i brendashkruhen ritmi i të rrëfyerit, merr prej kësaj edhe një vlerë të qartë simbolike. Rrëfimi mjegullohet dhe qasjeve konkrete, kujtesave të tilla, i vishet gjithherë një vello e cila pengon të shohim qartë, të vendosim qartë. Mjegulla kuptimore shoqëron mëdyshjet e personazheve, por edhe veprimet e tyre, konstatimet e rrëfimtarit fëmijë, aq më tepër.

“Rikujtimi i shtëpisë së lindjes dhe i pusit në mes të oborrit më ringjall gjithmonë edhe zërin e nënës [ … ]kur më vjen në kujtesë zëri i nënës, më ledhaton edhe erëmimi i luleve rreth pusit, të cilat më bëhet se ajo nuk i mirëmbante vetëm duke i ujitur, por edhe duke u kënduar.”(f.12-13)

Titujt e kapitujve apo pjesëve si nëndarje të romanit, kanë një liri të kapërthimeve narrative të pjesëve të tjera, të cilat të kujtojnë më tepër artin e të rrëfyerit gojor se sa prozën e kultivuar e autoriale, por kjo i shkon për shtat një narrative pus të mendjes me shtjellime e ripërjetime, të rrëfyera në dukje pa një mendim të strukturuar qartë.

Duke rrëfyer në vetë të parë, dhe nga syri i një të rrituri që zhytet thellë në kujtesën e gjallë të fëmijërisë për të parë nga ky pikëshikim, pikërisht “prej pranverës së shpirtit” autori synon edhe të jetë i vërtetë dhe njëkohësisht të funksionalizojë një mënyrë të caktuar rrëfimi që ka të bëjë më fort me ritmin e të rrëfyerit, që vjen i shtruar, i ngadaltë, i shtrirë… fjalitë janë të gjata, mu si litarë të krruspullosur e të mbështjellë që vërviten pusit të fëmijërisë, pusit të njeriut ballkanas, pusit të një shqiptari.

“…veprat e mia janë edhe brumë i ngjeshur nga bindja se nuk jemi ne ata që ëndërrojmë, por pjesë e ëndrrës së dikujt që e harmonizon tërësinë e çdo gjëje që ekziston në këtë botë.“ (Intervistë e autorit, Balkan ëeb, 31 gusht, 2011)

Vetë rajoni i cili është përfytyruar si më pak i lidhur, falë zhvillimeve historike që e përbëjnë, fillimisht “kolonizimi” Otoman, por edhe episodeve të tjera të historisë së trazuar qysh me formimin e shteteve të para kombëtare, (Todorova, Imagining Balcan, 1997) sillet në vëmendjen e lexuesit si një pus. Pikërisht është kjo periudhë që gjen shprehje në roman dhe trajtohet në sajë të një kujtese fragmentare si një shtjellë në syrin e një fëmije – të rritur tashmë. Vendi që për shkak të qenies së tij për pjesën më të madhe poligon konfliktesh për fuqitë botërore, ka vuajtur kështu një dozë “vonese relative” në lidhje me ndikimet kryesore europiane (shih Logan, Petter Melville, 2011, 762) edhe në kulturë, përsjell në fytyrën e një pusi, një kthim prapa, apo një lidhje me Qendrën, (Cirlot,1990, 369)tokën, Nënën, thellësinë e njëmendët të njeriut, prej të cilës ai ka dalë. Situatat narrative janë trajtuar si tufa narrative me në qendër rrëfimtarin autorial, i cili nga ky drejtpeshim me në qendër figurën e pusit, përpiqet të orientojë identitetin dhe mungesën e tij, mes një mundësie të ashtuquajtur “rrëfim mbi veten” dhe “përvojë e vetes”. Pikërisht kur ngjarjet, veprimet, soditjet, këndvështrimet narrative na vijnë nga një perspektivë e njeriut të pjekur tashmë, ky rrëfim ngërthen edhe vlerësimin, retrospektivën dhe nxjerrjen e përfundimeve morale.

“Pa dyshim, se prindërit e këtushëm kishin dëgjuar për thënien se vetëm gjatë fëmijërisë dhe rinisë njeriu jeton me fytyrën që i ka dhënë Zoti dhe se gjatë jetës së mëtejme ai e zgjedh vetë fytyrën që do të ketë, andaj edhe bënin çmos që nëse jo fytyra e tyre e vdekjes, atëherë ajo e fëmijëve që linin pas vetes, të mbetej e njëjtë me atë të lindjes. Po pra, ata e dinin se njeriu lind e rritet me fytyrën që i ka dhënë Zoti, por plaket e vdes me fytyrën që e ka zgjedhur për vetveten me atë të turpit ose me atë të njerëzishmen.” (f. 121)

Ritmi narrativ është i ngadaltë…me mbizotërim të një narratori të brendshëm, i cili e sheh botën për të cilën rrëfen nëpërmjet perceptimeve dhe përfytyrimeve, por edhe ka vetëdijen e shfaqjes apo të rrëfyerit kundrejt një auditori, ç’ka të sjell ndërmend rrëfimin tipik të një Henri James-i apo të Joseph Conrad-it, por terreni shumëkulturor, përballjet, dinamika e ngjarjeve të përfytyruara, të projektura në mend, historia e njëmendët e shqiptarit pasqyruar si një pothuajse botë e gjysmë ëndërruar i ikën plotësisht këtij përcaktimi.

Ajo që shohim e lexojmë është një pus i vetëdijes e nënvetëdijes që thellohet e thellohet në vetvete, duke zbuluar herë pas here bimësinë dhe gjallërinë që lëvrin thelbit të tij. Vetë pusi lidhet me një tufë nyjëtimesh ideore që kanë të bëjnë me konceptin e jetës si një pelegrinazh dhe ka domethënien e shpëtimit, të shpëtuarit. Prej këndej,  nëna e lidhur pazgjidhmërisht me pusin dhe lulet, është një kthim nostalgjik i kokës prapa dhe një përfytyrim kthjellues për të ardhmen.

Vetë karakteret; nëna, babai, gjyshi nuk janë pjesë e shndërrimeve apo e zhvillimeve, ato vijnë si qenësi e ndërlidhur ballkanike e shqiptare me dilemat e veta të njëmendëta. Edhe këtu personazhi zhvillon idenë e një pusi i cili synon të ruajë e të materializojë qenësinë, identitetin. Ky pus në faqet e romanit merr plotësisht përmasën e vet të njëmendët simbolike, duke u njëjtësuar me qenësinë njerëzore si pus, rrëfimin vetë si pus, madje edhe njeriun shqiptar, identitetin e tij të njëmendët si pus…bri një kulle. Për më tepër, funksioni purifikues i pusit madje edhe shërues i tij, si Schneider (SCHNEIDER, Marius. 1946; 50.) ka vënë në dukje,  gjendet  në roman mu si në ritet e shërimit tek popujt e stadit animistik, prej ku kemi qendrën e skenës së një shfaqjeje pastruese purifikuese si ritual. Kjo në rituale dhe simbolika shfaqet me simbolikën e një liqeni mitik apo edhe të një pusi (shih The Lake Isle of Innisfree, të Ë. B. Yeats). Në ujërat e pusit të romanit të Kim Mehmetit, pusi ka të njëjtat veti shëruese, në thellësi të të cilit gjen shpëtim, jo vetëm Nëna, por edhe banorët që vërtiten e jetojnë rreth tij, ata pijnë ujë pusi,  lajnë duart, gjoksin, kokën… dhe duket se fitojnë lidhjen e magjishme që ekziston me të përjetshmen. Në skaj të ujit, rriten kallama, (lule në rastin tonë) dhe gjenden guacka (peshq të kuq) dhe të gjitha janë shenja të ujit të shpëtimit.

Në vijim të shqyrtimit simbolik të pusit, mund të themi se vetë veprimi i nxjerrjes së ujit nga pusi është – si peshkimi – simbol i nxjerrjes dhe ngritjes së përmbajtjes hyjnore/shpirtërore të thellësisë, prandaj për nënën, më fort se për babanë, lidhja merr kaq kuptim të njemendtë dhe jetik.

Me vështrue në ujërat e liqenit apo të pusit është e barazvlershme me sjelljen mistike medituese, (Cirlot,1990, 369) dhe kjo në të shkruarit për narratorin aq më tepër në të shkruarit për vendlindjen dhe për fëmijërinë, ballkanase e shqiptare është një kthim meditues, reflektues prapa, një rritje e njëmendët në mendim.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ja skenarët e mundshëm, PS: Llalla ikën më 7 dhjetor

Policia e Shtetit ka tashmë një “hartë” të shtrirjes së grupeve kriminale...
Read More