Kina ka plane, ja si duhet t’i përgjigjet Europa


Teksa investimet kineze qarkullojnë në Bashkimin Europian, europianët kanë filluar të shqetësohen

The Economist

Europa ka kapur syrin e Kinës. Investimet kineze atje janë rritur, në gati € 36 miliardë ($ 40 miliardë) në 2016- pothuajse dyfishi i totalit të viteve të mëparshme. FDI-të kineze ranë në vitin 2017, aksionet e shpenzuara në Europë u rritën nga një e pesta në një të katërtën. Për pjesën më të madhe, këto para janë të mirëpritura. Marrëdhëniet tregtare të Europës me Kinën i kanë bërë të dyja palët më të pasura.

Megjithatë, Kina po përdor gjithashtu muskujt e saj financiarë për të blerë influencë politike. Presidenti çek, Milos Zeman, dëshiron që vendi i tij të jetë një “aeroplanmbajtëse që nuk përmbytet” e Kinës në Europë. Vitin e kaluar Greqia e ndaloi Bashkimin Europian që të kritikonte raportet e Kinës për të drejtat e njeriut në një forum të OKB-së. Hungaria dhe Greqia e penguan BE-në të mbështeste një vendim gjyqësor kundër pretendimeve territoriale të shtrira të Kinës në Detin e Kinës Jugore. Të ballafaquar me një sjellje të tillë, është normale që europianët të jenë të shqetësuar.

Dhe jo vetëm europianët. Kushtet në të cilat superfuqia jodemokratike në zhvillim investon në botën e jashtme janë me interes për të gjitha vendet – veçanërisht nëse mund të preken edhe gjëra të tjera, të tilla si politika e jashtme. Amerikanët, të konsumuar gjithnjë e më shumë nga frika se Kina paraqet një kërcënim komercial dhe ushtarak, duhet të jenë të vetëdijshëm për konkurrencën mbi besnikërinë e aleatit më të vjetër, Bashkimit Europian. Për hir të të gjithëve, ka rëndësi që evropianët të vlerësojnë mirëseardhjen e tyre për Kinën me mençuri. Vetëm se tani, ata nuk e bëjnë këtë.

Një ndjesi perspektive

Shumë nga planet e Kinës në Evropë janë pikërisht ajo që ju do të prisni nga një ekonomi në rritje. Disa investime janë private, fitimprurëse dhe të padëmshme. Fitimi i teknologjisë nëpërmjet blerjes së firmave inovative, duke përfshirë edhe në Mittelstand të Gjermanisë, është i arsyeshëm, për sa kohë që marrëveshjet shqyrtohen për rreziqet e sigurisë kombëtare. Ka edhe gjëra që Kina, ndryshe nga Rusia, nuk dëshiron, gjëra të tilla siç të minojë BE-në ose të mbjellin kaosin duke mbështetur fshehurazi partitë populiste dhe ksenofobike. Më mirë do të ishte që Europa të mbetet e qëndrueshme dhe e hapur për biznes. Për çështje të tilla si ndryshimet klimatike dhe tregtia, Kina ka vepruar më me përgjegjësi sesa administrata Trump, duke kërkuar të mbrojë akordet globale në vend që t’u hedhë granata atyre.

Disa europianë e përdorin këtë fakt për të sugjeruar që Kina është një kundërpeshë e dobishme për një Amerikë të paparashikueshme. Kjo është e gabuar. Europa ka shumë më tepër të përbashkëta me Amerikën sesa Kina, megjithatë shumë europianë mund të mos i pëlqejnë banorët e Shtëpisë së Bardhë. Për më tepër, Kina ka përdorur nevojën e BE-së për unanimitet në shumicën e vendimeve të saj për të zgjedhur një ose dy shtete anëtare në mënyrë që të bllokojë deklaratat ose veprimet e të cilave nuk i aprovon – si me të drejtat e njeriut.

Europianët e tjerë kapen pas shembujve të tillë që të hidhen në përfundimin e kundërt. Ata kanë frikë se paratë kineze një ditë do të minojnë aleancën ushtarake të Europës me Shtetet e Bashkuara. Për fat të mirë, kjo është një rrugë e gjatë, siç kanë treguar flotat franceze dhe britanike duke iu bashkuar Amerikës dhe Japonisë për të sfiduar Kinën në Detin e Kinës Jugore. Derisa vetë Kina të bëhet një demokraci, për të cilën nuk ka asnjë shenjë, Europa me siguri do të mbetet më afër aleatëve të saj tradicionalë.

Kështu Europa duhet të marrë një kurs që shmang ekstremet e naivitetit dhe armiqësisë. Duhet të shmangë imitimin e proteksionizmit kinez. Mund të duket “e drejtë” t’i nënshtrojë firmat kineze në Europë ndaj kufizimeve që firmat europiane përballen në Kinë, por do të ishte një gabim. Përhapshmëria e shoqërive dhe ekonomive europiane ndaj ideve dhe ndikimeve është një aset me vlerë që duhet ruajtur.

Por një hapje e tillë, gjithashtu, i bën ata të pambrojtur. Prandaj, qeveritë duhet t’i shqyrtojnë investimet rast pas rasti. Mali i Zi nuk duhet t’i lejonte borxhet e tij në Kinë që të bëheshin kaq të rrezikshme. Hungaria dhe Polonia duhet të kishin vëzhguar më mirë disa projekte të caktuara të infrastrukturës kineze që ofrojnë vlerë të dobët parash ose nuk janë përfunduar siç duhet.

Europianët mund të bëjnë më shumë për të mbështetur kauzën e tyre për “reciprocitetin”, ose idenë që BE dhe Kina duhet ta trajtojnë njëra-tjetrën, ashtu siç secili dëshiron të trajtohet. Ata mund të përfshijnë, për shembull, instrumente të reja për ta bërë më të qartë se kush blen aksione në firma dhe kështu nëse ata po i bëjnë ndershmërisht këto blerje. Ata, gjithashtu, duhet të rrisin fondet për studime të paanshme të Kinës. Transparenca duhet të kërkohet nga partitë politike, universitetet, grupet e të menduarit dhe lobistët. Ndonjëherë paraja cash kineze blen një marrëveshje të paqëndrueshme. Më shpesh, ajo çon në vetëcensurim dhe tërheqje madje edhe nga akademitë prestigjioze.

Dhe Europa duhet të synojë të flasë si një zë i vetëm. Asnjë prej shteteve të veta nuk mund të ballafaqohet me Kinën, por duke vepruar së bashku, ata mund ta bëjnë këtë për dekada të tëra që do vijnë. BE mund, për shembull, të përdorë votimin me shumicë të cilësuar (QMV) dhe jo vota unanime për disa subjekte të ndjeshme për Kinën, siç janë të drejtat e njeriut. Kjo nuk do të funksiononte për gjithçka, shumica e vendeve të BE do të pengonin dhënien e vetos për Brukselin mbi mënyrën se si ata do të poziciononin forcat e tyre ushtarake. Por QMV do ta bënte më të vështirë që Kina të paralizonte BE-në duke zgjedhur një anëtar të vogël herë pas here. BE gjithashtu mund të bashkërendojë proceset e shqyrtimit të investimeve nga shtetet anëtare. Dhe mund të kujdeset më mirë për ato vende të jugut dhe lindjes, veçanërisht të prekshme ndaj ndikimit të Kinës dhe të ofrojnë burime alternative të investimeve për projektet që ata i konsiderojnë të rëndësishme. Pak më shumë solidaritet brenda-europian do të ndikonte shumë.

Çfarë nuk mund të blejë paraja

Amerika gjithashtu ka një rol për të luajtur. Idealisht administrata Trump do të ndalonte trajtimin e europianëve si kalorës të lirë në pushtetin amerikan, të cilët kanë nevojë për një shkelmim. Për sa i përket tregtisë, veçanërisht, BE është një aleat i fuqishëm potencial në futjen e Kinës në normat globale. Amerika gjithashtu duhet të punojë më afër me qeveritë europiane për të ngritur standarde të përbashkëta të transparencës, rrënimit të trafikut dhe parandalimit të ndikimit – që do ta bënte më të vështirë që Kina të impononte rregullat e vetë në vendet e vogla. Në një kohë kur standardet për IT dhe inteligjencën artificiale rrezikojnë të ndahen në një kamp kinez dhe një amerikan, Europa mund të ndihmojë në gjetjen e një rruge të mesme.

Ndërsa Kina rritet, përfitimet për botën e një Europe të pavarur, të hapur dhe të lirë do të rriten. Anasjelltas, një Europë e dobësuar dhe e ndarë nga regjimi autoritar më i fuqishëm në botë, do të përkeqësonte problemet përtej kufijve të BE. Europa nuk duhet të lejojë që kjo të ndodhë.

*Përktheu: Shaqir Sulaj

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Bursa sociale UET, historia prekëse: Nga viktimë e dhunës në studente

“Arsimi më ndryshoi jetën, asnjëherë nuk është vonë t’ia nisësh nga e...
Read More