Kinemateka shqiptare, idetë nisin nga Tirana

Driant-Zeneli.-Foto-Nico-Covre

Shqipëria është një nga vendet e pakta në Evropë pa kinematekë. Regjisorja Iris Elezi për herë të parë paraqet një projekt të ri për kinematikën shqiptare e përzgjedhur në programin Sofa në Poloni, një program unik i skenës ndërkombëtare të filmit, ku nën një çati do të bashkohen filmbërës të talentuar lokalë dhe ndërkombëtarë, si dhe qytetarët e kryeqytetit, të cilët e duan artin e kinemasë

 

Iris Elezi

Kinemateka shqiptare është projekti i ri i regjisores Iris Elezi, i përzgjedhur në programin SOFA në Poloni, mbajtur nga 18-29 Gusht.

Kjo është hera e parë që një projekt shqiptar merr pjesë në këtë program unik të skenës ndërkombëtare të filmit, njoftimi zyrtar i të cilit u bë publik në 4 Korrik gjatë Festivalit të Filmit Karlovy Vary në Çeki.

Shqipëria është një nga vendet e pakta në Evropë pa kinematekë. Me anë të këtij projekti, kineastja Iris Elezi do të ndërtojë një hapësire të dedikuar kulturës, promovimit dhe edukimit të filmit – ku nën një çati do të bashkohen filmbërës të talentuar lokalë dhe ndërkombëtarë, si dhe qytetarët e kryeqytetit, të cilët e duan artin e kinemasë.

Në këtë kuadër duhet thënë se Sofa zhvillon në mënyrë aktive projekte të një natyre të veçantë që forcojnë industritë kombëtare të filmit me ato Europiane, duke ftuar tetë profesionistë të filmit nga Evropa Lindore dhe e Mesme, për dhjetë ditë trajnim intensiv në kryeqytetin e Kulturës Europiane për këtë vit, Wraclaw.

Specifikisht SOFA ndihmon në përgatitjen e një pakete konkrete se si do të manifestohen në realitet këto ide, si dhe prezantimin e projektit te vendimmarrës të rëndësishëm të industrisë botërore të filmit.

Ashtu si institucione të mirënjohura si BFI – Instituti i Filmit Britanik apo DIF – Instituti i Filmit Gjerman, në një shkallë më të vogël, kinematika shqiptare pritet të kombinojë rolet kulturore, kreative dhe industriale në tre pika: Kinemateka: Shfaqje të kuruara për edukimin e filmit dhe zhvillimin e audiencës së re; Rezidenca e artit: Një platformë për zhvillimin e marrëdhënieve me kolegë europianë për suksesin dhe rritjen e industrisë së filmit shqiptar duke mbështetur kineastët tanë nëpërmjet trajnimeve & shkëmbimeve ndërkombëtare; Studimi dhe botimi: Një qendër për studimin kritik të së shkuarës dhe së tashmes së kinemasë shqiptare, si dhe trajnimin e brezit të ri të kritikëve, shkrimet e të cilëve do të botohen në një revistë dedikuar filmit si art. Në këtë fazë të parë të prezantimit të projektit, pjesëmarrja e regjisores Iris Elezi u mundësua falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, QKK – Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, si dhe vetë programit SOFA.

Programi SOFA u krijua katër vjet më parë nga Nikolaj Nikitin si një pan – evropian think tank për ardhmërinë e kinemasë. Puna do të vijojë edhe pas trajnimit në Poloni, përgjatë gjashtë muajve të ardhshëm, në ndërtimin e strategjisë dhe urave të nevojshme me fondet ndërkombëtare të industrisë së filmit.

 

Bio

Iris Elezi studioi teorinë e filmit & kritikën, antropologji dhe shkencat gjinore para përfundimit të studimeve për prodhimin e filmit në NYU në vitin 2001. Filmi i saj i parë artistik, BOTA, pati premierën në festivalin prestigjioz të Karlovy Vary dhe pasi u vlerësua me shtatëmbëdhjetë çmime ndërkombëtare, përfaqësoi Shqipërinë në garën e Academy Awards, 2016. Iris Elezi së bashku me arkivisten amerikane Regina Longo dhe kineastin Thomas Logoreci, bashkë-themeloi Projektin e Kinemasë Shqiptare – ACP, një nismë që synon restaurimin dhe promovimin e kinemasë shqiptare.

 

 

 

Filmi i ri

Fatmir Koçi kthen “elivisin” në shtëpi

 

“Elvisi kthehet në shtëpi”, është projekti më i ri kinematografik i regjisorit Fatmir Koçi, i cili ka nisur të xhirohet dje. Regjisori Koçi, edhe kësaj here, ka zgjedhur për ta trajtuar një temë të karakterit historik për ngjarjet në luftërat në Ballkan në vitin 1999.

Filmi bën fjalë për fatin e disa fëmijëve të mbetur jetim nga lufta, ndërkohë që një imitues i Elvis Presley-t që zbret në Ballkan për të argëtuar trupat britanike, takohet me këta fëmijë, që kanë mbetur në rrugë. Protagonist kryesor i filmit do të jetë aktori, Dritan Kastrati, i njohur për interpretime të ndryshme në teatrot e Londrës dhe i angazhuar në një sërë prodhimesh televizive. Kastrati vjen në film në rolin e Elvisit, personazhit që regjisori Koçi ka zgjedhur për sfidën e tij më të re kinematografike. Aktori Dritan Kastrati ka deklaruar se ky rol është shumë i rëndësishëm për vetë dramën që mbart dhe rrëfimin e një kohe e cila sjell një pjesë të Shqipërisë së dikurshme. Për aktorin që teatrin e ka pjesë të tij, roli i Elvisit është sfidë për vetë karizmën që mbart. Ndryshe nga komedia “Pit Stop Mafia”, përmes filmit të ri, regjisori Koçi synon ekranet ndërkombëtare. Pjesa më e madhe e filmit që vjen me skenar të Jonatan Preece, luhet në anglisht.

Driant Zeneli në Art House

Si mund të shtyjmë limitet tona pa qenë superheronj?

 

Artisti Driant Zeneli hyn në një zonë gri për kulturën shqiptare, që përfshin profilin e intelektualit në vend. Bëhet fjalë për pritjen e tij në Art House Shkodër, nga datat 5-10 shtator, ku do të shndërrojë bisedën e tij pamore në një areal ballafaqimi të imazhit. Kështu me dilemën si mund të arrimë të shtyjmë limitet tona pa qenë superheronj? Driant Zeneli krijon një laborator mbi sfidën e limiteve intelektuale, perceptive dhe fizike, i bazuar në aksione performative dhe teorike.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

De Biasi publikon listën paraprake, Bild: Trupa ‘pa emër’

Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi ka publikuar paraditen e së...
Read More