Kjo është faza më e rrezikshme dhe vendimtarja për oligarkët

Një shpjegim i ndryshëm për oligarkët. Pse janë më të rrezikuar pasi ekspozohen dhe përse atyre u intereson më shumë që pronat e tyre të mbrohet

Nga Enton Palushi

Ka gjithmonë një interes për të mësuar për renditjet. Sidomos renditjet e më të pasurve tërheqin një vëmendje të madhe nëpër media. Interesi për të mësuar se kush janë personat më të pasur në Shqipëri apo në botë është i jashtëzakonshëm. Por renditjet shkojnë edhe pas në histori, për të mësuar se kush ka qenë personi më i pasur i të gjitha kohërave. Për historianët, ai është mbreti afrikan Musa, që ka jetuar diku në territorin e sotëm të Malit. Por për ekonomistët nuk ka dyshim: Njeriu më i pasur në histori është Jakob Fugger, bankieri gjerman i njohur me nofkën: ‘I pasuri’.

Ka kaq shumë të dhëna interesante për jetën e Fugger, djalit të një familje tregtarësh në Augsburg, që lindi në vitin 1459 dhe vdiq në vitin 1525, sa mbetesh i befasuar. Thuhet se arriti të krijojë një pasuri që me vlerat e sotme i kapërcen 400 miliardë euro dhe me këtë pasuri të pamasë jetuan në luks plot 16 breza që pasuan.

Por më interesante është se si një njeri arriti që brenda pak dekadash të kthehet në një bankier kaq të fuqishëm, sa të kishte në dorën e tij mbretër e klerikë të lartë, aq sa thuhet se mund të kërcënonte edhe Karlin V që t’i kthente borxhet në kohë, pasi ishte ai që e vuri në atë fron. Për gazetarët është interesant fakti se Fugger arriti që të krijojë një agjenci lajmesh perfekte për kohën, pasi e dinte se informacioni është pushtet.

Dhe për t’i vënë kapak historisë së pabesueshme të Fugger, për shumë ekspertë, revolta e Martin Luther dhe tezat e tij u nxitën pikërisht nga mënyra se si Fugger i mbante peng klerikët me praktikët e tij si bankier.

***

Ju ka ndodhur besoj edhe në komunizëm që të dëgjoni teksa dikush të etiketojë si ‘Rokfeler’ një person që jeton mirë. Emri ‘Rokfeler’ është kthyer në sinonim të pasurisë. Nëse Fugger ishte më i pasuri në histori, pak më poshtë në listë do të gjesh një numër të madh biznesmenësh amerikanë, të cilët jetuan dhe u pasuruan në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20. Mes tyre edhe Rockefeller, Carnegie, Vanderbilt, JP Morgan etj. Ata kanë shumë të përbashkëta, por më kryesorja është se në atë kohë etiketoheshin si “baronët grabitqarë”, një term i vendosur fillimisht për ta nga gazeta “New York Times”, dhe që vjen nga fjala gjermanisht “Raubritter”. Me ketë emër njiheshin disa feudalë që bënin edhe punën e kalorësve grabitës.

Koha kur kanë jetuar ata mund të duket e largët, por historia duket e ngjashme. Për studiuesin Anders Aslund, që për disa është edhe njohësi më i mirë i oligarkëve: “Në fakt, oligarkët në Rusi dhe Ukrainë kanë shfaqur më shumë ngjashmëri me ‘baronët grabitqarë’ të Amerikës, por koha i ka shëruar dhe ka i zbukuruar ata në SHBA”. Edhe në SHBA ata e kishin përdorur politikën për të arritur qëllimet e tyre, aq sa në një pikë kërkuan që të legjitimonin edhe ryshfetin. Por mbi të gjithë, sipas Aslund, edhe biznesmenët amerikanë, edhe ata të Europës lindore, lindën në një periudhë të caktuar kohore, kur kushtet ishin të tilla sa e favorizonin pasurimin marramendës.

****

“Problemi i kapitalizmit janë kapitalistët. Ata janë tmerrësisht të babëzitur”. Kështu thoshte presidenti amerikan, Herbert Hoover. Për shumë historianë, termi oligark nuk është diçka e re. Sipas tyre, gjithmonë pas regjimeve kanë qëndruar një grusht njerëzish të pasur. Ligji i hekurt i oligarkisë, një teori politike e sociologut Robert Michels, thotë se të gjithë organizatat komplekse, pavarësisht se sa demokratike janë kur nisin, në fakt kthehen në oligarki. Kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri, ku diskutimi për oligarkët është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes.

***

Komediani i talentuar Chris Rock citohet shpesh për një batutë. Gjatë një prej shfaqjeve të tij ai tha se “nëse të varfërit do e mësonin se sa të pasur janë të pasurit në të vërtetë, do kishte trazira në rrugë”. Duket se ka të drejtë.

“Reagimi popullor ndaj oligarkëve nisi pas viteve 2000, pasi disa nga oligarkët më të mëdhenj vendosën të bëhen plotësisht legjitimë dhe të paguajnë taksa, të deklarojnë pronësinë dhe të shpenzojnë shuma të konsiderueshme për bamirësi. Në retrospektivë mund të argumentohet se kjo transparencë ishte gabimi më serioz që bënë oligarkët rusë”, thotë Aslund.

“Problemi themelor i oligarkëve janë të drejtat e pronës. Hernando de Soto ka theksuar se mungesa e të drejtave të pronës dëmton klasën e mesme dhe të varfërit në vendet në zhvillim. Por të pasurit janë në të njejtat telashe. Dallimi është se ata e përdorin politikën si një mjet për të risiguruar të drejtat e brishta të pronave të tyre. Po ashtu ata e përdorin politikën për të shfrytëzuar burimet shtetërore dhe për të minuar të drejtat e pronave të të tjerëve”.

“Sensi moral nuk është shumë i mirë. Sa më shumë makinacione të fshehta të bëjnë oligarkët, aq më të sigurtë janë. Sa më produktivë të bëhen, aq më shumë nuk pëlqehen. Sa më transparentë të bëhen, aq më të dënuar do jenë. Sa më shumë taksa të paguajnë, aq më të ekspozuar do jenë”.

A nuk ju duken familjare këto situata të përshkruara para një dekade nga Aslund? A nuk është edhe kjo situata në Shqipëri? A nuk po flitet më shumë tashmë për oligarkët, pasi kanë dalë në dritë? A nuk janë ata më të urryer pasi kanë nisur që të tregojnë se sa të pasur janë? A nuk janë më të rrezikuar tani që po legjitimohen dhe po diversifikojnë portofolin e investimeve? E thënë troç, a nuk janë tashmë në hall pasi njerëzit e kanë mësuar se sa të pasur janë.

“Atëherë cili është problemi me oligarkët? Ka më shumë zhurmë se ç’duhet kur bie fjala tek oligarkët. Thelbi është se njerëzit nuk i pëlqejnë kapitalistët e suksesshëm, çka është një çështje e pastër ideologjike”.

“Armiku kryesor i liberalizmit nuk është më socializmi, edhe pse disa mund të thonë kështu. Vendin e tij e ka zënë populizmi”.

“Sa më të suksesshëm të bëhen ata, aq më pak të pëlqyer janë. Cila është zgjidhja? T’u garantohen oligarkëve të drejta të plota të pronave, pa u kërkuar atyre kompensim. Bëni marrëveshje me oligarkët dhe vlerësoni kapitalizmin”, thotë Aslund.

Ky ishte mesazhi i tij në vitin 2005, por 12 vite më vonë, gjërat nuk shkuan siç kishte parashikuar ai. Për Aslund, oligarkët janë kapitalistë që mund të përshtaten, fleksibël dhe që e njohin biznesin. Pikërisht pasi të dalin në dritë, të legjitimohen dhe të sigurojnë pronën e tyre, ata do përmbyllin fazën finale dhe rrugëtimi i tyre do jetë si në vendet e tjera të zhvilluara perëndimore.

A ndodhi kështu? Shpesh jo, mjafton të shohësh rastin e Rusisë së Vladimir Putin, ku oligarkët u zëvendësuan me familjarë dhe miq të presidentit rus. Pasuria e tyre u ‘shqye’ dhe kompanitë ranë në duar akoma më të dyshimta. Kapitalistët u zëvendësuan me ‘cronies’. A mund të ndodhë edhe në Shqipëri diçka e tillë? Në jo pak raste mediat dhe politika kanë bërë thirrje për eliminimin e oligarkëve ose ndryshimin e duarve të pasurive, ndërsa kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur duke thënë se ‘biznesi nuk po ndryshon duar’ dhe se ai po punon me njerëz që kanë votuar dhe janë ngritur në kohën e PD. Një sinjal se Shqipëria dhe biznesmenët e saj kanë hyrë në fazën finale, që është më e rrezikshmja, por edhe më e rëndësishmja. Për disa media, tashmë që oligarkët po legjitimohen, rreziku është që pasuria e tyre të mos kanalizohet në projekte aventureske si ato të koncesioneve të rrugëve.

Sfida është e vështirë dhe tashmë kjo ndjehet në ajër. Ose siç e theksonte vetë Aslund sikur ta kishte shkruar për një vend si ne: “Thelbi i diskutimit për oligarkët megjithatë është ideologjik. Shfaqja e oligakrëve duhet kuptuar si një pasoja e natyrshme e kushteve mbizotëruese ekonomike, ligjore dhe politike”.

“Për të kapërcyer këtë diskutim, publiku duhet të pranojë parimet themelore të kapitalizmit. Megjithatë oligarkët duhet të disiplinohen. Nëse shteti është në gjendje që të garantojë të drejtat e pronës për biznesmenët e mëdhenj, do ulet ndjeshëm nevoja e tyre për të kapur shtetin. Një sistem ligjor normal do të disiplinojë oligarkët. Në fund, asnjë zgjidhje politike nuk mund të jetë e plotë nëse nuk mbështetet nga një bazë e fortë ideologjike. Nëse njerëzit nuk e pranojnë se u duhet kapitalizmi për të mirën e tyre, ata nuk kanë gjasë që t’i pranojnë super-të pasurit”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Spektakël i nivelit botëror me paratë e një shteti të varfër

Nga Ervis Iljazaj Në këtë fillim Qershori qytetarët e Tiranës kanë shijuar...
Read More