Klara Buda: Në diktaturë frika i modelonte njerëzit

Dje, në hollin e UET është promovuar romani i Klara Budës, “Pëshpërimë gruaje”, prezantuar pak ditë më parë në Panairin e Librit Tirana 2017, pjesë e kolanës letrare të “Mapo Editions”. Romani merret me fatin e individit në diktaturë dhe dashurinë si një akt rezistence, një fiction që i vendos ngjarjet në vitet ‘80 në regjimin totalitar

Që prej momentit të arrestimit nuk i kishin bërë asnjë pyetje për lidhjen me Almën, por Adriani nuk do ta mohonte atë. Ai ishte nga të rrallët, i ndërgjegjshëm, se në atë sistem, të dashuroje duke shpërfillur klasën, ishte në vetvete një akt rezistence …, mund të jetë një nga fjalitë që hap qiellin e romanit “Pëshpërimë gruaje” të Klara Budës, i prezantuar në Panairin e Librit që sapo u mbyll, si pjesë e kolanës letrare të “Mapo Editions”. Ndërsa dje, në mjediset e UET, mes miqve, e gazetarëve romani i Klara Budës ka marrë edhe vëmendjen e drejtpërdrejtë të dedikimit të këtij libri.

Romani ndan me lexuesit fatin e individit në diktaturë, se si një nga gjestet më sublime, siç është dashuria shpërfillte klasën. Romani është një fiction që i vendos ngjarjet në vitet ‘80 në regjimin totalitar shqiptar. Ideali i lirisë mbijeton, me gjithë reduktimin e individit në rendin më të ulët social, atë të skllavërisë.

Për këtë libër, gazetari e kritiku Agim Baçi tha se: “Pëshpërimë gruaje…është totalisht një libër i ri, por po ju them që do citoja Hanah Arend kur thotë se ndoshta dashuria është disidentja më e madhe e një sistemi dhe unë mendoj që lidhja midis Almës dhe Eduardit është një pasqyrim i disidencës, asaj të vetmes formë që mund ta sfidonte pushtetin. Titulli i ardhur në shqip “Pëshpërimë” është ndoshta formati ku arrihet i vetmi model që mbijetoi njeriu në atë kohë, si përshpërimë, nuk  kishte zë sepse në atë sistem zëri i lartë i takonte vetëm partisë, por ajo që e mbante këtë pëshpërimë, që mbante dhe njeriun gjallë, që e mbante njeriun për të mbijetuar ishte dashuria. Në fakt ka fituar një dashuri gati e pamundur por që përmes pamundësisë së dashurisë Klara ka dashur të pikturojë pamundësinë e atij sistemi”.

Ndërsa vetë autorja, Klara Buda do të tregonte e shprehte në këtë rast se: “…është një libër për dashurinë si formë rezistence dhe ndoshta është ajo që na mbajti gjallë në atë kohë, është ajo periudhë aq e hidhur sidomos për brezin tonë që unë e quaj brez të humbur. Personalisht, shumë miq më thonë, se ky është një fiksion që nuk ka të bëjë absolutisht me një histori të vërtetë, nuk jam unë ajo vajza së cilës i ndodhin ato të këqijat, por unë ajo vajza të cilës nuk i ka ndodhur asgjë dhe kishte një vëlla të cilit i ndodhnin të gjitha gjërat. Isha motra më e vogël e një vëllai që përjashtohej nga shkolla, përjashtohej nga zbori, përjashtohej nga puna  dhe unë kam rrojtur në frikën se mos më ndodhte e njëjta gjë. Dhe duke jetuar me këtë frikë kam arritur në konkluzionin që gjëja më e tmerrshme e atij sistemi ishte psikoza që ai krijoi dhe frika që ai mbolli. Nuk ka një personazhë pozitiv dhe negativ, të gjithë janë të brishtë, të gjithë kanë problemet e tyre, por ai që në të parë të parë të duket më i egri, më i pa bukuri, ai në një moment e kupton që frika i zbriti në zemër. Dhe ky ka qenë një moment deçisiv në jetën time për të kuptuar pse shpesh herë ne dhe, si komb, edhe kur jemi në aeroporte, për një problem të vogël krijojmë një dramë të madhe. Dhe një fjalë e vogël i mërzit dhe bëhet një dramë e madhe. Po pse ndodh kjo? Ndodh se në atë periudhë, në atë sistem për një gjë të vogël ose për asgjë mund të ngrihej diçka që të çonte në burg apo në internim. Në fakt tema më e rëndësishme e romanit të ripunuar është trajtimi i psikologjisë së frikës. Se si frika i modelonte njerëzit, i tuste, i pengonte në jetën e përditshme.

Klara Buda është diplomuar në Metoda të Studimit të Historisë dhe Histori Arti, në Ecole Pratique des Hautes Études, E.P.H.E. në Paris, dhe pas një karriere të pasur në Francë dhe SHBA, duke punuar respektivisht për UNESCO-n, BBC-në, Radio Francën Internacionale dhe Diplomacinë Kulturore, aktualisht ajo drejton Këshillin për Promovimin e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Ndër botimet e saj veçojmë romanin Kloroform, vëllimin Kosova Mon Amour, çmimi i publicistikës në “Prishtina Book Fair 2017”, përkthimin në frëngjisht të rrëfenjës Fshati im e pi rakinë të Kutelit dhe studimin akademik Rrëfenja Kuteliane.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Po sikur ta kthenim turizmin në industrinë tonë kombëtare?!

Nga Ervis Iljazaj Tashmë që kemi hyrë në muajin Gusht vjen natyrshëm...
Read More