Klara Buda, ‘Pëshpërimë gruaje’ ose dashuria si aktor rezistence

Të premten, në hollin e UET promovohet romani i Klara Budës, “Pëshpërimë gruaje”, prezantuar pak ditë më parë në Panairin e Librit Tirana 2017, pjesë e kolanës letrare të “Mapo Editions”. Romani merret me fatin e individit në diktaturë dhe dashurinë si një akt rezistence, një fiction që i vendos ngjarjet në vitet ‘80 në regjimin totalitar

Që prej momentit të arrestimit nuk i kishin bërë asnjë pyetje për lidhjen me Almën, por Adriani nuk do ta mohonte atë. Ai ishte nga të rrallët, i ndërgjegjshëm, se në atë sistem, të dashuroje duke shpërfillur klasën, ishte në vetvete një akt rezistence …, mund të jetë një nga fjalitë që hap qiellin e romanit “Pëshpërimë gruaje” të Klara Budës, i prezantuar në Panairin e Librit që sapo u mbyll, si pjesë e kolanës letrare të “Mapo Editions”.

Romani ndan me lexuesit fatin e individit në diktaturë, se si një nga gjestet më sublime, siç është dashuria shpërfillte klasën. Romani është një fiction që i vendos ngjarjet në vitet ‘80 në regjimin totalitar shqiptar. Ideali i lirisë mbijeton, me gjithë reduktimin e individit në rendin më të ulët social, atë të skllavërisë.

“Ky roman, në mënyrë të pashmangshme i kujton këtij brezi të mallkuar një epokë me kujtime të rënda, vuajtje, tronditje, që mbase disa i kanë fshirë nga memoria e tyre, por që të tjerë mund t’i “bluajnë” ende me mendje”, është shprehur autorja. Ndërsa për brezin e ri shqiptar, të rritur në një shoqëri me zakone pak a shumë perëndimore, ky roman është një mënyrë për të zbuluar se si kanë jetuar prindërit e tyre. Diktatura komuniste ka marrë fund që prej 27 vjetësh në Shqipëri, por ajo duket aq e largët në kujtime, saqë po bëhet si një realitet absolutisht i paimagjinueshëm për brezin e sotëm, dashuritë e të cilit përballen me demonë të tjerë.

“Të tulatur e të puthitur te njëri-tjetri dhe duke mposhtur dridhjen e trupave të tyre e mbajtur frymën, por pa shumë pushtet mbi një drithërimë tjetër që sinkronizonte rrahjet e zemrave të tyre dhe përhapej në rrathë koncentrikë nga vullkani përvëlues i Almës drejt virilitetit paqtor të Adrianit […] Vështrimi i Almës normalisht i flaktë, dukej sikur kishte humbur. Sytë e saj, për të cilën thuhej se nuk trembej, shprehnin frikë. Që nga momenti i arrestimit, një natë më parë, Adriani nuk kishte mbyllur sy. Atij nuk i kishin bërë asnjë pyetje për lidhjen me Almën, çdo gjë kishte ardhur papritur dhe ai nuk e kishte menduar se çfarë do të thoshte për marrëdhënien e tyre, por për asgjë në botë nuk do ta cenonte atë. Si pak të tjerë, ai qe ndërgjegjësuar se të dashuroje në atë sistem ishte në vetvete një akt rezistence…”.

Klara Buda është diplomuar në Metoda të Studimit të Historisë dhe Histori Arti, në Ecole Pratique des Hautes Études, E.P.H.E. në Paris, dhe pas një karriere të pasur në Francë dhe SHBA, duke punuar respektivisht për UNESCO-n, BBC-në, Radio Francën Internacionale dhe Diplomacinë Kulturore, aktualisht ajo drejton Këshillin për Promovimin e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Ndër botimet e saj veçojmë romanin Kloroform, vëllimin Kosova Mon Amour, çmimi i publicistikës në “Prishtina Book Fair 2017”, përkthimin në frëngjisht të rrëfenjës Fshati im e pi rakinë të Kutelit dhe studimin akademik Rrëfenja Kuteliane.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vapa: Kujdesi për të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët

Qindra raste në ditë kërkojnë ndihmë mjekësore, teksa doktor Skënder Brataj apelon...
Read More