KLGJ dhe KLP kalon pa konsensus, përbërjen e caktojnë goglat 

Pas shqyrtimit dhe hedhjes në votim nga nënkomisioni, asnjë prej kandidaturave nuk mundi të sigurojë katër votat e nevojshme. Në mungesë të konsensusit, referuar ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor”, përzgjedhja e kandidatëve u bë përmes procedurës së hedhjes së shortit manual

Dy organet e Reformës në Drejtësi, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ngrihen pa konsensusin e politikës. Të paktën kjo është lënë të kuptohet publikisht. Në mungesë të dialogut, përbërjen e anëtarëve jogjyqtarë për KLGJ-në dhe joprokurorë për KLP-në e kanë vendosur goglat e shortit.

KLGJ ka një përbërje prej 11 anëtarësh, 6 prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe 5 nga Kuvendi, nga radhët e juristëve jogjyqtarë. Edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë.

Dje, Kuvendi ka hedhur hapin e parë, duke përzgjedhur emrat që i takojnë në bazë të ligjit. Pra, pesë kandidatë për KLGJ-në dhe pesë për KLP-në.

Nënkomisioni ad hoc, përzgjedhës i ngritur për çështjen sa më sipër shqyrtoi dje listën e kandidatëve të kualifikuar, nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.

Ajo përbëhej nga 10 kandidatë për anëtarë të KLGJ nga avokatia, 4 kandidatë për anëtarë të KLGJ nga trupa e pedagogëve, 3 kandidatë për anëtarë të KLGJ nga shoqëria civile. Ndërsa, lista e kandidatëve të kualifikuar për anëtarë të KLP-së përbëhej nga 7 kandidatë për anëtarë të KLP-së nga avokatia, 5 kandidatë për anëtarë të KLP nga trupa e pedagogëve dhe 3 kandidatë për anëtarë të KLP nga shoqëria civile.

Pas shqyrtimit dhe hedhjes në votim nga nënkomisioni, asnjë prej kandidaturave nuk mundi të sigurojë katër votat e nevojshme nga anëtarët. Në mungesë të konsensusit, referuar ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor”, përzgjedhja e kandidatëve u bë përmes procedurës së hedhjes së shortit manual, duke kënaqur jo pak përzgjedhjen e bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj.

Për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit u përzgjodhën: 1) Nga radhët e Avokatisë: Arben Vani, Sokol Lamaj; 2) Nga radhët e pedagogëve: Erion Muharremaj, Ilir Panda; 3)

Nga radhët e shoqërisë civile: Altin Hazizaj. Ndërsa për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, shorti përzgjodhi: 1) Nga radhët e Avokatisë, Kozma Jano, Floreta Gjini; 2)  Nga radhët e pedagogëve: Eneida Sema, Mirela Bogdani;  3) Nga radhët e shoqërisë civile: Alfred Balla. Në listën e emrave të miratuar përfshihen edhe kandidatë të skualifikuar nga ONM-ja, siç është rasti i Alfred Ballës.  “Përveç faktit që ky kandidat nuk i plotëson kriteret e përmendura në ligj vëzhguesit ndërkombëtarë kanë konstatuar se platforma e paraqitur nga ky kandidat është pothuajse plotësisht plagjiaturë e një platforme të paraqitur nga një kandidat tjetër, aplikimi i të cilit u refuzua në fazat e mëparshme të procesit duke qenë se nuk i plotësonte kriteret formale”, thuhej ndër të tjera në raportin e ONM drejtuar  Kuvendit pak kohë më parë. Por Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit sqaronte se në vlerësimin e tij argumentet e ONM-së nuk përbënin kusht për skualifikim pasi platforma e kandidatit ishte element që i përkiste fazës së dytë të vlerësimit pasi ai të ketë kaluar fazën e parë të verifikimit të kushteve ligjore. 

Për procedurën e ndjekur ka pasur kundërshtim edhe nga PD-ja e konkretisht përfaqësuesi i saj në këtë nënkomision, Oerd Bylykbashi.

“Ky është nënkomision, ka të drejtë të vendosë një padrejtësi që është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm. ONM ka konstatuar që kandidatët nuk plotësojnë kriteret. Ligji i ka hequr çdo diskrecion për të deformuar rekomandimet e ONM. Ju e keni kapur dhe pastruar listën e kandidatëve të KLGJ dhe KLP-së si u ka dash qejfi. Këtë e keni bërë nga frika që ka Edi Rama dhe ju për të mos përfunduar në burg. Po i bini që sot që të kapni SPAK-un që nesër mos ju bjerë SPAK-u pas qafe…”, -tha Bylykbashi gjatë mbledhjes.

“…Kemi dy lista, njëra është për votim. Ndërsa lista e të skualifikuarve ka një shpresë. Me 4 vota mund të futet në garë. Ndërsa për heqjen nga gara e atyre që i ka kualifikuar Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk mund të bëhet…”, reagoi Ulsi Manja.

Pak ditë më parë, përmes një letre publike drejtuar ambasadorëve por edhe komisionit të Ligjeve, demokratët përcollën shqetësimin se në përzgjedhjen e anëtarëve jomagjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) ishte shkelur Kushtetuta dhe ligji në disa aspekte. Ata e fokusojnë vërejtjen e tyre te procedura e ndjekur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, pasi sipas opozitës, ai ka injoruar, në tejkalim flagrant të kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, vlerësimet e bëra nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), duke kualifikuar të paktën 3 kandidatë të skualifikuar nga ky organ kushtetues ndërkombëtare.

Sipas demokratëve, kualifikimi i kandidatëve të skualifikuar nga ONM nuk ishte  kompetencë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, por e 4 anëtarëve të Nënkomisionit Ad Hoc të Përzgjedhjes (që ka 5 anëtarë gjithsej).

Megjithatë, pavarësisht debatit, në mungesë të kuorumit të nevojshëm dhe interpretimeve të ndryshime ligjore që palët japin, diskutimi disaorësh i nënkomisionit ad hoc përfundoi në fatin e goglave për të cilat sërish pati pakënaqësi, kësaj here nga kandidatët në garë.

“Goglat e nxehta apo të ftohta triumfuan!!!! Një miku im më shkruajti…Sajme, më vjen sinqerisht keq miku im që nuk patëm fat me shortin kinder-surprise. Ai organ që do zgjithet humbet shumë më tepër dhe jo ti.Vlerat e njeriut profesionist nuk humbasin kurrë. Respekte!….”, shkruan avokati Saimir Vishaj në faqen e tij në Facebook.  

Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga nënkomisioni përmblidhen në një listë dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Nëse lista rrëzohet, procedura përsëritet në nënkomision,  por jo më shumë se dy herë. Në rast se pas zhvillimit për herë të tretë të procedurës Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur.

Ndërkohë kandidatët nga gjyqësori dhe prokuroria nuk kanë kaluar ende vettingun.

 

Pas shortit manual, emrat e përzgjedhur rezultuan si më poshtë vijon

 

Kandidaturat e përzgjedhura për KLGJ, nga avokatia:

Arben Vani

Sokol Lamaj

 

Kandidaturat e përzgjedhura për KLGJ, nga trupa e pedagogëve:

 

Erion Muharremaj

Ilir Panda

 

Kandidatura e përzgjedhur për KLGJ, nga shoqëria civile:

Altin Hazizaj

 

 

Kandidaturat e përzgjedhura për KLP, nga avokatia:

Kozma Jano

Floreta Gjini

 

Kandidaturat e përzgjedhura për KLP, nga trupa e pedagogëve:

Eneida Sema

Mirela Bogdani

 

Kandidatura e përzgjedhur për KLP, nga shoqëria civile:

Alfred Balla

 

 

 

 

 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fasonët si një tregues i informalitetit në Shqipëri

Bizneset zgjedhin të jenë informale për shumë arsye, sepse ka disa barriera...
Read More