Klima e biznesit, qeveria e re dhe problemet e vjetra


Vonesat e sistemit gjyqësor, mungesa e konkurrencës, pronësia e paqartë mbi tokën, niveli i lartë i informalitetit dhe korrupsionit vijojnë të mbeten pengesat e mëdha për biznesin dhe investimet.

Një ministri e posaçme për sipërmarrjen. Kjo është risia e qeverisë Rama 2. Pavarësisht skepticizmit, është e qartë se tashmë politika kërkon të adresojë me përparësi problemet e biznesit. Në vite komunikimi qeveri-biznes nuk është se ka munguar, por e vërteta është se përparimet kanë qenë të pakta.

Madje ka ndodhur rëndom që me ndërrimin e qeverive problemet janë shtuar dhe komunikimi është vështirësuar. Mbase këtë mandat qeverisës, duke qenë se nuk pati rotacion politik, dhe duke qenë se angazhimi publik për të ndërhyrë është theksuar e premtuar, gjërat ka shanse të lëvizin më shpejt.

Por qeveria e re ka përballë të njëjtat probleme të vjetra, të cilat biznesi i ka theksuar vazhdimisht pasi ata tashmë janë bërë një “gangrenë”, sëmundje kjo e konfirmuar edhe nga ndërkombëtarët që vëzhgojnë ekonominë e klimën e biznesit në Shqipëri.

Problemet

Gati një vit më parë Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) vërente në një studim që kishte kryer se klima e biznesit kishte shënuar rënie për 4 tremujorë radhazi. Situata ka mbetur afërsisht e njëjtë. Sipas FIAA-s, ndër elementet të cilat perceptohen si faktorë me impakt negativ në klimën e biznesit: zbatimi i ligjit, efektiviteti i gjyqësorit, ndryshueshmëria e legjislacionit dhe atij tatimor në veçanti, stabiliteti i tij (kompleks dhe i ndryshueshëm, shpesh i pakuptueshëm si dhe me vështirësi në zbatim), prania e burokracisë dhe e korrupsionit në institucionet publike, prania e konkurrencës së pandershme, legjislacioni i ngarkuar i punës, rregulloret që lidhen me licencat dhe certifikimet, infrastruktura dhe aksesi në financë. Ndërkohë në një vlerësim për Shqipërinë të bërë nga Komisioni Europian thuhet se pronat, informaliteti dhe korrupsioni po pengojnë investimet në vend. “Me gjithë progresin, pengesat strukturore për zhvillimin dhe konkurrencën përfshijnë pronësinë ende të paqartë mbi tokën, qasjen e ulët në financë, një nivel të lartë informaliteti dhe korrupsioni, një barrë rregullatore të tepruar dhe paparashikueshmërinë në sistemin gjyqësor, çka dekurajon investimet e huaja dhe të brendshme”, thuhet në vlerësim ku nuk mungojnë të theksohen edhe arritjet: “Janë arritur përmirësime përmes futjes së sistemit të lejeve elektronike të ndërtimit, masave që trajtojnë ekonominë informale, si dhe hapave për nxitjen e qëndrueshmërisë financiare të sektorit të energjisë elektrike”. Nga ana tjetër, edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në një vrojtim për vendet e Ballkanit Perëndimor për performancën dhe pengesat në bërjen e biznesit ka përfshirë edhe problemet për ekonominë shqiptare. “Në Shqipëri, pengesat më të mëdha lidhen me konkurrencën e pandershme, kostot energjetike, aksesin ndaj financës apo edhe administrimin e taksave”.

Krahasimi me rajonin

BERZH ka bërë edhe një renditje të vendeve të rajonit sa i takon klimës së biznesit, duke i marrë me radhë çështjet më kryesore. Ka rezultuar që konkurrenca nga sektori informal është veçanërisht më e dëmshme në Maqedoni, ku 26% e sipërmarrjeve e kanë renditur si pengesën më të madhe, të ndjekur nga Kosova, 23.3% dhe Shqipëria 16.8%. Raporti thekson se që nga momenti kur ka nisur vrojtimi, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një fushatë të madhe kundër informalitetit. Aksesi ndaj financës është gjithashtu një nga barrierat që shqetëson sipërmarrjet ballkanase (12.7%). Shumë biznese kanë raportuar se kanë nevojë për kredi, por iu është refuzuar. Interesat e kredive kanë shënuar rënie. Megjithatë, ky ka qenë një problem më pak shqetësues se vitet e tjera. Stabiliteti politik. Ky është një problem, i cili theksohet si i rëndë veçanërisht nga sipërmarrjet në Bosnjë–Hercegovinë (30.2%), e ndjekur nga Serbia (26.7%). Niveli i taksave. Rreth 11.9% e të anketuarve në vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë cilësuar si problem. Bizneset malazeze e kanë cilësuar si një problem të madh, ndoshta për shkak të nivelit të lartë të TVSH-së nga 17-19%. Korrupsioni. Sistemi i korrupsionit është një tjetër problem i vazhdueshëm për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, është vënë re se disa vende kanë bërë progres në luftën ndaj këtij fenomeni. Përjashtim bën vetëm Kosova, e cila është në “fazat e para” të luftës kundër korrupsionit.

Qëndrimet e FMN

Përfaqësuesi i FMN-së, Jens Reinke, ka folur pak kohë më parë për perceptime negative nga biznesi, edhe pse ekonomia po performon mirë. Sipas tij, duhet përmirësuar administrimi tatimor që është edhe takimi i parë i biznesit me qeverinë, ndërsa duhet miratuar Reforma në Drejtësi dhe përmirësuar më tej klima e biznesit, si kusht që të vijnë investitorë të huaj që ende hezitojnë.
“Ka mospërputhje mes perceptimit të sektorit privat që vazhdon të ketë një vështrim pesimist. Ka disa fusha ku progresi i mëtejshëm duhet bërë. Një prej tyre është reforma në sistemin e drejtësisë për të cilën të gjithë flasin dhe të gjithë janë në favor që ajo të kryhet. Dobësitë në zbatimin e ligjit janë vështirësi për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë, pasi ka investitorë që mund të hezitojnë për t’u angazhuar dhe për të investuar në Shqipëri për shkak të këtyre dobësive, si p.sh. dobësitë në zbatimin e kontratave, për titujt e pronësisë apo dhe thjesht për të mbrojtur të drejtat e tyre kundrejt partnerëve në biznes apo kundrejt agjenteve qeveritare. Tjetra është në fushën e administrimit të taksave. Këtu nuk jam duke folur për fushën e grumbullimit të të ardhurave, për të cilën ne kemi dhënë shumë asistencë teknike, ku po shohim edhe përmirësime dhe duket se është marrë kthesa në këtë drejtim. Por po flasim që administrata tatimore është takimi i parë ose ndërveprimi i parë që biznesi ka me qeverinë dhe këtu ka shqetësime”.

Premtimi i parë, Qato: Do heqim burokracitë
Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ka zhvilluar pak ditë më parë një takim me përfaqësues nga 24 shoqata biznesi të Shqipërisë, organizuar nga Biznes Albania. Është nisja e një procesi të gjatë diskutimesh e dëgjesash, prej të cilave do të hartohen propozime konkrete me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në Shqipëri. Diskutimet u drejtuan nga paneli i folësve, i përbërë nga ministrja Sonila Qato, presidenti i Biznes Albania, Luan Bregasi, si dhe Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë. Ministrja Qato është shprehur në takim se është mision i përbashkët i rritjes dhe fuqizimit të sipërmarrjes në Shqipëri, si dhe ndërtimit të një klime të re të biznesit, duke krijuar një dimension të ri, ku e gjithë administrata shtetërore vihet në dispozicion të sipërmarrjes si kontribuuesi më i fuqishëm i ekonomisë sonë kombëtare.

Vetë Kryeministri Rama ka vendosur një mision të qartë dhe konkret: “Atë të luftës pa kompromis ndaj çdo zyrtari që pengon, nuk vepron apo zhvat aktivitetin tuaj, ndaj çdo procedure burokratike shtetërore ku ju përballeni, përmes krijimit të një Partneriteti qeverisës së bashku me ju, sipërmarrësit gjenerator të ekonomisë, për të ndërtuar themelet e një Shqipërie moderne, inovative dhe shoqërore. Është shumë e rëndësishme kontakti ynë i drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin për çdo problematikë që ju do të hasni në dyert e çdo ministrie apo institucioni ligjzbatues, pasi eksperienca juaj duhet të shërbejë për të korrigjuar ato hallka të ndryshkura të sistemit aktual, për të cilat qeveria në këtë mandat ka marrë përsipër për t’i lehtësuar, për t’i deburokratizuar dhe për t’i përshtatur me teknologjinë e inovacionit në mënyrë që ju të shërbeheni në kohë reale, pa zvarritje, me dinjitetin e një partneri të rëndësishëm bashkëqeverisës”.

Drejtësia, Rama ka premtuar

Duke i konsideruar vettingun dhe reformimin e sistemit të drejtësisë si mjetet kryesore për përmirësimin e klimës së biznesit, kryeministri i vendit, Edi Rama, ka patur një sërë takimesh me sipërmarrësit. Kryeministri e ka thënë publikisht se vendimet e gjykatave, sidomos në lidhje me pronësinë, i kanë krijuar dëme biznesit dhe investitorëve. Pronat shtetërore janë tjetërsuar në mënyrë arbitrare, teksa ka mbivendosje të titujve të pronësisë me dokumente false të lëshuara masivisht. Për kryeministrin Rama, kjo praktikë e gjykatave në Shqipëri i ka mbajtur larg kompanitë e huaja. Duke shpjeguar se sa i rëndësishëm është vettingu për ekonominë, Rama ia ka faturuar klimën e rëndë në sektorin e biznesit një sistemi të munguar drejtësie. “Do shembim pallatin e vjetër të Drejtësisë. Gjykata Administrative është bërë një kasap më shumë”, thoshte kryeministri pak javë më parë. Sipas tij, rritja ekonomike e qëndrueshme e vendit do të sigurohet vetëm përmes goditjes së prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar që kanë shkatërruar bazën e shtetit shqiptar me vendimet e tyre.

 

Rekomandimet e KE

Duke qenë se ekonomia është parësore edhe në marrëdhëniet me BE, vetë Komisioni Europian ka kërkuar ndërhyrje të shpejta në përmirësimin e klimës së biznesit. Ndër rekomandimet e bëra së fundi janë: “Të vazhdohen rregullimet fiskale, të futen masa të mëtejshme për konsolidimin fiskal duke forcuar më tej administratën e taksave, duke zgjeruar bazën e taksave bazuar në një rishikim të shpenzimeve të taksave, dhe duke futur një taksë pronësie të bazuar te vlerësimi. Po ashtu është kërkuar që të vazhdojë proceset e sqarimit të pronësisë së tokës bujqësore dhe regjistrimin e pronës, si dhe të krijojë një kadastër funksionale gjithëpërfshirëse dhe një e-kadastër deri në vitin 2019, të rriten kapacitetet e shërbimeve të punësimit dhe sigurimin nga ana e tyre të masave aktive për tregun e punës për të papunët dhe joaktivët dhe deri në fund të vitit 2017, të hartojë plane konkrete për të trajtuar punën e padeklaruar. Po ashtu, duke e konsideruar parësore klimën e biznesit Bashkimi Europian, në raportin e vjeshtës për Shqipërinë, i ka kërkuar qeverisë shqiptare që në vitin 2017 të mundësojë një sistem apelimi të pavarur për biznesin, teksa aktualisht, këto struktura janë brenda sistemeve tatimore. Gjithashtu, BE kërkon nga qeveria shqiptare që edhe më 2017 të zbatojë fazën e dytë të planit të veprimit kundër ekonomisë informale. Organizatat e biznesit dhe Këshilli i Investimeve, në kërkimet që kanë bërë për sistemet e apelimit në Shqipëri, kanë gjetur se bizneset shqiptare diskriminohen dhe përgjithësisht vendimet, duke përfshirë edhe gjykatat, gjithmonë u japin të drejtë institucioneve. Reformat në fushën e fiskut gjithashtu duhet të vijojnë në krijimin e një strukture organizative ku të përcaktohen qartë përgjegjësitë brenda administratës tatimore. Në këtë linjë, BE kërkon që të funksionojë kontrolli me bazë risku ndërmjet tatimeve dhe doganave.

BE vë në dukje se Shqipëria duhet të përmirësohet në formulimin e politikave ekonomike dhe të ketë një koordinim më të mirë ndërinstitucional, gjithashtu kërkon që të bëhet konsultimi me palët e interesuara para se ligjet dhe reformat të vihen në zbatim.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rrihte vajzën 18-vjeçare, babai përfundon në pranga.

Një baba ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj vajzës. Ngjarja ka ndodhur në...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.