Klubet Studentore në UET – Secili ndjek pasionin e tij

Tërheqja e studentëve drejt klubeve studentore në Universitetin Europian të Tiranës, si një mënyrë për ta bërë universitetin më argëtues dhe për të ndjekur pasionet e tyre. Që nga Filozofia, letërsia, ligji, e deri te sportet, si organizohet jeta jashtë auditorit. Flasin studentët: Pse zgjedhim angazhimin në klube që s’kanë lidhje me degën e studimit!

“E vërteta është se shkolla bëhet shpejt monotone ose ‘school is boring’, siç themi ne studentët, por jo vetëm. Këtë e dëgjon shpesh nga të gjithë ata që bien dakord se sot më shumë së më parë po përjetojmë një inflacion arsimor. Meqë “botën” nuk mundemi ta ndryshojmë, ne në UET menduam që të ndryshojmë jetën studentore brenda nesh, ta pasurojmë atë. Ndryshimi do e kishte emrin “Klub Studentor”. Meqenëse të mësuarit përtej auditorit është ura që lidh teorinë me realitetin, dhe duke besuar që këtë funksion mund ta kryejë Klubi Studentor, ne kemi celebruar aktualisht plot 20 të tilla, që kanë nisur të funksionojnë sapo ka nisur shkolla”. Kështu shprehet Vilma Beqa, presidente e qeverisë studentore në UET, e cila dhe vetë është shumë aktive në këto klube.
Sigurisht që jeta studentore nuk do të kish kuptim nëse mbetet vetëm brenda kornizave akademike.

Viti i ri shkollor ka pak që ka nisur, dhe bashkë me të edhe jeta studentore e UET është rizgjuar fuqishëm. Janë pikërisht klubet studentore, të cilat përbëjnë një pikat më të forta të aktivizimit të studentëve. Me një shumëllojshmëri klubesh të ofruara, studentët kanë mundësi të gjejnë veten dhe pse jo të rigjejnë pasionet e tyre.

Organizimi i klubeve është bërë në mënyrë të atillë që të plotësojnë të gjithë spektrin e dëshirave dhe nevojave të studentëve që nga klubi i librit, i Filozofisë dhe i Debatit, të cilat nxisin te çdo student aftësitë e mendimit kritik e analitik dhe aftësitë komunikuese e deri te klubet me veprimtari artistike apo sportive. Për të plotësuar kohën e lirë, por edhe pasionet e studentëve janë krijuar edhe “klubet e argëtimit”.

“Ka shumë gjasë që leksionet më interesante të jenë ato të mbajtura përtej auditorit apo klasës. E kam fjalën për takimet e orës 18:00, çdo të mërkurë, në Klubin e Filozofisë “Russell”; takimet e Klubit Sociologjik “Weber”, ku salla Concilium mbushej përtej kapaciteteve dhe vetëm një arsye shumë e fortë do të të shtynte të mungoje; e kam edhe për seancat e meditimit me murgun e “filmave” të sjellë në Klubin e Psikologut; por edhe për mësimet që jeta t’i ofron si një dush të ftohtë kur u përballëm me familje në vështirësi ekonomike, takuar me Klubin e Vullnetarëve etj.”, shton Vilma.

Beqa, e zgjedhur me votën e studentëve të tjerë si Presidentja e Këshillit Studentor të Universitetit Europian të Tiranës, nxit studentët që të jenë sa më aktivë nëpër këto klube, ose të krijojnë ndonjë klub të ri nëse e shohin të mundur.

Ajo është e bindur se krahas një informacioni të shtuar, këto organizime u mundësojnë studentëve të mësojnë në mënyrë interaktive dhe argëtuese.
Klubet studentore janë mundësia më e mirë për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të zgjerojnë njohuritë e tyre në fusha të caktuara, nëpërmjet bashkëveprimit aktiv me studentët e tjerë, si dhe mentorimit nga pedagogë të kualifikuar në fushat përkatëse.

“Klubet studentore mund t’i kategorizoj në 2 grupe. Klube të profilit profesional, si: Klubi i Juristëve të Rinj, Klubi i Psikologëve, Klubi Economicus, Klubi i Filozofisë “Russell”, Klubi i Sociologjisë “Weber”, Klubi i Biznesit dhe Klubit i Informatikës. Qëllimi i tyre është të ofrojnë terrene praktike për të gjithë studentët e këtyre profileve, dhe të përmirësojë arritjet akademike.

Si dhe klube kulturore, sportive dhe të aftësive: Klubi i Përkthyesve, Klubi Liberal “Pashko”, Klubi i Debatit, Klubi i Rrjetit të Organizatave, Klubi i Sportit, Klubi i Artit, Klubi Energy, Klubi i Librit “Kadare”.

Klubet përfshijnë studentët nga të gjitha profilet akademike që kanë interesa të përbashkët. Kryesisht një klub ka një numër pjesëtarësh prej 20-30 vetash, i cili mblidhet një herë në javë, ose dy herë në muaj, në varësi të axhendës së klubit të paracaktuar nga mentori. Çdo klub ka një mentor, i cili është kryesisht një pedagog i UET-it ose një person që ka aftësi të certifikuara për fushën ku klubi operon”, tregon Vilma

Por si mund të bëhet pjesë e një klubi studentor të Universitetit Europian të Tiranës një student?

“Në fillim të vitit akademik hapet thirrja për regjistrime, aktualisht jemi në javën e parë të regjistrimeve, të cilat vazhdojnë deri në 11 nëntor. Studentët plotësojnë një formular, ku mund të zgjedhin deri në 3 klube. Pas datës 11 do të fillojnë edhe takimet e para me klubet, ku do të bëhet prezantimi i planit deri në muajin Qershor”.

Mundësitë janë të shumta, dhe nuk ka limitime në lidhje me fushën e studimit. Gjithsecili mund të zgjedhë të jetë pjesë e klubit që dëshiron, pavarësisht se çfarë profesioni do të ketë në të ardhmen. Ja cili do të ishte mesazhi i Vilmës për të gjithë studentët të cilët dëshirojnë të provojnë eksperiencën që të dhuron aktivizimi në një klub studentor:

“Networking, punë në skuadër, aftësi lidershipi, aftësi negociuese apo ushqim për kreativitetin, të gjitha këto mund të përfitohen nëse studentët bëhen pjesë e një klubi studentor. Nëse një student dëshiron t’i përftojë këto aftësi por edhe të tjera si të menduarit dhe të zgjidhurit të një problemi, bashkëpunimi apo komunikimi ndërpersonal, duhet që përpara se të hyjë në mësim të kalojë në Zyrën e Kujdesit ndaj Studentit për t’u regjistruar”, thotë Beqa.

Klaudia Hoxhallari: Klubi i Ligjit, aty ku përgatiten juristët e rinj

Klaudia Hoxhallari është studente e vitit të dytë, në Universitetin Europian të Tiranës. Krahas rezultateve shumë të mira në mësime, ajo është edhe një ndër anëtarët më aktivë të klubit studentor “Juristët e rinj”.
“Kam zgjedhur të marr pjesë në këtë klub studentor, sepse më është dukur një mundësi shumë e mirë për të zgjeruar njohuritë e mija në fushën e drejtësisë, krahas njohurive të marra në procesin mësimor. Në takimet e përjavshme të klubit “Juristët e rinj”, studentët anëtarë, së bashku me pedagogët të cilët ishin mentorë të grupit, trajtonin tema të ndryshme, të cilat falë procesit interaktiv të debatit dhe bashkëbisedimit, bëheshin edhe më interesante dhe zhvillonin edhe më tepër mendimin kritik”.
Krahas temave të trajtuara Klaudia shprehet se një tjetër veçori e këtij klubi është prania e herëpashershme e të ftuarve, të cilët janë personalitete në fushën e drejtësisë.
“Shpeshherë, në klub ftohen personalitete të ndryshme dhe kjo është një gjë mjaft pozitive, pasi të gjithë studentët në momentin që janë ende duke u formuar në profesion, kanë nevojë për disa figura model, prej të cilave mund të mësojnë më shumë dhe të frymëzohen”, ka thënë ajo.
Klaudia shprehet se është regjistruar sërish në klubet studentore, nisur edhe nga eksperienca tejet pozitive e vitit të kaluar.
“Duke marr shkas edhe nga viti i kaluar unë jam regjistruar sërish në klubet studentore të UET, këtë herë në 4 prej tyre. Në klubin Juristët e rinj, në Klubin e Vullnetarëve, në Klubin e Filozofisë dhe në Klubin e debatit. Më pëlqen të jem pjesë e jetës aktive studentore që UET ofron”.

Kristofor Hasko, kampioni i debatit në UET

Student i UET, në degën Shkenca Politike, ai është edhe një ndër studentët që ka frekuentuar një sërë klubesh studentore, si i ai i sociologjisë, i filozofisë, i debatit… Pikërisht në këtë të fundit, Kristofori është edhe një ndër anëtarët më aktivë.
“Si fillim, klubi i debatit më zgjoi kureshtjen sepse e dija që në UET ka një traditë për debatin, pra nuk ishte viti i parë që ky klub zhvillohej dhe pedagogët ma rekomanduan duke e konsideruar një mundësi të mirë për mua, nisur edhe interesi që unë kam për çështjet e një natyre socio-politike, që trajtoheshin në këtë klub. Duke ditur që përpara se të zhvillohej debati, studentët trajtonin paraprakisht temat që do të zhvilloheshin, pra merrnin edhe më tepër informacion për to, më pëlqeu si format dhe zgjodha të regjistrohem”, shprehet Kristofori në lidhje me zgjedhjen e tij.
Ndërkohë ai shpjegon për gazetën Mapo edhe mënyrën se si ky klub funksionon.
“Paraprakisht ne diskutonim tema të ndryshme të cilat piketoheshin nga pedagogët ose propozoheshin nga vetë ne dhe sipas mendimeve tona ndaheshim në dy kampe “kundërshtare”. Realizohej një ‘research’, pra një lloj kërkimi, për argumentet pro dhe kundër dhe zhvillohej një minidebat disaminutësh, mes palëve. Duke u njohur edhe më tepër me temat, ne krijuam grupe gjithnjë e më të vogla, të cilat po mbanin qëndrime edhe kundër mendimit të tyre fillestar, gjë që ishte edhe një ushtrim edhe në njohjen e fakteve por edhe në argumente”.
Debatet e zhvilluara në klub, u përmbyllën me “betejën finale”, ku 4 anëtarët finalistë, u përballën në grup me nga dy, përballë njëri-tjetrit. Grupi në të cilin Kristofori ishte anëtar u shpall edhe fitues për vitin e kaluar.
“Për mua ishte një mundësi e mirë që unë të mësoja se si të flisja në publik, ishte një plus për mua, pasi ne debatin e fundit, e kemi zhvilluar në prani të një audience më të madhe se zakonisht. Nga ana tjetër, kam marrë jashtë mase informacion për tematika të ndryshme të cilat i kemi trajtuar gjatë gjithë vitit, në klubin e debatit”.
Kristofori është regjistuar sërish në disa nga klubet studentore të UET dhe sërish beson se do t’i ndjekë në mënyrë të rregullt, ashtu si vjet.

Esi Rryta: Klubi Economicus, një mundësi për njohuritë praktike 

Esi është studente e vitit të tretë në degën Financë-Bankë, dhe njëkohësisht kryetarja e klubit studentor “Economicus”, që UET zhvillon.
“Unë jam regjistuar në klubin “Economicus” për herë të parë vjet, sepse mendova që është një mundësi shumë e mirë edhe për një bashkëpunim të studentëve, nga ana profesionale por edhe nga ana sociale. Nga ana profesionale sepse në këtë klub trajtohen çështje që janë me interes edhe nga studentët, sepse ata vetë i propozojnë temat që në takimin e parë dhe kanë mundësi që edhe të përfitojnë prej tyre. Kjo sepse në klub ftohen edhe ekspertë të fushës, zhvillohen takime rregullisht, kështu që temat janë interesante dhe për më tepër aktuale”, shprehet ajo në lidhje me arsyet se përse ka zgjedhur të aktivizohet në këtë klub studentor.
Klubi Economicus, trajton një sërë temash me karakter ekonomik dhe që përbëjnë interes të veçantë studentët e këtij profili.
“Temat e trajtuara në këtë klub janë të ndryshme, që nga bursa në Shqipëri, një aspekt shumë i rëndësishëm që ne nuk e kemi të zhvilluar, duke vijuar më pas edhe me vizitat në institucione të ndryshme financiare në Shqipëri, duke u njohur më konkretisht me to, historinë e tyre, si dhe mënyrën si funksionojnë. Kemi zhvilluar takime me pedagogë të ndryshëm të UET, por edhe me të ftuar nga bota e biznesit, si për shembull përfaqësues të bankave në Shqipëri të cilët kanë treguar se si plotësohen formularë të ndryshëm që bëhen për aplikime të ndryshme, pra anëtarët e klubit kanë përfituar një sërë njohurish praktike”, thotë Esi.
Ajo shprehet se të qenit pjesë e këtij grupi e ka ndihmuar mjaft të përmirësojë veten.
“Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, duke qenë se unë isha edhe drejtuese e klubit, më ka ndihmuar, krahas të tjerave, edhe në aspektin e përmirësimit të aftësive menaxheriale, organizative, si edhe të komunikimit dhe krijimit të një grupi të unifikuar”.

Evi Kadana: Lidhja e fortë me Klubin e Sociologjisë

Evi Kadana është student i degës Juridik në UET. Ai është përzgjedhur senator i grupit të tij pasi ka dëshmuar se zotëron aftësitë dhe përgjegjësitë e duhura për të mbajtur një post të tillë. Krahas kësaj, ka shfaqur interes të veçantë rreth klubeve studentore, ku ka qenë rregullisht pjesëmarrës aktiv duke ndarë idetë dhe mendimet e tij me të tjerët rreth çështjeve të ndryshme.

Pjesëmarrja në klubet studentore e ka ndihmuar për t’u rritur jo vetëm profesionalisht, por edhe personalisht.

“Një nga gjërat më të reja dhe interesante që gjeta në UET, ishte ekzistenca e klubeve studentore. Klubi i Sociologjisë, i drejtuar nga pedagogu ynë Klajdi Logu, ishte mishërimi më i mirë i asaj çfarë prisja dhe kërkoja nga një klub studentor, mundësinë e barabartë dhe të përhershme e të angazhuarit në debat, të organizuarit të debatit dhe diskutimit të temave për të cilat ne studentët kemi interes dhe janë bashkëkohore. Sepse të jep mundësinë që interesin, kuriozitetin që ke ndaj një subjekti në universitet, ta kultivosh përmes pjesëmarrjes në klubet studentore”.

Ai ndau me ne edhe mënyrën se si zhvillohet dhe funksionon Klubi i Sociologjisë.

“Klubi funksionon mjaft thjesht. Studentët që bëjnë pjesë në këtë klub njoftohen fillimisht për datën, orën e zhvillimit dhe temën mbi të cilën do diskutohet me anë të email-it apo grupit privat që i është dedikuar këtij klubi në rrjetin social Facebook. Në të gjitha rastet temat që janë për diskutim u lihen në dorë studentëve. Ata e përpunojnë dhe përgatisin në shtëpi duke e bërë kështu diskutimin mjaft interaktiv dhe tërheqës. Pedagogu udhëheqës bën një hyrje të shkurtër duke sqaruar studentët në lidhje me temën që do diskutohet duke pasuar fjalën te studentët të cilët kanë përgatitur artikullin në lidhje me këtë temë. Përmes pyetje-përgjigjeve dhe ideve të hapura që mund të shpreh çdo anëtar, ky klub bëhet aq miqësor sa të krijon përshtypjen sikur po diskutohet për një çështje të caktuar mes miqsh”.

Ndër të tjera, ai shprehet sa ka përfituar vërtet shumë nga pjesëmarrja në këtë klub: “Fillimet e mia në UET dhe në një qytet tjetër larg familjes e larg ambientit që isha mësuar më dukeshin vërtet të vështira. Klubi më ndihmoi shumë që të arrija procesin e socializimit dhe më dha efekte mjaft pozitive në fushën e lidershipit. Por ndihma më e madhe ishte përvetësimi i të folurës në publik, pjesë të cilën unë e kisha me ngurrim ta bëja për shkak se vija nga një qytet me dialekt tjetër. Vlen të përmenden edhe njohuritë e reja të marra nga ky klub, ku përmes fotove, videove dhe shkrimeve të ndryshme arrihet zgjerimi i horizontit të dijes. Thënë me fjalë të thjeshta, ky klub vërtet ia vlen të provohet dhe do ua sugjeroja të gjithë studentëve të cilët më parë nuk e kanë frekuentuar!”.

 

Hygerta Aruçi, një juriste në krye të Klubit të Vullnetarëve

Hygerta Aruçi, një vajzë shumë ambicioze dhe e fokusuar në arritjen e objektivave që i ka vendosur vetes, studion në degën e Juridikut në UET. Falë punës dhe aftësive të saj, ajo është zgjedhur të jetë kryetare e Klubit të Vullnetarëve. Me shumë dëshirë dhe kënaqësi vendosi të ndajë me ne përgjegjësitë që ka si kryetare dhe mënyrën se si funksionon ky klub.

“Klubi i vullnetarëve, fillimisht m’u paraqit si një alternativë mes shumë klubeve studentore që zhvillohen në UET. Zgjodha të regjistrohesha pikërisht në këtë klub sepse isha e sigurt që do të më jepte mundësinë për t’u përfshirë në aktivitete vullnetare, që synojnë reduktimin e problemeve të vazhdueshme që zhvillohen çdo ditë në Shqipëri”. 

Ndryshe nga anëtarët e tjerë, ajo mbart përsipër një tjetër përgjegjësi, ndaj së cilës nevojitet seriozitet dhe përkushtim maksimal, të qenit kryetare.

“Posti i kryetares është sa i bukur, aq edhe me obligime të shumta. Përgjegjësia kryesore lidhet me frymën e ndërgjegjësimit të anëtarëve të tjerë të klubit për të ndihmuar në realizimin e nismave të ndërmarra nga ky klub dhe gjithashtu, për të krijuar një fushatë ndërgjegjësuese mes studentëve të UET, për t’i realizuar këto nisma dhe për të mbledhur sa më shumë kontribute. Për më tepër, mes përgjegjësive të mia është edhe koordinimi i takimeve dhe mbledhjeve të mbajtura duke propozuar nismën e radhës, si dhe përzgjedhja e rasteve që propozohen në këtë klub”. Ndër të tjera, Hygerta tregon edhe mënyrën e funksionimit të Klubit të Vullnetarëve. “Takimet zakonisht zhvillohen çdo dy javë, por mund të kemi edhe mbledhje më të shpeshta në rast të paraqitjes së një rasti të veçantë. Çdo anëtar ka të drejtë të propozojë nisma dhe gjithashtu të jetë pjesëmarrës në realizimin e tyre”. Rreth përfitimeve që ka marrë nga ky klub ajo shprehet në këtë mënyrë: “Përfitimi më i madh është kënaqësia që përjetohet kur shikon që nismat e ndërmarra përfundohen me sukses. Por gjithashtu kur vëren momentet në të cilat rritet fryma e solidaritet, humanizmit dhe ndërgjegjësimit për të qenë pjesëmarrës, por edhe për të ndihmuar në realizimin e rasteve. Ndihem krenare jo vetëm në arritjen e qëllimeve personale, por edhe kur realizohet synimi i grupit”. Hygerta flet gjithashtu edhe për klubet e tjera që zhvillohen në UET dhe rëndësinë e tyre. Ja se si është shprehur ajo: “Jam regjistruar në klubin “Juristët e rinj”, ku jam edhe koordinatore e klubit. Gjithashtu jam anëtare e klubit të sociologjisë dhe atij të përkthimit. Arsyeja, është që të kem mundësi të angazhohem në jetën aktive të UET, por edhe për të përfituar eksperienca nga zhvillimi i këtyre klubeve studentore. Të gjitha klubet kanë rëndësinë e tyre, por unë përsëri do të zgjidhja klubin e vullnetarëve dhe atë të juristëve për nga rëndësia dhe ndikimi që ato kanë në jetën dhe në qëllimet e mia”. Studimet në fushën e juridikut janë primare për të dhe iu është përkushtuar maksimalisht, pa lënë pas dore edhe aktivitete të tjera.

Përgatiti: Elda Dedja, Fiona Çela, studente të Marrëdhënieve me Publikun-Komunikim në UET

Shkruar Nga
More from Redaksia

Tatyana Feldenhauer, gazetarja ruse që u sulmua në redaksi

Gazetarja ruse, Tatyana Feldenhauer, është plagosur pasi një person i paidentifikuar ka...
Read More