Koalicion i madh PD-PS në vjeshtë: A do të ndodhë, a mund të ndodhë, a duhet të ndodhë?

Shtyrja e hapjes së negociatave, ngecja e reformës në drejtësi dhe ligji i ri zgjedhor kërkojnë minimalisht një pakt politik mes palëve dhe maksimalisht bashkëqeverisje. Mustafa Nano: Bashkëqeverisje? Për reformën në drejtësi po, për të tjerat na mjafton qeverisja. Iris Luarasi: 18 maji tregoi se ka ende shpresë për bashkëpunim, por duhet vullnet politik

Nga Nevila Perndoj

Qysh prej marrëveshjes së 18 majit, sa herë që Lulzim Basha ulet në bashkëbisedim të gjatë me median, atij nuk i mungon pyetja; A do të ketë bashkëqeverisje me Edi Ramën?  Në rrethana të tjera politike kur në diskutim nuk do të ishte reforma në drejtësi, ajo zgjedhore apo vetë integrimi i vendit, kjo pyetje mbase do të dukej utopike.

Por në realitetin shqiptar vështirë se mund të veçohet ndonjë aspekt i qeverisjes që të ketë më shumë rëndësi tek njerëzit sesa forma se si realizohet ajo.

Dhe, ja ku jemi sërish. Nëse një vit më parë u prodhua një marrëveshje politike Rama-Basha që ndër të tjera solli bashkëpunim edhe për reformën në drejtësi dhe vetë Vetting-un, sot në kushtet e përqafimit të procesit nga njëra palë dhe bllokimit e anatemimit nga pala tjetër lind sërish pyetja; A volitet një marrëveshje e re qoftë edhe një bashkëqeverisje për reformën në drejtësi, e cila t’i hapi rrugë fillimit të procesit të vlerësimit analitik të Shqipërisë për negociatat me BE-në vitin e ardhshëm?!.

Lulzim Basha dha pak shpresa për të shkuar tek një variant i tillë.

“Nuk ka dhe nuk ka për të pasur bashkëqeverisje me Edi Ramën”, tha prerë Basha. Ai u shpreh i gatshëm për detyrimet që i takojnë opozitës lidhur me integrimin, por rreshtoi tre kushte thelbësore;  Ndarja e qeverisjes me krimin, që sipas tij do të thotë “kryeministër dhe ministër i brendshëm i palidhur me krimin”, reformë në drejtësi sipas Kushtetutës së 22 korrikut dhe reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira.

Por, vështirë se mund të merret si qëndrim i prerë dhe përfundimtar, nisur nga mënyra se si u arrit marrëveshja e 18 Majit

Qeveria

Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama foli për një platformë bashkëpunimi me Bashën në takimin me Komisionerin europian për Zgjerimin, Johannes Hahn. “Shumë shpejt do të paraqesim një platformë propozimesh për bashkëpunim me opozitën. Do të kërkojmë angazhimin e opozitës, pa kërkuar dhe pa pretenduar për asnjë çast që opozita të lërë mënjanë betejën e saj politike, ashtu siç ajo e mendon në të drejtën e saj, por duke pretenduar që në këtë proces, Shqipëria të jetë e para dhe pastaj, interesat e partive dhe dinamikat e betejës politike të vijnë më pas”, tha ai. Edhe më herët, jo më larg se në një deklaratë të beftë të muaji prill, Rama do të shprehej i gatshëm për bashkëpunim me opozitën. I vetëdijshëm për formalitetin e këtij veprimi, Rama e ka përsëritur disa herë ftesën.

Sa herë që përdoret fjala integrim, kinse hyn në lojë edhe LSI-ja. Luan Rama u shpreh pak kohë më parë se do të ishte e udhës që të mbërrihej drejt një Pakti Kombëtar, që të kishte prioritet integrimin europian të Shqipërisë.

Të gjithë flasin në emër të integrimit, por i dredhojnë mënyrës konkrete se si.

“Prioriteti kombëtar, prioriteti i çdo shqiptari që do vendin e tij, familjen e tij, që do të jetojë e të ndërtojë jetën e tij këtu, është që së bashku të gjejmë e të vëmë në jetë zgjidhjen e duhur që Shqipërisë t’i hapet drita jeshile për në Europë…”, u shpreh Basha në një nga seancat e mbajtura në Kuvend pas vendimit të BE-së  për Shqipërinë.

Ashtu si edhe dje, Basha ka folur disa herë për një aleancë vlerash, por pa pasur parasysh kryeministrin Edi Rama.

Gjithçka i mbetet shtatorit. Ajo që dihet është e kaluara jo e largët. Vetëm një vit më parë, Rama e Basha u ulën për një marrëveshje konkrete. Vetë Basha është shprehur se marrëveshja e 18 majit nuk ishte zgjidhja optimale, por e keqja më e vogël.

Në kushtet kur reforma në drejtësi është futur në ngërç (nuk është ngritur KLGJ, KLP, SPAK) kur reforma zgjedhore nuk ka filluar ende konkretisht, kur për procesin e negociatave për anëtarësim volitet edhe dora e opozitës gjithçka mbetet e hapur.

Pak kohë më parë ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin kërkoi pakt kombëtar për vendin. Dhe jo vetëm ajo. Kjo po kërkohet edhe në takime zyrtare dhe biseda joformale.  Kërkesat janë hedhur, por jo vullneti dhe besimi reciprok…

 

Luarasi: 18 maji tregoi se ka ende shpresë për bashkëpunim, por duhet vullnet politik

Pedagogia e njohur, Iris Luarasi shpjegon edhe arsyet se pse kërkohet një pakt i ri politik për reformën në drejtësi 

A duhet të kemi një bashkëqeverisje PS-PD për hir të integrimit, nevojës për reformë konsensuale zgjedhore apo edhe pakt të ri për reformën në drejtësi? 

Personalisht gjithnjë kam qenë e mendimit se bashkëpunimi mes palëve politike sjell një mundësi të re, për të ndryshuar mënyrën e politikbërjes  në Shqipëri dhe një mundësi të re për shqiptarët që të heqin dorë nga agresiviteti i përditshëm, që përçohet nga foltorja e Parlamentit në agresivitetin e rrugës. Për sa i përket një pakti të ri për reformën në drejtësi? Kjo është një pyetje shumë e thjeshtë. Reforma në drejtësi nuk mendoj se është pronë një partie apo një individi. Ajo është një kërkesë dhe nevojë e të gjithë shqiptarëve. Është e qartë që për momentin fryma e reformës është bjerrë dhe kjo pa dyshim kërkon një bashkëpunim dhe pakt të ri politik.

A mundet që PS e PD të shtrohen në këto linja diskutimi, pse jo edhe për marrëveshje mes tyre?

PS dhe PD nuk përfaqësojnë individë apo grupe interesi, por segmente të caktuara të qytetarëve shqiptarë. Nëse duam daljen nga cikli vicioz që secila palë që vjen në pushtet premton se do bëjë çudira dhe do çojë para ligjit ata që e lanë pushtetin, e kjo s’ndodh deri në riciklimin e partisë tjetër që bën të njëjtat premtime, marrëveshja PS-PD mundet të jetë një nga zgjidhjet.

A do mund të vinte një bashkëqeverisje e tillë pas situatës së krijuar pas marrëveshjes së 18 majit?

18 maji tregoi se ka ende shpresë për një frymë bashkëpunimi për hir të Shqipërisë e shqiptarëve që kanë pothuaj 30 vjet në tranzicion. Edhe pse kjo frymë është shuar, personalisht mendoj se shpresë për t’u rindezur ka, duhet thjesht dëshirë e mirë e vullnet politik.

 

Nano: Bashkëqeverisje? Për reformën në drejtësi po, për të tjerat na mjafton qeverisja

Analisti dhe gazetari Mustafa Nano sjell një vështrim ndryshe mbi bashkëqeverisjen, në kushtet e Shqipërisë 

A duhet të kemi një bashkëqeverisje PS-PD për hir të integrimit, nevojës për reformë konsensuale zgjedhore apo edhe pakt të ri për reformën në drejtësi? 

Unë nuk bëj pjesë tek ata njerëz, që e refuzojnë në parim bashkëqeverisjen. Sigurisht, jam me idenë, që duhet të qeverisin ata që mandatohen nga votuesit për ta bërë këtë gjë, por në rrethana të caktuara, për të shmangur një kolaps, apo për të bërë ca reforma të rëndësishme, apo për t’iu përgjigjur një situate të caktuar politike, bashkëqeverisja mund të ishte një zgjidhje. Për ilustrim, ajo që po ndodh në ditët e sotme mund të merret për një situatë të tillë. E kam fjalën për reformën në drejtësi, e cila jo vetëm që po krijon një vakum të frikshëm në sistem, por edhe mund të bllokohet nga opozita.

Kam një frikë, megjithatë. Bashkëqeverisja në rrethanat e sotme mund të forcojë grupet e inkriminuara të politikës, për të cilat po pritet që drejtësia e re ta thotë fjalën e vet. Dhe kështu, bashkëqeverisja mund të shërbejë si një barkë shpëtimi për shumë vetë. Ajo në tërësi e valorizon një klasë të tërë politike, sepse e sheh këtë të fundit, jo si problemin, por si zgjidhjen e problemit. Përveç kësaj, bashkëqeverisja mund të pasohet me një rishikim të reformës në drejtësi, që do të synonte një zbutje të sajën. Kjo gjë nuk do më pëlqente. Mund të thuhet: Këta që po na qeverisin, nuk janë më të mirë sesa ata që janë në opozitë, apo sesa të dyja palët bashkë. Përgjigja është: Ok, është tamam kështu, por këta të paktën kanë një mandat qeverisës.

A mundet që PS e PD të shtrohen në këto linja diskutimi, pse jo edhe për marrëveshje mes tyre?

Shqetësimet, unë i shoh vetëm në diskutimin mbi reformën në drejtësi. Kjo reformë duhet përshpejtuar, e duhet mbajtur në nivelet e ashpërsisë që ka aktualisht. Në këtë plan mund të diskutohet. Dhe, bashkëqeverisja për këtë do duhej. Në plane të tjera, përsëris, neve na mjafton qeverisja.

 A do mund të vinte një bashkëqeverisje e tillë, pas situatës së krijuar, pas marrëveshjes së 18 majit?

Është krijuar një legjendë urbane lidhur me atë marrëveshje, por për mua ajo nuk është e ndryshme nga ajo që dimë. Thjesht Basha donte të hynte në zgjedhje, dhe ishte në kërkim të një alibie para mbështetësve të vet. Dhe ia kërkoi këtë alibi Ramës. Sepse ndryshe, i binte që Basha të hynte si humbës në zgjedhje. Dhe Rama ia dha. Ia dha në një masë më të madhe sesa e priste Basha vetë. I dha gjysmën e qeverisë. Dhe Basha në këmbim ka pranuar të hyjë në zgjedhje. Kjo është ajo që ka ndodhur.  Nuk besoj se ka pasur sekrete ajo marrëveshje. Nuk besoj se është folur për bashkëqeverisje. E në këtë kuptim, bashkëqeverisja, nëse do ndodhë, do ndodhë për arsye krejt të tjera, që kanë të bëjnë me situatën e sotme, e jo me situata të shkuara.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rruga e Tahirit…

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot për të vendosur fatin e deputetit...
Read More