Koalicionet 2017: Aleancat në kohën e blofeve

49-koalicioni-parazgjedhor-2017Kombinimet e koalicioneve për betejën e qershorit mbeten një zgjedhje shumë e komplikuar për secilin nga aktorët kryesorë politikë. Çfarë siguron ose rriskon Rama me koalicionin me Metën? A është e humbur mundësia e një bashkëpunimi PD-LSI dhe a mundet kjo e fundit të rriskojë e vetme në një garë treshe në zgjedhjet e ardhshme

Nga Vladimir Karaj 

Edi Rama dhe Lulzim Basha ishin të qartë në qëndrimet e tyre për koalicionet elektorale. Rama shpalli një triumvirat, me Ilir Metën dhe Shpëtim Idrizin, i cili nuk është konfirmuar nga këta të dy, por kryeministri u duk se fliste me bindje, me gjithë fërkimet në këtë trekëndësh të koalicionit qeverisës që nuk janë dukur të vogla. Lulzim Basha nga ana e tij u rikthye ta quajë LSI pjesë të qeverisë dhe bashkëpërgjegjëse për qeverisjen, ndërsa mohoi mundësinë e një koalicioni me këtë të fundit. Marrëdhëniet mes PD në opozitë dhe LSI në qeveri kanë qenë të çuditshme, ndërsa kanë kaluar shpesh herë nga urrejtja (protestat kundër Metës) te mospërmendja dhe flirtet sa i përket Reformës në Drejtësi e çështjeve të tjera. Por ekuacioni i koalicioneve ka ende shumë të panjohura, prej zgjedhjes së presidentit të ri, deri te llogaritë e numrave dhe ndarja e mandateve, të gjitha dilema që lanë hapur aleancat, por edhe blofet.

Dy humbje të rënda të PD në fushata ku LSI nuk u angazhua fort, edhe pse arsyet për këto janë komplekse, mund të jenë një nga arsyet pse Basha ka vendosur me gjasë të ketë një qëndrim më të qartë.

Ata në PD, që nuk e duronin më LSI sidomos pas lëvizjes në 2013, dhe që patën mbështetur një linjë të ashpër kundër saj ishin të parët që u gëzuan për këtë. “Unë kam muaj e muaj që them se Partia Demokratike ose opozita sot nuk mund të thotë që elefanti i madh i bëmave të këqija, që i ka ndodhur Shqipërisë mund të ndahet në dy pjesë. Dhe duke e ndarë në dy pjesë elefantin, ne kemi dy elefantë të vegjël, elefantin më të madh dhe elefantin më të vogël. Elefanti po u nda në dy pjesë pastaj nuk është më i tillë. Prandaj për ne duhet të jetë një elefant i të keqes”, i tha Majlinda Bregu “Mapos”. Ish-ministrja e Integrimit që ka kohë që përfaqëson një rrymë ndryshe nga kreu i PD-së bashkë me Astrit Patozin dhe të tjerë, tha se ajo e kishte mbajtur të njëjtin qëndrim edhe më herët, ndërsa tha se fajet mes shumicës le t’i ndante kjo e fundit. “Në një kohë kur ne jemi investuar fuqishëm në denoncimin e aferave korruptive të qeverisë, hashashizimin e vendit e të tjera me radhë për këtë le ta ndajnë vetë Rama dhe Meta se kush është fajtori mes tyre, le ta ndajnë vetë se kush i ka ministrat më të mirë mes tyre, le ta ndajnë vetë se cili ka numrin më të lartë të ministrave apo punonjësve të administratës publike të korruptuar apo njerëz me precedentë kriminalë. Nuk është problemi ynë sot ky”, tha Bregu.

Deklarata erdhi menjëherë pasi një ditë më parë Lulzim Basha ishte shprehur se nuk do kishte koalicion me LSI. Basha kishte mbi 1 vit që refuzonte të shprehej kaq qartë, ndërsa PD publikisht nuk po e përmende më LSI në akuzat e saj dhe as u angazhua në rastet kur ministrat e kësaj të fundit ishin në situata të sikletshme. Ky lloj dyzimi duket se u kushtëzua nga Reforma në Drejtësi, ku u duk se LSI dhe PD ishin më pranë njëra-tjetrës, por me gjasë ka marrë fund. “Nuk ka koalicion me LSI…. Por koalicionet, partitë do i bëjnë sipas programit të tyre. Dhe programi, vlerat dhe gjithçka ka ndodhur këto tri vite, automatikisht përjashtojnë një nga dy faktorët e qeverisjes që është LSI”, tha Basha. Megjithatë ai tha se mund t’i kërkonte mbështetje kujtdo (përfshi Metës) për të rizgjedhur Bujar Nishanin president. Meta e refuzoi këtë dorë të shtrirë të Bashës.

Zgjedhja e Presidentit

Presidenca në fakt është një prej enigmave të koalicioneve që mund të përvijohen para zgjedhjeve. Megjithëse mbetet ende e paqartë, presidenti i takon të zgjidhet nga ky parlament dhe zgjedhja pritet të jetë një lojë e komplikuar politike.

Shanset e presidentit aktual nuk janë aq të mëdha duke pasur parasysh edhe traditën në vend, ku asnjë president nuk është rizgjedhur, por edhe mënyrën e zgjedhjes së tij apo edhe qëndrimin e tij ndaj shumicës parlamentare. Vakanca, beteja për të cilën pritet të fillojë në pranverë, është një prej më të rëndësishmeve dhe me gjasë do jetë përcaktuese për krijimin e aleancave të zgjedhjeve në vijim.

Ilir Meta është përfolur vazhdimisht si njeriu që mund të marrë këtë post edhe pse vetë ai ka mohuar një mundësi të tillë, por përtej kësaj edhe pse me kompetenca më të pakta, roli mbetet një post kyç në balancat e pushtetit në vend. Nëse Meta do e këtë ketë post si kusht për Ramën, ashtu siç është thënë se është vulosur në marrëveshjen e tyre të 2013, koalicioni i tyre me gjasë do të vazhdojë. Në të kundërt, ndërsa PDIU po bëhet gjithmonë e më shumë protagonist në qeverisje, nuk dihet se mbi çfarë bazash do të vijojë koalicioni mes Ramës dhe Metës.

Kryeministri ishte gati i bindur dy ditë më parë se koalicioni do të vijonte. “Unë parashikoj që pas zgjedhjeve të reja të jenë tre bashkëkryetarë sepse kështu quhen liderët e koalicionit, janë ata që përbëjnë partitë në një koalicion”, tha Rama në “Top Story”. Por nëse qëndrimi i PDIU me PS gjatë zgjedhjeve duket i sigurt aq më shumë pasi Rama u përfshi në betejë me Greqinë sa i përket çështjes së Çamërisë dhe pronave të Çamëve, LSI mbetet një enigmë që mund të ndryshojë nga një moment në tjetrin. Siguria e Ramës mund të jetë interpretim i një marrëveshje të arritur, por Meta ka ngurruar ta konfirmojë këtë. Shumica megjithëse dy drejtuesit e saj kanë rrëzuar çdo mundësi krize, ka kaluar disa të tilla. Muaj më parë u zbulua madje se Rama kërkoi 71 vota për të mbajtur një qeveri pa LSI. Meta ka lënë të kuptohet se diçka e tillë mund të kishte ndodhur, po ashtu në anën tjetër edhe Ben Blushi i sapolarguar nga PS tha se Rama i ishte lutur që të mbante në këmbë qeverinë, por kjo situatë duket se u sheshua pas votimit unanim të reformës.

Top of Form

“E keni kuptuar gabim sepse unë nuk bëj asnjë presion mbi Ilirin dhe ai nuk bën asnjë presion mbi mua. Jemi të dy bashkëkryetarë të një koalicioni që ka shumë arsye për t’u krenuar dhe ka edhe shumë gjëra për të përmirësuar dhe jam shpresëplotë që shqiptarët do të na japin mandatin që të vazhdojmë të përmirësojmë gjërat”, tha Rama, duke lënë të kuptohet se situata në shumicë ishte e paqtë.

Rebusi LSI

Ilir Meta sidoqoftë, i pagëzuar si “kingmaker” nuk është kaq i vendosur sa Rama. Ai mbajti në intervistën e tij një pozicion të ekuilibruar që mund t’i shkojë kandidimit për president, por edhe mbajtjes pezull të vendimit për koalicionin. Ai mbrojti qeverinë në disa pika, ndërsa edhe kur qe kritik nuk shkoi deri në ekstremin e ministrave të tij. Ky lloj konfliktualiteti në shumicë është prej kohësh prezent edhe pse dy drejtuesit e tij shfaqin “mirëkuptim” dhe nuk reflektojnë konfliktet në rangje më të ulëta, ku është e qartë se palët nuk shkojnë dhe aq mirë.

“Jo! Në drejtim të koalicionit nga pikëpamja politike ju siguroj që mes meje dhe kreut të LSI ka komunikim të vazhdueshëm, ndërveprim dhe harmonizim të të gjitha veprimeve dhe nuk e them për formalizëm, por sepse kemi bërë reforma që nuk janë bërë në 20 e kusur vite dhe pa këtë koalicion nuk do të bëheshin as për 20 e ca vite të tjera”, tha Rama.

Meta sidoqoftë e la në ajër konfirmimin për koalicionin e ri. Ai sigurisht është duke llogaritur mundësitë e tij për të dalë vetëm dhe matur forcat për të qenë minimalisht forca që do të vendosë pushtetin e nesërm apo për të ndarë më shumë pushtet në një koalicion me Partinë Demokratike. “Po të kishte një vendim, do ta kishe marrë vesh ndër të parët…”, tha ai te “Të Paekspozuarit”, ndërsa duke iu përgjigjur Ramës dhe koalicionit me tre krerë gati drejtpërdrejt tha: “Mendoj se është me qëllimin e mirë për të rritur kolegjialitetin, transparencën, vendimmarrjen e koalicionit, kështu që kjo është gjë pozitive, mendoj unë”.

Në këtë rast ajo që e mban pezull enigmën është llogaria e forcave. Teorikisht PS, LSI dhe PDIU do kenë një palë zgjedhje të lehta nëse dalin bashkë, në anën tjetër nëse LSI e sheh të mundur që të fitojë në një bashkim me PD, ky opsion nuk duhet hequr nga lista edhe pse PD me gjasë do duhet ta paguajë shtrenjtë në ndarjen e pushtetit këtë lloj marrëveshjeje.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Në Kalivaç: Zbulohet piktura 800-vjeçare e Shën Mërisë

Në zonën ku do të ngrihet Hidrocentrali i Kalivaçit në Tepelenë arkeologët...
Read More