Koha e përgjimeve

Frika e kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit për video-përgjimet. Dilemat nëse shërbimet inteligjente të partnerëve ndërkombëtarë mund të kenë material komprometues për elitën politike në implikim me segmente të botës së krimit. A do ndodhë skenari maqedonas, ku nga skandali i përgjimeve u rrëzua qeveria e Gruevskit?

Nga Luljeta Progni

“Qoftë edhe njëri nga ne të mbetet në këmbë, gjithnjë do të gjendet një media brenda apo jashtë vendit ku do shfaqet ajo video me zë dhe figurë”. Kjo deklaratë e gazetarit Artan Hoxha, me siguri e ka trazuar më shumë kryeministrin Rama, që ende nuk e ka marrë veten nga halli me mediat që nuk po harrohet, edhe pse kanë kaluar më shumë se tre ditë.. Edhe pse janë deri tani vetëm deklarata gazetarësh apo politikanësh të ndryshëm, ato e turbullojnë më shumë debatin që shpërtheu rreth dhjetë ditë më parë, kur u publikuan përgjimet e Antimafies italiane për lidhjet e mundshme mes ish-ministrit të Brendshëm dhe grupit kriminal të vëllezërve Habilaj. Me gjithë përpjekjet e kryeministrit për ta kthyer gjithë këtë skandal, në luftë politike kundër ish-ministrit të tij, të tjera lajme të kësaj natyre thuhet se do të mbërrijnë së shpejti për publikun. Flitet për të tjera përgjime ku me sa po komentohet në media, implikohen edhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë Rama, në rang ministrash e kryebashkiakësh.

Me zë e figurë

Gazetari i njohur për publikimin e skandaleve të trafikut të drogës, Artan Hoxha, tha dy ditë më parë se ekziston një video me zë e figurë ku implikohet kupola e lartë e Partisë Socialiste. Ai e ka përsëritur disa herë shprehjen “..me zë dhe figurë..” dhe në krah të tij në tavolinën e studios “Opinion”, kishte vendosur një videokasetë, për të lënë të kuptohet se kjo video me këtë regjistrim, është fakt. Ai tha se atje shfaqen zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste në një takim në një lokal në rrugën “Zaho Koka”, në Vlorë, gjatë fushatës elektorale të këtij viti. Dyshohet se ata janë në atë takim me vëllezërit Habilaj.

“Te pjesa e videos, fushata e 2017 ka pasur një problematikë të madhe, ato takimet që kanë bërë, aty ku lejohej regjia, kamerat kanë transmetuar, por s’kemi parë pjesën tjetër, ato takime që kanë bërë me mbështetësit apo financuesit e fushatës. Në takime gjatë fushatës ka pasur si në emisionin e kaluar na dolën disa foto, dhe bëmë një shpjegim, dhe gjatë fushatës, do bëhet një mësim për politikanët që nuk mund të afrojnë dhe të takojnë çdo personazh që mund t’u sigurojnë pak vota në fushatë. Në këtë fushatë janë regjistruar edhe këto filmime, mund të jenë bërë me dashje apo pa dashje por kanë rrjedhur”, –tha gazetari Artan Hoxha në “Opinion”. Ai ka sqaruar arsyet pse nuk i publikon materialet që ka në dorë duke kujtuar se një vit më parë kur publikoi një video me një person që rrëfente trafikun e drogës, personi ishte vrarë dhe për këtë ngjarje nuk është vënë në lëvizje askush.

Deklaratës së Hoxhës i bashkohen të tjera të ngjashme, si konfirmim se ky material filmi ekziston. Analisti Blendi Fevziu deklaron gjithashtu me përgjegjësinë e tij publike, se ka parë fotografi të një ministri të qeverisë aktuale të kryeministrit Rama, në një darkë në Vlorë me vëllezërit Habilaj. Bëhet fjalë për një darkë të ministrit socialist me trafikantët e drogës në Vlorë, gjatë fushatës elektorale të 25 qershorit. Lajmet për të tjera përgjime vijnë në një situatë të tensionuar politike, pasi mazhoranca ndaloi prokurorinë në përpjekjen për të arrestuar ish-ministrin Tahiri. Një detaj me rëndësi në këtë situatë të ngarkuar me lajme konspirative është fakti se Saimir Tahiri i shpëtoi burgut. Prokuroria e kishte marrë me ngut çështjen dhe ishte bërë gati për arrestimin e ish-ministrit. Por ngjarjet morën kthesë shpejt kur ish-ministri u shfaq disi “kërcënues” për të gjitha palët. Ai la të kuptohet se di më shumë se sa kemi dëgjuar nëpër përgjimet e publikuara deri tani. Pas këtij qëndrimi të mjegullt të ish-ministrit të akuzuar, kryeministri (i cili ishte distancuar nga ish-ministri i tij deri sa të dilte e vërteta) nxitoi ta kthente debatin në hullitë e politikës. Ai e konsideroi sulm politik të prokurorisë së “kapur nga opozita”, ndaj ish-ministrit të tij Saimir Tahiri. Ndërkohë, një tjetër detaj me rëndësi i bashkohet kësaj panorame të paqartë. Dje u konfirmua nga prokuroria zhdukja e automjetit të shumëpërfolur, Audi me targa AA003GB, objekti që lidh ish-ministrin me vëllezërit Habilaj. Është automjeti që ish-ministri i ka shitur vëllezërve Habilaj e më pas e ka përdorur sërish atë, në rrethana të dyshimta. Deri tani, deklarata janë nëpër studio mediatike e podiume politike por e gjithë rrëmuja në mes të së cilës ndodhet kryeministri Rama, ka për protagonizëm mediat. Për këtë arsye, Rama ka nisur fushatën denigruese kundër mediave, ndoshta me qëllimin që t’i bëjë ato sa më të pabesueshme për publikun. Ndoshta se i druhet një skenari si ai i Maqedonisë, ku përgjimet sollën protestat masive që rrëzuan qeverinë Gruevskit disa muaj më parë. Deri tani nuk ka asnjë shenjë të sensibilizimit të publikut, përkundrazi ka një fushatë sulmesh kundër gazetarëve që po tentojnë ta mbajnë të ndezur debatin për lidhjet e qeverisë me krimin. Sidoqoftë, e përbashkëta e situatës aktuale me atë në Maqedoni janë aludimet se ka dosje të reja ende të panjohura për publikun, që kanë përgjime të agjencive të huaja për lidhje të politikës shqiptare me botën e krimit.

Skenari i Maqedonisë

“Për mendimin tim ka skenare të tjera dhe do të ketë zhvillime të tjera, unë e kam bindje”, -tha Preç Zogaj në Opinion, kur po diskutohej për përgjimet. Ai deklaroi gjithashtu, se “dosja që pritet të publikohet së shpejti, është e shërbimeve të huaja”. Është fjala për një dosje të re me përgjime ku mendohet të jenë protagonistë njerëzit më të rëndësishëm të qeverisë socialiste. Përgjimet telefonike të zyrtarëve të lartë shtetërorë që ishin përfshirë në afera të ndryshme korruptive, ishin hapi më i rëndësishëm drejt rrëzimit të qeverisë Gruevski. Ishin përgjime të agjencive të huaja përmes të cilave lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev udhëhoqi protestat popullore deri në rrëzimin e qeverisë Gruevski. Me sa duket ky është skenari të cilit i frikësohet kryeministri Rama.

Analistë e gazetarë kanë dhënë opinionet e tyre për detajet që e lidhin aktualitetin në Shqipëri me kohën kur po përgatitej rrëzimi i qeverisë së Gruveskit, pra me skenarin e Maqedonisë. Në debatin e së enjtes në “Opinion”, Fevziu publikoi gjithashtu një dokument zyrtar, përgjim të shërbimeve inteligjente ushtarake lidhur me trafikun e kryer nga shqiptarët përmes detit. “Në përputhje me informacionin e marrë dje nga Italia (Shërbimet Inteligjente Ushtarake) gjatë një aktiviteti monitorues është vënë re se disa grupe kriminale shqiptare, të njëjtë me ata që gjatë eksodit të shqiptarëve në vitet 1997-2000 çonin njerëz nga Shqipëria në Itali (brigjet e Pulias), janë duke kërkuar informacione për kostot dhe kohën e implementimit lidhur me një porosi për të paktën 40 varka (fillimisht 20 dhe më pas 20 të tjera) me motorë të fuqishëm, (të paktën tre motorë me 200 kuaj fuqi secila) për aktivitetin e tyre të paspecifikuar që do të nisë në një të ardhme të afërt. Sipas shërbimeve inteligjente, një grup (delegacion) i këtyre “biznesmenëve shqiptarë” vizituan disa kantiere detare në brigjet e Adriatikut për të parë modelet e skafeve, pajimet, kohën e implementimit etj.

Sikurse është raportuar nga pronarët e këtyre kantiereve, delegacioni iu ka bërë atyre me dije se ishin të interesuar për të hapur disa aktivitete të turizmit detar në rivierën shqiptare (Sarandë dhe zonat pranë saj) dhe se gjithashtu, ishin të interesuar për të parë edhe tregun grek për të njëjtat arsye.

Bazuar mbi këtë dhe përvojat e mëparshme të këtyre grupeve kriminale dyshohet se ata duan të nisin një aktivitet të transportit ilegal të emigrantëve nga Turqia përmes Greqisë. Kjo mund të jetë një zgjidhje logjike dhe praktike në kushtet e kufijve të mbyllur me gardhe dhe mure nga vendet e Ballkanit.

Tashmë është e nevojshme të vihet në dukje se me një skaf të pajisur me këta lloj motorësh ata mund ta mbulojë distancën (nga bregu në breg) Shqipëri-Itali të paktën për 1 orë e gjysmë dhe duhet të shtojmë se do të kenë si zonë të lirë 500 km vijë bregdetare ku mund të zbresin emigrantë ilegalë, ndaj në këto kushte do të jetë e pamundur që t’i bllokojmë dhe të procedojmë në identifikimin e tyre. Zhvillimet mbi ngjarjen po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme nga Zyrat Përgjegjëse Italiane dhe informacione të tjera do t’ju komunikohen në vijim.”, theksohet në materialin e publikuar në “Opinion.

Reagimi i ndërkombëtarëve

Në një situatë kur mediat shqiptare aludojnë për implikim të agjencive të huaja në përgjime të politikanëve shqiptarë, nuk ka ende sinjale të qarta nga përfaqësitë diplomatike në Shqipëri. SHBA dhe BE kanë thuajse të njëjtin qëndrim në këtë situatë, që vjen përmes shprehjes standarde: të gjithë të barabartë para ligjit.

“Ajo që dini është se në komunizëm, Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme: në Spaç, në Burrel dhe në Qafë Bar. Në 27 vitet e fundit, ky vend është përballur me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim. Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj dhe ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. Iu përket qytetarëve të Shqipërisë. Ju nuk jeni gjyqtarë apo prokurorë, por jeni njerëz që votoni. Ju i dhatë besimin tuaj këtij personi si anëtar i kuvendit dhe si ministër i lartë i kabinetit. Është përgjegjësia juaj të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje. Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë”.

Një deklaratë e ngjashme ishte dhënë një ditë më herët nga zëvendës.ndihmës/sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee: Sinqerisht, nuk mund të flas dot mbi rastet individuale, por gjithsesi besojmë në disa parime.

I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës. Nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Së dyti, ne mbështesim qeverinë, që jep shembullin. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin”, -tha zyrtari i lartë amerikan.

Qëndrim të përafërt ka mbajtur edhe Bashkimi Europian, ku përmes një deklarate theksohet se po e ndjekin me shumë vëmendje këtë proces. “Ju e dini që Komisioni Europian përgatit raportin e tij vjetor, ku kjo do të jetë në një vëzhgim të rreptë, duke qenë se lufta kundër krimit të organizuar dhe Reforma e Drejtësisë janë prioritete”, –tha zëdhënësja e BE-së në një konferencë për shtyp.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fushata e Bashës kundër TVSH-së si nxitje për informalitetin

Nga Ervis Iljazaj Lulzim Basha të Dielën e kaloi duke takuar biznesin...
Read More