Koha për të folur mbi zgjedhjet? Është tani

Nga Mustafa Nano

“Beteja për zgjedhjet e lira e të ndershme do të jetë një nga betejat tona kryesore”, -tha Lulzim Basha para dy ditësh, duke e mbajtur të hapur diskutimin që nisi me çadrën në bulevard, por që u rihap (pas humbjes së PD-së) me akuza të tipit “votat u vodhën, votat u blenë etj. etj.”. Kjo sjellje e fundit mund të shihet si arsye për t’mos ia vënë shumë veshin Bashës, por duhet thënë se zgjedhjet, megjithatë, janë një shqetësim nacional dhe se është një gjë e mirë që ky shqetësim ngrihet qysh tani, pa filluar ende legjislatura e re. Nuk para ka ndodhur më parë kjo gjë. Zakonisht, diskutimi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve është lënë të bëhet in extremis, në prag të zgjedhjeve, atëherë kur kohë nuk ka pasur më. Ka qenë kjo një taktikë e opozitës, e çdo opozite, mbi të cilën është ngritur më pas zhurma mbi manipulimin e zgjedhjeve. Këtë bëri edhe Basha. Opozicionin parlamentar për katër vjet me radhë ua la në dorë atyre që mendjen e kishin veç te sherri, dhe në fund, krejt papritur, pak para zgjedhjeve, u kujtua se mungonin garancitë për zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe me këtë kauzë u fut në çadër. Më pas, dihet se çfarë ndodhi: Rama i dha disa ministri për t’i drejtuar gjatë fushatës, Basha në këmbim të tyre çmontoi çadrën, u fut në zgjedhje, i humbi ato dhe, siç e ka zakon humbësi më Shqipëri, filloi të bërtasë prapëseprapë për vjedhjen e zgjedhjeve.

Ai e ka kuptuar se një zhurmë e tillë mbi vjedhjen e zgjedhjeve nuk ka për ta shpëtuar më. Të gjithë mund të jenë në kërkim të alibive për humbjet e pritshme, por ai jo. Sepse nga ai veç alibi nuk priten, Zgjedhjet e ardhshme pas katër vitesh do të jenë shansi i fundit i Lulzim Bashës. Nëse arrin “i gjallë” deri në këto zgjedhje, kuptohet. Duhet thënë kjo e fundit, pasi para zgjedhjeve parlamentare do të jenë zgjedhjet komunale, e nëse ai i humbet këto zgjedhje qartazi dhe rëndë, mund të ndodhë që demokratët t’i thërresin mendjes e të vendosin që të mos shkojnë në zgjedhjet parlamentare me Lulzim Bashën në krye, s’ka gjë se vetë Basha ka marrë një mandat katërvjeçar për të drejtuar partinë e tyre. Nuk është pa gjasa ky version. Një sukses i Bashës në zgjedhjet administrative që do të mbahen pas dy vjetësh është një ngjarje me probabilitet të vogël, madje zero. Demokratët, të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën janë, mund t’ia marrin për sukses edhe një humbje jo katastrofike. Mirëpo, duke parë PD-në e pas 25 qershorit, që është ose e përçarë, ose e demotivuar, as një sukses i tillë, d.m.th. as një humbje jo katastrofike, nuk ka mundësi të arrihet.

Basha pra, sido që t’ia shohësh filxhanin, nuk i ka punët mirë. Në këto rrethana, Basha ka pak karta për të luajtur. Dhe një nga këto karta është të bëjë ç’është e mundur për të krijuar kushtet e një gare sa më të barabartë në zgjedhjet e ardhshme. Dhe kështu, edhe po të humbë sërish, të mos i mbetet merak, ose thënë ndryshe, të mos ikë nga politika me fiksimin se ia kanë vjedhur votat. Por nuk është vetëm halli i Bashës në këtë mes. Përtej paranojave të tij mbi vjedhjen e zgjedhjeve, nuk mund të mohohet që Shqipëria ka një problem me zgjedhjet. E prandaj, kjo është një betejë që duhet mbështetur.

A e ka seriozisht Basha këtë betejë? A mund ta ketë ai seriozisht? A ka kuptim t’i kushtojmë vëmendje një njeriu që bërtet për zgjedhje të lira e të ndershme në një kohë që ai sapo i vodhi një palë zgjedhje (ato brenda partisë së vet)? I shtroj këto pyetje, pasi e di që janë të shumtë ata që i kanë në mendje. Por nuk duhet t’i shtrojmë. Pasi zgjedhjet janë një interes i të gjithëve. Ne duhet të bëjmë zgjedhje të lira e të ndershme jo për të kënaqur një tekë të Bashës që për zgjedhje të lira e të ndershme nuk i digjet barku (se mos i digjet Ramës!), por për t’u mbrojtur prej këtyre tekave. Dhe për t’u dhënë më shumë legjitimitet atyre që marrin të drejtën për të qeverisur vendin.

Kjo do të thotë se çështja e zgjedhjeve të lira e të ndershme është ende e shtruar për diskutim. Nuk ka pse kemi dyshim për këtë. Dhe për të bërë listën e problemeve me zgjedhjet në Shqipëri nuk ka nevojë të hapësh e të shfletosh raportet e ODIHR-it. Dihet se çfarë nuk shkon. Edhe vëzhguesi më sipërfaqësor e di se çfarë nuk shkon me zgjedhjet në Shqipëri. Edhe një vëzhgues i tillë pra do mund të bënte një listë të problemeve (Këtu po lëmë mënjanë diskutimin mbi ligjin e zgjedhjeve, mbi variantin proporcional apo mazhoritar, apo për një kombinim të tyre, apo diskutimin mbi korrigjimin e reformës elektorale, të përmendur po nga Basha pardje, apo diskutimin mbi çështje të tjera të kësaj tipologjie).

Së pari, janë komisionerët e numërimit. Edhe bufi e di se këta nuk duhet të caktohen më prej partive. Ka trupa të tjerë profesionalë që këtë punë mund të bëjnë shumë më mirë, siç mund të jenë mësuesit, gjyqtarët, avokatët, aktivistë të shoqërisë civile, policët apo ku di unë se cilët mund të jenë të tjerë. Çfarë i ka penguar partitë deri më sot për të rënë dakord për njërën nga këta trupa profesionalë, nuk ka qenë mosbesimi te profesionistët. Jo, ka qenë nevoja e tyre për të patur në dorë procesin e për ta sabotuar atë. Dhe komisionerët kanë qenë trupa të gatshëm për t’u përdorur për këtë qëllim. Nëse shmangen komisionerët partiakë, atëherë mund t’i rikthehemi edhe numërimit në qendrat e votimit. E kështu, do kemi në dorë rezultatin e zgjedhjeve në harkun e pak orëve pas mbylljes së kutive të votimit.

Së dyti, duhen futur në ligj ndëshkime shembullore për ata që kapen duke blerë vota (saktësoj: ndëshkime për ata që blejnë votat e të tjerëve, e jo për ata që shesin votën e tyre; nuk ka kuptim të penalizohet një shqiptar i varfër që shet votën e tij). Dhe te ndëshkimet shembullore duhet përfshirë edhe përjashtimi nga e drejta për t’u punësuar në administratë për gjithë jetën. Një masë e tillë u dhemb shqiptarëve më shumë se sa burgu. Por mund të ketë edhe masa të tjera. Thelbi është që të shkurajohet blerja e votave.

Së treti, duhet zvogëluar deri në zero një lloj avantazhi elektoral që pushteti e ka patur apriori këtyre anëve gjatë fushatave, dhe që është shprehur qoftë te përdorimi i resurseve shtetërore (mjete, para, e personel) për qëllime elektorale, qoftë te një mbështetje më e madhe mediatike. Një kryeministër gjatë fushatës ka patur (dhe kjo është mirëkuptuar si diçka logjike) një vëmendje më të madhe. Mirëpo gjatë fushatës nuk është e thënë të ndodhë kështu. Nuk ka pse. Sepse gjatë fushatës kryeministri nuk është më kryeministër. Është thjesht një nga lojtarët në fushë.

Së katërti, duhet disiplinuar masmedia. Por ky disiplinim nuk bëhet duke ua vjedhur atyre me ligj hapësirën për publicitet që ato e kanë të vetmin burim fitimi. Disiplinimi duhet të synojë krijimin e një klime mediatike, në të cilën të mos ketë të favorizuar e të penalizuar. Si mund të bëhet kjo? Në këtë mes ka shumë ide për të hedhur, dhe kjo mund të bëhet kur ky diskutim të hapet. Nëse do hapet.

Së pesti, duhet transparencë financiare. Publiku duhet të dijë kush financon kë. Përveç kësaj, Shqipëria nuk mund t’i lejojë vetes luksin e fushatave të bujshme e shkapërdare. Fushata e fundit, që ishte më pak spektakolarja, më pak e zhurmshmja e më pak e kushtueshmja, ishte një ngjarje që iu la shije të mirë të gjithëve.

Të gjitha këto probleme, ndoshta edhe të tjera, nuk mund të zgjidhen me një të rënë të lapsit. Disa prej tyre nuk është as e lehtë që të zgjidhen (barazia e garës është një sfidë edhe për demokraci të mëdha e të pjekura). E prandaj, diskutimi do të jetë i gjatë. Dhe është pikërisht kjo gjë që e bën të nevojshme hapjen qysh tani të këtij diskutimi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Forumet UET/ Sokol Balla: Populizmi dhe reformizmi te Nano, Berisha e Rama

Drejtori i Informacionit në Top Channel dhe drejtuesi i emisionit “Top Story”,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.