Koha për të futur në treg shërbimet publike: ujin, arsimin dhe shëndetësinë

Nga Ervis Iljazaj

Ka ngjallur debat vendimi për rritjen e çmimit të ujit nga ana e Bashkisë të Tiranës. Në këto ditë të nxehta kur mungesa e ujit bëhet edhe më e ndjeshme, do të vinin dhe debatet për të. Mirëpo, këto debate nuk janë zhvilluar asnjëherë duke orientuar zgjidhjen përfundimtare të çështjes së ujit dhe shërbimeve të tjera publike. Këto shërbime për sa kohë do të vazhdojnë të jenë në menaxhimin shtetëror nuk të do kenë asnjëherë një menaxhim që të sigurojë efikasitetin e kërkuar nga qytetarët, pasi dihet, që për gjënë publike nuk kujdeset askush.

Kështu që, shpenzimet e larta nga paratë publike dhe mungesa e shërbimeve do të vazhdojë të jetë një problem i përhershëm. Sepse i gjithë debati për rritjen e çmimit të ujit është një debat absurd nëse vërtet nuk kërkohet zgjidhja reale e tij.

Ka ardhur koha që këto shërbime të privatizohen dhe të futen në treg sipas parimit kosto-përfitim-shërbim. Kështu duhet të ndodhë dhe me shumë shërbime të tjera, si: energjia, arsimi, shëndetësia të cilat, janë “mall” tregu. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi përfundimisht një shërbim që vlen dhe me çmimin që i takon.

Nëse ka nga ata që kanë merak rritjen e çmimit dhe njerëzve që nuk i përballojnë dot këto tarifa, dhe me të vërtetë ka familja të tilla, duhet të dinë se shteti social është gjë tjetër. Këtu nuk bëhet fjalë për kompensimet për të varfrit, për ujin dhe energjinë, apo për bursat e studimit e kartat e shëndetësisë për të pamundurit, por garantimin e shërbimeve që janë jetësore për një shoqëri. Ato janë politika sociale dhe duhet të vazhdojnë të ekzistojnë.

Shteti shqiptar ka demonstruar se këto shërbime nuk arrin dot t’i ofrojë. Ka lokalitete në Shqipëri, përtej Tiranës, ku taksat paguhen dhe shërbimet nuk ofrohen.

Andaj, meqë ky debat ka arritur kulmin në këto ditë të nxehta verë, është e rëndësishme që ta zhvillojmë me themel atë. Duhen prekur vërtet problematikat dhe zgjidhjet e tyre dhe mos të qëndrojmë në debate populiste apo humaniste që nuk zgjidhin asgjë përveçse vazhdojnë të mbajnë në këtë stad ku janë aktualisht shërbimet publike në Shqipëri.

Shumë shtete të tjera i kanë zgjidhur këto shërbime vetëm nëpërmjet privatizimit të tyre. Askujt nuk i shkon nëpër mend të protestojë për çmimin nëse ai është në raport të drejtë midis kostove dhe përfitimeve, pasi e rëndësishme është garantimi tyre.

Qytetarët në Shqipëri kanë të drejtë të protestojnë për rritjen e çmimit pasi shërbimet mungojnë. Mirëpo, ky nuk është thelbi i problemit. Problemi i vërtetë qëndron në faktin se këto shërbime mungojnë siç deklaroi me të drejtë edhe Lulzim Basha në Facebook-un e tij nga keqmenaxhimi dhe vjedhja në ujësjellës. Megjithatë, ajo që pritet nga kryetari i një partie të djathtë është kuraja për të propozuar që shërbime të tilla janë më të garantuara nëse nga shtetërore i lihen tregut në dorë.

Por, populizmi në politikë në ditët e sotme është një nga të këqijat më të mëdha të politikës.

Është e vërtetë, problemi është ky që thotë zoti Basha, por ai nuk zgjidhet nëse ikën Veliaj dhe vjen një tjetër kryebashkiak. Ky është një problem sistemik. Një sistem i cili është më efikas me një menaxhim privat sipas parimeve të tregut të lirë, në të kundërt, do të vazhdojmë të protestojmë për mungesën e ujit, për cilësinë e arsimit dhe shëndetësisë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Timoni drejt rrugës së ekonomisë, jashtë saj është humnerë

Nga Ervis Iljazaj Tashmë që Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e vetme ashtu...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *