Koha që Rama të përballet me demonët e tij

Nga Arjan Çuri

Për ata që ndoshta nuk janë hasur ndonjëherë me metaforën e kësaj shprehjeje, që të mos mendojnë se po them që detyra e qeverisë është të luftojë edhe me djajtë apo shejtanët, po sqaroj se thënia nënkupton hezitimin e dikujt për t’u përballur me pasiguritë apo frikërat e të kaluarës, si edhe me kujtimet e ndjenjat e pakëndshme, të cilave nuk u ke dhënë zgjidhje apo përgjigje. Subjektet që e shmangin këtë përballje, mund të drejtohen te zakone apo pasione të tjera, për të mos u lënë kohë këtyre “demonëve”, dilemave pra, apo fobive të së kaluarës, që të rivijnë dhe të na kujtojnë situata për të cilat nuk do të ishim shumë krenarë, ose drejt të cilave ndiejmë një pendim dëshpërues.

Në psikologjinë e Jungut, nxënësit të Frojdit, kjo gjendje do të emërtohet me termin hije ose arketipi hije. Dashtë Zoti mos të mendojë njeri se Jungu po flet këtu për fantazmat, pasi ai i referohet vetëm aspektit inkoshient të personalitetit njerëzor, pra të gjithçkaje që personi nuk është i ndërgjegjshëm apo koshient. Shkurt, hija e Jungut është ana jonë e errët. Ndjenjat negative që ajo shkakton janë demonët si simbol.

Zgjidhja më e mirë sipas psikologëve jungianë, do të ishte përballja me ta, sistemimi i tyre brenda rafteve të mendimeve, dhe dhënia shpjegim me saktësi dhe logjikë të ftohtë, të arsyeve apo mosarsyeve të ngjarjeve të pakëndshme që na kanë ndodhur në jetë, si ndarja nga partneri, humbja e punës, e shoqërisë, vdekja e një të afërmi, pasiguria financiare, sëmundjet e ndryshme apo shpërthimet e dhunshme, si dhe çdo goditje të papritur që mund të na japë jeta.

Ka shumë lloje demonësh dhe çdo njeri ka të vetët, dhe çdo njeri herët a vonë do të duhet të përballet me ta, pasi nëse jo, ata do të kthehen sërish, më fuqishëm dhe më të shumtë në numër. Dhënia e kuptueshmërisë, një shpjegimi logjik dhe jo emotiv, një teodice, është zgjidhja më e mirë që mund të bëjë subjekti. Kjo me ndihmën e specialistëve, ose të njerëzve të afërm e të besuar, pasi vetëm, dhe i mbyllur në vetvete, gjërat do të përkeqësoheshin deri në kthimin e subjektit në një person të dhunshëm e irracional. Dhuna e pajustifikuar, faktuale apo verbale, është treguesi më i mirë se individi fajëson tjetrin për dështimet e veta, ai nuk ka gjetur akoma kurajën të përballet me demonët e tij.

Ideja ime është se edhe institucionet funksionojnë si personat, madje sot, me ardhjen e liderëve të fuqishëm, besohet se nuk ka më institucione, por persona, që personalizojnë institucionet, sipas tipareve të tyre. Fytyra e institucionit është fytyra e drejtuesit të tij. Kjo, sipas filozofisë së demokracisë plebishitare, ku liderë të fuqishëm, marrin mandate të forta, nga vota e drejtpërdrejtë e anëtarësisë, dhe ushtrojnë pushtetin në mënyrë të shpejtë e me vendimmarrje të befta. Kështu, qeveria është Kryeministri, parlamenti është kryetari i tij, opozita është lideri i saj, prokuroria është kryeprokurori, fakulteti është dekani, kompania është pronari, familja është kryefamiljari, e kështu me radhë. Prandaj, shpeshherë për të kuptuar mosfunksionimin normal të një institucioni, mjafton të shohim gjendjen shpirtërore të kreut të tij.

Ka një perceptim të përgjithshëm sot, për mungesë të një energjie qeverisëse apo narracioni politik të ushtrimit të qeverisjes, kryesisht tek ekzekutivi, por kjo situatë nuk është se nuk vihet re edhe në institucionet e tjera kushtetuese. Qëllimi i këtij shkrimi është të japë disa ngacmime mbi botën e brendshme të Kryeministrit Rama, që siç të gjithë e dimë, nisur nga natyra e tij artistike dhe atipike, është shumë komplekse e rrjedhimisht me shumë demonë për t’u përballur. Pa patur asnjë objektiv të vendos ndonjë etiketë të situatës, do të doja të vija theksin mbi dy elemente të veçanta që u vunë re në dy intervistat e tij të fundit, dhënë Vasilit dhe Zhejit.

Te Vasili ai foli për miqtë e tij dhe një lloj nostalgjie për ta, apo dhimbjeje për humbjen e tyre, ndërsa te Zheji ai përsëriste vazhdimisht dhe mekanikisht, duke u mbivendosur, shprehjen “nuk është e vërtetë”, ndërsa zëri i tij kishte marrë ngjyra të një tensioni, që më shumë se sa gazetari, mund t’ia shkaktonin kujtimet e vjetra të miqësisë me të. Edhe pse në debat, subjektet dukeshin më shumë të përmalluar për njëri-tjetrin, sesa të përqendruar te tematika e intervistës. Kjo u lexohej dukshëm në fytyrë, miqësitë e vjetra, nuk zbehen kurrë.

Pra, kosto e humbjes së miqve dhe bezdia e krijuar nga përballja me të vërtetën, e cila ndryshe perceptohet prej publikut, sado që makineria propagandistike qeveritare e bën punën e saj, janë sipas mendimit tim, dy demonë të dallueshëm dhe që duken qartë, me të cilët Kryeministri Rama, nuk ka mundur ose nuk do të përballet. Mund të radhisja dhe ndonjë problem tjetër që doli nga këto intervista, por këto dy çështje ishin më të forta sipas perceptimit tim. Tek intervista e Vasilit, Rama foli për kostot e tmerrshme që ai duhej të paguante për të qenë Kryeministër dhe përmendi disa prej tyre. Kjo është shenjë e mirë, pasi Rama nuk e ka problem e as i mungon trimëria t’i identifikojë problemet e veta, sepse shumica e individëve këtu ngecin. Në metaforën e shprehjes sonë, këto situata, do të quheshin demonët me të cilët ai duhet të përballet. Në të kundërt, pasojat do të jenë akoma më të dëmshme për të dhe për qeverinë e rrjedhimisht për shtetin shqiptar që ai drejton, sikundër edhe për çdo person që ka kontakt të afërt apo të largët me të.

Këto pasoja, fatkeqësisht kanë filluar të ndihen. Kryeministri nën peshën e kostove të mëdha që deklaron se i duhet të paguajë përditë, dhe pamundësisë apo mosdashjes së përballjes me demonët e fortë, të cilët qeverisja i sjell tek ata që e ushtrojnë atë, po i larohet gjithmonë e më shumë detyrës së tij për të qeverisur, dhe po futet në spiralen e përmallimit e sjelljes ndërmend të së kaluarës së tij plot me miq, përkundrejt një izolimi si pasojë e xhelozisë apo harresës së tyre, që mund t’i ketë sjellë pushteti, siç i rrëfeu Vasilit. Gjithashtu, ai nuk do të dalë nga xhamat e vetë kryeministrorë dhe nuk pranon ta shohë realitetin as nëpërmjet syzeve zhbiruese të ish-mikut të tij, Zhejit, që më shumë se sa kritik ishte i lumtur që e kishte përballë.

Vetëm nëse Rama përballet me hijen e tij, ai mund t’i kthehet edhe njëherë ditëve të veta të ndritshme të qeverisjes së tij, si kryebashkiak e më vonë si kryeministër. Parja në sy dhe pranimi i gabimeve të veta, të ministrave të tij apo të çdo zyrtari, heqja e frikërave të daljes jashtë shtëpisë së realitetit jo edhe aq shumëngjyrësh si fasadat e dikurshme të pallateve që tërhoqën vëmendjen e botës, do ta bënin atë të rikthehej sërish në rolin e vetë kushtetues. Jungu thotë që edhe pse rezervuese e aspektit të errët human, hija mund të kthehet edhe në fronin e kreativitetit, gjë që Rama artist e ka përjetuar literalisht.

Në të kundërt, nëse Rama nuk do të ketë guximin të përballet me demonët e tij personalë dhe ata socialë, të cilët shtohen prej detyrës së tij si Kryeministër dhe ushqehen prej vlerave kolektive të shkelura dhe të neglizhuara, hija dhe errësira që ajo lë pas do të jenë elementi karakteristik i ditëve në vijim të pushtetit të tij, ditë të cilat, në stinën e dimrit, vijnë duke u shkurtuar e duke ia lënë vendin e tyre, natës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Eno Peçi: Është koha ajo që gjithmonë luan me ne…

Kur krijoi “Exil” koreografi shkoi në ide e koncept në vitin 1997....
Read More