Kombi kushton!

Nga Ervis Iljazaj

Rruga e Kombit është vepra e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë më shumë se çdo gjë tjetër. Nëse bëhet një llogari e thjeshtë midis asaj që i ka kushtuar buxhetit shqiptar ajo rrugë, dhe përfitimeve ekonomike që ajo sjell në zhvillimin ekonomik, me siguri, është një vepër që nuk ia vlente barra qiranë për ta ndërtuar. Me aq shumë para sa janë harxhuar në rrugën që lidh Kosovën me Shqipërinë, fare mirë mund të ishin ndërtuar vepra infrastrukturore që do të kishin impakt pozitiv shumë herë më të madh për ekonominë shqiptare.

Po të shtosh këtu të gjitha akuzat që u përfolën për abuzim me fondet e saj, atëherë, ajo mbetet një nga veprat më të përfolura dhe më të diskutueshme në aspektin ekonomik dhe politik. E megjithatë, për ndërtimin e saj kishte një arsye edhe më madhore se sa thjesht një autostradë çfarëdo, sepse ajo është autostrada që lidh dy vendet dhe bashkon një komb.

Dhe, kur flitet për bashkim kombëtar asnjë faturë financiare, sado e lartë të jetë ajo, kalon në plan të dytë. Për këtë arsye, për korrupsionin e mundshëm që u bë në atë rrugë, nga opinioni publik pati një lloj justifikimi, pasi ajo rrugë ishte realizimi i një ëndrre, ëndrra e lidhjes së shpejtë midis dy shteteve vëllezër.

Mirëpo, tashmë që e kemi këtë rrugë, ka nevojë të mirëmbahet, dhe mirëmbajtja përbën një kosto po aq të rëndë për buxhetin e vogël të shtetit shqiptar, po aq sa kostoja fillestare e ndërtimit të saj. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë, ashtu sikurse ndodh kudo në vendet europiane, është nëpërmjet koncesioneve dhe taksës së përdorimit të saj nga vetë përdoruesit, që janë drejtuesit e mjeteve. Kur ndodh në vende që kanë buxhet më të madh se sa ai Shqipërisë, si mund të bëjmë përjashtim ne?

Ndoshta me të drejtë, ka skepticizëm për mënyrën se si është zhvilluar ky koncesion, ndoshta mund të ishte më transparent apo me të drejtë ka dyshime për koncesion klientelist, aspekte të cilat qeveria duhet t’ia bënte të qartë publikut, por që koncesioni është e vetmja mënyrë për të mirëmbajtur atë autostradë, kjo është jashtë çfarëdolloj diskutimi.

Mund të ketë diskutime edhe për koston që do të duhet të paguajnë drejtuesit e mjeteve, që për hir të së vërtetës duket e lartë për nivelin ekonomik dhe të ardhurave të shqiptarëve. Por, po të shohësh efikasitetin e shkëmbimeve ekonomike dhe lëvizshmërisë që ka midis dy shteteve është në një nivel shumë të ulët, pasi siç e thashë dhe në fillim kjo rrugë nuk ka asnjë logjikë ekonomike, por vetëm logjikë shpirtërore. Në këtë kuptim firma koncesionare që ka marrë përsipër të mirëmbajë atë, do të duhet të ketë parasysh kostot dhe përfitimet, në bazë të së cilës vendos dhe tarifat.

E gjitha kjo, ndodh për faktin se, që në gjenezë të asaj rruge nuk kishte asnjë logjike ekonomike që të justifikonte ndërtimin dhe mirëmbajtjen e saj, nuk kishte një logjikë biznesi të pastër, por paratë që u harxhuan për të, ishin vetëm për arsye patriotizmi.

Kështu që, patriotizmin që e kemi kaq shumë për zemër, dhe në emër të të cilit pranuam çdo faturë financiare, duhet t’i paguajmë edhe këtë faturë mirëmbajtje. Nuk është e lehtë të realizosh bashkimin kombëtar. Prandaj, në emër të tij, le ta pranojmë dhe këtë sakrificë financiare, pa të cilën ajo rrugë nuk mund të ekzistojë gjatë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për kontekstin shqiptar, votimi i detyruar është i domosdoshëm

Nga Ervis Iljazaj Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka dalë me...
Read More