Koment: Turqia rrit varësinë nga Rusia

Putin dhe Erdogan vunë gurthemelin për centralin e parë atomik të Turqisë. Projekti që ndjek Moska është shumë i qartë në synimin e tij, mendon Rainer Hermann nga gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Në samitin e tre presidentëve, atij turk, Erdogan, presidentit rus, Putin dhe atij iranian, Rohani në Ankara në qendër ishte lufta në Siri. Por presidentët Erdogan dhe Putin krahas kësaj e përdorën samitin edhe për të zgjeruar marrëdhëniet mes tyre duke rritur me këtë varësinë e Turqisë nga Rusia. Që në ditët para samitit u vu re, se Turqia është një nga vendet e pakta anëtare të NATO-s që nuk e nënshkroi aksionin e solidaritetit kundër Rusisë pas sulmit me gaz nervor ndaj agjentit të dyfishtë, Skripal. Për Turqinë as që bëhej fjalë të dëbonte diplomatët rusë

Shkëputja e Turqisë nga NATO

Përkundrazi- marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Moskës po bëhen më të ngushta. Kështu Turqia është i vendi i vetëm anëtar i NATO-s, që do të instalojë sistemin e mbrojtjes ajrore ruse S400. Madje furnizimi është afruar me një vit, në vitin 2019. Po ashtu Turqia është vendi i parë i NATO-s ku Rusia ndërton një central atomik. Blerja e sistemeve ruse S400 mund të bëjë që në të ardhmen, SHBA të mos e furnizojë më Turqinë me avionë ushtarakë dhe centrali atomik në Akkuyu do të rrisë varësinë e Turqisë nga Rusia, sepse vetëm Moska mund të ofrojë shufrat djegëse.

Sipërmarrja ruse Rosatom do të ndërtojë centralin atomik Akkuyu dhe do ta menaxhojë më vonë. Presidenti Erdogan e vlerëson kaq shumë këtë, saqë ai ka rënë dakord për një çmim të garantuar për rrymën e prodhuar. Për Rosatom një pazar me leverdi. Kjo sipërmarrje ndërton 34 centrale atomike në 12 vende. Ndërtimi në Turqi është shumë i rëndësishëm për presidentin rus, Putin, sepse ai kërkon të shkëpusë hap pas hapi Turqinë nga NATO. Prandaj ai erdhi personalisht për vendosjen e gurthemelit me homologun e tij.

Leva ruse

Erdogan ka një argument të mirë në anën e tij – rritja e nevojës për energji rritet në Turqi vit për vit me 9%, ndërkohë që Turqia mund të prodhojë vetë, vetëm 26% të energjisë së kërkuar. Por ndërkohë që Europa po e zvogëlon varësinë e saj energjitike nga Rusia, Turqia po e rrit. Kësaj i shtohet edhe ndërtimi i një gazsjellësi nga Rusia në Turqi, Turkish Stream. Putin u shpreh se kjo e rrit sigurinë energjitike në rajon. Por ajo zgjat edhe levën që ai ka në dorë në të ardhmen kundrejt partnerit të tij më të vogël.

Shkruar Nga
More from Revista User

Vetëtimat mund të parashikojnë fenomenet atmosferike

Rënia dramatike e vetëtimave mund të duket magjepsëse, elegante apo tmerruese, në...
Read More