Kompania e akuzuar për ‘korrupsion’ do ndriçojë Tiranën e Durrësin



ndricimiTë dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se qeveria shqiptare i ka hapur rrugën dhënies me konçesion të ndriçimit me llampa LED të Tiranës dhe Durrësit një kompanie daneze, e cila akuzohet për korrupsion dhe prishje të barazisë në tenderë në Kosovë dhe në Mal të Zi.

Nga Besar Likmeta, Dusica Tomovic, BIRN

Më 27 prill, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për përcaktimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë si autoriteti që do të administrojë procedurat për dhënien me koncesion të ndriçimit publik në dy njësi administrative vendore, Tiranë dhe Durrës.

Vendimi përcakton Ministrinë, së bashku me dy bashkitë si autoritete kontraktore në vlerësimin e propozimit të pakërkuar nga kompania daneze “HeSaLight” A/S, për sistemin e ndriçimit të bashkisë Tiranë dhe të bashkisë Durrës, në kuadër të programit të efiçencës së energjisë.

Sipas Ministrisë së Energjisë, përfshirja e një operatori privat për menaxhimin e shërbimit të ndriçimit dhe sinjalistikës, nëpërmjet një koncesioni/PPP ka për qëllim rritjen e efiçencës së energjisë –një nga objektivat kryesore të qeverisë shqiptare.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania që propozoi konçensionin, me të cilën qeveria dhe autoritetet vendore shqiptare kërkojnë të hyjnë në një partneritet afatgjatë që pritet t’i kushtojë taksapaguesve miliona euro, është përndjekur nga akuzat për korrupsion në tendera të ngjashëm në vendet fqinje.

Sipas një aktakuze të Prokurorisë Speciale në Kosovë, një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, drejtori i HeSaLight A/S për Shqipërinë e Kosovën, Gazmend Kelmendi është aktualisht i pandehur dhe po gjykohet për një tender të dyshimtë për ndriçimin me llampa LED në komunën e Mitrovicës.

Akuza të ngjashme ndaj kompanisë daneze janë bërë dhe në Mal të Zi, ku ajo ka fituar një tender për ndriçimin e bashkisë së Herceg Novit, të cilin opozita malazeze e ka denoncuar si të “dyshimtë”.

E kontaktuar nga BIRN nëpërmjet email-it në lidhje me propozimin e saj të pakërkuar për konçesion në Shqipëri dhe procedimin penal të drejtorit Kelmendi në Kosovë, HeSaLight A/S refuzoi të komentonte.

E kontaktuar nga BIRN në lidhje me akuzat për korrupsion që rrethojnë punën e kompanisë HeSalight A/S në Ballkan, qeveria shqiptare nëpërmjet një zëdhënësi u shpreh që në fazën aktuale të procedurës konçesionare, ajo nuk kishte informacion “për statusin e gjendjes penale të shoqërisë apo të funksionarëve të saj drejtues.”

“Bazuar në ligj, nëse do të merret vendimi për të kaluar në një procedurë tenderimi, një nga dokumentet e kërkuara për përmbushjen e kritereve ligjore është edhe dokumenti nga institucione përkatëse për gjendjen penale të shoqërive pjesëmarrëse në cilësinë e operatorit ekonomik (ofertues),” tha për BIRN Endri Fuga, këshilltar për median i kryeministrit Edi Rama.

“Është kjo faza në të cilën autoritetet kontraktore kryejnë verifikimet përkatëse dhe më tej veprojnë në përputhje me përcaktimet ligjore për çdo rast,” shtoi ai.

Aktakuza penale në Kosovë

HeSaLight A/S është një prodhues llampash LED, e themeluar në vitin 2008. Kompania daneze është prezente në të paktën 20 vende, përfshirë vendet e Ballkanit ku ofron zgjidhje për ndriçimin e ambienteve të ndryshme publike dhe private.

Sipas materialeve reklamuese të saj, HeSaLight ofron zgjidhje të plota për ndriçimin e ambienteve publike, duke premtuar kursime ‘të mëdha’ në shpenzimet për energji elektrike si dhe reduktim të dioksidit të karbonit që çlirohet në atmosferë.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë iu përgjigj negativisht një kërkese të BIRN, të bazuar në ligjin e të drejtës së informimit, për të bërë publike një kopje të propozimit të pakërkuar të kompanisë HeSaLight A/S për sistemin e ndriçimit të qyteteve Tiranë dhe Durrës.

Megjithatë, dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë që një kontratë e ngjashme me negocim të drejpërdrejtë, e bërë nga kompania daneze për sistemin e ndriçimit të komunës së Mitrovicës në Kosovë, e ka çuar drejtorin e saj për Shqipërinë dhe Kosovën, Gazmend Kelmendi në gjykatë – i akuzuar për marrëveshje të paligjshme që kufizojnë konkurrencën, e parashikuar nga neni 309/1 i kodit penal të Republikës së Kosovës.

Së bashku me Kelmendin, nën akuzë për tenderin e ndriçimit janë vënë dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri si dhe shefi i zyrës së prokurimit, Haxhimet Ferhati – të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës publike.

Bahtiri dhe Ferhati akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën për përfitim personal në dobi të operatori ekonomik HeSaLight A/S, ndërsa Kelmendi se ka paraqitur oferta bazuar në një marrëveshje të paligjshme pranë komunës Mitrovicë, që të kufizonte konkurrencën në mënyrë që kompania daneze të shpallej fituese e tenderit të ndriçimit.

Kontrata midis kompanisë Hesalight A/S dhe bashkisë Mitrovicë, që kishte për qëllim “furnizmin, montimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik efiçent në të gjitha rrugët e qytetit” është lidhur me datë 16 janar 2015, me një vlerë prej 767,940 euro.

Sipas aktakuzës ndaj tre të pandehurve, kjo kontratë është lidhur në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik në Kosovë. Prokuroria speciale e Kosovës nënvizon se procedura e prokurimit ka pasur një seri shkeljesh që kishin për qëllim shpalljen e HeSalight A/S fitues, duke i shkaktuar një dëm buxhetit në vlerën totale të kontratës.

Sipas prokurisë, në procedurën e tenderit ka disa shkelje të evidentuara; fillimi i negociatave midis komunës dhe HeSalight A/S pa njoftuar Komision Rregullativ të Prokurorimit Publik, KRPP, dështimi për të mbajtur proçesverbale për negociatat si dhe përdorimi i procedurës me negocim të drejtpërdrejtë, ndërkohë që të paktën 8 kompani të tjera në tregun e Kosovës ofronin produkte të ngjashme.

Gjithashtu, hetimi ka zbuluar se garancia e dhënë nga kompania HeSalight A/S për produktet e saj ka qenë 10 vjet dhe jo 20 vjet -siç është pretenduar në njoftimin për tenderin, që komuna i ka bërë KRPP-së.

Hetimi kundër tre të pandehurve është filluar nga Departamenti i Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, i cili ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale me 18 nëntor 2015.

Tenderi problematik e ka zanafillën me 8 korrik 2014, kur kompania HeSaLight A/S ka bërë ofertën e parë në komunën Mitrovicë me një vlerë prej 688,751 euro, pa kosto shtesë.

Me 29 shtator 2014, po kjo kompani ka bërë një ofertë të dytë me vlerë 642,377 euro. Ofertës së dytë, kompania i ka bashkangjitur një tabelë me ofertën e parë, “jo me çmimin fillestar por me një çmim prej 878,846 euro.” Rritja e çmimit të ofertës së parë me 190,095 euro është justifikuar me koston e tatimeve.

Oferta e tretë dhe finale nga HeSalight A/S është dhënë me 15 dhjetor 2014, me çmimin që është shpallur fitues prej 767,940 euro.

Të marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale, të tre të pandehurit i kanë mohuar akuzat inkriminuese.

I shtrënguar të shpjegojë diferencën midis dy ofertave të para dhe asaj finale, i pandehuri Gazmend Kelmendi ka pretenduar se në ofertën fillestare nuk përfshihej kostoja e tatimeve.

“Sa i përket dy ofertave paraprake të kompanisë ‘Hesalight,’ Kelmendi thekson se në ofertat e mëhershme nuk ka qenë i përfshirë tatimi, ngase ofertat përgatiten në zyrën e “Hesalight” në Danimarkë, dhe është menduar që Kosova është në Evropë dhe nuk përfshihen tatimet,” shkruan aktakuza.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka pretenduar para prokurorëve se ai “nuk merret me prokurime” duke ia ka kaluar përgjegjësinë shefit të zyrës së prokurimit publik në komunë, Haxhimet Ferati.

Ferati e ka mbrojtur procedurën e prokurimit me negocim të drejtpërdrejtë, duke argumentuar që kontrata i jepte mundësi komunës ta paguajë investimin me këste.

“Kjo procedurë, po të ishte dhe ca vjet më shumë mund të shkonte dhe në PPP (Partneritet Publik Privat),” ka theksuar ai.

Ferati dhe Bahtiri e kanë cilësuar njoftimin paraprak për një garanci 20 vjeçare si një “gabim teknik.”

Akuza dhe në Mal të Zi

Kompania daneze HeSalight A/S, qendra e së cilës është në qytetin Roskilde në ishullin Zealand, rreth 30 kilometra larg Kopenhagenit, ka lidhur kontrata për projekte ndriçimi edhe me dy bashki në Mal të Zi – bashkinë e Plavës si dhe atë të Herceg Novit.  Kontrata me bashkinë e Plavës ka pasur një vlerë prej 214,800 euro, ndërsa ajo me bashkinë Herceg Novit një vlerë prej 2.7 milionë euro.

HeSaLight ka qenë operatori i vetëm i cili ka paraqitur një ofertë në tenderin e ndriçimit të mbajtur nga bashkia e Herceg Novit dhe është shpallur fituese në nëntor 2015. Kontrata përfshinte zëvendësimin e llampave nga 70W deri në 400W, zëvendësimin e ndriçuesve, një sistem wi-fi kontrolli si dhe mirëmbajtjen dhe operimin e sistemit.

Por megjithatë, opozita në qytetin e vogël bregdetar prej 33 mijë banorësh, i lokalizuar në hyrjen e gjirit të Kotorrit, e ka cilësuar këtë kontratë si të dyshimtë, pasi një kompani lokale “Electro Energy,” ishte ofruar të bënte të njëjtën punë për 700,000 euro.

“Electro Energy ka paraqitur një ankimim te kreu i bashkisë së Herceg Novit, Natasa Acimovic, duke i akuzuar autoritetet vendore se tenderi ka qenë i ‘shitur’,” tha Mirko Mustur, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në një konferencë për shtyp në 20 janar, duke i kërkuar prokurorisë malazeze që të nisë hetimet.

Bashkia e Herceg Novit i hodhi poshtë akuzat, duke nënvizuar që HeSalight A/S ka qenë ofertuesi i vetëm dhe se Electro Energy nuk kishte paraqitur ofertë.

Megjithatë, Zoran Miskovic –drejtori i degës së Malit të Zi të kompanisë Electro Energy, i tha BIRN se kushtet e tenderit ishin “diskriminuese dhe të dyshimta,” dhe nuk i kishin lejuar dhjetra kompani lokale të jepnin një ofertë për tenderin.

Miskovic nënvizoi që avokatët e kompanisë së tij po vlerësonin mundësinë për një padi penale në zyrën e Prokurorisë Speciale për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin.

“Si ka mundësi që autoritetet vendore hapën një tender, kushtet e të cilit lejojnë vetëm një kompani të aplikojë pa ofruar mundësi alternative, edhe pse Mal i Zi ka dhjetra kompani të përshtatshme për ta bërë atë punë,” tha me dyshim Miskovic.

Ai ngriti pikëpytje mbi pretendimet e bashkisë që projekti prej 2.7 milonë euro për instalimin e llampave LED do të sillte kursime në miliarda për buxhetin dhe pretendon që ato duhet të ndërrohen pas 10 vjetësh.

Miskovic tha që kompania e tij kishte bërë një projekt pilot me bashkinë e Herceg Novit, i cili ishte aprovuar nga ish- krerë të qeverisë vendore që i përkasin partive që tashmë janë në opozitë në nivel kombëtar. Sipas Miskovic, dy vjet më parë Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga kryeministri Milo Gjukanoviç fitoi zgjedhjet vendore dhe gjithçka ndryshoi.

Ai shpjegoi se drejtuesit e rinj vendorë nuk ishin më të interesuar në projektin alternativ, i cili përfshinte instalimin e një kontrollori për kursimin e energjisë, një teknologji që sipas tij është më efiçente se llampat LED, dhe e cila do t’i kushtonte taksapaguesve 700,000 euro dhe kishte një garanci 25 vjeçare.

“Është e vështirë të shpjegosh përllogaritjet ekonomike që i shtynë autoritet vendore të paguajnë 2.7 milionë euro për 10 vjet, në vend të 700,000 euro për 25 vjet,” përfundoi ai.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Video: Rekord, bllokohen rreth 8 ton kokainë

Një sasi rekord kokaine është bllokuar nga policia kolumbiane. Rreth 8 ton...
Read More