Komunikimi joverbal si mjet vetëpërkufizues



nonverbalNga Dr. Holta Heba*

Komunikimi verbal është shumë i rëndësishëm në komunikim, por edhe ai joverbali nuk mbetet pas, madje ndonjëherë na ndihmon të kuptojmë edhe më shumë se sa kodet gjuhësore. Si lloj komunikimi, edhe ky ka kodet dhe rregullat e veta. Këta të fundit ndryshojnë në varësi të individëve që i përdorin, si dhe kulturave të ndryshme në një vend dhe në një kohë të caktuar. Një “po” e thënë me buzëqeshje nuk është e njëjta gjë me një “po” të pashoqëruar me kode jogjuhësore. Kur takojmë një shok të vjetër të gjimnazit në rrugë dhe i themi “gëzohem që u takuam” nëse e shoqërojmë me kode joverbale, si për shembull: shtrëngim më i fortë i dorës, shikim i drejtpërdrejtë në sy dhe buzëqeshje, patjetër që transmetojmë mesazhin se jemi vërtet të kënaqur për këtë takim. Por nëpërmjet kodeve joverbale mund të transmetojmë edhe thjesht bezdi që u ndeshëm në rrugë. Edhe pse kodet joverbale nuk janë gjithnjë të thjeshta për t’u interpretuar, ndodh që ndonjëherë tregojnë shumë më tepër se sa vetë fjalët.

Identitete të ndryshme kanë kode jogjuhësore të ndryshme për të komunikuar një fenomen apo një situatë. Megjithatë, shumë simbole të komunikimit joverbal janë të njëjta në shumë vende të botës. Në raste të caktuara të zgjidhin punë. Për shembull: dy njerëz të kulturave të ndryshme që nuk njohin kodet gjuhësore, mund të arrijnë një komunikim nëpërmjet shenjave të trupit. Sigurisht që nuk pritet ndonjë komunikim i mirërealizuar apo i gjatë i dy personave me gjuhë të ndryshme, por ama disa shenja joverbale bëhen urë lidhëse e një pohimi apo një mohimi nga të dy. Mjafton të kujtojmë këtu shenjën e gishtit të madh të dorës, një gjest tashmë universal që përdoret për të treguar pohim apo aprovim, e cila në kode gjuhësore interpretohet: “ok” ose “në rregull”.

Si çdo fushë tjetër edhe komunikimi joverbal zhvillohet dhe ndryshon në kultura të ndryshme sipas kontekstit social dhe periudhës kohore në të cilën ndodh. Le të kujtojmë përshëndetjen që i bënte një mashkull femrës në shekullin e 17-të apo 18-të në Francë apo Angli, edhe pse ishin të të njëjtit rang apo të së njëjtës shoqëri. Ai përshëndeste një femër në rrugë, duke u përkulur dhe përkuljen e shoqëronte me dorë. Në shekullin e 21-të kjo lloj përshëndetjeje është venitur. Mashkulli, e përshëndet femrën me pakëz përkulje, por këtë herë vetëm të kokës dhe ky veprim nuk është se ndodh gjithnjë. Nuk janë të pakta rastet kur përshëndetjet përveç shtrëngimit të dorës dhe pakëz përkulje të kokës zëvendësohen madje edhe me përplasje të duarve lart: “Toke!”.

Në Shqipëri, kodi joverbal i përshëndetjes midis një mashkulli dhe një femre, po në të njëjtën periudhë kohore, as që mund të mendohej të ishte i njëjtë me atë të Francës dhe Anglisë. Mashkulli nuk mund t’i fliste vajzës në rrugë nëse nuk ishte e shoqëruar me një familjar, por edhe nëse ishte e shoqëruar ajo nuk mund të përshëndeste. Qëndrimi i saj ishte në çdo rast kokulur dhe sypërmbys. Ky lloj qëndrimi ishte në harmoni me rregullat dhe kodet joverbale të vendosura nga vetë shoqëria e asaj kohe. Në shekullin e 21-të nuk ndodh më kështu. Kodet joverbale kanë ndryshuar. Mashkulli dhe femra mund të përshëndeten dhe komunikojnë si me kode gjuhësore, ashtu edhe me kodet jogjuhësore. Një femër nuk qëndron më sypërmbys teksa komunikon, nëse po, atëherë ajo e bën me vetëdije dhe jo e imponuar nga shoqëria. Ndoshta vërtet kërkon të komunikojë se nuk do të përshëndetet me mashkullin në fjalë. Në shumë kultura, kontakti i syve është një rregullator i distancës ndërpersonale. Në shembullin e Shqipërisë, shmangia e kontaktit pamor transmetonte respekt dhe nderim. Ky lloj interpretimi ka ndryshuar në kontekstin e sotëm.

Komunikimi joverbal na tregon se në situata të ndryshme, mesazhi që duam të transmetojmë te të tjerët varet nga mënyra se si duam të shfaqemi te të tjerët. Nuk është e njëjta gjë si të këndosh në dush i vetëm dhe si të këndosh përpara një audience prej 10 apo më shumë personash. Sjelljet joverbale tonat mbeten në varësi të asaj që duam të tregojmë te mesazhmarrësi. Sa e sa herë na ka qëlluar që teksa ecim përgjatë vitrinave të dyqaneve, të gjejmë veten me vetulla të ngrysura dhe kemi reaguar. Duke mos qenë ky imazhi që duam të komunikojmë te të tjerët teksa ecim në rrugë, menjëherë ndryshojmë qëndrimin e vetullave, duke i dhënë fytyrës një ngjyresë buzagaz.

Komunikimi joverbal mund të plotësojë, zëvendësojë ose kundërshtojë komunikimin verbal. Ai mësohet dhe ashtu si komunikimi verbal është pjesë e identitetit tonë, pjesë e kulturës së fituar në vendin ku jetojmë dhe rritemi. Në komunikimin ndërkulturor keqperceptimet e komunikimit joverbal korrigjohen nga fjalët. Njeriu përpiqet të gjejë fjalët e duhura për të interpretuar një veprim të caktuar. Një sjellje e vetme joverbale mund të përkthehet nga shumë fjalë deri sa të arrihet kuptimi i duhur, por edhe shumë fjalë të pakuptueshme për dikë, mund të interpretohen nëpërmjet sjelljeve joverbale, të cilat mund të zgjidhin shumë situata. Çka shprehet me veprime, ndonjëherë është më e rëndësishme se ajo që shprehet me fjalë.

*Pedagoge, Universiteti Europian i Tiranës

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

8 ushqime që zëvendësojnë suplementet shëndetësore

Qoftë vitamina apo vajra të ndryshëm rekomandohen me recetë edhe nga mjekët...
Read More