Konferenca në Razëm, studiuesit në debat: Skënderbeu mes historisë dhe letërsisë

Të shtunën në Razëm është mbajtur konferenca e dytë kombëtare shkencore “Skënderbeu mes historisë dhe letërsisë”, me studiues të ftuar nga Shqipëria dhe Kosova, mbajtur në kuadër të Ditëve të Letërsisë Razëm 2018, organizuar nga departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike në Universitetin Europian të Tiranës

Cili është raporti i Skënderbeut me letërsinë, si është interpretuar figura e tij nga historiografia? Edhe pse ka vepra pafund, artikuj dhe kronika te kohës, dokumentacione dhe shumë arkiva sot janë të hapura, mjaft pyetje mbi heroin tonë kombëtar ende nuk kanë marrë përgjigje. Në këtë mendim historianët dhe studiuesit letrare kanë shtrirë debatin e tyre në konferencën kombëtare shkencore në Ditët e Letërsisë Razëm 2018, që mbahet çdo vit nga departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike në Universitetin Europian të Tiranës, ku shpallet edhe çmimi kombëtar i letërsisë shqipe në dorëshkrim, “Kadare”.

Këtë vit studiuesit kanë pasur në referim temën “Skënderbeu mes historisë dhe letërsisë”.

Ndarë në dy seanca, në të parën përqendruar kryesisht në vështrimin historik ku kanë referuar historian Dritan Egro, dekan i fakultetit të Shkencave Sociale me temën “Skënderbeu dhe koha e tij; Sfida të reja metodologjike studimi”; dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, me referencën “Skënderbeu në artin europian në shekullin XVI dhe artit shqiptar në shekullin XX. Imazhe humaniste dhe nacionalizëm”; publicist Virgjil Kule me “Gjergj, Kastriot Skënderbeu, kryqtari i fundit; dr. Vehbi Miftari me “Miti humanist i Skënderbeut (ndikimi në përbrendësim e përbashkim); prof. asoc. dr. Genciana Abazi me “Të shkruash shqip në Mesjetën e vonë: Formula e Pagëzimit dhe Arbëria e Skënderbeut”; dr. Ermir Nika “Skënderbeu dhe epoka e Skënderbeut në veprën letrare të Ismail Kadaresë”; Ledia Dushi me kumtesën dokumentare “Mahmud Pasha dhe Skënderbeu”; Brikena Smajli me “Skënderbeu në komedinë spanjolle të shekullit të artë”; Diego Abedinaj “Modeli i heroit kombëtar në veprën “Skënderbeu” të Sabri Godos etj. “Ndonëse për Skënderbeun është shkruar shumë histori, ende ka shumë pyetje të cilave nuk iu është dhënë përgjigje ose që nuk kanë gjetur përgjigje shteruese. Para një situate të tillë i domosdoshëm bëhet kërkimi i shtigjeve të reja metodologjike, të cilat do të na lejonin t’i parashtrojmë çështjet më gjerë dhe në mënyrë më të plotë, por dhe të jepnim përgjigje sa më shteruese. “Ky kumtim synon të parashtrojë disa ide të reja mbi kufijtë kohorë dhe hapësinorë të aktivitetit politik e diplomatik të Skënderbeut; por ai, veçmas ndalet edhe në paragjykimet ideologjike të cilat kanë penguar kuptimin e mirë të kohës së Skënderbeut”, ka parashtruar në fjalën e tij, historian Dritan Egro. Në debatin pse paraqiten kaq pengesa për të shkuar te Skënderbeu, Egro është përgjigjur se shkruesit e historisë nisen nga një ide fikse në kokë: Skënderbeu im është ky! Ermir Nika duke paraqitur Skënderbeun dhe epokën e tij te vepra letrare e Kadaresë tha se “nëpërmjet rrëfimit, Kadare na zbardh raportin që ekziston ndërmjet historisë dhe letërsisë, si binom që e ka shoqëruar shoqërinë njerëzore me nevojën për të komunikuar në periudha të ndryshme kohe: vetvetiu letërsia e ka përmasën historike në kuptimin që fakti edhe sikur ditën e djeshme të tregosh është një fare historie, sepse dika ka kaluar ndërkaq, kështu që nuk duhet habitur nga kjo gjë. Shkrimtarin nuk mund të mos e shqetësojë fakti i njohur se balada shqiptare është e vetmja në Ballkan që bën fjalë për një murim kryesisht në kështjellë. Ai është i vetëdijshëm se kjo është kushtëzuar nga rrethanat kritike historike që kanë shoqëruar fatin e popullit të tij”. Publicisti Virgjil Kule, autori i fundit i një romani historik mbi Skënderbeun tha se “nisur nga ideja se një lider që arrin të qëndrojë me sukses për 25 vjet në politikën aktive nuk mund të jetë kurrë më shumë viktimë e situatave se sa krijues e manipulues i tyre, ky libër eksploron në gjerësi e thellësi, fondin e madh dokumentar mbi Skënderbeun”. Miti i Skënderbeut duket se nuk do të reshtë në asnjë kohë dhe epokë, nga asnjë studiues për ta patur heroin si pikë referuese qoftë dhe për ridimensionimin kombëtar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

E padurueshme që BE jep 300 miliardë për Greqinë dhe vetëm 1 miliard për Ballkanin

Nga Ervis Iljazaj Vazhdojnë ende debatet mbi konferencën e Triestes të organizuar...
Read More