Konfirmohet vizita e Kim Jong-un në Kinë, hapet rruga për takimin me Trump

Pas ditësh spekulime, është konfirmuar se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka vizituar Kinën. Vizita, e konfirmuar nga Kina dhe nga Koreja e Veriut, është e para e ditur e Kim Jong-unit jashtë vendit, që kur ai ka marrë detyrën në vitin 2011.

Kim Jong-un zhvilloi bisedime të suksesshme me liderin kinez, Xi Jinping në Pekin, raportoi agjencia kineze e lajmeve Xinhua.

Kina është aleatja kryesore ekonomike e Koresë së Veriut dhe mendohej gjerësisht se Kim Jong-un do të konsultohej me Pekinin para takimeve të planifikuara me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kim Jong-un pritet të takohet me Presidentin koreano-jugor, Moon Jae-in në prill dhe Presidentin amerikan Donald Trump në maj.

Vizita në Pekin ndërkohë konsiderohet si një hap domethënës në përgatitjet e Koresë së Veriut për bisedimet e propozuara. Gjatë vizitës, Kim Jong-un ka siguruar homologun e tij kinez se është i angazhuar të heqë dorë nga armët bërthamore, raportoi po ashtu Xinhua, por me kushte.

“Çështja e denuklearizimit të gadishullit korean mund të zgjidhet nëse Koreja e Jugut dhe SHBA reagojnë ndaj përpjekjeve tona me vullnet të mirë, krijojnë një atmosferë paqeje dhe stabiliteti, ndërsa marrin masa progresive dhe të sinkronizuara për realizimin e paqes”, citohet të ketë thënë Kim Jong-un.

Ky i fundit mbërriti në Pekin i shoqëruar nga bashkëshortja e tij të dielën dhe u largua që andej të martën pasdite.

Udhëtimi është i fundit në një varg aktivitetesh diplomatike të javëve të fundit, pasi lidhjet mes Veriut dhe Jugut nisën të përmirësoheshin në fillim të vitit dhe gjatë Lojrave Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut.

Ndërkohë, Uashingtoni ka konfirmuar se Kina e ka informuar administratën Trump për vizitën, të martën.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Filmi ‘Hana’ i modeles dhe aktores kosovare do ta ketë premierën në Amerikë

Modelja dhe aktorja e filmave e cila tashmë po sprovohet si regjisore...
Read More