Konflikti i Kryetarit të Kuvendit me kreun e LSI

Ervis IliaziNga Ervis Iljazaj*

Të Premten, Presidenti i Republikës pritet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit, për rastin e shumëpërfolur Balili. Ky është rasti tipik për të kuptuar se si gjatë gjithë këtyre viteve institucionet më të rëndësishme të Shtetit janë vënë herë pas herë në mes të konflikteve politike midis partive, në aleancë apo në opozitë qofshin ato. Pavarësia e tyre vihet gjithmonë në dyshim sa herë që këto institucione përdoren jo për të zgjidhur krizat politike, por përkundrazi, bëhen pjesë e tyre jashtë çdo detyre dhe funksioni kushtetues që ato kanë.

Kryetari i Kuvendit, i cili është edhe Kryetari i Lëvizjes për Integrim, nuk nguroi që konfliktet politike me aleatin e tij t’i kthejë në vendime institucionale, duke vënë në dyshim ushtrimin e kësaj detyre të lartë shtetërore në mënyrë të paanshme dhe korrekte. Jo rastësisht, një kërkesë e tillë erdhi pas përshkallëzimit të konfliktit midis dy forcave politike që u pasuan me deklarata dhe akuza të forta të eksponentëve të LSI kundrejt Kryeministrit dhe Qeverisë së tij.

Për fat të keq, Presidenti i Republikës me një naivitet të paprecedent ra pre e këtij konflikti të brendshëm midis aleatëve në Qeveri. Pa vlerësuar rëndësinë e rastit dhe mjaftueshmërinë e tij për mbledhjen e një nga institucioneve më të rëndësishme të vendit, Presidenti nuk nguroi të plotësonte kërkesën e zotit Meta.

Shumëkush e kupton, që një kërkesë e tillë, nuk ka si synim shqetësimet reale të kriminalitetit në vend, por “presionet” me sigurinë kombëtare të aleatit në qeveri. Kjo është një kërkese butaforike dhe simbolike sepse kurrsesi, kjo nuk është rruga për të luftuar kriminalitetin në vend.

Edhe njëherë tjetër gjendemi përballë mungesës së vullnetit të politikës për të luftuar korrupsionin dhe krimin. Lidhjet e malavitës me politikën shqiptare janë të njohura përgjatë gjithë tranzicionit shqiptar dhe kriminelë të tillë si Klement Balili, Shqipërisë, fatkeqësisht nuk i kanë munguar. Por , ajo që duhet të na shqetësojë realisht në të gjithë këtë histori, është fakti se, edhe në një fatkeqësi të shoqërisë shqiptare siç është kriminalizimi i një pjese të saj, palët politike e përdorin në mënyrë simbolike për të fituar terren në tavolinat e marrëveshjeve të pushtetit.

Nëse vërtet do të kishte vullnet për të luftuar lidhjet e krimit me politikën apo arrestimin e personit në fjalë, kjo nuk është mënyra. Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtarë për rastin në fjalë, tregon më së miri se ky vullnet mungon. Sepse ai është një institucion që ka detyra akoma edhe më të rëndësishme. Andaj, kjo mbledhje, për fat të keq do të ngelet në nivel simbolik dhe gjurmët e saj do të shuhen sapo të shuhen konfliktet brenda mazhorancës. Nëse në Shtetet e Bashkuara Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mblidhej për një trafikant droge, atëherë ky institucion në atë vend do të ishte institucioni i cili do të kishte më shumë punë se sa çdo institucion tjetër. Por, atje, lufta ndaj krimit është reale dhe jo simbolike.

Ka shumë mënyra nëse vullneti dhe shqetësimi për arrestimin e një krimineli të përmasave të tilla do të ishte i vërtetë. Për shembull mund të ngrihej një komision hetimor parlamentar, mund të thirrej në interpelancë ministri, mund të thirrej në komisionin parlamentar të çështjeve të sigurisë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Por, asnjë nga këto veprime nuk u krye. Sepse interesi i vërtetë është lufta politike dhe jo lufta kundër krimit.

Përtej këtij shqetësimi ka dhe një shqetësim tjetër në të gjithë këtë histori. Është konflikti midis Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që për koincidencë janë po i njëjti person. Natyrshëm lind pyetja nëse ka një mospërputhje midis këtyre dy detyrave. Një lider politik i cili drejton dhe institucionin më të rëndësishëm të vendit. Dhe dyshimi nëse ky post ushtrohet në mënyrë të paanshme apo jo është më se i legjitimuar.

Ky nuk është rasti i vetëm ku drejtimi parlamentar kalon përmasat kushtetuese të balancimit të garës politike demokratike dhe përdoret për interesa të anshëm politikë. Mjafton të kujtojmë skenat me duartrokitje të ish-kryetares së Kuvendit mbas fjalimeve të liderit të saj politik për të kuptuar se në deri çfarë feje është katandisur institucioni i Kryetarit të Kuvendit.

Kjo është një praktikë tejet e dëmshme për jetën parlamentare dhe rolin e këtij institucioni në të gjithë rendin kushtetues. Praktikë e cila duhet të marrë fund sa më shpejt nëse vërtet duam të ndërtojmë institucione të pavarura. Dhe nëse në krye të tyre, janë liderë politikë të rëndësishëm, atëherë në vend që këto institucione të zgjidhin krizat politike, siç është edhe detyra e tyre, ato do t’i thellojnë akoma dhe më shumë, duke krijuar një regjim partitokratik dhe të rrezikshëm.

Pedagog UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Intervista 1998: Shenja e kujtesës së Anri Salës

Është një artist shqiptar me një biografi artistike shumëdimensionale, me përfaqësim të...
Read More