Konflikti për pronën: Detajet e krimit që tronditi Gjirokastrën

Një konflikt për oborrin ndarës mes dy banesave përfundoi në tragjedi mëngjesin e djeshëm në Gjirokastër, ku Apostol Kosta ka vrarë në banesën e tyre Aleko dhe Afërdita Kosta. Pas ngjarjes autori tentoi vetëvrasjen dhe përfundoi në spital. Dy familjet, të cilat janë dhe të afërta mes tyre, sapo kishin përfunduar një proces gjyqësor për pjesën ndarëse me sipërfaqe 4 m2.

Qyteti i Gjirokastrës është tronditur nga një ngjarje e rëndë mëngjesin e djeshëm.

Dy bashkëshortë janë ekzekutuar brenda në banesën e tyre nga fqinji me të cilin kishin një konflikt pronësie.

Motivi konsiderohet tepër banal, pasi konflikti mes dy familjeve, me lidhje gjaku mes tyre kishte në qendër një sipërfaqe prej 4 metër katrorë mur dhe oborr ndarës.

Sipas policisë ngjarja ndodhi rreth orës 07:25 të mëngjesit në lagjen Palorto, të qytetit të Gjirokastrës ku fillimisht janë raportuar të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë ku konstatuan se shtetasi Apostol Kosta është konfliktuar dhe ka qëlluar me armë zjarri mbi dy bashkëshortët, Aleko dhe Afërdita Kosta, respektivisht 66 dhe 49 vjeç.

Si pasojë e plagëve me armë zjarri dy bashkëshortët kanë gjetur vdekjen, ndërsa autori ka tentuar të kryejë vetëvrasje.

Ai ndodhet i plagosur në spital në gjendje të rënde. Në banesë në momentin e vrasjes ka qenë edhe djali i çiftit, 19 vjeç.

Sherri mes kushërinjve ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 07:25 për një territor të vogël dhe mur ndarës mes banesave të tyre, ndërsa në fund janë ndarë me plumba.

Nga të dhënat e policisë mësohet se dy familjet kishin përfunduar pak kohë më parë edhe një proces gjyqësor për pronën që kishin konflikt. Autori mësohet se ka qenë shofer para disa kohësh në Drejtorinë e Shëndetit Publik, ndërsa konflikti për murin ndarës vijonte prej disa vitesh.

Pas ngjarjes autori Apostol Kosta ka shprehur pendesë dhe për këtë arsye kishte tentuar vetëvrasjen. “Jam penduar, më mirë të kisha vdekur vetë sesa shpëtova”, mësohet se ka thënë ai.

Sipas burimeve të policisë mësohet se autori i dyshuar fillimisht ka hyrë në banesën e çiftit dhe ka hapur zjarr në drejtim të tyre, ndërsa pasi është siguruar që i ka vrarë ka qëlluar edhe veten, duke marrë plagë të rënda.

Shkak për të ndërmarrë këtë akt të rëndë është bërë një gjyq i fituar nga çifti Kosta për një konflikt pronësie që kishin pasur me Apostolin, i cili rezulton të jetë edhe kushëri me viktimën.

Pas humbjes së gjyqit, autori i krimit ishte shprehur se do e zgjidhte vetë këtë punë, por deri ditën e djeshme mes dy familjeve nuk kishte patur asnjë konflikt serioz që mund të përfundonte me vrasje.

Procesi gjyqësor duket se e kishte mbyllur përfundimisht historinë e konflikteve për murin ndarës mes banesave, edhe pse autori nuk kishte hequr dorë nga pronësia e tij.

Prej kohës dy kryefamiljarët kishin patur përplasje derisa kishin vendosur t’i drejtoheshin gjykatës e cila ka zgjidhur çështjen në favor të Aleko Kostës dhe me kaq historia quhej e mbyllur.

Kjo edhe për faktin se viktimat njihen si njerëz të nderuar në qytetin e Gjirokastrës, ku Afërdita punonte prej vitesh si mësuese, ndërsa Aleko ishte me profesion saksofonist. Afërdita dhe Aleko janë çift i njohur edhe për publikun shqiptar.

Kohë më parë, ata morën pjesë në emisionin “Një mesazh për ty” të Ardit Gjebreas në “E diela Shqiptare”.

Kosta luajti në saksofon pas kërkesës së bashkëshortes së tij Afërdita, për të mos braktisur pasionin për muzikën.

Ai sapo ishte kthyer nga emigracioni dhe kishte vendosur të mos e ushtronte më profesionin e saksofonistit, por bashkëshortja e tij i kërkoi publikisht të mos e braktiste muzikën.

Dy bashkëshortët e vrarë dje ishin martuar pak kohë më parë, pas divorceve të mëparshme. Afërdita kishte një djalë nga martesa e parë, i cili në momentin e ngjarjes ndodhej në shtëpi dhe pas krimit ka shfaqur shenja të forta tronditjeje.

Aleko dhe Afërdita Kosta ishin njohur në një festë, ku Aleko i binte saksofonit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vasili publikon SMS-në e famshme për Tahirin: Po të përgjonin…

Një nga zyrtarët e LSI ka publikuar një mesazh që u përfol...
Read More