Konflikti PS-LSI: Orët e tensionit në koalicionin qeverisës

Rrufe ne qiell te pasterKryetari i LSI ka bërë thirrje për shmangien e retorikave konfliktuale brenda mazhorancës. Zv/kryeministri, Peleshi shprehet i habitur dhe fton LSI-në që të vazhdojnë bashkëpunimin. Tahiri këmbëngul te suksesi i punës së policisë

Nga Fejzi Braushi

Dy ditë pas deklaratave të forta të dy drejtuesve të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe deputetit Vangjel Tavo kundrejt Partisë Socialiste dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në veçanti, në kampin e majtë është bërë thirrje për maturi dhe kthim të vëmendjes te puna, si e vetmja mënyrë për të shmangur të gjitha mosmarrëveshjet e këtyre ditëve.

Nuk kanë munguar dje deklaratat paqtuese nga të dyja krahët, ku me më shumë rëndësi është pritur ndërhyrja në këtë debat e kreut të LSI-së Ilir Meta.

Duke marrë pjesë në takimin me strukturat e Njësisë 5 në Tiranë, që u zhvillua në kuadër të Konventës Zgjedhore të Tiranës, kreu i Kuvendit, Ilir Meta i ka thënë stop vijimit të debatit konfliktual, duke treguar edhe një herë se akuzat e vartësve të tij nuk ishin qëndrimi zyrtar i LSI-së dhe se koalicioni ishte ende funksional.

Për këtë ai ka drejtuar një thirrje që duket se iu është drejtuar si zyrtarëve të vet ashtu edhe drejtuesve të PS-së nga ana tjetër, të cilët u bënë pjesë e këtij konflikt në distancë në 48 orët e fundit.

Meta theksoi se vizioni i LSI-së është zgjidhja institucionale dhe jo retorikat konfliktuale politike, teksa premtoi angazhimin e kësaj force politike për forcimin e shtetit ligjor.

“Zgjidhja institucionale me përgjegjshmëri të plotë dhe jo retorikat konfliktuale politike, fajësuese dhe shfajësuese, do ta çojnë angazhimin tonë për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në vend në nivele të reja, shumë më të larta dhe të qëndrueshme. Ky është vizioni dhe kjo është përgjegjshmëria e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, – deklaroi Kryetari i LSI-së.

Ndërkohë që edhe nga pala tjetër PS nuk kanë munguar thirrjet për uljen e tensioneve dhe përqendrimin te puna që duhet të bëjë qeveria.

Një prej tyre erdhi nga Korça, ku zëvendëskryeministri Niko Peleshi teksa shprehu habinë për këtë klimë konfliktuale dhe mosbesimi që ka shpërthyer mes palëve ka theksuar se më shumë se te ky debat fokusi duhet të jetë te puna dhe zbatimi i reformave.

“Më kanë habitur disa deklarata. Të gjithë presin që qeveria të punojë. Kemi para Reformën në Drejtësi që është reforma e reformave. Vettingu kërkon kontribut dhe nuk të lë kohë të merresh me lojëra politike. Unë e pres që para zgjedhjeve nervozizmi i disa politikanëve të rritet. Ne presim nga LSI që t’i japim vrull dhe impulsin e duhur reformave. Të mos humbasë puna jonë. Kemi detyra të mëdha dhe nuk ngelet kohë me lojëra politike. Nuk dua të projektoj në këtë optikë”, u shpreh Peleshi gjatë një aktiviteti për restaurimin e Pazarit të Vjetër të Korçës me vlerë 1.7 mln dollarë.

Ndërkohë që kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe ndërsa nuk nguron t’i cilësojë gojëtarë zyrtarët e LSI-së që hapën këtë debat, ashtu si Peleshi kërkon që fokusi të jetë te puna. Por këtë ja kërkon PS-së dhe qeverisë, pa përmendur në asnjë rast LSI-në.

“Unë mendoj se, Partia Socialiste, Qeveria e dalë prej saj, duhet të jetë tërësisht e fokusuar te puna. Vetëm te puna. Deri në fund! Ka gojëtarë plot në këtë vend, produkti i tyre janë veç llafet. Asgjë tjetër. Aaaa po, e kanë të thjeshtë të thonë: Ne mbajmë llafin! Por puna është shumë më tepër se kaq. Shumë më tepër se llafet. Për llafe ka kohë plot. Për punën koha mbaron. Ndaj puna duhet të marrë kohën që harxhojnë llafet. Puna ndrit. Puna bën diferencën. Te puna duhet të jemi e me punë duhet të bëjmë përpara. Me llafe nuk ja dalim dot!”, – shkroi Braçe dje në rrjetin social Facebook.

Por pavarësisht përpjekjeve për të ulur tonet e debatit, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i cili ka qenë edhe në qendrën e akuzave të LSI-së për përdorim politik të Policisë së Shtetit, megjithëse më i moderuar se shefi i tij në qeveri, ka publikuar dje thuajse të njëjtin status, ku sipas një anketimi të bërë disa muaj më parë nga Komisioni Europian, uniformat blu konsideroheshin si më të besueshmet për qytetarët shqiptarë.

“Për të tretin vit radhazi, Policia e Shtetit, institucioni më i besuar në vend, sipas studimit të organizuar nga BE. E megjithatë, ka ende shumë punë për të bërë, bashkë me qytetarët”, – shkroi Tahiri në Facebook.

Por pavarësisht këtyre përpjekjeve për të shmangur këtë debat, marrëdhëniet mes dy aleatëve kryesorë në qeveri duket se janë tepër të tensionuara, çka rrezikon realisht vijimin e koalicionit dhe për më tej edhe rinovimin e marrëveshjes për të dalë bashkë në zgjedhje.

Situata u tensionua me kërkesën që kryetari i Kuvendit Ilir Meta i bëri Presidentit për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për arsyet që kanë çuar në mosarrestimin e Klement Balilit.

Një lëvizje kjo që nga socialistët u interpretua si një lëvizje taktike për të shmangur lidhjet e pretenduara të Balilit me LSI-në dhe për të përfituar kapital politik tashmë në prag të zgjedhjeve.

Duke folur nga Berati, ministri Tahiri do të fliste për insinuata politike, të cilat siç theksoi ai nuk do ta ndalonin atë dhe Policinë e Shtetit të bënin punën e vet.

Menjëherë pas kësaj erdhën deklaratat e Kokës dhe Tavos, të cilët do të akuzonin policinë se po bëhet pjesë e luftës politike.

Madje ata folën edhe për një betejë mes këtyre dy forcave politike, duke deklaruar se kundërshtari i LSI-së në zgjedhje do jetë PS dhe jo PD.

Ndërkohë në media dje u fol edhe për një vendim të kryeministrit Edi Rama për të larguar nga kabineti qeveritar, ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani dhe atë të Mjedisit, Lefter Koka, si dy nga ministrat që kanë folur më ashpër kundër qeverisë.

Madje Manjani dje lajmëroi për ditën e sotme një konferencë për mediat, të cilën e anuloi me anë të një njoftimi të dytë.

Sipas burimeve mediatike dalja e Manjanit kishte lidhje pikërisht me deklarimin nga Manjani të dorëheqjes nga pozicioni i ministrit, duke i paraprirë një vendimi për shkarkim nga Rama.

Por duket se një ndërhyrje e Metës ka qetësuar momentalisht situatën për t’i lënë vend një takimi me Ramën, ku dhe të diskutojë për zgjidhjen e këtij momenti.

Por pavarësisht pështjellimit të ditëve të fundit që kanë sjellë deklaratat e eksponentëve të lartë të LSI-së, socialistët janë të qartë se së bashku me të mund ta kenë më të sigurt fitoren në zgjedhjet e qershorit.

Ndaj zëvendëskryeministri Niko Peleshi nuk nguron që përtej kësaj situate t’i bëjë edhe një ftesë të hapur LSI për vijimin e qeverisjes edhe përtej këtij mandati.

“Kemi një ftesë të hapur për aleatin tonë në qeverisje. Kemi ende punë për të bërë” – tha Peleshi.

Bylykbashi: PS e LSI njësoj, me pranga do ju presim në Rinas

Konflikti brenda të majtës dhe një dalje e mundshme e tyre të veçuar në zgjedhjet e ardhshme natyrshëm do të hapte lojën politike në vend dhe do të rriste ndjeshëm mundësitë e opozitës për të patur një rezultat pozitiv në qershor.

Për këtë qellim, demokratët kanë vendosur të mos mbajnë krah në këtë debat, por ta konsiderojnë si PS-në ashtu edhe LSI-në fajtore për situatën në vend dhe për gjithë sa është thënë gjatë këtyre ditëve kundër qeverisë.

Në një reagim në Facebook, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, e cilëson LSI-në po aq fajtore sa edhe PS-në për mënyrën se si është qeverisur deri më tani.

“Po ndahen dhe shqyhen mes vedit! Si i thonë llafit, ‘plasi në Kuçove’! Po na dalin këta të LSI tani dhe gjoja po u tregojnë munxet aleatëve socialistë! I akuzojnë për korrupsion, për trafiqet e drogës, për blerjen dhe vjedhjen e votave, për abuzim me policinë, për shkatërrimin urban nëpërmjet betonit, për mjekësinë e shpartalluar e të vjedhur, për varfërinë, të pastrehët dhe papunësinë, e ku di çfarë tjetër! Ndërkohë Rama u thotë: “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”. Ja si shqyhen tani! Po kush i mbajti këta hajdutë në pushtet? Po ku ishin deri para një jave, një muaji, gjashtë muajsh, një viti, para dy vjetësh a më herët”, shkroi Bylykbashi. Më tej ai thekson se për çdo shkelje apo vepër korruptive që është bërë gjatë kësaj qeverisjeje do jepet llogari në çdo kohë. “Na paskan hallin se kush do dali i pari, PS apo LSI se nuk duan t’ia dinë për PD. Të presin. Çdo vepër korrupsioni që kanë bërë e ka të gjatë afatin e parashkrimit të ndjekjes penale! Edhe po t’ia mbathin në Bahamas apo ishujt Kayman, prangat në Rinas i presin! E kam thënë herë tjetër: me bukë në trajse do u ngjitemi nga pas dhe të shohin si do t’u shkojë halli! Edhe kriminelëve që i mbështesin, edhe atyre maskarenjve drejtorë që kanë vënë si rreshterë për të blerë vota dhe karta identiteti! Edhe oficereve të policisë që i mbështesin në trafiqet e drogës!”, – shprehet Bylykbashi.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Deklarimi i të ardhurave, ja si duhet të veprojnë individët

Data 2 maj është afati i fundit për deklarimin e Deklaratës Individuale...
Read More