Konomi rrëfen legjendat: Nga liderë, despotë, deri te piktori i çmendur, a gjeniu modern…


Arjan Konomi sjell një libër me gjashtë personazhe të jashtëzakonshme nga trashëgimia njerëzore, që janë shndërruar në legjendë për jetën, famën dhe kontributin njerëzor në politikë, kulturë, shkencë e art. Libri “Saga e jetëve legjendë”, u promovua të premten, në mjediset e librarisë “Friend’s book house”, një libër që lindi papritur në një udhëtim të gjatë në Brazil

Saga e jetëve legjendë, një libër udhëtimi i jashtëzakonshëm nëpër biografi, intimitet, famë të Winston Churchill, Katerina e Madhe, Albert Speer, Caravaggio, Maria Callas, Albert Einstein…

“Si shumë njerëz, të cilët mendojnë dhe dëshirojnë të shkruajnë një libër gjatë jetës së tyre, edhe mua prej vitesh më ka munduar tundimi për të shkruar një roman apo novelë, por asnjëherë nuk kam arritur të gjej kurajën te vetja, për t’u ulur dhe për të hedhur fjalët e para. Mendoja se duhet të vinte një moment që të kisha kohën dhe pjekurinë, qetësinë dhe kthjelltësinë e mendimit, për të arritur të formoja frazat, e pastaj fjalitë e me to, ngjarjet dhe personazhet, ndërveprimi i të cilëve do të krijonte historitë që përplaseshin në mendjen time.

Por asnjëherë në gjithë këto vite, nuk kisha menduar të shkruaja këtë libër, që sot e keni në dorë”, shprehet gazetari, Arjan Konomi, për librin e tij të fundit, “Saga e jetëve legjendë”, të promovuar të premten, në mjediset e librarisë “Friend’s book house”. Është një libër për të cilin thotë se lindi papritur në një udhëtim të gjatë në Brazil, verën e fundit. Gjatë këtij udhëtimi tregon se si, gjithnjë librat kanë qenë shoqërues të tij, sidomos kur je vetëm, e në vende të largëta e të panjohura, për të komunikuar me vetveten, e kaluar orët e gjata të udhëtimit.

“Gjendesha prej një jave në tragetin që lundronte në lumin e Amazonës dhe kuptova se librat e marrë më vete, ishin biografi të personazheve të shquar të botës. E teksa magjepsesha me leximin, ndieja keqardhje, pse e kisha të pamundur t’i tregoja dikujt tjetër për ato çfarë lexoja, ashtu si bëj normalisht në jetën e zakonshme, kur lexoj diçka, që më lë shumë mbresa. Kur nuk e ndaj këtë kënaqësi me dikë, më duket se nuk kam arritur ta përvetësoj edhe vetë ngjarjen, personazhin apo historinë letrare.

Kështu, në një bllok ku shënoja të dhëna për udhëtimin apo ato çfarë më nevojiteshin për destinacionet që do të shkoja, hidhja edhe të dhëna mbi jetën e personazhit që lexoja, si dhe shprehje apo citime të tij”, thotë Konomi, prej nga i lindi ideja për të pasur diçka të përmbledhur mbi ato jetë që e shtangnin, e mrekullonin me jashtëzakonshmërinë e tyre, të vulosur “mes dehjes së suksesit të arritur dhe thellësisë së dhimbjes së provuar, mes mundimeve të paepura dhe ambicieve të arritura, mes zellit me përkushtim mbinjerëzor dhe talentit të rrallë mbinatyror, mes tragjedisë dhe lavdisë për të krijuar një legjendë jete të vërtetë”.

Përzgjedhja e personazheve

Arjani tregon se ishin një mundim më vete. I kursyer, për nga numri i personazheve, vendosi të ndjekë një rregull personal, çfarë personalisht është tërhequr nga leximet e tij, duke thelluar argumentet, nisur nga epoka në të cilën kanë jetuar personazhet e duke seleksionuar fusha të caktuara, si arti, shkenca apo diplomacia dhe politika.

“Për këtë libër, vendosa të bëj një përzgjedhje tjetër, krejt rastësore, personalisht timen, midis personazheve, jetën private dhe publike të të cilëve, duhet të trajtoja në të. Dhe gjatë shkrimit të tij, nisur edhe nga moria e madhe e personazheve të rëndësishme të historisë njerëzore, disa herë ndërrova mendim duke u përpjekur të sjell te lexuesi, një gamë sa më të larmishme profesionesh si dhe një shtrirje kohore, të palimituar”. Janë personazhe krejtësisht të veçanta, që nuk i bashkon me njëri-tjetrin, përveç faktit, se janë njerëz të cilët kanë ndikuar në shoqërinë njerëzore duke shënuar momente drastike transformimi të saj në fusha të ndryshme, si në art, shkencë, histori dhe politikë.

“Dhe e dyta, jam shtyrë nga fakti se, janë jetë të pabesueshme për të qenë të vërteta, ku ambicia dhe lavdia përzihen me talentin dhe gjenialitetin e tyre, prandaj edhe pse në vetvete ato janë biografi të përmbledhura, unë kam dashur t’i quaj: jetë legjendë. Me njëra-tjetrën, në faqet e librit, këto histori jetësh, formojnë një sagë të mirëfilltë rrëfimi, ashtu si shekuj më parë u quajtën “saga” tregimet antike të popujve nordikë, të cilat rrëfenin në shekuj legjenda vikingësh dhe prijësish, historitë e të cilave nuk kanë kufizim në kohë dhe ku fundi i njërës, ia lë vendin fillimit të një historie tjetër, që brezat e mëpasshëm do të krijonin”. Personazhet që sjell Ikonomi, mbajnë një rast unik në vete, që i përkasin epokave të ndryshme po ashtu edhe eksperiencave që mbajnë mjaft interes për lexuesit.

Referuar emrave, të gjitha këto personazhe vazhdojnë të jenë në vëmendje të vazhdueshme për shkrime e libra, tashmë të përfshirë në mënyrë të padiskutueshme në memorien e njerëzimit. Dhjetëra libra me biografi janë publikuar për secilin prej tyre, dhjetëra libra të tjerë të shkruar dhe botuar prej më të afërmve të tyre, familjarë apo bashkëpunëtorë, shërbyes apo asistentë qofshin, dëshmi e etjes dhe e kureshtjes së publikut botëror, për t’i njohur këta gjigantë duke mësuar më shumë për ta, për veprën dhe jetën e tyre – pikërisht mbi këtë qëllim, Konomi thotë se nisi të shkruajë këtë libër, për të pasur në shqip këtë trashëgimi njerëzore për ata që duan të kënaqin mendjen kozmopolitike, në kërkim të kulturës dhe të erudicionit.

***

Uinston Çërçill -Një nga figurat e shquara të politikës dhe të luftës së shekullit të kaluar, të cilin shumë e njohin dhe kanë dëgjuar për të, por shumë pak mund të dinë, mbi jetën e tij private dhe atë politike. Është njeriu më i rëndësishëm i Luftës së Dytë Botërore, i cili drejtoi fatet e luftës dhe diti me zgjursi dhe diplomaci, të bënte për vete edhe diktatorin e Bashkimit Sovjetik, Stalinin, si dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara, Ruzveltin. Sa ndikonte te personaliteti i Çërçillit egoizmi dhe ambicia personale? Në çfarë raporti janë këto me përkushtimin dhe detyrën ndaj vendit? A ishte i drejtë një pakt me Stalinin? Sa cinike ishte ndarja me diktatorin bolshevik e influencave të të dyja vendeve ku ata ishin lider, në Europën e pasluftës? A ka përgjegjësi Çërçilli, në braktisjen e fatit të mëvonshëm të Polonisë? A ka faj ai për rritjen e hegjemonisë sovjetike dhe ngritjen e shumë diktaturave të reja, në vendet e kontinentit?

Katerina e Madhe e Rusisë është një figurë madhështore sundimtareje, për atë çfarë arriti të realizojë në jetën e saj dhe për çfarë bëri për Rusinë, njeri me një erudicion mahnitës dhe iluministe në ide, që diti me shumë aftësi, t’i gërshetonte me despotizmin dhe pushtetin absolut, gjatë shekullit XVIII. Si mundi një gjermane të mbretëronte kombin, gjuhës së të cilit nuk i kuptonte asnjë fjalë? Çfarë e shtyu dhe si arriti një protestante praktikante të bëhej ikona e ortodoksisë botërore? Çfarë metodash adaptoi për të shkundur përgjumjen shekullore ruse? A ishte Katerina e Madhe një gjakatare? A ishte despotike apo iluministe? A ishte përparimtare apo obskurantiste? Çfarë roli pati ajo në fuqizimin e vendit? Si gërshetonte impulset seksuale me logjikën e akullt të drejtimit të shtetit? A ishte një ninfomaniake, apo e etshme për pasion dhe dashuri? Apo asnjëra nga këto?

Albert Shperin – Është një nga hierarkët e lartë të asaj klike të fuqishme politiko-ushtarake, e cila drejtoi Gjermaninë në periudhën e viteve ’30, të shekullit të kaluar dhe që e shpuri planetin, drejt një lufte botërore me tërë makabritetin e saj. Pse njeriu papritmas shndërrohet në një kriminel, pa qenë i ndërgjegjshëm? Sa ndikon pushteti në shkatërrimin e karakterit të një njeriu? Çfarë fshihet në thelb të lidhjes së tij me Fyhrerin e Gjermanisë? A është faji një përgjegjësi personale apo kolektive? Çfarë magjie ushtron një ideologji te njeriu? Si mund të përcaktohet saktë karakteri i një njeriu, kur ai shfaqet si njeriu kriminel dhe njëkohësisht si krimineli njerëzor? Cila është fija e padukshme, e cila ndan të mirën nga e keqja? A ka kuptim fraza “kriminel i mirë”?

Karavaxho është piktori i parë që nuk përdor vizatimin paraprak, por dallimin e formave e bën vetëm nëpërmjet ngjyrës dhe tonaliteteve të saj, njëkohësisht duke hequr dorë nga mistikja dhe hyjnorja që mbizotëronte artin e pikturës së deriatëhershme, për t’i kthyer figurat emblematike të krishtërimit, në njerëz realë, të zhveshur nga ekstazat shpirtërore, me dhimbjen, varfërinë dhe vuajtjen, ashtu si bibla në të vërtetë i rrëfen. Por pse është i pari piktor, që trajton skenat biblike me një natyralizëm të pandeshur më parë? Sa ndikoi realiteti ku jetoi dhe talenti në veprën e tij? A është shpresa e jetës, domethënia e burimit të dritës, që ai shpik në pikturë? A ishte më i aftë të pikturonte, apo të përdorte shpatën? Sa efekt pati vepra e tij në pikturën e ardhshme që njerëzimi do të njohë? Çfarë e përcaktonte ndjeshmërinë dhe impulsivitetin e tij? Cili është konceptimi i vërtetë i fesë dhe i besimit?

Maria Kalas – Talenti i jashtëzakonshëm dhe vullneti i hekurt në kërkim të suksesit, do ta shndërrojnë sopranon në një ikonë botërore, ku zëri i saj do të magjepsë publikun e skenave të gjithë kontinenteve, me ariet e operave, të krijuara nga të mëdhenjtë e muzikës klasike, shumë prej të cilave ishin harruar arkivave, sepse nuk ekzistonte, prej më shumë se një shekulli, vokali i aftë për t’i interpretuar ato. Por cila është artistja Maria Kalas? Çfarë magjie ushtroi ajo ndaj publikut? Pse kjo magji nuk përsëritet më në historinë e skenës? Cila është femra Maria Kalas? Pse dashuritë e saj ishin dashuri të pamundura? Çfarë shije ka suksesi dhe dështimi? Çfarë krijon në shpirt, lumturia dhe hidhërimi? Sa shekuj duhet të kalojnë, për të njohur skena, një mit të këtyre përmasave?

Albert Ajnshtajni, gjeniu i kohëve moderne, fama e të cilit, e ktheu në një personazh që do të grumbullonte turma më shumë, se sa një aktor Hollivudi apo këngëtar rroku. Shkencëtari, i cili theu rregullat që mbretëronin prej treqind vjetësh fizikën dhe me të, edhe gjithësinë, duke zbuluar një koncept të ri, me të famshmen teori të relativitetit të përgjithshëm, e cila revolucionarizoi shkencën dhe përcaktimin për botën, pjesëz e vogël e të cilës, ne jemi. A ishte Ajnshtajni një shkencëtar gjerman apo një hebre zviceran? A beson në Zot, njeriu që zbuloi ligjet, me të cilat gjithësia funksionon? A ishte përveçse një mendje e akullt edhe një shpirt i pandjeshëm? Çfarë e çoi përveç, karpentierit që bie nga çatia, bojaxhiut që rrëzohet nga skelaria para dritares së tij, buburrecit qorr, maces që i shtien me barut, kovës me ujë që rrotullohet e të tjera, të formulojë teoritë më të mëdha të fizikës së të gjitha kohërave?

 

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Dorëhiqen ministrat teknikë, kompetencat ju kalojnë zëvendës ministrave

Tre muaj pas marrëveshjes “Rama-Basha”, ministrat teknikë të Partisë Demokratike bënë aktin...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *