Konspiracion dhe lobing: Beteja diplomatike qeveri-opozitë

Vizita e Lulzim Bashës dhe Ditmir Bushatit në SHBA është vetëm shpërfaqja e një lufte politike për të siguruar mbështetje në Uashington, ndërsa palët “përleshen” çdo ditë me deklarata dhe akuza për konspiracion e lidhje të dyshimta

Nga Vladimir Karaj

Deklarata e presidentit të Komisionit të BE Jean-Claude Juncker  ishte qershia mbi tortë e një muaji me konspiracion ndërkombëtar dhe lobingje për mbështetje në zgjidhjen e çështjeve të brendshme të Tiranës. Juncker i tha Financial Times se Ballkani mund të shkonte në luftë nëse projekti i integrimit apo vetë Bashkimi Europian do të dështonin. Ai e përdori këtë si kartë presioni për Uashingtonin, ku presidenca e Donald Trump nuk duket se e ka me sy të mirë BE-në dhe ky i fundit pati përshëndetur gjatë fushatës BREXIT. Në Tiranë sidoqoftë deklarata e Juncker i shkon për shtat skemave politike të ditës, që edhe pse janë shumë shqiptare në thelb, kanë “vjedhur” andej-këndej prej axhendave diplomatike, duke sajuar, ose jo dhe aq, një përplasje superfuqish. Kjo i shtohet garës së ethshme mes shumicës dhe opozitës për të siguruar mbështetje ndërkombëtare dhe akuzave konspirative ndaj njëra tjetrës.

Paralajmërimet për luftë apo për kthim pas në Ballkan kanë qenë retorikë e qeverisë në fakt. Shpesh herë Edi Rama ka “shantazhuar” BE se nëse portat e saj do mbylleshin Ballkani mund të kthehej pas në një të kaluar të errët. Së fundmi Rama dhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i kanë mëshuar edhe një skenari tjetër, përfshirjen e Rusisë dhe ndikimin e saj në Ballkan. Rama në një intervistë madje tha se kishte një skenar për ndëhyrje në zgjedhjet shqiptare. Me spond qëndrimet e tyre janë lexuar si sulme ndaj opozitës, pozicioni i të cilës në raport me disa prej kancelarive Europiane dhe SHBA-të nuk ka qenë fort i mirë. Vizitat e Ministres së Jashtme të BE, Frederika Mongherini dhe raportuesit për Shqipërinë Knut Fleckenstein ishin shfaqe e këtij raporti të nderë.

Nga ana e saj PD i ka snobuar këto lëvizje të qeverisë duke u tallur me to, por vetë ngjashëm lëviz në të njëjtën fushë, duke u ofruar shqiptarëve në vend të rrezikut rus atë prej “Soros”. Drejtues të PD, kryesisht ish-kryeministri Sali Berisha kanë sulmuar Soros si konspirator për t’i dhënë Edi Ramës pushtet në Tiranë dhe madje për t’i dorëzuar atij drejtësinë. “Por që nga viti 93 deri sot, George Soros ka shpenzuar miliona dollarw jo vetëm në mbështetje të ish komunistëve shqiptarë, por direkt kundër PD. Soros është një milioner dhe se në Ballkan i blenë lirë politikanët…”, shkroi Berisha në Facebook pas një takimi me Donald Lu.

Ambasadori Lu është në fakt informalisht shënjestra kryesore e këtij sulmi. Disa artikuj janë publikuar në media jo fort të rëndësishme në SHBA apo blogje në Bruksel dhe synojnë të mbrojnë këtë pozicion, ndërsa Lu akuzohet aty si “vegël e Soros”. Edhe pse duket se kanë një frymëzim shqiptar edhe pse i referojnë faktet gabim, është e paqartë nëse artikujt janë të lobuar apo pjesë e frymës “antisoros”.

Soros ishte po ashtu pjesë e shqetësimit të një letre prej 6 senatorësh të SHBA për Departamentin e Shtetit. Letra sipas të përditshmes amerikane Politico ishte lobim i Nikola Gruevskit dhe njerëzve të tij, të cilët kanë parë t’u rrëshqasë pushteti nga duart dhe kanë kërkuar për këtë një fajtor të jashtëm.  “Fokusi i letrave të Lee dhe Smith (senatorët qw firmosën  letrën) dhe ndjekësve të tyre janë shpenzimet e Soros në Maqedoni…, dhe më pak në fqinjin e saj perëndimor Shqipërinë. ….Letra shprehte shqetësimin se “organizata të mbështetura nga Soros” po shtynin për reforma “së fundmi me qëllimin për t’i dhënë kryeministrit të qendrës së majtë kontroll të plotë mbi gjyqësorin”, shkruante Politico.  Gazeta amerikane  shkruan se akuzat që po i bëhen Soros nga disa republikanë “janë gatuar në Moskë”. Marrja prej PD-së e kësaj retorike për politikë të brendshme e ka lënë këtë të fundit zbuluar. Praktikisht OSFA edhe pse është një ndër financuesit e reformave në Shqipëri është në minorancë. Buxhetet për reformën janë mbuluar kryesisht nga IPA e BE, Gjermania dhe SHBA. Dy të fundit kanë dhuruar mbi 1.5 miliard në Shqipëri pas tranzicionit dhe disa qindramiliona kanë shkuar në forcimin e organeve të drejtësisë dhe shtetit ligjorë. OPDAT dhe EURALIUS misionet që ndihmuan në hartimin e reformës dhe ONM që monitoron procesin paguhen prej këtyre dy shteteve dhe vendeve të tjera të BE.

Këto qëndrime sidoqoftë nuk janë vetëm shqiptare. Fondacioni për Shoqëri të Hapur është nën sulm në një pjesë të madhe të vendeve të ish-lindjes komuniste, ku shpresojnë se armiqësia e hapur e Xhorxh Soros me presidentin Donald Trump do u krijojë liderëve autoritarë të këtyre vendeve hapësira politike. Por përfshirja e Rusisë e ka komplikuar historinë. Trump është në vështirësi në Uashington të shpjegojë lidhjet e njerëzve të fushatës së tij me Moskën. FBI konfirmoi se po heton këto lidhje dhe thuajse çdo ditë Shtëpia e Bardhë duhet të përgjigjet për rrjedhje të reja informacioni mbi këtë çështje. Planet e Trump për një marrëdhënie më të mirë me Rusinë janë vënë kështu në dilemë, sidomos pas deklaratës së Drejtorit të FBI se: “Ata janë kundërshtarët tanë dhe ata do na rezistojnë, kundërshtojnë, minojnë në mënyra të ndryshme”.

Kjo ka bërë që një përpjekje e një grupi në minorancë kongresmenësh dhe 1 senatori të SHBA për të vonuar votimin për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO të sjellin reagime të ashpra nga shumica. Senatori Republikan Xhon McCain  e akuzoi kolegun e tij po republikan Rand Paul si “agjent të Vladimir Putin” për shkak të kundërshtisë së tij për anëtarësimin e Malit të Zi.

Shumica qeverisëse dhe zëra në shtyp pranë saj nuk e kanë pasur të vështirë të heqin paralele mes kësaj situata globale dhe përplasje në Uashington me opozitën shqiptare. “Armiqësia” e shtypit apo portaleve të djathta me një sërë politikanësh të BE dhe akuzat ndaj tyre për lidhje me Soros janë bërë të shpeshta. Nga ana e tyre mediat  më afër qeverisë, po aq nw konspiracion dhe pa prova,  e sulmojnë PD se po bën lojën e Moskës, akuza që janë nënkuptuar edhe në deklaratat e kryeministrit apo ministrit të Jashtëm.

Ky i fundit në një vizitë në SHBA ishte thuajse në garë me liderin e demokratëve Lulzim Basha, i cili po ashtu po viziton Uashingtonin, për të siguruar mbështetje. Një nga njerëzit që takoi Bushati ishte pikërisht senatori McCain , një nga zërat më të fortë anti Moskë në Uashington, por njëkohësisht me të njohur të rëndësishëm që kanë biznese në Shqipëri. “Takim i mrekullueshëm me FM (Ministrin e Jashtëm) Bushati. Shqipëria është një mik i vërtetë dhe aleat i SHBA dhe një demokraci krenare që po avancon me reformat”, shkroi senatori pas takimit. Bushati ndërkohë nuk i kurseu fjalët për “ndërhyrje ruse” në një intervistë dhe po ashtu në takimet me dy senatorë të tjerë ditën e djeshme. Top-Channel madje tha se kishte mësuar që Ministri i Jashtëm kishte siguruar edhe një takim me shefin e NSA (Agjencisë së Sigurisë Kombëtare) kreu i së cilës pas dorëheqjes së Michael Flyn u emërua H.R.McMaster, i cili sipas një sërë mediash në SHBA është mbështetur nga McCain . Takimi sidoqoftë nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ajo që lexohet ndërkohë është se shumica, përmes edhe ish përfaqësuesve politikë të ftuar në Tiranë dhe lëvizjeve të ngjashme po i mëshon kësaj “linje ruse”.

Në krahun tjetër Basha edhe pse nuk publikoi takimet në Uashington tha për Zërin e Amerikës  se kishte pasur disa në rang senatorësh dhe kongresmenësh. Basha sidoqoftë i kundërshtoi zërat se PD e tij ishte në përplasje me ndërkombëtarët, duke thënë se ata ose ishin të keqinformuar ose nuk donin të shihnin realitetin. Ai madje tha se paratë e narkotrafikut, një akuzë që opozita e bën për ditë ndaj qeverisë, po përdoreshin për të lobuar në qendrat e vendimmarrjes politike. I pyetur nëse kjo akuzë ishte për ambasadorin Basha tha: “Nuk ka të bëjë kjo. Kjo është çështje e komunikimit diplomatik. Komunikimi mes ambasadës dhe DASH janë çështje të tjera. E kam fjalën për lobistët e paguar nga narkomafia, të cilët punojnë në Uashington, Bruksel, Berlin dhe Londër për të fshehur të vërtetat e hidhura të Shqipërisë dhe për të keqinformuar aleatët tanë”.

Ministri i jashtëm Bushati, i cili duket se është angazhuar të flasë për shumicën në arenën ndërkombëtare replikoi menjëherë. “Domethënë, sipas Lulzim Bashës, kanabisi po bleka dhe Amerikën, prandaj nuk u shihka fare çadra që andej! Keqardhje për Partinë Demokratike”, shkroi Bushati me ironi në faqen e tij sociale.

Një nga qendrat e tjera të forta në këtë lojë Berlini, duket se është mënjanuar për momentin. Pas një deklarate që i shkonte për shtat qeverisë nga zëdhënësi i Angela Merkel, i cili i kërkonte opozitës të kthehej në kuvend, Gjermania zyrtarisht ka heshtur për krizën në Tiranë, ndërsa është investuar në fushatën zgjedhore.  Sidoqoftë lojërat politike të Tiranës dhe nevoja e politikës së brendshme për aleanca deri në përfshirjen e tyre në konspiracione globale me gjasë do të vijojë. Edhe pse Basha i tha Zërit të Amerikës se ai nuk e priste zgjedhjen e situatës nga jashtë, udhëtimi i tij i gjatë është kërkim për të tillë zgjedhje apo mbështetje. Nga ana tjetër shumica po ashtu po konsumon kapitalin e saj politik për sigurim të fjalëve të mira. E qartë është se përndryshe nga fushatat elektorale të viteve të fundit, kjo e radhës do ketë shumë më shumë ngarkesë konspirative.

Gara e liderëve shqiptarë për të gjetur mbështetje nga administrata e re në Uashington mbetet ende e hapur dhe e paqartë. Faktikisht asnjë prej palëve politike në Tiranë nuk pati planifikuar fitore të Trump. Asnjë politikan me rëndësi nuk qe i pranishëm në konventën e Republikanëve, ndërsa Rama, Basha, Meta ishin të tre së bashku në atë të demokratëve. “Armiqësimi” i menjëhershëm i opozitës, por edhe i disa zërave të tjerë politik, me Demokratët në SHBA erdhi vetëm pas humbjes së Hillari Klinton, me gjasë kjo shpjegon edhe pse Soros që financonte fushatën e kësaj të fundit u gjet armik edhe pse për më shumë se dy vjet pas përfshirjes së OSFA në Reformën në Drejtësi askush nuk e pati përmendur filantropistin e akuzuar tani për të gjitha mëkatet.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Pinguli: Biznesi shqiptar duhet të organizohet dhe luftojë për interesat e tij

Biznesmeni Stefan Pinguli, i ftuar në Forumet UET flet për tranzicionin dhe...
Read More