Konsumatori, produktet bio dhe politika publike

Konsumatorët shqiptare paguajnë deri në 50% më shumë për produktet organike dhe pse nuk janë të qartë se për çfarë paguajnë. Konsumatori paguan më shumë për shijen, vlerat ushqyese, freskinë dhe në fund shëndetin. Në ndryshim nga konsumatori europian, i cili paguan më shumë për produktet organike si produkte më të mira për shëndetin dhe mjedisin, në Shqipëri konsumatori vlerëson shijen dhe vlerat e larta ushqyese. Ky informacion është me rëndësi jo vetëm për prodhuesit që do të angazhohen në skema të tilla të diferencimit të prodhimit, por edhe për informimin dhe orientimin e politikave publike.

Nga Phd. Elena Kokthi

Fakulteti i Ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit, UET

Siguria ushqimore në Shqipëri është shndërruar në një çështje shumë të debatuar jo vetëm në mjedisin akademik por edhe atë të publikut të gjerë. Konsumatorët shfaqin pasiguri në lidhje me cilësinë e produkteve që konsumojnë dhe efektin e tyre në shëndet. Mjafton të përmendim vajin e palmës si dhe perimet e trajtuara me hormone dhe skandalet e spekulimet e shumta në mediat sociale për të kuptuar rëndësinë që ka siguria ushqimore në vend dhe roli që duhet të luajnë institucionet publike në sigurimin e saj. Pasiguria, i jep jetë spekulimeve të shumta, të cilat rezultojnë në dëmtime të imazhit dhe reputacionit për biznesin, por edhe në zgjedhje të gabuara nga ana e konsumatorit. Në kushtet e pasigurisë, etiketat drejtojnë zgjedhjen e konsumatorit. Një formë etiketimi është bujqësia bio. Ajo ka njohur një sukses në rritje në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe mund të ofrojë një mundësi dhe për zhvillimin e bujqësisë dhe agrobiznesit në Shqipëri. Në fakt përdorimi i kufizuar i pesticideve dhe plehrave kimike, krijon mundësinë e prodhimit të produkteve organike. Prodhimi organik në Shqipëri mbështetet nga politikat publike nëpërmjet skemave të mbështetjes direkte. Gjithashtu, organizata të ndryshme zhvillimi të huaja dhe vendëse kanë realizuar një sërë nismash në drejtim të identifikimit, promovimit, zhvillimin e infrastrukturës rreth produktit dhe marketingun e saj. Gjithashtu, në vitet e fundit Shqipëria ka bërë hapa përpara sa i takon legjislacionit që lidhet me aspektet e sigurisë ushqimore dhe certifikimit. Por ky legjislacion rrezikon të mbetet një imitim i pa përshtatur i eksperiencave pozitive të vendeve të zhvilluara. Shpeshherë vendet në zhvillim bëhen pre e politikave të parashutuara, të zbatuara me parë me sukses në vendet e zhvilluara, pa një analizë paraprake lidhur me suksesin që këto politika do të kenë nëse aplikohen në kontekste të tjera, si p.sh. në rastin e Shqipërisë. Të tilla janë dhe skemat e certifikimit të produkteve të bujqësisë organike. Legjislacioni në lidhje me këto produkte në Shqipëri reflekton modelin e Bashkimit Europian në etiketimin dhe certifikimin e tyre. Ligji shqiptar nr. 9199, datë 26.02.2004 “Për prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve “Bio”, synon nxitjen e prodhimit organik në Shqipëri, krijimin e kuadrit ligjor të nevojshëm dhe përcaktimin e kushteve të prodhimit, përpunimit, transportit, certifikimit dhe kontrollit të produkteve bujqësore dhe atyre ushqimore me prejardhje bimore ose shtazore, që prodhohen, përpunohen ose/dhe importohen e tregtohen si produkte “Bio”.

Megjithëse ritmet e rritjes së këtij sektori janë modeste, njohja e preferencave të konsumatorit është me rëndësi sepse do të orientojë jo vetëm fermerët në lidhje me vendimin nëse duhet apo jo të angazhohen në prodhimin e këtyre produkteve, mënyrën se si duhet t’i marketojnë por edhe politikat publike a duhet të vazhdojnë të mbështesin këto produkte. Gjithmonë e më shumë konsumatorët shqiptarë po ndërgjegjësohen në lidhje me cilësinë e produkteve veçanërisht për ato cilësi që lidhen me sigurinë e ushqimit që konsumojnë, vlerat ushqimore si dhe impakti që ato kanë në shëndet. Sipas një studimi konsumatorët e Tiranës janë të gatshëm të paguajnë deri 50% më shumë për frutat dhe perimet organike. Konsumatori paguan më shumë për shijen, vlerat ushqyese, freskinë dhe në fund shëndetin. Në ndryshim nga konsumatori europian, i cili paguan më shumë për produktet organike si produkte më të mira për shëndetin dhe mjedisin, në Shqipëri konsumatori vlerëson shijen dhe vlerat e larta ushqyese. Nga ana tjetër, kur produktet organike krahasohen me produktet lokale, ato pa pesticide dhe kimikate, ishin më pak të vlerësuara. Këto rezultate tregojnë që etiketimi produkt pa pesticide dhe kimikate është më eksplicit se produkt organik dhe ofron më shumë informacion për cilësinë e produktit dhe sigurinë e tij. Ky rezultat lidhet gjithashtu me njohuritë e kufizuara që ka konsumatori shqiptar në lidhje me produktet organike. Megjithatë ekzistenca e një premiumi për këtë lloj cilësie dhe pse nuk mund të shpjegohet tërësisht, kërkon një mbështetje të politikave publike në drejtim të ndërgjegjësimit dhe informimit në lidhje me cilësitë e vërteta të produkteve organike. Ashtu si u përmend më sipër ka ardhur koha që qeveria të vlerësojë paraprakisht nëse modele të suksesshme në vendet e zhvilluara mund të aplikohen me po kaq sukses në Shqipëri dhe kush do të jetë impakti i pritshëm nëse zbatohen. Për këtë nevojitet një vlerësim i mundësive të zhvillimit të një bujqësie të tillë në Shqipëri, si dhe efektet nga këndvështrimi ekonomik, mjedisor dhe social. Rruga e Shqipërisë drejt BE-së kërkon bashkëpunimin e një sërë aktorëve në të cilin Universitetet kanë një rol të veçantë. Partneriteti institucione publike-universitet do të kontribuonte gjithashtu në konsolidimin e këtyre instrumenteve sepse universiteti grupon mjetet e nevojshme metodologjike të analizës dhe vlerësimit të politikave dhe një bashkëpunim më i ngushtë do t’i vijë në ndihmë procesit të hartimit të politikave jo më “përkthime të papërshtatshme ligjesh europiane”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Regjistrimi në universitet: Hapat për të fituar degën që doni

Maturantët në të gjithë vendin janë përfshirë nga ethet e zgjedhjes më...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *