Kontekstualistët shpjegojnë kontekstin e lindjes së shkollës së tyre

Merr zyrtarisht jetë Shkolla Kontekstualiste e Tiranës. Në një ceremoni në “Chateau Rexhekri” ku morën pjesë profesorë të vjetër të filozofisë, ish-studentë dhe studentë të kësaj dege, por edhe emra të njohur të jetës publike në vend pesë pedagogët themelues të kësaj lëvizjeje mendimi shpjeguan arsyet pse i dhanë jetë kësaj shkolle dhe parimet rreth të cilave sillet, duke patur fokus mendimin analitik anglosakson

Sipas vendit, edhe kuvendi! Kjo fjalë e urtë është ajo që e shpjegon thjesht e më së miri rëndësinë që ka konteksti kur vjen fjala në zbërthimin e ngjarjeve, fenomeneve apo edhe ideve, qofshin këto filozofike, të fushës së ekonomisë, të politikës apo edhe metafizike…

Për të shpjeguar më mirë arsyet e krijimit të Shkollës Kontekstualiste të Tiranës– e cila qysh në daljen e saj të parë publike krijoi diskutim e debat, por edhe parimet bazë mbi të cilën është ndërtuar ajo – pesë pedagogët themelues të kësaj lëvizjeje mendimi, i dhanë jetë zyrtarisht kësaj shkolle në një ceremoni në “Chateau Rexhekri” , ku morën pjesë profesorë të vjetër të filozofisë, si: Gjergj Sinani, Aleksandër Kocani, Hysamedin Feraj, ish-studentë të filozofisë si Remzi Lani dhe studentë të kësaj dege, por edhe emra të njohur të jetës publike, si Mustafa Nano, Preç Zogaj apo edhe shkrimtarë si Vera Bekteshi e Mimoza Ahmeti.

Sipas themeluesve kjo është vetëm bërthama e shkollës, ndërsa ftuan këdo që është i interesuar t’i bashkohet nismës.

Kjo lëvizje u përshëndet nga avokat Spartak Ngjela, i cili tha se kjo Shkollë duhet të sjellë risi në Shqipëri.

“Kontekstualizmi ndeshet me relativizmin , sepse tre janë shkencat që do të merren zotërinjtë; filozofia e gjuhës, semantika dhe relativizmi. Problemi i kontekstualizmit në funksion të gjuhës angleze sot është zgjidhur, por me shqipen jo dhe ju keni një fushë të gjerë për t’u marrë. Bravo ju qoftë po të na sillni kuptueshmërinë dhe defektet e semantikës shqiptare.

Të vish në relativizëm nuk është pak për ju, ju ndihmon, nuk ju rrëzon”, –tha Ngjela, ndërsa i inkurajoi se me anë të kësaj nisme të re në Shqipëri, të krijohet fenomeni i kuptueshmërisë, “Meaning of meaning”. “Do të jeni të parët që do të çani në këtë drejtim; keni moshë të re, filozofia do memorie, ju e keni. Merruni me semantikën, filozofinë e gjuhës dhe kuptueshmërinë dhe na jepni diçka për gjuhën shqipe në filozofi. Besoj se shkolla juaj do shkëlqejë. Do të vij pas dy vjetësh!”.

Kjo lëvizje e pesë kolegëve, pedagogë në Universitetin Europian të Tiranës ka lindur si pasojë e bisedave dhe diskutimeve të shpeshta mes tyre për çështje të politikës, ekonomisë e shoqërisë, si profesion dhe si pasion.

Debatet e lindura aty, menduan t’i bëjnë publike në formimin e “Shkollës Kontekstualiste të Tiranës-UET”.

Kontekstualizmi nuk është gjë tjetër veçse një metodë për të shpjeguar ngjarjet.

Edhe poetja Mimoza Ahmeti e përshëndeti këtë nismë. “Më vjen mirë që shoh një trend, autorë të gjallë e të rinj që duan të shprehin veten dhe të krijojnë një medium që lidh lokalen me universalen”, -tha ajo, ndërsa Ervis Iljazaj, anëtar i Shkollës Kontekstualiste, shpjegoi konkretisht këtë përpjekje të pesë pedagogëve.

“Tentativa është shumë e thjeshtë. Kemi mendimin se opinioni publik shqiptar është i mbushur me militantizëm, jo vetëm politik, por në kuptimin e ideologjive , teorive… apriorizmi me të cilin i shohim ngjarjet politike, ekonomike, shoqërisë etj. Secili ka të drejtën e mendimi të vet, ka një flamur ku e ngul mendimin e tij, por idetë aprioriste na e bën të vështirë t’u japim përgjigje pyetjeve që na shqetësojnë, sepse lënë jashtë çdo lloj shpjegimi kontekstin dhe rrethanat në të cilin zhvillohen ngjarjet.

Pesë anëtarët e Shkollës Kontekstualiste të Tiranës kanë formime të ndryshme, po aq edhe shqetësime të ndryshme filozofike. Klementin Mile, epistomolog me fokus në filozofinë politike, Ervis Iljazaj jep kontributin e tij në fushën e mendimit politik, Besart Kadia ekonomist me qasje në tema të organizimit shoqëror dhe ekonomisë, Arjan Çuri me një specialitet mbi filozofinë metafizike, ndërsa Fitim Zekthi filozof politik me qasje konservatore. Të pestë i bashkon pikërisht filozofia analitike. Bëhet fjalë pra për rrethin e filozofisë analitike në UET, grupim i mendimit anglosakson, i krijuar për të trajtuar çështje të ndryshme të shoqërisë shqiptare.

S.B

 

Parimet kontekstualiste

  • Kuptimi i veprimeve, vendimeve, ngjarjeve dhe përvojave mund të përfitohen më besnikërisht duke shqyrtuar kontekstin e tyre “sipas vendit edhe kuvendi”.
  • Elemente të rëndësishme të kontekstit janë filozofia, psikologjia, idetë, kultura, historia, vendi, popullsia dhe teknologjia që kushtëzojnë aktorët.
  • Para se të flasim për shkaqe dhe pasoja çka na vendos në pozicion pasiv, universialist dhe të painteresuar, duhet të flasim për probleme dhe zgjidhje, çka na pozicionon aktivisht, lokalisht dhe na bën t’i japim zë interesi.
  • Problemet e shoqërisë moderne janë globale dhe manifestohen si probleme të politikës, ekonomisë, së drejtës, fesë, edukimit, shkencës, artit, masmedias, sporti etj., – pra si probleme të sistemeve globale të shoqërisë.
  • Zgjidhjet e problemeve të shoqërisë duhen analizuar në dy nivele: së pari dhe teorikisht në nivelin global dhe së dyti dhe empirikisht, në nivelin lokal.

Ndërthurja e dy niveleve të analizës garanton që zgjidhjet teorike standarde të modifikohen prej elementeve empirike (historike dhe kulturore të kontekstit) të vendit në fjalë. Nëse injorohet kjo gjë, atëherë arrihet në procedurën e zakonshëm të kopjimit të zgjidhjeve të vendeve të zhvilluara, e cila pavarësisht se mund të shihet si e avancuar, në fakt nuk i adreson si duhet specifikat e problemeve dhe i lë ato përfundimisht të pazgjidhura.

  • Ashtu si invariantistët rrezikojnë të bien në dogmatizëm, kontekstualistët rrezikojnë të bien në sofizëm. Rreziku sofist mund të shmanget proceduralisht duke privilegjuar diskutimin kundrejt debatit, pra duke manifestuar interesin për të vërtetën e çështjes kundrejt interesit për të fituar me çdo kusht mbi kundërshtarin. Rreziku sofist mund të shmanget, etikisht, duke privilegjuar interesin publik, i cili karakterizohet nga një qëndrueshmëri dhe inkluzivitet më i madh, kundrejt interesave private që priren të luhaten dhe të jenë ekskluzive.
  • Kontekstualizmi nuk është teori, filozofi apo ideologji e unifikuar; përkundrazi, ai pranon brenda veten një gamë të gjerë pozicionesh teorike, filozofike dhe ideologjike. Kjo pasi kontekstualizmi është mbi të gjitha një metodologji në funksion të ekspozimit, analizës, sintezës, përshkrimit, shpjegimit, parashikimit, rekomandimit dhe kritikës.

 

Çfarë është Shkolla e Kembrixhit, modeli i kontekstualistëve të UET

E themeluar në vitin 1969, “Shkolla e Kembrixhit” lindi për të kundërshtuar anakronizmin e perceptuar të metodave konvencionale të interpretimit, që besohet se shpesh shtrembëron domethënien e teksteve dhe ideve, duke i lexuar ato në terma të të kuptuarit të dallueshëm të jetës sociale dhe politike. Anëtarët e kësaj shkolle kishin pozicione akademike në universitetin e Kembrixhit si Quentin Skinner, J. G. A. Pocock, Peter Laslett dhe John Dunn apo së fundi David Runciman dhe Raymond Geuss. Një artikull i Quentin Skinnerit “Domethënia dhe të Kuptuarit në Historinë e Ideve”, botuar në vitin 1969 është edhe teksti që mbahet si deklarata e parimeve të “Shkollës së Kembrixhit”. Në këtë deklaratë gjen arsyet e ekzistencës së kësaj shkolle. Autori kundërshton këndvështrimin në të cilin filozofët kanë debatuar gjithnjë të njëjtat pyetje themelore dhe nocioni se konteksti është i parëndësishëm për kuptimin historik të teksteve, që mund të lexohet si një material vetëqëndrues.

(Marrë nga Wikipedia)

 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Qeveria e re studentore UET, hapet fushata zgjedhore

Qeveria Studentore është një strukturë mjaft e rëndësishme për një universitet i...
Read More