Kontestimi i zgjedhjeve nga Basha nuk përbën asnjë interes publik

Nga Ervis Iljazaj

Në një takim më delegacionin e OSBE/ODIHR, Lulzim Basha ia ka faturuar humbjen e zgjedhjeve shitblerjes së votave nëpërmjet bandave kriminale. Pasi arriti një marrëveshje politike dhe kishte në dorë të gjitha instrumentet për të garantuar një proces të ndershëm, ky prononcim i Bashës, nuk përbën më asnjë interes publik dhe aq më tepër kur përdoret si një alibi për rezultatin e arritur.

Sigurisht që episode të blerjes së votës ka patur, sepse Shqipëria nuk është Danimarka, por në gjykimin e përgjithshëm të popullit ato nuk ndikojnë në mënyrë thelbësore. Këtë e di fare mirë dhe vetë Basha, kështu që më shumë se sa një çështje publike e përgjithshme, ky prononcim dhe këto akuza shërbejnë për betejën e tij brenda Partisë Demokratike.

Gara brenda Partisë Demokratike duhet të fokusohet në platformën dhe kursin e ri politik që ai do të ndjekë këtej e tutje në opozitën e vështirë që e pret përballë një mazhorance të mandatuar bindshëm nga shqiptarët. Andaj, interesi publik do që Partia Demokratike si një aset i rëndësishëm kombëtar të krijojë një alternativë politike të besueshme të bazuar në parimet e djathta europiane. Braktisja e absurdit të “Republikës të Re”, e cila është koncept shtetformimi tërësisht i ideuar nga njerëz me bindje të majta si dhe në frymën e një progresizmi politik që do ta kishin zili dhe socialdemokratët më të zellshëm do të përbënte vërtet interes publik dhe kthimin e një alternative politike që beson te tregu i lirë dhe iniciativa private siç i ka hije një partie të djathtë.

Nëse Basha nuk arrin dot të ndryshojë plotësisht kursin politik të Partisë Demokratike duke e futur atë në shinat e një alternative politike që krijon zgjedhje reale të problemeve ekonomike dhe shoqërore, larg humanizmave dhe solidaritet fals që reflektohej në programin e tij politik të deritanishëm, atëherë humbja e radhës do të jetë edhe më e thellë.

Dhe më e rëndësishmja që ndodh në debatin e kontestimit të zgjedhjeve, jo vetëm nga aktorë politikë por edhe nga shumë zëra publikë, është mungesa e respektit që tregohet ndaj shoqërisë shqiptare. A thua se popullin e morën prej dore dhe i diktuan se për kë forcë politike duhet të votonin. Mund të gjykohet verdikti i tij, sepse jo gjithmonë populli zgjedh në mënyrën e duhur, por kurrsesi të vihet në dyshim vërtetësia e tij. Shoqëria shqiptare, me gjithë problematikat e saj, ka arritur një emancipim kulturor si kurrë më parë. Andaj, ofendimi i përditshëm që i bëhet për aludimet se nuk kanë zgjedhur me vullnetin e tyre të plotë, përtej rasteve sporadike, është i papranueshëm. Tashmë, shoqëria shqiptare mund të konsiderohet më e kulturuar se sa klasa politike aktuale, kështu që duhet të kemi respekt më shumë për të dhe vendimet e saj!

Përpara se të gjej fajtorin te populli shqiptar, të cilin e akuzon se u shit, Basha duhet të gjejë zgjidhjen për të fituar besimin e tyre në të ardhmen. Besim i cili që të fitohet kërkon një strategji politike, të qartë, koherente dhe bazuar në vlera të mirëfillta të ideologjisë së djathtë politike. Në të kundërt alibia e vjedhjes së votave do ta çojnë në vendime politike të cilat do të kthehen në një bumerang që do të ketë efekte të parikuperueshme për Partinë Demokratike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Berisha nuk ka kujt t’i flasë

Nga Armand Shkullaku Partia Demokratike gjendet sot në udhëkryqin më të madh...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *