Kontradiksioni i raportit të ministrave teknikë

Nga Ervis Iljazaj

Ministrat teknikë dhanë më në fund dorëheqjen duke justifikuar qëndrimin e tyre të gjatë në detyrë me përgatitjen e një raporti për problematikat e zgjedhjeve. Në fakt, edhe pse u emëruan në atë post me një mision të qartë, atë të garantimit të zgjedhjeve, ata ushtruan kompetenca të plota, duke krijuar spekulime për një bashkëqeverisje midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Kjo rezultoi totalisht e pavërtetë pas dorëheqjes së tyre.

Raporti në vetvete ka një kontribut të rëndësishëm, pasi adreson disa problematika të procesit zgjedhor, por përfundimi i tij ka një non sense logjik. Kontestimi i zgjedhjeve nga ana e tij duke vënë në dyshim legjitimitetin e rezultatit zgjedhor të 25 Qershorit rrëzon të gjithë aksionin politik të Partisë Demokratike deri më tani, që nga protesta e deri të pjesëmarrja në zgjedhje. Gjithashtu, zgjedhjet e 25 Qershorit janë të certifikuara tashmë nga institucionet përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në këtë kuptim, kontestimi i zgjedhjeve të 25 Qershorit, tashmë nuk përbën asnjë interes publik, përveç justifikimit të ndenjjes në detyrë të tyre deri më tani, edhe pasi mbaruan misionin e tyre.

Detyra e tyre kryesore, sipas marrëveshjes, ishte ndalimi i fenomeneve negative gjatë procesit zgjedhorë dhe jo thjesht konstatimi i tyre. Kështu që, publikimi i tij shërben më shumë për të mbajtur betejën politikë të ndezur se sa zgjidhja e problematikave të votimeve. Këtë raport duhet ta shohim dhe si një aksion politik të detyrueshëm dhe të njëanshëm, i cili nuk vë në dyshim efektet pozitive që dha marrëveshja Rama-Basha për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe misionin me sukses që përmbushën ministrat teknikë.

Në këtë raport paraqiten problematika që në të vërtetë kanë ekzistuar, deri në një masë të caktuar, pasi Shqipëria nuk është Danimarka dhe, me gjithë përpjekjet që u bënë do të vazhdojnë ende të ekzistojnë, por ato nuk ndikuan aspak në rezultatin final. Andaj, Partia Demokratike bën mirë që betejën politike opozitare që e pret ta zhvillojë në një kurs tjetër.

Aq më tepër, që në debatin e kontestimit të zgjedhjeve, jo vetëm nga aktorë politikë por edhe nga shumë zëra publikë, është mungesa e respektit që tregohet ndaj shoqërisë shqiptare. A thua se popullin e morën prej dore dhe i diktuan se për kë forcë politike duhet të votonin. Mund të gjykohet verdikti i tij, sepse jo gjithmonë populli zgjedh në mënyrën e duhur, por kurrsesi të vihet në dyshim vërtetësia e tij. Shoqëria shqiptare, me gjithë problematikat e saj, ka arritur një emancipim kulturor si kurrë më parë. Andaj, ofendimi i përditshëm që i bëhet për aludimet se nuk kanë zgjedhur me vullnetin e tyre të plotë, përtej rasteve sporadike, është i papranueshëm. Tashmë, shoqëria shqiptare mund të konsiderohet më e kulturuar se sa klasa politike aktuale, kështu që duhet të kemi respekt më shumë për të dhe vendimet e saj!

Përpara se të gjejë fajtorin te populli shqiptar, të cilin e akuzon se u shit, Partia Demokratike duhet të gjejë zgjidhjen për të fituar besimin e tyre në të ardhmen. Besim i cili që të fitohet kërkon një strategji politike të qartë, koherente dhe të bazuar në vlera të mirëfillta të ideologjisë së djathtë politike. Në të kundërt, alibia e vjedhjes së votave do ta çojë në vendime politike të cilat do të kthehen në një bumerang që do të ketë efekte të parikuperueshme për të.

Nuk ishte e nevojshme publikimi i këtij raporti për të treguar se ata punuan gjatë kësaj kohe, pasi misionin e tyre e kryen me sukses. Ndoshta, kjo praktikë do të shërbeje si një precedent për të ardhmen për të instaluar njëherë e mirë kulturën demokratike në vendin tonë, atë të zgjedhjeve të lira dhe njohjen e tyre nga të gjithë aktorët politikë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Media shqiptare njësoj si politika, më të rëndësishëm janë ndërkombëtarët

Nga Ervis Iljazaj Këtë fundjavë është publikuar në prestigjiozen amerikane Newsweek një opinion mbi...
Read More