Korrigjimi i kufijve/ Thaçi e Vuçiç duan mbështetje, BE si SHBA: Gjeni një zgjidhje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kërkuan dje mbështetje ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE, qoftë edhe ndryshimi i kufijve. Komisionari për zgjerim të BE, Johannes Hahn: Ne duhet t’ua lëmë atyre, por do ju japim çdo mbështetje për ta gjetur një zgjidhje.

Komisionieri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Johannes Hahn ka thënë se nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për ndryshim të kufijve, kjo nuk mund të përdoret si arsye për ndryshime kufijsh në vende tjera në rajon. Duke folur në Forumin Europian në Alpbach të Austrisë Hahn ka lënë të kuptohet se Bashkimi Europian është në dijeni se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Vuçiç tashmë janë të fokusuar në negociata për ndryshim kufijsh.

 

“Pa marrë parasysh se cila është zgjidhja dhe ne nuk përjashtojmë asgjë, duhet ta dimë se gjëja më e rëndësishme është stabiliteti në rajon. Kjo lloj marrëveshje nuk duhet të shtyjë ide të tjera”.

“Pra edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta bëjë me dije se kjo është një marrëveshje vetëm për këtë rast, që në fund të ditës do të kontribuojë që të krijojë stabilitet, paqe dhe prosperitet në rajon”,- u shpreh Hahn.

Hahn ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet mbështetur që ata ta arrijnë një marrëveshje.

“Ne që jemi jashtë, nuk do të ishte e mençur që të intervenojmë në një formë ose në një tjetër. Ne duhet t’ua lëmë atyre por duhet t’ju japim çdo mbështetje për ta gjetur një zgjidhje”, ka thënë komisioneri Hahn.

Thaçi: Dëmet nga mosarritja e marrëveshjes, të larta

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një konferencë me gazetarë të dielën se Kosova dhe Serbia nuk do të jenë as të parat e as të fundit që do bëjnë korrigjim të kufirit për hir të paqes dhe t’i japin fund një konflikti prej një shekulli. Ai tha se të dyja vendet janë të përfshira në një proces shumë të vështirë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne tani kemi hyrë në fazën përfundimtare të këtij procesi dhe kemi nevojë për mbështetje të plotë nga BE-ja, shtetet anëtare të saj, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare që të arrihet një marrëveshje potenciale ligjërisht detyruese midis Kosovës dhe Serbisë”.

Ai tha se pa këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia do të bllokojnë njëra-tjetrën në përparimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe rajoni do të vazhdojë të vuajë nga rreziku i paqëndrueshmërisë. “Dëmet nga mosarritja e marrëveshjes do të jenë të larta, por përfitimet në rast të arritjes së saj janë shumë më të larta, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, për rajonin dhe BE-në, por edhe më gjerë. Prandaj, ne kemi vendosur të shqyrtojmë çdo mundësi për të gjetur zgjidhje kreative dhe për të arritur një marrëveshje të pranuar reciprokisht”.

Ai tha se, të dyja palët janë të vetëdijshme për nevojën që qëndrueshmëria dhe paqja në Ballkanin Perëndimor duhet të ruhen me çdo çmim. “Kjo është arsyeja pse ne duam të sigurojmë shtetet fqinje, shtetet anëtare të BE-së apo shtete të tjera të botës se nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë nënkupton një korrigjim të kufirit. Nëse kështu do të ndodhë, Kosova dhe Serbia nuk do të jenë as të parat e as të fundit që do bëjnë korrigjim të kufirit për hir të paqes dhe t’i japin fund një konfliktit prej një shekulli”,- tha presidenti Thaçi.

Vuçiç: E përbashkëta jonë, duam zgjidhe

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se duhet të zgjidhen problemet me shqiptarët për hir të të dy popujve që janë dy kombet më të mëdha në rajon, por edhe për hir të gjithë rajonit.

Shpresoj të arrijmë një marrëveshje të qëndrueshme, tha ai, “ndonëse ende jam shumë pesimist sepse i shoh gjithë vështirësitë me të cilat përballemi dhe nuk jam i sigurt nëse njerëzit në Beograd e në Serbi do të mbështesin çfarëdo marrëveshje, por do të bëjmë më të mirën për të zgjidhur një çështje që po zgjat tashmë 200 vjet”. Por, kjo nuk mund të arrihet pa mbështetjen e gjithë Bashkimit Europian, tha ai duke nënvizuar se marrëveshja duhet të jetë e dhimbshme për të dyja palët.

“E përbashkëta jonë është se duam të gjejmë rrugën për një marrëveshje që ka të bëjë me njerëzit tanë dhe të ardhmen e tyre. Kemi folur shumë për rrugën tonë europiane dhe kjo do të ishte qershia mbi tortë, por paqja e qëndrueshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve është arritje e madhe dhe për këtë po punojmë”,- tha ai duke nënvizuar se nuk mund të flasë për hollësi rreth marrëveshjes së mundshme.

Vulin: Korrigjimi i kufijve, ndalon Shqipërinë e Madhe

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, në një deklaratë për mediat pozicionoi veten pro demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. “Nëse kërkoni përgjigjen time, unë nuk kam asnjë dilemë. ‘Shqipëria e Madhe’ mund të ndalet vetëm përmes kësaj forme”,- theksoi Vulin, sipas të cilit shënimi i kufirit do të ndalojë zgjerimin e “Shqipërisë së Madhe”. Ministri serb i Mbrojtjes u pyet edhe për sinjalin të cilin do të duhet të ndjekë Serbia, lidhur me “korrigjimet territoriale”, atë amerikan ose europian, nga shkaku i qëndrimeve të ndryshme që kanë kancerlarja gjermane Angela Merkel dhe këshilltari i presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, për çka tha se Serbia duhet të ndjekë sinjalin e saj.

“Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur nga administrata amerikane e cila kupton qartë realitetin, dhe kuptoi se përzierja nuk është mënyra e duhur, dhe e kupton se e vetmja marrëveshje e qëndrueshme është ajo që do të arrihet mes atyre që jetojnë këtu. Ne jemi ata që do të jetojmë këtu në shekujt e ardhshëm”,- tha Vulin, për të shtuar se marrëveshjet e imponuara me forcë nuk janë të qëndrueshme, dhe se herët apo vonë do të shkaktojnë përleshje të reja, luftëra dhe ndarje. “Nëse arrijmë të merremi vesh, nëse gjejmë një marrëveshje të cilën fuqitë e mëdha do ta pranojnë, kjo flet se zgjidhja mund të jetë e qëndrueshme dhe se po ecim drejt stabilitetit të Ballkanit, diçka që nuk kemi përjetuar në shekujt e fundit”,- theksoi Vulin.

Takimi i Brukselit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen më 7 shtator në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini për të vazhduar diskutimet për një marrëveshje normalizimi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tashmë e ka shpallur politikë të tij synimin për ndarjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke iu bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës. Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Sajmir Tahiri rrezikon të përballet me një tjetër akuzë…

Gazetari Basir Çollaku, në “Top Story”, duke komentuar mbi dokumentin Italian të...
Read More