Korsitë e biçikletave, një tjetër medalje ndërkombëtare për Veliajn!

Nga Gentian Kaprata – Një nga djemtë më simpatik të një qyteze të vogël u kthye nga studimet jashtë shteti së bashku më gruan e tij, të renë nga vendi ku ai kishte studiuar, e cila për shkak të dashurisë kishte pranuar të braktiste të mirat, bollëkun, dhe modernitetin e vendit të saj të madh për të vijuar jetën në një qytezë të vogël dhe periferike, të një vendi të vogël dhe periferik. Familja e djalit, që ishte një ndër më të pasurat e më të kulturuarat e qytezës, por gjithsesi shumë larg modelit të familjes së saj, mezi po priste që djali të kthehej në atdhe së bashku me dy trofetë e tij, diplomën dhe gruan e huaj. Në fakt, gjithë qyteza mezi po priste, por zhgënjimi nuk vonoi! U zhgënjye familja e djalit, u zhgënjye qyteza, por u mërzit edhe burri nga zhgënjimi i përgjithshëm. Gruaja e shqetësuar se mos i shoqi ishte zhgënjyer nga martesa, e pyeti; buzëqeshi me përgjigjen; dhe mori përsipër zgjidhjen e “problemit”. U deshën pak ditë, dhe gjithë qyteza nuk ia ndante më sytë të huajës.

Zhgënjimi i qytezës, që ishte edhe arsyeja e mërzitisë së burrit, qëndronte te fakti se gruaja e huaj nuk ngjante aspak me ‘gratë e jashtme’! Këtë e kuptoi zonja e re, dhe nxori nga valixhja pikërisht ato veshje dhe aksesorë që kishte menduar se nuk do t’i përdorte kurrë. Shoqëruar me tualet të rëndë ato e konvertuan në një zonjë nga ato të ballove të shekullit të 16-të, por gjithashtu tërhoqën tek ajo gjithë interesin e njerëzisë. Ata nuk kishin ujë rrjeti; nuk kishin ndriçim elektrik; nuk kishin rrjet të largimit të ujërave të ndotura dhe përmbyteshin sa herë binte shi; porse asgjë nuk kishte vlerë përpara faktit se edhe në qytezën e tyre kishte ‘gra të jashtme’. Qyteza, më në fund, ishte e lumtur sepse edhe ajo po bëhej njësoj si të gjitha qytetet moderne të botës. As zonja nuk u shqetësua fare që qyteza nuk kishte teatër, kinema dhe nuk organizonte ballo – dhe në këtë kuptim ato veshje ishin të gabuara – përderisa ishin pikërisht këto veshje që ia zgjidhën “hallin”.

Kjo histori e ngjarë njëqind vjet më parë, që ma tregonin në fëmijëri për të ngulitur tek unë prioritetin e brendisë mbi pamjen, vlen edhe për Tiranën e sotme. Edhe banorët e sotëm të gjithështrirjes ndërtimore Tiranë – që nuk e kuptoj pse e quajnë qytet – tolerojnë “magjistarin” e radhës, t’jua bëj qytetin si jashtë shtetit pa e vrarë mendjen për dobishmërinë konkrete të gjërave! Pavarësisht se jetojnë në fjetore të kithëta dhe me një pafundësi mungesash e disbalancash, banorët e sotëm të qytezës së djeshme, nuk kanë asgjë për të kundërshtuar nga projekti poetik për të përgjysmuar gjerësinë asfaltike të rrugëve kryesore të Tiranës! Për ta mjafton që fjetorja e tyre “njësoj” si qytetet e mëdha perëndimore do të ketë korsi të dedikuar biçikletash. Mirëpo shtatori, së bashku me domosdoshmërinë racionale të lëvizshmërisë urbane, po vjen, dhe kënaqësia për t’u dukur si jashtë shtetit do t’i lërë vendin vuajtjeve të përditshme në trafikun e agravuar të qytetit.

Në fakt ky është gjithë thelbi i këtij ekuacioni menaxhues, dhe pikërisht për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve janë zhvilluar teknikat e urbanistikës. Është shumë e thjeshtë të thuhet se lëvizja biçikliste sjell shumë të mira për qytetarët dhe qytetin, por thelbi është si të gjesh mënyrat dhe rrugët që lehtësimi i kësaj alternative të lëvizjes të mos vështirësojë alternativat e tjera. Të shtosh problemet dhe disbalancat në qytet duke vështirësuar praktikat e përditshme të lëvizshmërisë qytetare nuk mund të justifikohet nga asnjë përfitim imagjinar. Duhet të kuptojmë, dhe ta bëjmë sa më shpejt, se synimi final i administrimit lokal është përmirësimi i cilësisë urbane të jetesës së qytetarëve, jo krijimi në mendjen e një pjese prej tyre të imazheve të rreme se ‘Tirana po bëhet si jashtë shtetit’! Imazhet e rreme janë gënjeshtra të bukura që veniten sapo të vërtetat e shëmtuara bëhen prezente në jetën reale, dhe korsitë e biçikletave do na zhgënjejnë që këtë fillim shtatori.

Lehtësimi i lëvizjes biçikliste, dhe në këtë kuptim shtimi i numrit të qytetarëve që e përdorin këtë lloj transporti qytetas, mund të suksesojë vetëm nëpërmjet një procesi të gjatë për implementimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të qytetit. Por edhe ky proces duhet të mbështetet në tri kushtëzime thelbësore: së pari, procesi duhet të jetë aq i gjatë sa të shkoj paralel me kohën që kulturalisht qytetarët të përvetësojnë gjerësisht këtë mënyrë lëvizjeje; së dyti, Plani duhet të jetë hartuar duke përfshirë të gjitha mënyrat alternative të lëvizshmërisë urbane dhe jo vetëm atë biçikliste; dhe së fundi, Plani duhet të projektojë një Tiranë policentrike, me theksin te rrjetet e transportit dhe blloqet mikse urbane. Çdo mënyrë tjetër, veçanërisht rruga që ka zgjedhur administrata e sotme, mund të prodhojë vetëm dështim për synimin dhe zhgënjim e vuajtje për qytetarët, ose në rastin më të mirë, ndonjë medalje ndërkombëtare për kryebashkiakun Veliaj.

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Pantera e Zezë” grumbullon 1 miliard dollarë

  Filmi i Marvel, “Pantera e zezë”, ka mbledhur më shumë se...
Read More