KQZ rihap kutitë e kontestuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori të mërkurën vendim për rihapjen e kutive të kontestuara. 72 kuti do hapen të enjten paradite.

Vendimi u mor pas dy kërkesave që janë paraqitur nga PS dhe PDIU, që kanë për objekt hapjen e një numri të konsiderueshëm kutish votimi, rinumërimin e votave dhe pasqyrimin e rezultateve të reja në tabelën përmbledhëse të rezultateve për qarkun e Tiranës.

Socialistët kërkonin hapjen dhe rinumërimin e votave të 9 kutive të votimit, ndërsa PDIU hapjen dhe rinumërimin e 29 kutive të tjera.

Të dyja forcat pretendojnë se rezultati i miratuar për këto kuti nuk është i saktë dhe se një numër i madh votash është tjetërsuar për forca të tjera.

PDIU pretendon se në këto 29 kuti gjenden më shumë vota sesa asaj i janë shënuar në tabelën e rezultatit, çka i mjaftojnë për të siguruar 3-përqindëshin e pragut elektoral dhe për të marrë mandatin e deputetit në Tiranë.

Por ndërsa PDIU ka paraqitur prej disa ditësh tashmë kërkesën ankimore për rinumërimin e votave në 29 qendra votimi në Qarkun e Tiranës duke pretenduar se votat e saj janë tjetërsuar në favor të PS-së, kjo e fundit i është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë, me një kërkesë ankimore ku kërkon që të hapen dhe rinumërohen 9 kuti të tjera votimi, duke argumentuar se PDIU-së i janë dhënë më shumë vota sesa ka pasur realisht.

Kodi Zgjedhor e bën të detyrueshme hapjen e kutive kur kërkesa mbështetet nga dy anëtarë.

Kërkesa e PS

Socialistët pretendojnë se nga verifikimi i pamjeve filmike të 9 kutive, por edhe nga vlerësimet e bëra nga vëzhguesit, PDIU-së i janë shënuar më shumë vota se sa ka marrë realisht.

Ajo kërkon hapjen dhe rinumërimin e votave në kutitë me nr. 1819, 1845/6, 1846/1, 1849/2, 1911/1, 1606, 1958/2, 2150/1, dhe 2225.

Më konkretisht në kërkesën e saj PS pretendon se në QV-në nr.1819 PDIU-së i janë shënuar në tabelën e rezultateve 7 vota ndërkohë që realisht ajo ka pasur 4 vota.

Në QV-në nr. 1845/6 PDIU-së i janë shënuar 16 vota ndërkohë që PS pretendon se ajo realisht ka 14 vota.

Në QV-në nr. 1846/1 PDIU-së i janë shënuar 12 vota ndërkohë që PS pretendon se ajo realisht ka patur vetëm 8 vota.

Në QV-në nr. 1849/2 PDIU-së i janë shënuar 20 vota ndërkohë që PS në kërkesën e saj argumenton se ajo ka patur vetëm 11 vota.

Ndërkohë që në QV-në nr. 1911/1 në tabelën e rezultatit PDIU-së i janë shënuar 13 vota ndërsa PS pretendon se ajo realisht ka patur vetëm 3 vota.

Një tjetër QV për të cilën PS ka shfaqur pretendime në KQZ është edhe ajo me numër 2150/1, në tabelën e rezultatit të së cilës PDIU-së i janë shënuar 32 vota ndërsa socialistët argumentojnë se ajo ka patur vetëm 28 vota.

Në QV-në nr. 2225, PDIU-së i janë shënuar 104 vota ndërkohë që PS pretendon se ajo ka pasur realisht vetëm 97 vota.

Pra, në total PS argumenton në kërkesën e saj se PDIU-së në vetëm këto 9 qendra votimi i janë dhënë në mënyrë të padrejtë më shumë se 40 vota më shumë sesa  ka pasur realisht.

Për këto arsye PS i kërkon KQZ-së që mbi bazën e fakteve dhe të pamjeve filmike të marrë në konsideratë kërkesën për hapjen e këtyre 9 kutive dhe të bëjë rinumërimin e votave dhe më pas edhe korrigjimin e tabelave të rezultateve për çdo KZAZ.

Por natyrisht që një pretendim i tillë është i pavend për sa kohë që PS në të gjitha grupet e numërimit ka patur përfaqësuesit e vet.

Nëse një gjë e tillë rezulton e vërtetë atëherë kjo tregon dy gjëra: ose numëruesit e PS janë shitur ose që mes PS dhe PDIU ka patur fillimisht një marrëveshje për ta mbështetur këtë të fundit me vota në mënyrë që ajo t’i merrte mandatin LSI-së.

Dhe më i besueshëm është varianti i dytë, i cili konfirmohet nga burime nga PS të cilat kanë bërë të ditur se ka pasur një lloj orientimi të numëruesve për të favorizuar PDIU-në që kjo t’i merrte mandatin e pestë LSI-së.

Por në momentin që LSI e siguroi mandatin e pestë në Tiranë dhe PDIU ishte shumë afër marrjes së mandatit që i përkiste PS-së, atëherë direktiva ndryshoi dhe numëruesit e PS nisën të kompensonin lëshimet që i kishin bërë PDIU-së në fillim.

Ndaj dhe PS nisur nga fakti se ka qenë në dijeni të kësaj “marrëveshje” e ka pasur të lehtë të evidentojë kutitë e votimit ku ajo vetë ka pranuar të favorizojë PDIU-në dhe që tashmë kërkon të rinumërohen.

Kërkesa e PDIU

Ndërkohë që pak ditë më parë edhe PDIU paraqiti ankimim në KQZ duke kërkuar hapjen e 29 kutive dhe rinumërimin e votave të tyre.

Sipas përllogaritjes kësaj force i duhen edhe 38 vota që të arrijë pragun e nevojshëm prej 3 % dhe që ajo të mund të marrë një deputet në Tiranë, që në këtë rast do të ishte kryetari Shpëtim Idrizi.

PDIU pretendon se i ka këto vota në 29 kutitë për të cilat ka ngritur dyshimin se votat e saja i kanë kaluar partive të tjera.

Kjo forcë ka paraqitur në publik edhe prova filmike që vërtetojnë këtë pretendim.

Por në rast se pretendimet e ngritura nga të dyja këto forca do të rezultojnë të sakta, atëherë shanset që PDIU të arrijë 3 përqindëshin e pragut elektoral dhe të marrë për pasojë mandatin e deputetit, mbeten shumë të pakta.

Kjo pasi si PS ashtu edhe PDIU pretendojnë afërsisht të njëjtin numër votash, çka po të dalë e vërtetë e lë diferencën përfundimtare në të njëjtat raporte.

Në rast se PDIU do të marrë 1 mandat në Tiranë, atëherë ajo do të shkonte në kuotën e 4 deputetëve në total, ndërsa ajo që do të humbasë do të jetë PS e cila do të zbresë në 17 mandate në Tiranë dhe 73 në rang vendi.

 

 
Shkruar Nga
More from Redaksia

Origjina e fjalës ‘Shqipëri’ dhe pse bota na quan Albania

Shqiptari i thotë vetes shqiptar, vendit të vet Shqipëri, Shqipni, po populli...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *