Kredia për biznes, a ja vlen të rrezikosh?

Ekonomia po jep shenjat e një rritjeje të qëndrueshme, ndërkohë që një nga faktorët bazë stabiliteti politik sapo ka hyrë në rrugë të mbarë. A vlen të marrësh kredi për biznes në këto kushte. Disa nga përparësitë dhe rreziqet që duhen marrë në konsideratë. 

Pak ditë më parë INSTAT publikoi shifrën e rritjes ekonomike për tremujorin e parë të vitit. Sinjalet janë se tashmë ekonomia e vendit po hyn në një trajektore rritjeje dhe zgjerim në shifra deri në 4 për qind në vit. Një shifër e tillë ishte harruar që prej gjashtë vjetësh më parë, kur ekonomia e vendit nisi të vuajë pasojat e krizës globale.

Kur po duket se erërat që fryjnë janë të favorshme për shumë biznese del në plan të parë rishikimi i mundësisë për t’u zgjeruar dhe për të shtuar investimet. Dhe rruga e parë që mendon çdo sipërmarrës është ajo që të çon drejt bankës. Po a ia vlen të rrezikosh? A janë kushtet e kreditimit të favorshme? Ia vlen të shohim se çfarë po ndodh në tregun e kredive për ta kuptuar këtë.

Fakti që interesat janë në rritje do të thotë se kërkesa ka filluar të shtohet. Rënie e nivelit të kredisë me problem pritet të çlirojë të tjera energji në sistemin bankar. Në ekonomi ka filluar të krijohet një klimë pozitive dhe në favor të nxitjes së investimeve. Kjo edhe falë stabilitetit politik që prodhuan zgjedhjet e fundit. Tashmë mbetet në dorë të çdo sipërmarrësi të peshojë nëse vlen apo të rrezikojë.

Interesat në rritje

 Muaji maj ka qenë më i shtrenjtë për të gjithë ata që kanë dashur të marrin një kredi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i kredive të reja të dhëna në lekë në maj u rrit në 7.27%, nga 5.25% që kishte qenë muajin e mëparshëm. Ndikimin kryesor në këtë shtrenjtim të kostos së kredisë e kanë dhënë huat afatshkurtra, ku ato deri në 6 muaj u shtrenjtuan me një pikë përqindjeje (nga 6.55 në 7.66) dhe nga 6 muaj deri në një vit ishin 1.6 pikë përqindje më të larta (nga 3.895 në 5.51%).
 
Edhe huatë mbi 5 vjet, që përdoren kryesisht për investime, arritën në 7.9%, nga gati 6% që ishin muajin e mëparshëm. E kundërta ka qenë tendenca për kreditë në euro, të cilat ishin më të lira në maj. Ndërsa në prill, për herë të parë kosto e kredisë në lekë u barazua me atë në euro, në rreth 5.2% të dyja, tashmë huat në monedhën e përbashkët janë më të lira. Në maj, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i kredisë në euro zbriti në 4.7%. Maji ka qenë negativ edhe për kredinë e dhënë në ekonomi, sidomos për bizneset.
 
Stoku i kredisë për ekonominë zbriti në maj në 554 miliardë lekë, me një rënie prej 854 milionë lekësh në krahasim me muajin e kaluar. Rënia mujore ka ardhur nga kredia për sektorët jofinanciarë në valutë, që është reduktuar me 3.9 miliardë lekë, duke dhënë ndikimin e vetëm në trendin rënës të huas. Ndërkohë kredia në lekë për këtë sektor është rritur me 1.3 miliardë lekë. Në rritje gjatë muajit maj ishte kredia për individë, si në lekë dhe në valutë, që u zgjerua me gati 1.8 miliardë lekë. Në total, në krahasim me fundin e vitit të kaluar, huaja për ekonominë ka rënë me 3.1 miliardë lekë ose 0.6%, duke treguar për një ngërç të investimeve në ekonomi, teksa huaja për biznesin ka rënë me gati 8 miliardë lekë gjatë të njëjtës periudhë.

Përfitimet nga zhvlerësimi i euros

Lëvizjet në kursin e këmbimit që kohët e fundit kanë qenë të ndjeshme veçanërisht për euron kanë patur përfituesit por edhe humbësit e tyre. Në kategorinë e përfituesve kanë qenë të gjithë ata që kanë guxuar të marrin një kredi. Këtu bëhet fjalë kryesisht për ata që kanë detyrime në euro, veçanërisht kredi, pasi për të paguar këstet e tyre tani iu duhet të këmbejnë më pak lekë se më parë. Se sa do të zgjasë kjo nuk mund të thuhet ndërkohë që zhvlerësimi i euros është një thikë me dy presa për shkak se ka edhe të humburit e vet. Familjet shqiptare mbajnë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë në asete financiare në valutë, ku instrumenti më i preferuar është ai i depozitave në euro. 

Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit janar, depozitat e familjeve shqiptare në euro llogariteshin në 497 miliardë lekë. Por në fund të majit shifra zbriti në 483 miliardë lekë. Rënia me 14 miliardë lekë nuk ka ardhur se individët kanë tërhequr depozitat nga bankat, por në pjesën më të madhe ajo është pasojë e zhvlerësimit të euros. Sipas bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-qershor euro është zhvlerësuar me 2.4 për qind ndaj lekut. Më saktësisht nëse në muajin janar një euro u këmbye mesatarisht me 136.57 lekë, në qershor monedha europiane është konvertuar me 133.2 lekë. Kjo bën që vlera e depozitave në euro të ulet, por jo aq sa të ndikojë në mundësinë e bankave për të kredituar.

Kreditë sipas llojit

Analiza, sipas subjektit dhe qëllimit të përdorimit të kredisë, evidenton se kredia “overdraft” për bizneset zë peshën më të madhe ndaj totalit të portofolit të kredisë (22.2%), pasuar nga kredia për “investime për pasuri të paluajtshme” dhënë individëve (19.6%), kredia për “investime për pasuri të paluajtshme” dhënë biznesit (18.9%) dhe nga kredia për “kapital qarkullues” për biznese (11.6%). Rritjen më të lartë gjatë vitit të kaluar e ka patur kredia për “blerje pajisjesh” dhënë bizneseve (21.1%), ndjekur nga kredia për “konsum të mallrave jo të qëndrueshme” dhënë individëve (14.8%).

Ndërkohë, rënien më të lartë e ka shfaqur kredia për “over draft” dhënë individëve (15.9%) dhe kredia “hua të tjera” (4.4%) dhënë bizneseve. Struktura e kredisë, sipas afatit në krahasim me vitin e kaluar, ka patur disa ndryshime, pasi vërehet një rënie e peshës së kredive afatshkurtra dhe afatgjata në favor të kredive afatmesme. Kjo e fundit, mban peshën kryesore në totalin e portofolit të kredisë, e ndjekur nga kredia afatshkurtër dhe kredia afatgjatë. Portofoli i kredive sipas monedhës evidenton se kredia në valutë vijon të ketë peshën më të madhe në totalin e kredisë me 58.65%, edhe pse gjatë vitit konfirmohet tendenca e zhvendosjes së portofolit nga kredia në valutë në kredinë në monedhën vendase. Megjithatë pesha e kredisë në monedhën vendëse ndaj totalit të portofolit të kredisë ka njohur një rritje me 2.2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Shifrat e kreditimit

Por edhe pse ka disa kushte që e favorizojnë kreditimin një gjë e tillë ende nuk është parë në treg. Po sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i kredisë për ekonominë në muajin maj ka zbritur në 554 miliardë lekë, me një rënie prej 854 milionë lekësh në krahasim me muajin e kaluar. Rënia mujore ka ardhur nga kredia për sektorët jofinanciarë në valutë, që është reduktuar me 3.9 miliardë lekë, duke dhënë ndikimin e vetëm në trendin rënës të huas. Ndërkohë kredia në lekë për këtë sektor është rritur me 1.3 miliardë lekë. Në rritje gjatë muajit maj ishte kredia për individë, si në lekë dhe në valutë, që u zgjerua me gati 1.8 miliardë lekë.

Në total, në krahasim me fundin e vitit të kaluar, huaja për ekonominë ka rënë me 3.1 miliardë lekë, ose 0.6%, duke treguar për një ngërç të investimeve në ekonomi, teksa huaja për biznesin ka rënë me gati 8 miliardë lekë gjatë të njëjtës periudhë. Edhe tendenca e depozitave nuk ka qenë pozitive. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursimet e shqiptarëve kanë rënë me 4.4 miliardë lekë në muajin maj, në krahasim me vitin e mëparshëm, duke arritur në rreth 995 miliardë lekë. Rënia më e fortë ka qenë nga valuta (-30 milionë euro), por këtu është dhe efekti i zhvlerësimit të euros, teksa treguesi total i depozitave raportohet në lekë.

Nëse shihen të dhënat e depozitave vetëm në euro, të raportuara po në monedhën e përbashkët, në maj ato rezultojnë të jenë tkurrur realisht me 17 milionë euro. Në krahasim me dhjetorin 2016, depozitat në total rezultojnë të kenë rënë me 19 miliardë lekë apo 2%, ku tkurrja më e fortë ka ardhur nga kursimet në lekë (-11.5 miliardë lekë), ndërsa kursimet në euro kanë rënë rreth 7.7 miliardë lekë. Rënia e normave të interesit në lekë, që jep kthime minimale për kursimtarët, e ka bërë jointeresante këtë alternativë investimi. Në kahun tjetër, politika e de-euroizimit që po ndiqet nga Banka e Shqipërisë po bën që bankat të “refuzojnë” depozitat në valutë.

Në kahun tjetër, kompanitë, të gjendura në mungesë likuiditeti po shpenzojnë kursimet në valutë për të bërë pagesa të ndryshme, një dukuri që është konstatuar nga aktorët e kursit të këmbimit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat pa afat në euro të korporatave jofinanciare kanë rënë me 32 milionë euro në pesë muajt e parë të vitit, në raport me dhjetorin 2016.

Kredia me probleme, në rënie

Zyrtarisht huaja me probleme në sistemin bankar shqiptar në fund të tremujorit të parë ka rënë poshtë 18-përqindëshit. Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë tendenca rënëse po konstatohet për disa muaj radhazi dhe më e forta ka qenë në fund të vitit të kaluar me gati 2 pikë përqindje, si rrjedhojë e fshirjes nga bilanci të huave të humbura. Përgjithësisht, në fund të çdo viti, bankat fshijnë nga bilancet huat që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen. Ato nuk figurojnë më statistikisht, ndonëse banka vijon përpjekjen për mbledhjen e tyre.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016 bankat kanë qenë më pak aktive ndaj procesit të fshirjes së kredive “të humbura” nga bilancet e tyre, duke larguar nga bilancet një portofol prej 14.6 miliardë lekësh, ndërsa në vitin 2015 u fshi një rekord prej 26.7 miliardë lekësh. Në vlerë absolute, kreditë e pakthyera në afat në banka në fund të muajit shkurt ishin rreth 98 miliardë lekë apo gati 715 milionë euro. Nëse i shtojmë dhe shumën e fshirë prej 41.3 miliardë lekësh në periudhën 2015-2016, stoku i huave të pakthyera do të ishte gati 140 miliardë lekë (mbi 1 miliard euro), apo rreth 25.6% e totalit të kredisë.

Si rrjedhojë, nëse huat e pakthyera prej më shumë se tre vjetësh nuk do ishin fshirë nga bilancet e bankave, treguesi i NPL-ve do të ishte më i lartë se niveli rekord i arritur në korrik 2014, prej 24.88%. Të dhënat tregojnë se më shumë se rënie reale, reduktimi i treguesit të NPL-së ka qenë një veprim statistikor, i ndikuar nga fshirja e kredive të humbura. Edhe në vitin 2015, huat me probleme ranë në 18.2%, për t’u rritur më pas në 21.44% në gusht 2016 dhe duke u kthyer sërish në nivelin e fundit të 2015-ën në dhjetor të vitit të kaluar. Negativisht ndikuan në sistem vitin e kaluar disa falimentime të mëdha, ku më kryesori ishte kompania e prodhimit të çelikut Kurum, që kishte gati 42 milionë euro kredi në bankat shqiptare.

Banka e Shqipërisë, në raportin e saj vjetor, thekson se viti 2016 shënoi progres të dukshëm në drejtim të zbatimit të Planit të Veprimit për uljen e huave me probleme. Krahas ndryshimeve në disa akte rregullative të Bankës së Shqipërisë, fundi i vitit solli edhe miratimin në Kuvend të disa përmirësimeve ligjore të rëndësishme, ku veçojmë ligjin “Për falimentimin” dhe ndryshimet në ligjin “Për zyrat e përmbarimit”. Banka e Shqipërisë vlerëson që këto përmirësime ligjore, do t’u japin bankave dhe aktorëve të tjerë që përfshihen në procesin e zgjidhjes së huamarrjes problematike, instrumente të rëndësishme për të përmirësuar efektivitetin e procesit dhe përshpejtuar uljen e huave me probleme në sektorin bankar.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Norma të reja interesi për Kreditë Hipotekore, sepse Intesa Sanpaolo Bank Albania e di se çfarë ju nevojitet!

Ke gjetur shtëpinë e ëndrrave dhe dëshiron ta blesh? Apo do thjesht...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *