Krimi i marrëzisë

Vritet me armë zjarri nga Aldison Behluli studentja e Fakultetit të Drejtësisë 21-vjeçarja Ariela Murati. Krimi dyshohet se ndodhi pasi Murati refuzonte lidhjen me bashkëfshatarin e saj nga Zharrëza e Fierit. Ngjarja makabre në sytë e motrës së Arielës dhe kushërirës së tyre.  

Një histori dashurie e parealizuar arrin në marrëzi, duke përfunduar në tragjedi, me një vajzë të vrarë dhe protagonistin e krimit të plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 14.50, në Tiranë pranë Fakultetit të Mjekësisë, ku 23-vjeçari Aldison Behlulaj me profesion infermier, qëlloi me pistoletë studenten e vitit të tretë të Fakultetit të Drejtësisë 21-vjeçaren Ariela Murati. Pesë plumba prekën trupin e 21-vjeçares, duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas fare pranë kufomës së saj, i riu qëlloi veten me një plumb në kokë. Aktualisht ai ndodhet në spital në gjendje të rëndë dhe iu nështrua një operacioni të gjatë. E gjithë skena e tmerrshme ndodhi në sytë e motrës së Arielës dhe kushërirës së tyre, edhe ato studente në Tiranë. Plumbat e shkrehura në trupin e 21-vjeçares e lanë të vdekur në vend përballë portës së Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë. Sipas policisë, paraprakisht dyshohet se shkak për ngjarjen e rëndë ishte kërkesa për lidhje, e refuzuar nga vajza prej shumë kohësh. Të dy të rinjtë, si viktima ashtu edhe autori ishin nga fshati Zharrëz i Fierit dhe njiheshin që në shkollë të mesme. “Rreth orës 14.52, ka ardhur një telefonatë në Sallën Operative se para portës së Fakultetit të Mjekësisë ka ndodhur një vrasje me armë zjarri. Menjëherë kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se shtetasi A.B, 23 vjeç nga Fieri ka qëlluar me armë zjarri pistoletë shtetasen A.M, 21 vjeçe nga Fieri studente, viti i tretë për Drejtësi, e cila ka ndërruar jetë. Më pas shtetasi A.B. ka qëlluar dhe veten po me armën e zjarrit dhe ndodhet në reanimacion në gjendje të rëndë. Paraprakisht dyshohet se shkak për ngjarjen e rende ishte kërkesa për lidhje, e refuzuar nga vajza” -thuhet në njoftimin e policisë. Ekspertët kanë sekuestruar disa gëzhoja dhe armën e krimit e cila u gjet pranë viktimës dhe autorit të ngjarjes. Në gjendje të rënduar psikologjike janë motra dhe kushërira e 21-vjeçares.  

Refuzimi për lidhje

Prej disa kohësh autori i krimit këmbëngulte që të kishte lidhje me 21-vjeçaren Ariela Murati, por ka marrë refuzim e saj. Për t’i shkuar “traditës” deri në fund, Behlulaj pak javë më parë kishte shkuar në familjen e vajzës duke kërkuar dorën e saj, por kjo ishte mohuar edhe nga ana e tyre, duke pretenduar se gjithçka varej nga Ariela. Dyshohet se ka pasur debat mes tyre dhe nga ana e prindërve të saj i është kërkuar që ta linte të qetë në vijim. Në dukje ishte vetëm një nga shumë historitë mes të rinjsh, por fundi u mbyll me tragjedi. Në gjendje të rënduar, 23-vjeçari ka ritentuar të siguronte me “forcë” dashurinë e 21-vjeçares. Dyshohet se ai e përndiqte prej kohësh dhe ushtronte trysni, por deri më tani ende nuk ka të dhëna nëse është denoncuar në polici. Autori i ngjarjes prej pak muajsh ishte punësuar si infermier, ndërsa dje rreth brezit ka vendosur armën pistoletë 9 mm që e mbante pa leje për të vënë në zbatim planin e tij të tmerrshëm. Dëshmitarët shprehen se bashkë me Arielën ka qenë edhe motra dhe kushërira e saj duke ecur rrugës kur janë përballuar me 23-vjeçarin Behluli. Për të shmangur debatet në rrugë Ariela i ka kërkuar motrës dhe kushërirës që të qëndronin në distancë për t’u sqaruar me 23 vjeçarin. Pas pak sekondash i riu ka kërcënuar dhe fyer dhe më pas menjëherë nga brezi nxorri armën dhe në një distancë fare të shkurtër qëlloi pesë herë drejt Ariela Muratit, duke e lënë të vdekur në vend. Në një video të publikuar në mediat online shihen të shtrirë në tokë si viktima ashtu edhe autori ndërsa motra dhe kushërira e tyre ulërasin dhe kërkojnë ndihmë. Gjithashtu të shumtë në numër ishin edhe qytetarë që bashkë me punonjësit e policisë u afruan të parët dhe tentuan ti jepnin ndihmën e parë mjekësore të rinjve që gjendeshin të mbuluar në gjak. Pas disa minutash fillimisht është marrë trupi i vajzës e cila ka shkuar pa shenja jete në spital dhe dyshohet se ka vdekur në vend pasi plumbat i prekën organet jetësore. Gjendja ka qenë më e mirë për autorin që ndonëse i gjakosur shfaqte shenja jete pasi plumbi e ka kapur në pjesën e sipërme të nofullës dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dhe paraprakisht nga mjekët konfirmohet se gjendja e tij vijon të jetë e rëndë. 

Të dy në një shkollë

Tragjedia ka ndërruar vend. Ndodhi në Tiranë, por po përjetohet me dhimbje në fshatin Zharrëz të Fierit. Si familja e viktimës ashtu edhe e autorit jetojnë në të njëjtën zonë dhe njiheshin si të rregullta që nuk kanë pasur probleme. Dy të rinjtë Ariela dhe Aldisoni kanë përfunduar gjimanzin në shkollën “Sotir Capo”. Sipas dëshmive të dhëna nga personat që i kanë njohur, që të dy dallonin për nxënës të mirë që nuk kishin shkaktuar kurrë probleme. Fillimisht nga fshati Zharrës është shkëputur 23-vjeçari që nisi dhe përfundoi studimet në Fakultetin e Infermierisë, ndërsa dy vite më vonë Ariela nisi studimet në Fakultetin e Drejtësisë. Nuk dihen marrëdhëniet e tyre, por nga të dhënat e para mësohet se Behluli ka shfaqur pëlqimin për Arielën që në gjimnaz, duke e vijuar edhe pasi mbërritën në Tiranë për studime. Mes tyre diçka nuk ka funksionuar dhe ka qenë Ariela që shpesh refuzonte lidhjen me 23-vjeçarin. Ajo i ishte dedikuar studimeve dhe njihej si studente ekselente në vitin e tretë. Familjarët por edhe shoqet e saj tregojnë se nuk ka shfaqur shqetësime, duke menduar se gjithçka ishte mbyllur mes saj dhe autorit Behlulaj. Fatkeqësisht dita e djeshme ishte e fundit për 21-vjeçaren Murati, e cila u vra nga 23-vjeçari. Nga të dhënat që disponon grupi hetimor mësohet se autori kishte menduar gjithçka pasi përveçse ka marrë armën me vete ai nuk e ka kërcënuar, por qëlluar drejtpërdrejtë pas një debati të shkurtër mes tyre. Trupi i 21-vjeçares pasi ti nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore pritet që të dërgohet në Zharrës ku do të kryhet edhe ceremonia e varrimit. Në gjendje të shokuar pasditen e djeshme drejt morgut të Tiranës kanë mbërritur familjarët e 21-vjeçares.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Krimi i marrëzisë

Vritet me armë zjarri nga Aldison Behluli studentja e Fakultetit të Drejtësisë...
Read More