Krimi i vërtetë i politikës dhe lidhjet e tij me 43% të shqiptarëve

Axhenda Liberale /6

Nga Besart Kadia

Jeta në tranzicion! Kështu e quan BERZH pyetësorin e nisur në vitin 2006 me 27 vendet e Europës Lindore. Thuajse çdo katër vjet duke iu adresuar të njëjtat pyetje qytetarëve të këtyre shteteve ne mund të vlerësojmë në një farë mase qëndrimet e tyre ndaj procesit të gjatë të tranzicionit drejt ekonomisë së tregut, qëndrimet e tyre për demokracinë, si dhe vlerësimet e tyre për të ardhmen.

Jeta në tranzicion ka qenë e vështirë. Për këtë arsye politikëbërësit dhe akademikët duhet të analizojnë të dhënat për të parë sesi qëndrimet e qytetarëve ndryshojnë me kalimin e kohës dhe se si i kanë ata pritshmëritë për të ardhmen dhe për rolin e shtetit në jetën e tyre. Në këto raporte nuk ka vetëm indikatorë të thatë ekonomikë. Sipas BERZH, në Europën Lindore ata fëmijë të lindur në fillimet e tranzicionit janë rreth 1 cm më të shkurtër sesa fëmijët e lindur para ose disa vite pas. Jeta në tranzicion nuk ka qenë e njëjtë për të gjitha vendet e për të gjithë qytetarët pasojat e së cilës reflektohen kryesisht në ekonomi.

Pavarësisht kësaj vihet re se në vitet 2000 optimizmi në shoqëri sikur ishte rikthyer. Kudo në Europën Lindore qytetarët në tre pyetësorët e bërë tregojnë për një optimizëm të rritur në të jetuarin në një vend në tranzicion, e lidhur kjo ndoshta me zhvillimin ekonomik. Kështu në 2006, 44% e shqiptarëve shpreheshin se ishin të kënaqur me jetën e tyre në Shqipëri, në vitin 2010 kjo vlerë ra në 39% dhe në vitin 2016 ajo u rrit sërish në 48%. Në fakt në vitin 2016 mesatarja e optimizmit te shqiptarët ishte dhe më e lartë se mesatarja e Europës Lindore (39%) dhe e gjithë shteteve të tjera në tranzicion (43%). Por po të lexosh më imtësisht të dhënat sheh se optimizmi ishte rikthyer kryesisht te të moshuarit.

Krahasuar me vitin 2010 të moshuarit mbi 65 vjeç ishin 19% më të kënaqur me jetën e tyre se gjashtë vite më parë. Ky optimizëm nuk lidhet detyrimisht me faktorë ekonomikë pasi shteti nuk ka bërë ndonjë investim thelbësor për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës e reflektuar në të dhëna të tilla, si: niveli i pensioneve, shërbimi shëndetësor apo çmimi i energjisë elektrike. Por teksa optimizmi te të moshuarit ishte rritur, për sa iu përket të rinjve, grupmosha 18-39 vjeç, mbeteshin më të pakënaqurit. Nga ana tjetër, optimizmi për suksesin e gjeneratës së re, një e dhënë që e vendos Shqipërinë shumë më lart se shumë shtete të tjera, të zhvilluara dhe në zhvillim. Po ashtu, vihet re një optimizëm i theksuar i të moshuarve për brezin e ri (82% mendojnë se do bëhet më mirë), krahasuar me vetë brezin e ri (72% mendojnë se do bëhet më mirë).

Në pamje të parë këto të dhëna janë inkurajuese. Optimizmi për të ardhmen është një indikator i rëndësishëm për të çuar shoqërinë përpara. Është pritshmëria se investimi çon në fitim që i bën firmat të marrin risk. Është optimizmi për të gjetur një vend pune në profesion që i bën studentët të studiojnë e të kualifikohen më shumë se prindërit e tyre. Por kur qytetarët pyeten se cilët janë faktorët që ndikojnë për të qenë të suksesshëm në jetë, ne vëmë re se Shqipëria bën dukshëm përjashtim nga vendet e tjera në tranzicion.

Për shembull nëse do e ndanim shoqërinë në tri grupe në varësi të të ardhurave ne vëmë re se vetëm 20% e shqiptarëve më të ardhura të larta mendojnë se “të punuarit shumë” është faktor i rëndësishëm për të patur sukses krahasuar me 40% e personave me të ardhura të ulëta. Ndërkohë që për vendet e zhvilluara perëndimore qytetarët mendojnë se përkushtimi në punë është faktor i rëndësishëm për të patur sukses (60% e qytetarëve me të ardhura të ulëta, dhe 43% me të ardhura të larta). Kjo diferencë është akoma më e madhe po ta krahasosh me Rumaninë, ku 70% e personave me të ardhura të larta mendojnë se përkushtimi në punë është faktor i rëndësishëm. Po ashtu, ne kemi pritshmëri të ulëta si shoqëri se inteligjenca dhe aftësitë profesionale ndikojnë pozitivisht për të qenë të suksesshëm (18%) krahasuar me 36% në Gjermani. Pra, teksa ne shprehemi si shoqëri optimist për të ardhmen faktorët që ne mendojnë se ndikojnë në suksesin tonë personal nuk lidhet fort me “të punuarit shumë” apo me “aftësitë profesionale dhe inteligjencën”. Thënë kjo, këta dy indikatorë janë të rëndësishëm për tregun e punës dhe ndihmojnë për të çuar përpara inovacionin në ekonomi e për të rritur rendimentin si shoqëri.

Po ta krahasojmë Shqipërinë me Letoninë, ne vëmë re një ndryshim thelbësor në faktorët që ndikojnë në optimizëm për të ardhmen dhe në suksesin në jetë. Për qytetarët letonezë 51% e suksesit i dedikohet “aftësive profesionale dhe inteligjencës”, 25% mendojnë se i dedikohet “të punuarit shumë” dhe ndoshta 12% e suksesit ka të bëjë me lidhjet me politikën. Por ajo që është devianca kryesore e Shqipërisë krahasuar me vendet e tjera të tranzicionit është fakti se 43% e qytetarëve mendojnë se faktori më i rëndësishëm për të qenë i suksesshëm është “lidhja me politikën”.

Me këtë pyetësor, që s’është gjë tjetër veçse vlerat e perceptuara të shoqërisë, ne mund ta krahasojmë veten me një indikator tjetër të rëndësishëm siç është performanca në shkollë. Ky indikator në një farë mënyrë mat se sa bazë ka pritshmëria e publikut se “gjenerata e ardhshme do jetë më e mirë” me mundësitë reale, siç është edukimi i mirë, për të zhvilluar ekonominë.

Kështu në vitin 2015, 42% e gjimnazistëve shqiptarë në shkenca natyrore performonin në nivelin “shumë dobët” krahasuar me 17% në Letoni. Po ashtu nëse shohim mesataret e pikëve për provim lexim: Letonia 490, Shqipëria 427; matematikë: Letonia 482, Shqipëria 413. Në të gjitha të dhënat ne jemi më dobët sesa Letonia.

Pse kanë rëndësi këto të dhëna? Sepse sipas studimeve në SHBA nëse ne rrisim mesataren e pikëve me afërsisht 50 pikë në Programin Ndërkombëtar të Vlerësimit të Studentëve (PISA), ekonomia rritet me 4.3% më shumë pas një dekade. Pra, edukimi i mirë bën që besimi se gjenerata e ardhshme do jetë më mirë të përkthehet në realitet. Pavarësisht kësaj performance më të mirë në edukim, pavarësisht faktit se qytetarët mendojnë se puna dhe inteligjenca vendosin për suksesin tënd dhe jo politika, sërish në Letoni vetëm 51% janë entuziastë se gjenerata e re do të jetë më mirë në të ardhmen, krahasuar me 75% në Shqipëri.

Teksa për muaj të tërë ne rendim të gjejmë lidhjet e krimit me drogën dhe politikën, këto të dhëna ekspozojnë dukshëm deformimin e fortë që ka shoqëria jonë për të qenë konkurruese në të ardhmen. Teksa popullsia mendon se lidhja me politikën është më e rëndësishmja se puna dhe aftësia profesionale për të qenë të suksesshëm, duket se ky është krimi i vërtetë i politikës dhe këto janë lidhjet negative me të paktën 43% të shoqërisë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Domosdoshmëria për ndryshimin e sistemit zgjedhor lokal

Nga Ervis Iljazaj Përtej debatit mbi rritjen e çmimit të ujit, nga...
Read More