Kriza e Demokracisë Lokale

Demokracia është në krizë për shumë arsye dhe për shkak të shumë faktorëve. Profesori i asociuar Roland Lami dhe Adela Danaj kanë shkruar një libër të rëndësishëm mbi këtë krizë, një libër i cili iu nevojitet të gjithë atyre që janë në politikë dhe atyre që studiojnë politikën. Artan Hoxha thotë se libri përshkohet nga një kërkim shkencor rigoroz duke e bërë atë me të vërtetë, një pikë referimi në diskutime dhe studime të tilla

Nga Artan Hoxha*

Prof. Asoc. Dr Roland Lami dhe Msc. Adela Danaj na prezantojnë një libër shkruar mbi metoda rigoroze akademike dhe me vlera të padiskutueshme për përdorim universitar. Por, në vlerësimin tim, ky libër merr vlera për një auditor shumë më të gjerë se bota universitare. Libri është i dobishëm për këdo që ka një farë përfshirjeje në çështjet e politikes, kombëtare apo lokale, si politikan aktiv, si administrator publik, si konsulent e deri tek gazetarët dhe analistët mediatike.

Këto vlera burojnë nga temat e lëvruara, të cilat përbejnë një këndvështrim ende pak të analizuar deri më sot. Përmes këtyre temave, autorët arrijnë të na japin një analizë të thelluar e me baza shkencore të problemeve të renda me të cilat ndeshet demokracia shqiptare, me fokus ajo vendore, por konkluzionet vlejnë, në masë të madhe, edhe për demokracinë në nivel kombëtar.

Demokracia dhe qeverisja vendore e pas 1991 ka kaluar në disa etapa formuese e reformuese brenda një kuadri më të gjerë të ndërtimit të shtetit demokratik e ligjor dhe ekonomisë së tregut. Reformat decentralizuese nisen që në vitin 1992 me një ligj kuadër për qeverisjen vendore, që i parapriu zgjedhjeve të para pluraliste në nivel vendor, ligj që përmbysi rolet mes dy niveleve ekzistuese – bashkitë/komunat si nivel i parë dhe këshillat e rretheve si nivel i dytë – duke dhënë kompetenca në favor të nivelit të parë si shprehje e parimit të subsidiaritetit.

Gjithsesi, deri në vitin 2000, kompetencat e dhëna me ligj mbeten modeste ndërkohë që sfidat ishin tejet të mëdha edhe për vetë pushtetin qendror, ndërsa burimet jashtëzakonisht të kufizuara. Zgjedhjet e treta vendore në vitin 2000 u paraprinë nga një tjetër ligj për qeverisjen vendore i cili filloi të zbatohej vit pas viti. Për rrjedhojë, roli qeverisës i nivelit të parë u fuqizua ndjeshëm ndërsa niveli i dytë, i agreguar në 12 qarqe nga 36 rrethe, me idenë se kështu do të merrte një rol të rëndësishëm në zhvillimin rajonal, mbeti në nivel foshnjor e duket se e ka humbur për fare rëndësinë pas reformës territoriale në vitin 2015, reforme që reduktoi numrin e njësive vendore të nivelit të parë nga 378 në 61 bashki, duke e bërë këtë nivel edhe më të fuqishëm.

Gjate gjithë kësaj periudhe reformat decentralizuese kanë zënë vend të rëndësishëm në axhendën e politikes vendase, e në një masë të konsiderueshme kane gjetur pasqyrim mediatik si dhe ka tërhequr mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare. Bota akademike shqiptare filloi gjithashtu ta përfshijë këtë temë në studimet e veta. Megjithatë, diskutimi mbi këtë teme u dominua nga pyetje të tilla si: “Çfarë duhet të decentralizohet”, “A ka patur decentralizim” apo “A ka dhënë efekte decentralizimi”. Rreth këtyre pyetjeve janë zhvilluar debate politike e mediatike, analiza & rekomandime konsulentësh, janë mobilizuar fonde dhe janë kryer një mori projektesh. Gjatë së njëjtës periudhe rreth këtyre pyetjeve është mobilizuar edhe bota akademike shqiptare përmes një numri në rritje të studimeve e botimeve.

Në ndryshim nga kjo rrymë dominuese edhe në botën akademike, autorët Lami & Danaj ofrojnë një analizë më në gjenezë të çështjeve të lidhura me demokracinë, atë vendore në veçanti. Ata kanë analizuar sjelljen dhe kulturën politike të dy aktorëve: i) qytetarët, parë si zgjedhës, si përfitues të shërbimeve vendore apo edhe si aktorë civil lokal dhe ii) politikanët si konkurrues në zgjedhjet vendore dhe qeverisësit e njësive të qeverisjes vendore. Autoret, përmes vlerësimeve sasiore e cilësore, gërshetuar edhe me modelet e sjelljes të marra nga literatura ndërkombëtare dhe shqiptare, arrijnë të japin jo vetëm problemet me të cilat ndeshet demokracia vendore shqiptare, e që disa herë ngjajnë si paradokse të pazgjidhshme, por edhe përmasat e këtyre problemeve, njëherazi sfida me të cilat po përballemi për një kohë të gjatë.

Autorët kanë analizuar shkallën e lartë të politizimit të zgjedhësve vendore, kur pritet që ata të jenë ca më pragmatistë e më të lidhur me çështjet e komunitetit të tyre sesa me axhendën e partive politike që mbështesin; kanë analizuar kulturën politike të zgjedhësve dhe mospërputhjet e theksuara mes përkatësisë politike për të cilat shprehen dhe qëndrimeve ideologjike ndaj çështjeve tipike të majta apo të djathta; kanë analizuar sjelljen në zgjedhje të votuesve të rinj duke na dhënë përmasat e fuqisë së ndikimit të familjes dhe arsyet e një inercie zgjedhore familjare që vijon e pa trazuar brez-pas-brezi për një pjesë të konsiderueshme të elektoratit.

Autorët kanë analizuar edhe sjelljen e partive politike dhe të politikave konkurrues në zgjedhjet vendore, teknikat e tyre të komunikimit, qofshin tradicionale apo moderne, qofshin autoktone apo të importuara, e se si e sa kjo sjellje teknike rezonon me sjelljen dhe kulturën politike të elektoratit.

Analizën e mësipërme autorët e vendosin edhe brenda analizës që ata bëjnë kuadrit institucional të demokracisë vendore, sistemit zgjedhor dhe cilësisë së zgjedhjeve vendore. Autorët provojnë se si e sa ky kuadër institucional e zgjedhor ndikon mbi sjelljen e zgjedhësve dhe te të zgjedhurve politike por edhe që, janë këta të dytët që kanë vendosur këtë kuadër, si e sa ai duhet të funksionojë, për t’iu shërbyer axhendës politike.

Për të gjitha këto, autorët kanë arritur ta mbështesin plotësisht titullin pretendues të librit, të tregojnë se demokracia vendore, edhe pse e reformuar në vijimësi, është realisht e thellësisht në krizë, si dhe të na tregojnë sfidat e së ardhmes e çështje që duhen adresuar për të gjetur një rrugëdalje nga ky rreth vicioz.

*President, Instituti për Studime Bashkëkohore

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zhurma mbi vjedhjen e zgjedhjeve është qesharake

Nga Mustafa Nano Ka pasur shitje-blerje votash në këto zgjedhje? Me siguri,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.