Kriza e leximit?! Përplasen Kumbaro, Ymeri dhe shkrimtari Tufa

Kanë qenë dy çështje mjaft të rëndësishme në ceremoninë e djeshme të hapjes së edicionit të 20-të të librit, ku janë përplasur Ministria e Kulturës, botuesi dhe autori; ç’është politikë, ç’është biznes dhe ç’është kulturë?! Debati i vazhdueshëm i taksës së lartë mbi librin, dhe tatimi i lartë mbi të ardhurat për veprimtarinë krijuese; Kumbaro tha se pika e fortë e politikës së saj është “fushata e leximit”; Shkrimtari Agron Tufa ka kërkuar të mos trajtohet leximi si filozofi politike, por kulturore…

Nga Violeta Murati

Pas 20 vjetësh, duke shënuar një jubile historik, ky vit mund të mbahet nga rastet e rralla, pothuaj “të artë” ku janë përballur Ministria e Kulturës, botuesi dhe autori. Kreu i Shoqatës së Botuesve shqiptar, Petrit Ymeri, duke sjellë një reflektim mbi ç’është realizuar nga editoria shqiptare në këto 20 vite, ka ndalur, duke ripërsëritur, në disa probleme ende të pazgjidhura që sot kanë krijuar një nga krizat më të thella, e të rënda për librin: mungesën e Lexuesit. Ai ka faturuar këtë krizë të TVSH-së më të lartë që ka libri shqip, krahasuar me vendet e tjera të Europës, si dhe të ulet tatimi mbi të ardhurat për veprimtarinë krijuese që sot është 15%. “Kemi folur vazhdimisht për përmirësimin e sistemit të TVSH që është një nga pikat kryesore ku duhet ndërhyrë sa më shpejt. Kemi një TVSH 20% në blerje, pra në shtypshkrim, i pangjarë në asnjë vend europian, ku luhatet midis 4 dhe 6%, kemi 0 % në shitje, dhe ky tatim nuk i prek të gjithë operatorët apo subjektet që botojnë. Çfarë kërkojmë: TVSH të ulët, 5%, në blerje dhe në shitje, dhe të përfshijë të gjithë ata që botojnë libra: fondacione, institute, qendra fetare apo kulturore apo çdolloj tjetër. Çdolloj libri që shitet të ketë TVSH. Ato mund e duhet të pajisen me NIPT të veçantë për botimin. Po kështu kërkojmë që të ndahet nga organet tatimore veprimtaria e shtypshkronjave nga ajo e Shtëpisë Botuese si veprimtari me NIPT më vete. Kjo gjë do të zvogëlojë edhe rrjedhjet fiskale. Kërkojmë të ulet tatimi mbi të ardhurat për veprimtarinë krijuese nga 15% në 5 %. Nuk mendojmë se shteti i vjen ndonjë dëm nga kjo gjë, është mendoj e papërfillshme në buxhet, përveç faktit që nuk ka ndonjë kontribut të dukshëm në krijimtarinë e autorëve apo përkthyesve”, ka thënë ndër të tjera Ymeri.

Kësaj “proteste” i është përgjigjur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro – edhe pse të bashkuar në një pikë me botuesit, për fushatën e leximit, – duke thënë se leximi është pika më e fortë e dikasterit që ajo drejton, duke e parë si “qesëndi” ripërsëritjen e problematikës mbi taksën apo bibliotekat. Ka qenë pothuaj si “diktim” nga ana Kumbaros që nëse botuesit duan bashkëpunim apo mbështetje nga qeveria, si në rastin e taksës mbi librin, duhet të pranojnë më parë “nxitjen e leximit”, si aktivitet, se kështu zgjidhen të gjitha problemet e tjera. “Në programin tonë për leximin, jemi në pikën më të fortë për të mos gjykuar njëri-tjetrin. Unë i kuptoj qesënditë që shoqëruan dy vjet më parë, kur Ministria e Kulturës e theksoi shumë fort që politikat e librit e të shtetit duhet të jenë të drejtuar te lexuesi me L të madhe, sepse pa lexues nuk ka as botues, as përkthyes, as autorë, vdes edhe libri vetë. Ne, duam në këtë të jemi bashkë, pa qesëndisur, të natyrës që ju merreni me leximin, ne s’kemi biblioteka, ju merreni me lexime ne kemi hallin e taksave. I pranoj të gjitha këto probleme. Ju siguroj se nëse nxisim leximin si aktivitet emancipimi, edukimi zgjidhim njëkohësisht edhe shumë probleme të tjera. Bashkojmë radhët tona, dhe këtu jam me ju edhe në betejën financiare për të ulur taksën. Edhe unë s’jam dakord për 15% mbi krijimtarinë. E kemi diskutuar edhe në nivel politik në komisionet parlamentare, dhe brenda qeverisë. Sigurisht nuk mund të fitohen të gjitha menjëherë. Por është një argument nuk do reshtë së harxhuari gjithë energjitë e mia edhe mjetet e mia qeveritare”, është përgjigjur Kumbaro. Por tjetër ashpërsi ka pasur shkrimtari Agron Tufa, duke përmbysur gjithë “vizionin” e shtruar nga ministrja Kumbaro, në përpjekje për t’i dhënë leximit një orientim politik. Mbi këtë Tufa ka përjashtuar totalisht përfshirjen politike në krizën e leximit, duke e parë këtë situatë si filozofi kulturore. Në këtë vend, rrallë dëgjohen shkrimtarët, përveç kortezisë dhe prezencës si objekt. Mbi këtë Tufa është nga të vetmit intelektualë që e nxit përplasjen, ku në këtë rast, në fjalën e tij tha: “Kemi një plagë shumë të madhe e cila tashmë, po druaj se po kalon në një formë përbindëshe, ky është lexuesi. Lexuesi, ai i cili, po na torturon në gjitha format, dhe ne, mbase nuk po gjejmë rrugët e duhura dhe një filozofi kulturore jo një filozofi politike sepse ajo është e mirëpritur. Por, në këtë rast duhet të bashkëpunojnë një filozofi politike dhe një filozofi kulturore e shoqërisë që së bashku të mund të sjellim atë që mungon: lexuesin. Dhe jo atë sindromë, për t’ju shmangur asaj, që për shumë vite në Shqipërinë postkomunsite të atyre që i zë libri. Ministria e Kulturës dhe Arsimit në rrafshin politik kanë platforma të cilët duhen të kombinojnë në një marrëveshje pa asnjë lloj hezitimi dhe paragjykimi, për shkak se kemi të bëjmë me fatin e brezave që po rriten mes një akulturimi të llahtarshëm…”.

Ndërsa këto u panë me shumë delikatesë, një tjetër çështje që ka pasur më shumë “qesëndi” ishte: biblioteka. Mungesa e leximit, tirazhet e ulëta, mosshitja e librit shqip është parë nga tre palët si shqetësim, por duke marrë secili pozicion. Ymeraj në fjalën e tij tha se: “Një problem i madh mendoj, madje duhet shpallur si prioritet kombëtar, duhet të jetë pasurimi i bibliotekave publike, të shkollave, institucioneve arsimore publike, të bashkive e komunave. Këto furnizime të bëhen të hapura, transparente, jo me lista klienteliste, por bazuar në vlerat e librave e autorëve. Të mos këmbëngulet në investime ndërtimore por në pasurime me libra. bibliotekat i bëjnë librat, jo tullat dhe pllakat e bukura apo vetratat. Libri e zbukuron bibliotekën”.

Këtij shqetësimi të botuesit, ministrja i ka dhënë përgjigje: “Jemi të gjithë dëshmitarë për faktin me Bashkinë e Tiranës, jemi në një program rigjenerimi dhe kuptohet nuk bëhet fjalë për tulla e vetrata, por bëhet fjalë për aktivitete të cilat nuk mund të jenë vetëm të librit sepse natyra e librit sot është e tillë, që nuk e ka më, rolin e Princit të kulturës, që ka pasur dikur, kjo është pjesë e evolucionit të shoqërive tona”.

Çfarë duhet bërë për leximin? Si mund të shkohet te lexuesi? Ndjeshmëria e drejtpërdrejtë e një autori, në këtë rast, çfarë ka reflektuar shkrimtari Agron Tufa në dëgjesë mes institucionit dhe botuesit, pra politikës dhe biznesit, ishte “Unë mendoj se duhet rregulluar një pikë: t’i shkojmë lexuesit. Atij nuk i shkohet ndryshe nëse libri nuk shpërndahet mirë. Nëse ne kemi menduar një shtet brenda shtetit Tiranën, dhe kemi pushuar së menduari se ekzistojnë një sërë qytetesh të mëdha, dhe provincat e Shqipërisë ku nuk shkon libri. Për më tepër edhe në rastet kur shkon, na ka dalë një instancë e çuditshme që quhet librashitës, dhe ai përfundimisht merr vendimet, ekzekuton dhe të pranon se çfarë libri të shes, çfarë libri të marr, dhe çfarë libri të porosis. Për ata ekziston miti i pashembshëm, letërsia e huaj, klasikja apo moderniteti, dhe flijohet në këtë vend autori shqiptar. Ne duhet të pranojmë mëshirën e formimit të këtij librashitësi, që është një kategori tashmë sociokulturore. Pra, si mund të rregullohet, retorikisht, ky segment zonja Ministre, e zotërinj botues, dhe çdokush tjetër që merret me instancat e arsimimit dhe kulturimit, që ne shpartallohemi në këtë segment nga prodhimi i librit, te shtëpitë botuese deri te pikëmbërritja në vende të ndryshme nëpër qytete e fshatra të Shqipërisë, ku aty na pret sfinks, që quhet librashitësi. Çfarë duhet të bëjmë që të harmonizohet bashkëpunimi ynë, që ne këtë urë të mos e mbajmë të shembur, midis prodhuesve të librit, dhe pikëmbërritja e tij e vërtetë?! Iniciativat e Ministrisë së Kulturës janë për t’u përshëndetur, duhen të shumëfishohen, me ndonjë alternativë jo aq shumë konkurruese, por aq sa për të bërë në vendin tonë një atmosferë familjare të vatrës që të quhet: shtëpia jonë, ambienti ynë letrar. Dhe për këtë nuk mjafton vetëm forcat e politikës kulturore shtetërore, duhen edhe alternative”. Ky ka qenë leximi i ceremonisë së djeshme, jubileut që shënoi 20-vjetorin e ndërtimit të panairit të librit në Tiranë, me probleme ende të pazgjidhura sa politike, aq edhe kulturore mes shtetit, botuesit dhe autorit. Lexuesi është vetëm një viktimë.

 

Fatmir Toçi: Kemi një sistem fiskal që nuk e stimulon botimin

Desha të riktheksoj se problematika, për fatin e keq, të botimeve shqiptare vazhdon të jetë, si përgjatë gati 30 vjetëve siç ka qenë. Kemi një sistem fiskal që nuk e stimulon botimin, nuk e stimulon krijuesin të shkruajë libra, aq më tepër si puna më e papaguar në Shqipëri, duke qenë se kemi një sistem të deformuar të TVSH-së së librit, në dukje nuk ekziston. Por praktikisht gjithë sistemi fiskal që vjen mbi librin pasqyrohet në koston e botimeve, dhe ky taksim shkon te lexuesi ashtu si thotë Umberto Eco, shkon te leximi. Kjo është një gjë që do pak dashamirësi e sqaruar në strukturat përkatëse që merren me ekonominë për ta rregulluar më lehtë. Nëse Eco thoshte mos tatoni leximin, ne kemi një ligj që thotë për tatimet e dyta, të ardhurat dytësore që vijnë nga veprimtaria krijuese, që sot është 15% që mund të vihet sot në fokusin e një rishikimi, për arsye se ne nuk tatojmë vetëm leximin, duke iu vënë taksa librave. Por tatojmë edhe dëshirën për të shtuar tek autorët pasionin e tyre për të botuar libra, dhe kjo nuk i shërben aspak kulturës kombëtare. Një nga vlerat më të mëdha që ka pasur kjo nismë, si panairi i librit, ky takim tradicional, është i pari aktivitet në botën shqiptare që ka ruajtur vazhdimësinë, që në disa ditë brenda një viti e gjitha bota shqiptare është e pranishme: autorët, lexues, botues nga gjitha trevat Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, diaspora.

.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zgjedhja e kryeprokurorit nuk është çështje juridike, është çështje politike

Nga Ervis Iljazaj Ditët e fundit, mënyra e zgjedhjes së kryeprokurorit dhe...
Read More