Kriza e lidershipit në PD dhe si zgjidhet

Nga Ndriçim Kulla

Problemi më i madh i PD-së sot është se në këtë parti ka një krizë të thellë lidershipi. Tani kjo gjë nuk mund të fshihet më. Pyetja është: A mos ishte i nxituar dorëzimi i partisë në 2013 nga Sali Berisha te Lulzim Basha? Ne kemi parë se në Perëndim liderët nuk zëvendësohen artificialisht, por kur del një pasardhës i aftë. Nëse lideri gëzon shëndet të mirë dhe nuk ka dalë një pasardhës i aftë për ta zëvendësuar, ai vazhdon qëndron në detyrë. Shembuj për këtë ka plot.

Adenauri, ati i Gjermanisë demokratike (Jo RDGJ-së por asaj perëndimore, vërtet demokratike), ishte në politikë si kancelar (kryeministër) deri në moshën 87 vjeç, madje në këtë moshë ishte kancelar (kryeministër) që prej 14 vjetësh. Adenaueri kishte qenë në politikë që në vitet ’20, për më shumë se katër dekada. Dhe të tillë shembuj nuk janë të paktë. Miterrandi ishte në politikë deri në moshën 79 vjeç, dhe në këtë moshë përfundoi mandatin e dytë shtatëvjeçar si president i republikës franceze. Ai kishte qenë në politikë, në poste të larta që në fillim të viteve pesëdhjetë. De Goli gjithashtu u largua nga politika në moshën 79 vjeç, duke qenë President i Francës. Në Itali, Sandro Pertini i konsideruar si ikona bashkuese e së majtës u bë president i republikës, pikërisht për këtë arsye, në moshën 82 vjeç, dhe u largua nga politika kur la postin në moshën 89 vjeç.

Në Irlandë, Eamon de Valera u rikthye në pushtet në vitin 1957 në moshën 75 vjeç, si kryeministër dhe u largua nga ky post dy vjet më pas sepse u zgjodh President i Irlandës, post të cilin e mbajti për dy mandate shtatëvjeçare deri në vitin 1973, kur u largua nga politika në moshën 91 vjeç. Ai kishte qenë në politikën e vendit të tij për gjysmë shekulli, dhe kishte qenë për herë të parë kryeministër në vitet tridhjetë. Babai i Koresë të Jugut demokratike dhe të zhvilluar, Syngman Rhee, u bë president me fuqi të mëdha në vitin 1948, në moshën 73 vjeç dhe e mbajti këtë post për 12 vjet deri në 1960.

Të gjithë këta liderë kanë patur një gjë të përbashkët. Ata kanë gëzuar shëndet të mirë dhe nuk kanë pasur alternativë për një kohë të gjatë në lidershipin e lëvizjeve të tyre politike. Fakti që kanë qenë gjatë në politikë, nuk do të thotë se janë të ngjashëm me diktatorët. Ndryshimi i madh midis tyre dhe diktatorëve është se ndërsa diktatorët kanë qëndruar pa ndërprerje në pushtet deri në vdekje, këta liderë kanë dalë në opozitë, janë rikthyer në pushtet me votë, kanë dalë përsëri në opozitë, janë rikthyer në pushtet.

Meqenëse ky fenomen ka ndodhur në botën e zhvilluar demokratike, nuk ka arsye pse të mos ndodhë edhe në Shqipëri. Mund të kishte ndodhur në PS, nëse pasardhësi i Nanos, Rama nuk do ta kishte treguar veten si lider i aftë për ta sjellë partinë në pushtet, madje duke i fituar zgjedhjet me një mazhorancë vetëm të partisë së tij në 2017. Tani është PD-ja që ballafaqohet me një situatë si ajo që thashë më lart, të ndryshimit artificial të liderit që ka çuar në krizën e lidershipit.

Në PD duhet të nisë një diskutim serioz për atë nëse zëvendësimi i Berishës me Bashën ishte ose jo artificial. Sali Berisha gëzon shëndet shumë të mirë në moshën 73 vjeç. Ai madje është më energjik se pasardhësi i tij Basha që është 30 vjeç më i ri. Berisha është shumë më i aftë si politikan dhe lider se Basha. Prandaj a mos është me vend që z. Basha të reflektojë dhe të marrë një vendim kurajoz për atë nëse duhet ta mbajë më gjatë barrën e rëndë të liderit për të cilën po duket se nuk ka shpatulla? Basha mund të jetë një shumë më mirë në rolin e të dytit që vjen pas liderit dhe atje të tregojë aftësitë e tij. Historia politike e botës demokratike ka shumë shembuj që na tregojnë se politikanët e tipit të Bashës janë më komodë, më rezultativë në rolin e njeriut të dytë pas liderit, se në rolin e liderit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjuhëtarët të shqetësuar: T’i mësohet shqipja mërgatës!

Edicioni i 36-të i seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe kulturës shqiptare ka...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.