Kriza e zgjedhjeve: ‘Krushqit e ngrirë’ të negociatave

Palët politike që duhet të zgjidhin krizën nuk kanë qenë në gjendje të nisin dialogun dhe vijojnë të bëjnë ftesa në distancë edhe pse pak metra nga njëri-tjetri. Ndërkohë partnerët ndërkombëtarë nuk duken të angazhuar në ndërmjetësim

Nga Vladimir Karaj

Eposin e Kreshnikëve, krushqit e Gjeto Basho Mujit kënduan ndër mrize të zanave dhe përfunduan të ngrirë. Ngase është epos përpjekja e Mujit për t’i shkrirë krushqit përfshinte kapjen e tri dhive të egra ndër bjeshkë. Kështu i detyroi zanat të shkrinin krushqit dhe t’i kthenin nusen. Në aktualitetin politik shqiptar Jutbina me gjithë bjeshkë është vetëm një dorë hapash nga çadra deri në zyrën e kryeministrit, mirëpo negociatorët që duhet të rregullojnë një takim mes kryeministrit dhe kreut të opozitës janë tretur në këtë hapësirë.

“Lulëzim sot 3 ditë që pres vendin/orën për të nisur dialogun pa kushte! Gjejmë zgjidhje votojmë Vetingun shkojmë në zgjedhje. Mos ki frikë!”, shkroi Edi Rama me ironi në Twitter. Lulzim Basha u përgjigj se dhe ai po priste. “Kemi 36 orë që i kemi vënë në dispozicion negociatorin tonë dhe do ta ketë në dispozicion nëse me të vërtetë do dialog. Dialog për zgjidhjen e krizës politike përmes formimit të një qeverie teknike”, deklaroi Basha.

Në kohën kur komunikimi është i lehtësuar sa më s’ka dhe kur Basha e Rama për shkak të afërsisë së pozicioneve fizike mund të komunikojnë me njëri-tjetrin edhe më zë të lirë, kjo humbje “krushqish” në mes të rrugës tregon se me gjasë palëve iu mungon ende vullneti për të zgjidhur atë që kanë lidhur. Kreu i LSI, Ilir Meta, i cili ndodhet me zyrë po ashtu jo shumë larg çadrës dhe kryeministrisë dhe që ka ndërmarrë, si edhe më herët detyrën e lehtësuesit të bisedimeve, duke i vënë palët para një gjelle gjysmë të gatshme me vënien në dispozicion të mandateve të LSI në qeveri dhe marrjen e krahut të opozitës për zgjedhjet, po ashtu vijon të jetë i paqartë publikisht mbi mënyrën si dilet nga kriza. Qeveria e besimit thotë ai mund të jetë edhe një me Ramën kryeministër edhe pse është e qartë se nëse në tavolinë diskutohet qeveria do ishte e habitshme që opozita të hiqte dorë nga pozicioni i saj për të kërkuar largimin e tij.

Dje Meta sërish foli për stabilitet. “Është shumë e rëndësishme të gjendet një zgjidhje në ditët që vijnë. Ne do të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të ecë në rrugën e stabilitetit, të legjitimitetit të institucioneve dhe të paqes sociale”, tha kreu i kuvendit.

Por si në epos, edhe pse nuk kanë detyrë kreshnikësh, politikanët kryesorë në vend duket se janë në gjurmim të “dhive të egra” dhe zanave për të shpëtuar prej krizës. Ata komunikojnë më së shumti me veten, ndërsa i përgjigjen jehonave të thirrjeve të tyre. Me gjithë presionin e madh ndërkombëtar përfshi edhe një rezolutë të Partive Popullore që bënte thirrje për zgjidhje përmes institucioneve dhe dialogut politik, palët janë ende pa një axhendë takimi, që bën të duket se shohin leverdi të veçantë te konflikti politik edhe pse retorika rreth këtij është bërë monotone tashmë. Ndërkohë po dje Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka dorëzuar listën e kandidatëve Avokatit të Popullit me rekomandimet e reja dhe të hënën parlamenti do duhej të fillojë punën për të vënë në jetë kushtetutën e miratuar me 140 vota.

Kjo me gjasë do e rrisë presionin mbi palët për të dalë nga kriza. BE dhe SHBA kanë shprehur publikisht se për ta, si financues dhe bashkëshkrues Reforma në Drejtësi është e një rëndësie të veçantë. Madje një nga arsyet pse opozita e ka pasur të vështirë të fitojë simpati për bojkotin ndaj institucioneve, qëndron në faktin se ky bojkot saboton në një mënyrë ngritjen e institucioneve që do të kontrollojnë gjyqësorin. Opozita e ka kundërshtuar këtë duke thënë se ajo është gati të votojë, por duke ruajtur rezerva për një nga ligjet i cili edhe pse ka kaluar përmes Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Kushtetuese shihet prej saj si i kontestueshëm. Përndryshe qeveria e cila nga ana e saj është nën presion për shumëfishimin e kanabisit të mbjellë në vend dhe frikës legjitime të opozitës se kjo mund të ndikojë në zgjedhje, po e përpiqet ta fokusojë vëmendjen të “frika” që sipas saj ka opozita për reformën.

Të dyja palët janë angazhuar po ashtu në aktivitete lobingu për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për kauzën e tyre. Një investigim i BIRN tregonte se të paktën dy parti politike kishin harxhuar disa dhjetra mijëra dollarë në kërkim të takimeve me përfaqësues politikë në SHBA. Qeveria nga ana e saj edhe nëse nuk është duke paguar të paktën deri tani, duket se po përdor kanalet e saj zyrtare për të tërhequr vëmendje dhe “vjedhur” deklarata në favor të saj.

Ndërkohë përndryshe nga sa debatohet publikisht lobingjet kanë lënë të kuptohet se interesi kryesorë është reforma në drejtësi edhe pse negocimi po bëhet përtej saj dhe kryesisht mbi zgjedhjet. Për krizën e fundit ndërkombëtarët, përveç disa inkursioneve jo fort bindëse janë më shumë jashtë negociatave ose tentativave për t’i ulur palët, duke i lënë të dalin vetë prej krizës, me parimin se kjo është çështje e partive politike shqiptare.

Në tavolinën e negocimit palët sidoqoftë kanë vendosur të tjera objekte. Opozita është duke kërkuar qartë largimin e Ramës. Qëndrimet publike të kreut të PD thonë se ai nuk do të ulej në tavolinë bisedimesh pa pasur në të dorëheqjen e kryeministrit. Çdo mundësi tjetër PD e ka quajtur ose humbje kohe ose pazar politik të cilin nuk e do. PD po ashtu thotë se kjo garanton që dialogu nuk do të jetë fasadë, ndërsa ka bërë të dukshme kërkesën edhe për shtyrje të zgjedhjeve. Ish-kryeministri Sali Berisha provokoi duke i propozuar Ramës të konsumonte mandatin kushtetues deri në 18 qershor dhe pastaj vendi të kishte qeveri teknike. Nuk dihet pas kësaj sa do të shtyheshin zgjedhjet. PD këmbëngul se qeveria teknike do ketë për detyrë të luftojë kanabizimin e vendit, të bëjë dekriminalizimin dhe të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ajo thotë se nuk negocion asnjë nga pozicionet e saj. Ironia këtu është se të paktën pika e parë e kërkesës së PD-së mund të dojë të paktën disa muaj në mos vite.

Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër është i gatshëm të negociojë por pa axhendë. Rama edhe pse ka lënë të kuptohet se pranon të diskutojë qeverinë teknike në negocim, nuk duket se ka ndërmend të ulet në tavolinë duke ia dhënë opozitës apriori këtë kusht. Rama ndërsa fton për dialog i qëndron publikisht qëllimit për të shkuar në zgjedhje i vetëm.

Kjo ka lënë të hapur mundësinë e ndikimit të palëve të treta. Lëvizjet e LSI që mban në këmbë koalicionin qeverisës mund të jenë vendimtare në këtë proces. Kjo e fundit bëri një shkundje të fortë të procesit duke deklaruar se vendoste mandatet e saj në qeverisje në dispozicion të opozitës. PDIU po ashtu pjesë e shumicës është duke këmbëngulur për dialog, por nuk ka qenë aq radikale sa partia e Metës. Ben Blushi ka avancuar një axhendë më radikale. Edhe pse Blushi ka refuzuar qëndrimin e opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje ai bëri publik mundësinë e një zgjidhje force. Në kuvend Blushi ka deklaruar se “dy votat e Librës në parlament janë në dispozicion për të rrëzuar Ramën nga Kryeministër”. Një mocion mosbesimi për kryeministrin mund të plotësonte kërkesën bazë të opozitës, por aleatët e Ramës nuk duket se janë në këtë pikë që do e rrëzonte përfundimisht koalicionin mes tyre. Kjo duket se i mban palët pezull. Ata janë kreshnikë të bulevardit kryesorë të Tiranës në kërkim të tri dhive.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Berisha, i parëndësishëm për shqiptarët. A do të zgjohen në PD?

-Komunikimi politik nga A në Zh Nga Julian Zyla Ka një rregull...
Read More