Krizat që krijohen nga vullneti politik

Nga Ervis Iljazaj

Vullneti politik, ndoshta është termi më i përdorur që kemi dëgjuar kohët e fundit në këtë periudhë krize politike. Thirret në ndihmë si e vetmja mënyrë për të shpëtuar situatën ku ndodhemi. Paradoksalisht jemi në krizë politike konstante edhe për shkak të vullnetit politik të politikanëve tanë.

Shumë ndryshime kushtetuese apo marrëveshje kanë qenë në dëm të ndërtimit të një rendi normal, ku rregullat e lojës janë hartuar për interesa të ngushtë momentalë të njërës apo tjetrës palë në dëm të funksionimit të institucioneve të pavarura të cilat kanë për detyrë të zgjidhin këto kriza.

Edhe në momentin absurd politik aktual që po kalojmë, mendohet se vullneti politik, për të zgjidhur atë, mund të ndryshojë çdo gjë dhe çdo parim që ekziston për një garë politike normale.

Në të vërtetë, zgjidhja duhet kërkuar totalisht nga e kundërta. Vullneti politik i palëve nuk duhet kurrsesi të tejkalojë principet bazë të një demokracie kushtetuese. Deri më tani, konsolidimi i demokracisë në Shqipëri ka vuajtur edhe nga kjo praktike aspak e shëndetshme.

Është politika që duhet t’u bindet parimeve thelbësore dhe jo e kundërta, ku parimet bëhen dhe zhbëhen sa herë që palët nuk gjejnë dot gjuhën e përbashkët brenda këtyre parimeve kushtetuese. Nëse vazhdojmë në këtë mënyrë jemi totalisht në rrugën e gabuar. Kjo nuk është gjë tjetër përveçse instalimi i një partitokracie nga e cila nuk do shpëtojmë kollaj. Dihet patologjia e politikës drejt pushtetit absolut duke qenë se bazohet në interesa të mirëfilltë të njëanshëm dhe jo në interesa kombëtarë. Dhe kësaj patologjie mund t’i vërë fre vetëm kufizimi i pushtetit politik që vjen si pasojë e zbatimit të Kushtetutës.

Në këtë kuptim dua t’i kthehem edhe njëherë debatit për zhvillimin e datës së zgjedhjeve, që me sa duket është edhe çështja më e nxehtë për sa i përket paketës së marrëveshjes që po diskutohet midis mazhorancës dhe opozitës në këto ditë.

Në të gjitha mendimet që qarkullojnë në media këto ditë, një gjë është më se e sigurt, Parlamenti i ri duhet të mblidhet në datë 9 Shtator, atëherë kur mbaron mandati i këtij Parlamenti. Në të kundërt pushteti i tij do të zgjatej më shumë kohë seç e ka mandatuar populli shqiptar.

Nëse ndodh kështu, atëherë me ç’të drejtë do të vazhdojnë të qëndrojnë akoma në fuqi pushtetet në këtë vend? Aq më tepër kur ne jemi një Republikë parlamentare dhe të gjitha pushtetet e tjera burojnë nga ky institucion.

A ekziston më vullneti politik nëse vetë këta që na përfaqësojnë e kanë këtë të drejtë deri në datën 9 Shtator?!

Në këtë kuptim, data e zhvillimit të zgjedhjeve ka vend për diskutim vetëm me një kusht. Data e zgjedhjeve edhe mund të ndryshoje por, duhet të jetë një datë brenda një afati kohor që mundëson mbledhjen e Parlamentit të ri në datë 9 Shtator.

Jo çdo ndryshim kushtetues mund të varet nga vullneti politik. Ka disa parime kushtetuese të cilat as vullneti politik i përbashkët politik nuk mund t’i ndryshojë. Në të kundërt, do të ishte shqetësuese për fatin e këtij vendi.

Kështu që, as zhvillimi i zgjedhjeve nuk varet nga dëshira e Lulzim Bashës dhe as zgjatja e mandatit të Parlamentit nuk varet nga vullneti i Edi Ramës. Nëse do të ishte kështu, atëherë do të krijohej një precedent tejet i rrezikshëm në tentativën tonë për të krijuar një rend politik të qëndrueshëm.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Edhe një fytyrë bosh flet

Nga Holta Heba* Shprehja e fytyrës në komunikim me të tjerët është...
Read More