Kronikë e një vrasje të (pa) paralajmëruar

Shënime për romanin Rrënimi të Leonard Veizi, botim i shtëpisë botuese “Buzuku”, Prishtinë

Nga Behar Gjoka 

Romani “Rrënimi” titullohet libri më i ri i autorit Leonard Veizi.  Ky tekst pason librat e tij në prozëshkrim, ku vihet re se bëhen gjithsej gjashtë romane, si dhe katër libra me tregime dhe novela. Duke parë librat e botuar në këto vite të autorit, pra si lëvrues i prozës së shkurtër dhe të gjatë, vetvetiu më erdhi në mend ajo që pati pohuar dikur Julio Cortazar, ku mes të tjerash, theksonte: “Tregimi është gjithmonë veli i artë, ndërsa romani është historia e kërkimit të velit të artë.” Në këtë rast, pra të një autori që i ka lëvruar zhanret e prozës, natyrshëm vjen pyetja, në cilin prej zhanreve të prozës ka prurje më të spikatura letrare? Një çështje me vete, që mbetet e hapur për ta parë në ndonjë rast tjetër, si një mënyrë e verifikimit të shkrimit të prozës.
Ndërkaq nuk duhet harruar se me shkrimin e prozës, është një proces i hapur, që jo rrallë ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës letrare, për librat e botuar. Megjithatë, në këtë paraqitje të librit më të ri të autorit, si tipar kryesor mbetet fakti se jemi në shkrimin e prozës, që në linjat më kryesore, shpërfaq një përvojë të realizimit të saj.

Konkretja si realitet letrar

Kamera, futet në vorbullën e kohës, madje të fokusimit të momentit të hidhur kur po jetojmë, mbase edhe si një marrëdhënie e autorit, me këtë realitet, si gazetar. Jemi pikërisht në rrethanën e pazakontë, kur realiteti konkret është më absurd dhe më surreal se sa vetë arti dhe letërsia. Teksa lexon, me vëmendje dhe ankth, faqet e librit, gjithnjë pushtuar nga makthi i ndodhive makabër, ke ndjesinë e fortë se më tepër je në jetën reale, në realitetin e vrazhdë ku tashmë dukshëm janë përmbysur vlerat humane dhe njeriu është më vetmitar dhe i zbuluar para mbrapshtive të politikës dhe krimit të organizuar. Teksti dhe struktura romanore, krejt natyrshëm, krijojnë atmosferën e gjallë të tablosë së përditshmërisë, ku ndërkohë në secilën ditë rrëzohet në humnerën ekzistenciale, individi dhe shoqëria shqiptare.

Pamjet konkrete, të krimit të organizuar, të korrupsionit në nivelet më të larta të administratës shtetërore dhe të biznesit privat, e sidomos të kapjes së shtetit nga mafia, që ofron teksti i romanit “Rrënimi”, ndonëse në tekst shpesh feksin hije fotografizmi, të një natyralizmi të ngrirë, që jo rrallë të fanit reagimin mediatik, megjithëse nuk ka rënë përfundimisht në shtjellat informuese, të bind më në fund se realiteti letrar, është ngritur mbi konkreten e ditëve të sotme. Jeta tepër e vështirë e njeriut, në aspektin shoqëror dhe politik, ka çaste kur e tejkalon letërsinë dhe artin.

Mesazhet që lëshohen në faqet e romanit, krejt të hapura, teksa përcillet shëmtimi i demokracisë, së brishtë dhe jofunksionale, të ndërmendin atë që pohonte më herët Rousseau-i: “Njeriu ka lindur i lirë dhe kudo është i lidhur me zinxhir.” Hedhja e vështrimit në fatin e qenies, në hemisferat e jetës individuale dhe shoqërore, sidomos në marrëdhëniet e ndërlikuara me kohën, me shtetin e korruptuar gjer në palcë, gjë që në fakt përbën shtratin ligjërimor, përfaqëson atmosferën e plotë të tekstit, që hedh dritë në terrin e ndritçëm dhe tejet të errët në të cilin gjellojmë. Përditshmëria e lodhshme, gjer në rraskapitje, fiksuar në qendër të veprës, kuptimësohet nëpërmjet shumështresëzimeve semantike dhe shprehëse.

Libri, në një masë të caktuar, ngërthen tiparet e romanit policesk-pa qenë mirëfilli i tillë, po kaq të romanit shoqëror dhe psikologjik (si klimë shoqëruese e tekstologjisë), duke formësuar kështu një tip romani me shumë rrafshe dhe anë, të cilat shpalosen përmes realizimit pa cak, që enkas zbulon gjithçka të kësaj kohe, në gjithë lakuriqësinë e vetë, përpara lexuesit. Përvoja e gjatë e gazetarit, për ta gjurmuar të vërtetën, pavarësisht se ku fshihet ajo, e bashkëshoqëruar me përkujdesni e shkrimtarit, që jeta reale tashmë të futet në kornizat e kumteve letrare, shënjojnë dy shinat e zbulimit të universit shkrimor të romanit.

Fundi tragjik i gazetarit, që vjen si furtunë në gotë, pra larg “haapy end”-it, që e ndeshim shpesh në prozën shqipe, vjen e treguar si një befasi, që vë në vështirësi kompromiset e pranishme të medias me politikën dhe me krimin. Vendosja në qendër të romanit, pikërisht e momentit të tanishëm, si një kredhje qëllimore në ndodhitë e kohës, të cilat janë më surreale se vetë letërsia, është gjetje, por edhe risk, për të rënë në vështrim analitik, që buron nga makthi i realitetit konkret.

Formësimi kompozicional dhe strukturor

Teksti “Rrënimi”, me një hapësirë tekstologjike romanore, pra të gjerë, të pasur në linja dhe problematika, në shtjellimin e kohës reale, e fiksuar si kohë artistike, e rrafsheve të shumëfishta kuptimore dhe artistike, në pikëpamje të sendërgjimit të plotë të shenjëzimit artistik, veçmas tjerash, zbulohet në dy nivele, që janë realizuar si të ndërthurura dhe evidentohen  në marrëdhënie të ndërsjellë:

A – Niveli klasik i strukturimit, ose makrostruktura e librit, që përbën thelbin e shkrimit të zhanrit, ku bie në sy fare thjesht, i cili përmblidhet dhe shpalohet në njëmbëdhjetë krerë. Episodet e konceptuara si krerë të librit, relativisht janë të gjatë dhe organizojnë dhe shpalosin ndodhitë e shumta të romanit, skicojnë fabulën tërësore, si dhe konfigurojnë morinë e personazheve të librit, një pasuri e përveçme e prozëshkrimit të autorit, që lëvrijnë në hapësirën e tekstit, e cila madje përbën bazamentin e ngrehinës së romanit.

B – Nivelin dinamik të botëperceptimit strukturor, ose mikrostruktura e kësaj proze, gjithnjë brenda strukturës së parë, që e pasuron dhe zgjeron frymimin e saj. Vihet re, se në hapësirat e secilit prej krerëve të librit, që përkon me lëvrimin e zhanrit të romanit, po ashtu ato paraqiten të ndara në gjashtë episode, ku madje shpesh herë ngjet largimi i beftë, me dhe pa shkak, i personazhit të pranishëm, që madje ngjet me një shpejtësi rrufe, si dhe hyrja e një protagonisti tjetër në skenë, gjë që në fakt shënon pauzë të ngjarjeve dhe vonesën narrative, që e rrëshqet natyrshëm shkrimin e prozës në shtjella bashkëkohore.

Gërshetimi i të dy niveleve, të një kompozimi të beftë, pra klasik dhe dinamik, u ka dhënë ngjarjeve dhe vetë fabulës së pranishme, e cila ngërthen në vetvete një mori ngjarjesh nga më të çuditshmet, si dhe kumteve të tekstit një temporitmikë tjetër, ku megjithatë ngjyresa klasike përfaqëson fondamentin e sendërtimit romanor, e po kaq të tonaliteteve realiste, të skalitura në vatrën e realitetit konkret, aq i vrazhdë e telendisës, për ekzistencën e qenies shqiptare, në këto çaste.

Parakalimi i personazheve

Personazhet e shumtë të romanit, pavarësisht hapësirës që ata zënë në këtë tekst, në dhënien e tipareve fizike dhe morale, konfigurohen dhe portretizohen si të individualizuar, në tërësinë e vetë. Nga njëra anë, ke përshtypjen se më tepër janë personazhe të marra në rrjedhën e kohës, pra të realitetit të aktualitetit, gjë që ju jep atyre një pamje konkrete dhe të besueshme.

Nga ana tjetër, vetë larmia e figurimit të narratorit, përshkrimi i detajuar i mjediseve, ku luhen ngjarjet, replikat e shumta, madje shpesh të ashpra, që shkëmbejnë në tekst, bëjnë të mundur mishërimin e tyre, si personazhe letrare të këtij romani. Në hapësirat e tekstit, pra të librit të dhjetë të autorit, parakalojnë dhe lënë gjurmët e tyre, shumë protagonistë, që kanë peshë të ndryshme, kryesore ose dytësore, në ndodhitë e romanit, veçmas në shënjimin letrar të atmosferës që përcillet.

Themi parakalojnë sepse personazhet e romanit, ashtu siç ngjet në jetë, ndalen vrulltas e me po kaq me shpejtësi, mandej rishfaqen përsëri aty, për të rrëfyer atë që nisën në episodet e tjera. Një ikje dhe ardhje e rrufeshme, megjithatë e organizuar, i bënë ato pjesë e konturimit të kohës.

Kurba e lëvizjes së tyre, e paraqitur në qarkun e hapësirës romanore, ndërkaq dukshëm krijon rrethanën e kundrimit të tyre, edhe në përqasje të ndërmjetme, madje ndonjëherë edhe në pranvënie të befta, të natyrës së tyre karakteriale. Aq më tepër, që linjat intime dhe shoqërore, më tepër vijnë e plasohen të ndërthurura ndërmjetshëm, dhe të japin dorë për të zbuluar dritëhijet e personazheve.

Në mesin e personazheve, në syrin tim, si më i ploti dhe më kompleksi, me gjasë edhe si epiqendra e realitetit letrar, veçohet Martini, arkitekti i hotelit, që në fund të librit hidhet në erë, si një fat që paralajmërohet gjatë tregimit të ngjarjeve. Martini është figura qendrore e romanit, ku madje edhe pikëtakohen fatet e personazheve të tjerë, e linjave të ndryshme, e përplasjes së linjave intime dhe shoqërore. Po kaq, nëpër shtjellat ligjërimore të jetës së inxhinierit, që nuk merret vesh është një ëndërr e shfaqur apo zhgjëndërr e përjetuar, e plakut që i shfaqet në momentet e ankthit personazhit kryesor të romanit.

Plaku, figura më interesante dhe enigmatike e këtij teksti, e gdhendur deri në skalitje, një mister që çapon hapat e qenies, e cila më tepër buron nga nënvetëdija e arkitektit, me shumë gjasa shqipton praninë e Tjetrit, një gjendje që e përmend Ernesto Sabato, përsëdytësit të njeriut, që ka shumë raste që fle, si në fashitje, në subkoshiencën e njeriut.

Përballë arkitektit qëndrojnë të tjerët, Ingridi, gruaja e bukur “sygjarpër”, drejtori ekzekutiv, Aleksi, miku i hershëm, e sidomos Gregu, që e gjurmon arkitektin për ta qëlluar me plumba. Po ashtu, për tipat që përfaqësojnë, për rolin që kanë në rrjedhën e ngjarjeve, të mbeten në mendjen figura të tilla si: koloneli, gjenerali, gazetari kurajoz, Nik Morina, si pjesë e sfondit makabër ku edhe ka rrëshqitur jeta e qenies shqiptare, në motet e rrumpallës, kinse demokratike.

Teknika e vonesës narrative

Sendërgjimi i prozës, pra edhe i tekstit të romanit të radhës, lidhet ngushtësisht me rolin dhe mënyrën e shpalimit të narratives, si mjeti unik i materializmit të prozës letrare. Teksti i romanit “Rrënimi” në formësimin e vetë narratologjik, ecën në dy vatra ligjërimi:

Së pari: Rrëfimtari-autor, që zbulon universin letrar, si marrëdhënie e gjithdijes. Rrëfimtari, pra epiqendër e realitetit tekstologjik, që skicon vendet, paraqet ngjarjet dhe portretizon personazhet e romanit, ka peshën kryesore në mishërimin e realitetit letrar.

Së dyti: Vonesa narrative, një teknikë e shtrirë në hapësirat e librit, si një element që sublimon dhe sendërgjon fytyrën e kohës. Kuptohet se teknika e vonesës, pauzat e pranishme në tekst, të cilat megjithatë mbajnë të ndezur kërshërinë e leximit, porse në shtjellën e përsëritur në secilin prej kapitujve dhe nëndarjeve, ndonëse përcjellin një sfond monotoninë, luan rol për të materializuar atmosferën.

Fakti që tipologjia e vonesës rrëfimore, është e përhapur në gjithë krerët e librit, ka krijuar rrethanën e përveçme letrare, që ndodhitë dhe personazhet, pavarësisht një tisi mediatik, të fitojnë status të veçantë. Pohimi i dikurshëm i T. Todorov: …çdo rrëfim ka diçka të tepërt, një tepricë, një shtesë që mbetet jashtë formës së mbyllur, të përftuar nga zhvillimi i intrigës. (2000: 37), e ndriçon terrin që e krijon letërsia, e sidomos zhanri i gjatë i prozës, romani.

Ngjarjet në libër vijnë si ndalim i rrjedhës së realitetit, kundruar tashmë si një hapësirë vetëmse letrare. Personazhet nëpërmjet vonesës narrative, organikisht u krijohen gjasat që të zbulohen si karaktere, me gjithë hijedritat që bart jeta konkrete, e plazmuar në konturet e prozës së gjatë. Pranëvënia e ndërliqshme e rrëfimtarit-autor, si ngjyresë gjithdije, e zgjeruar me teknikën e vonesës narrative, ka mundësuar që hapësira e tekstit, pavarësisht strukturës klasike, të anësohet nga lëvrimi i prozës bashkëkohore.

Kolazh filmik i ndodhive

Vendosja e ngjarjeve në Shqipëri, në zona apo qytete të ndryshme të saj, si dhe marrja e personazheve nga vetë realiteti konkret, natyrshëm i jep tekstit tiparet realiste, me gjasë të një neorealizmi krejt pa cak, që i zbulon të vërtetat e kohës, në të gjitha përmasat e veta. Kuptohet se shenjat e realizmit të këtillë, vetvetiu kanë formësuar edhe një tip të një proze imazhi, të një realiteti letrar tejet dinamik, që lëviz në sytë e lexuesit si në një kolazh filmik.
Ndërkaq, narrativa e vonesës dhe ndërprerjet e vazhdueshme në të gjithë krerët dhe nëndarjet e hapësirës tekstologjike, pavarësisht se personazhet dhe rrëfimtarët, i mbajnë të ndërlidhura hallkat subjektive, figurimin e fatit të qenies, ka endur shenjat e prozës së fragmentuar, madje të grimcuar nëpër episode, të domosdoshme dhe rastësore, që lehtësisht i kuptimëson prania e personazheve.

Në lidhje me interpretimin e letërsisë në përgjithësi, pra edhe të romanit, ka vlerë pohimi i Ernesto Sabatos, kur shprehet: Çdo përpjekje për ta shpjeguar fenomenin letrar nga pikëpamja thjesht estetike ose thjesht sociale është, si rrjedhim, e dënuar të dështojë.”(2015: 52), krijon një hapësirë reale për ta parë tekstin në marrëdhënie më të ndërlikuar, dhe jo për të kundruar si një realitet skematik.

Struktura, e përndarë në krerë, kryesisht e tipologjisë klasike, ndonëse vjen e zgjeruar, si hapësirë komunikimi, me përndarje të brendshme, në dhjetëra episode, ndërfutur brenda krerëve, ku ndërlikimi i kahjeve ligjërimore, sjellë në skenë protagonistë të ndryshëm të romanit, që ndikon në zbulimin e tipareve karakteriale. Sfumatura imazhiniste, si vende dhe hapësirë, fjala si rrëfim dhe dialogim, sekuencat ligjërimore, që përftojnë gjurmët e stilit të autorit, si dhe plazmimi i personazheve, e ka përtheksuar fragmentaritetin e prozës. Në krijimtarinë e Leonard Veizit, si lëvrues i prozës, ky roman shënon një moment të veçantë, në kuptimin e shenjimit të realitetit letrar, ndonëse marrëdhënia me konkreten është tepër e rrokshme, ajo vjen përmes ombrellës artistike, që zbulohet në lexim.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Armand Shkullaku: Djegia e mandateve, aksioni i duhur pas protestës

    Flet për gazetën Mapo, analisti i njohur, Armand Shkullaku Është...
Read More