Kryebashkiakët, emigrantë në Napoli dhe Sicili: Ja pse jemi hetuar dhe gjykuar



Artur BushiDy nga kryetarët e Bashkive, Artur Bushi i PS-së dhe Agron Kapllanaj i PD-së, të cilët kanë pasur probleme me ligjin në të shkuarën, kanë jetuar si emigrantë në dy zona, ku ka një rol dominues mafia.

Jo vetëm veprat penale për të cilat janë hetuar apo gjykuar, por edhe vetë jeta jashtë vendit si emigrant e disa prej krerëve të bashkive që kanë rezultuar se kanë pasur probleme me ligjin, duket se lë vend për dyshime. Pavarësisht se jo domosdoshmërish të jetuarit në një vend të caktuar me kriminalitet të lartë të bën kriminel, është fakt i deklaruar nga vetë këta të zgjedhur, se jetën e tyre në emigracion e kanë ngritur pikërisht në disa qytete që janë simbol i kriminalitetit, mafies dhe drogës. Të paktën kjo vlen për tre nga kryetarët e bashkive, që në formularët e dekriminalizimit kanë deklaruar se kanë pasur më parë probleme me ligjin, duke u hetuar dhe gjykuar, pavarësisht se një pjesë më pas deklarojnë se kanë marrë pafajësinë.

Artur Bushi

Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, ashtu si dhe shumica e shqiptarëve, një pjesë të jetës së tij e ka kaluar në emigracion. Në formularin e vetëdeklarimit, në kuadër të dekriminalizimit, ai ka pohuar se ka jetuar për një kohë të gjatë jashtë Shqipërie. Më konkretisht, ai ka detajuar në këtë formular se për periudhën 1994-2010 ka jetuar në Napoli. Kjo, një nga zonat më pak të sigurta të Italisë dhe që njihet për mbizotërimin e grupeve mafioze. Kësaj periudhe kohore i përkasin edhe dy procedimet penale që Bushi ka deklaruar, një në vitin 1996 dhe tjetra në vitin 2010. Ndërsa për rastin e parë ai deklaron se nuk i kujtohet vepra penale për të cilën është akuzuar, në të dytën ai cilëson se ka qenë i dyshuar për veprën penale të trafikut të narkotikëve. Në rastin e parë, ai thotë se ka pasur vendim të gjykatës për lirim të menjëhershëm dhe në rastin e dytë, është liruar me urdhër të prokurorit, duke mos e gjetur fajtor në asnjë rast.

Agron Kapllanaj

Interesant është fakti se edhe kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, ka një jetë të ngjashme me atë të kryebashkiakut të Krujës. Kjo sa i përket faktit se edhe ai ka jetuar në një tjetër zonë të nxehtë, ku ligjin e bën mafia. Ai ka deklaruar në këta formularë, se ka jetuar nga viti 1991 deri në vitin 2000 në zonën e Catanias në Sicili. Gjithsesi, duhet thënë se vepra për të cilën ai rezulton të jetë dënuar në Itali, nuk i përket zonës së Catanias, por asaj të Firenzes. Dhe çështja, të paktën ashtu siç deklaron vetë Kapllanaj, ka të bëjë me posedimin e një makine të vjedhur dhe me dokumente të falsifikuara, të cilën ai deklaron se e ka blerë nga një tjetër. Ndërkohë që Elvis Roshi, kreu i Bashkisë së Kavajës, ka jetuar në tri vende më shumë se 1 muaj, dhe më konkretisht në Fogia, Itali, Campobasso-Itali dhe Chiasso-Zvicër.

Bushi e Kapllanaj: Ja pse jemi hetuar dhe gjykuar në Itali

Kryebashkiaku i Krujës, deklaron se ai nuk është dënuar dhe se në dëshminë e penalitetit në Itali, del i padënuar. Kapllanaj sqaron se është dënuar pa dijeninë e tij për një makinë të vjedhur që ai e kish blerë

Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi dhe kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, kanë dhënë dje arsyet e tyre se pse kanë qenë proceduar penalisht nga autoritetet italiane, ndërsa kanë mohuar që të kenë qenë fajtorë apo të jenë dënuar.

Nëpërmjet dy reagimeve të veçanta në rrjetin social Facebook, Bushi dhe Kapllanaj kanë dhënë detaje nga historia e tyre e përballjes me ligjin në Itali.

Bushi sqaron rastet kur është ndalur nga policia, por thekson se nuk është dënuar ndonjëherë.

Bushi, në sqarimin e tij, thotë se është ndaluar një herë në vitin 1996, por është liruar menjëherë. Më pas është arrestuar në 2010, dhe pas hetimeve për 44 ditë, ka dalë i pafajshëm.

“Në përgjigje të të dërguarit të radhës nga SHQUP-i, që vazhdojnë me të njëjtën melodi bajate shpifjesh të turpshme në inercinë e rrenave të përsëritura ndaj meje, përgjigjem: Ashtu siç kam deklaruar në formularin e dorëzuar në KQZ, jam ndalur në 1996 dhe jam liruar në mënyrë të menjëhershme, jam arrestuar në 2010 dhe pas hetimeve 44-ditore jam liruar si i pafajshëm”, -deklaron Bushi.

Më tej, ai sqaron se edhe në regjistrat e autoriteteve të drejtësisë italiane ai rezulton i pastër si i padënuar.

“Në dëshminë e penalitetit të shtetit italian, jam shtetas i padënuar as edhe 1 ditë me vendim gjykate”, –shprehet Bushi, ndërsa bën të ditur se pas verifikimeve që do bëjnë autoritetet shqiptare, do kërkojë dëmshpërblim nga PD, për të gjitha ato që ai i konsideron si shpifje dhe cenim të figurës së tij.

Ndërkohë që kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj, sqaron se nuk është arrestuar dhe nuk është burgosur asnjë ditë të vetme, ndërsa ka theksuar se ndëshkimi që ka marrë nga drejtësia italiane, ka qenë për një makinë që ai e ka blerë dhe që më pas ka rezultuar e vjedhur.

“Në vitin 1995, pasi kurseva disa para nga puna dhe për shkak të moshës së re që kisha, bleva një makinë të përdorur në Firenze. Sigurisht që padituria apo edhe dëshira e tepruar e moshës, për të pasur makinën, më shtyu në nxitim ta blija nga një individ italian, i cili dokumentet e makinës i kishte të falsifikuara. Iu gëzova makinës së blerë, pa ditur, për rrengun që më ishte punuar. Në datën 26.7.1995, më ka ndaluar në rrugë patrulla e policisë rrugore dhe nga kontrolli i dokumentacionit rezultoi që dokumentet ishin të falsifikuara, edhe pse unë isha në posedim të mjetit me të gjitha çelësat e saj. Më kot ishin sqarimet që unë dhashë pranë autoriteteve italiane për atë çfarë kisha pësuar. Një ditë më vonë, u ndodha pa makinën e blerë dhe pa lekët e kursyera që kisha paguar për ta blerë këtë makinë”, -thotë Kapllanaj.

Më tej, ai sqaron se ai është vënë në dijeni për gjykimin dhe dënimin e tij shumë vite më vonë, duke bërë të ditur se çdo gjë është kryer në fshehtësi dhe pa u lajmëruar.

“Më vonë, rashë në dijeni se autoritetet policore italiane më kishin proceduar për atë incident, që në vitin 1995. Megjithëse unë kam jetuar në Itali në atë periudhë, nga viti 1995 deri në vitin 2000 nuk kam qenë në dijeni dhe nuk kam njoftuar se si kishte rrjedhur çështja. Vitin e kaluar, teksa ishte duke u diskutuar çështja e dekriminalizimit, bëra kërkimet përkatëse dhe më rezultoi se në vitin 2003, pra plot 8 vjet nga ai incident dhe 3 vjet pasi unë kisha lënë përfundimisht Italinë, ndaj meje ishte dhënë një vendim dënimi me dy vjet burgim të pezulluar (që nuk vuhet nëse nuk bën shkelje) dhe me 200 euro gjobë. Kam shkuar disa herë në Itali, qoftë për çështje pune, qoftë për çështje personale. Asnjëherë nuk më është vënë në dijeni ky fakt. Nuk jam arrestuar dhe nuk jam burgosur asnjë ditë të vetme”, -thekson më tej Kapllanaj.

Salianji: Dekriminalizimi, emergjencë kombëtare, Bushi ka fshehur të vërtetën

Dhjetëra qytetarë, në shenjë proteste, janë mbledhur dje para bashkisë së Krujës dhe kanë kërkuar largimin nga detyra të kryebashkiakut, Artur Bushi, si i përfshirë në të shkuarën e tij në çështje kriminale.

Pjesë e kësaj proteste u bë dhe Sekretari për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji, i cili ka kërkuar hetim të plotë për atë çfarë Bushi ka fshehur nga e shkuara e tij. Duke e rrethuar bashkinë me shirita “skenë krimi” Salianji i drejtoi disa pyetje publike kryebashkiakut dhe kryeministrit Rama.

“Jemi sot para Bashkisë së Krujës, një prej institucioneve që Rama i ka vendosur damkën e turpit duke emëruar një prej personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, një njeri me precedent të rëndë penal, siç është Artur Bushi. Në formularin e vetëdeklarimit ka deklaruar vetëm një pjesë të veprave penale, si: akuzat për prostitucion, akuzat për trafik droge që ka nga drejtësia italiane. Jemi sot këtu, për të treguar që çlirimi i institucioneve nga krimi është një emergjencë kombëtare, e flirtimit dhe mbarsjes së Ramës me persona kriminalë i ka ardhur fundi me ligjin e dekriminalizimit. Sot i bëjmë thirrje Prokurorisë që të hetojë rastin e Artur Bushit dhe bëjmë edhe disa pyetje: A e keni pasur emrin Kastriot Cakoni? A jeni dënuar, hetuar dhe arrestuar në Itali për trafik prostitucioni, trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike me emrin Kastriot Cakoni? I presim përgjigjet dhe presim hetimin e plotë e të gjithanshëm të Prokurorisë, për t’i dhënë fund mandatit të krimit e pushtetin ta marrin njëherë e mirë qytetarët e këtij vendi”, -tha Salianji.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Përfundon pa marrëveshje takimi mes Ramës e Bashës

Ka zgjatur më shumë se tre orë takimi mes kryeministrit Edi Rama...
Read More