Kryemadhi bën bilancin e 2017-ës, për 2018-ën: Vit i vështirë…


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një bashkëbisedim me gazetarët, ku është ndalur në zhvillimet kryesore të vitit 2017. Sipas Kryemadhit, 2017 ishte një vit i vështirë për politikën shqiptare dhe jo vetëm. 

Ajo është ndalur tek zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, si dhe tek votimi i reformave kyçe për vendin.

Duke u ndalur tek situata ekonomikë, kryetarja e LSI tha se në Shqipëri mungojnë investimet e huaja, duke shtuar se ato vendase janë në nivele të ulëta.

Sipas Kryemadhit, viti që sapo ka filluar 2018, do të jetë një vit i vështirë për qytetarët shqiptarë, të cilët sipas saj pritet të përballen me një situatë të vështirë ekonomike.

“2018 do të jetë një vit i vështirë jo vetëm për politikën shqiptare, por edhe për ekonominë e vendit. 2017 ishte viti i zgjedhjeve kriminale, që njollosën politikën shqiptare, blenë votat me paratë e krimit.

Ishte viti i kanabizimit të vendit. Ekonomia shqiptare është me bazë konsumi ku mungojnë investimet e huaja, kjo vjen si rezultat i keqqeverisjes.

Është thelluar papunësia, dhe mungojnë investimet e huaja. Edhe investimet vendase janë më të ulëtat në këto vite. Këtë e fakton mungesa e likuiditeteve.

Drejtoria e Thesarit është mbyllur që më 15 dhjetor, gjë që tregon se nuk kreu asnjë likuidim me shoqëritë. Me skemën e re tatimore pritet rritje e çmimeve, pra buxhetet familjare do të hyjnë në një krizë.

Qeveria tashmë është e paaftë për të thithur investime të huaja. Të gjitha të dhënat e publikuara nga institucionet prestigjeve e bëjnë të qartë se hapja e negociatave me BE nuk mund të realizohet nëse ne nuk kemi familje të afta për të mbijetuar”, u shpreh Kryemadhi.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka reaguar edhe ndaj komenteve të kryeministrit Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, se LSI është në krahun e atyre që nuk e duan Reformën në Drejtësi. 

Kryemadhi u shpreh se “LSI dhe vetë ajo nuk e njohin nocionin e frikës, ndryshe nga Rama, që sipas saj shumë shpejt mund të jetë një i pandehur i sistemit të drejtësisë”.

Kryetarja e LSI gjithashtu tha se në një kërkim të bërë në mbi 20 mijë fjalime të Ramës, del që ky i fundit i ka bërë vazhdimisht thirrje LSI-së për koalicion.

“Rama në fakt duke qenë se është frikacak, mendon se dhe tjerët janë kështu. LSi nuk e njeh nocionin e frikës, aq më shumë unë.

Drejtësia nuk vendoset nga frika e kryeministrit, por nga institucionet. Ai shumë shpejt mund të jetë një i pandehur i sistemit të drejtësisë, për mënyrën si ka jetuar, punuar e vepruar.

Ai ka shumë frikë. Ndërsa me reformën, ose koalicionin e famshëm, ne kemi bërë research mbi 20 mijë fjalime të Ramës, që ky i fundit i bënte thirrje LSI-së për koalicion.

Ai shquhet për mashtrim të opinionit publik. Ai nuk ndryshon dot asgjë nga ajo që është shkruar në 2018-n për fatin e tij politik”,- tha Kryemadhi.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ermir Nika: ‘Kuarteti bohem’ ose fatet e njerëzve të një qyteti

  “Kuarteti Bohem”, vepër e autorit Ermir Nika, botuar nga Shtëpia Botuese...
Read More