Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj vizitë zyrtare ne Tiranë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitën e parë zyrtare si kryeministër e ka bërë në Shqipëri ku është pritur nga homologu i tij, Kryeministri Edi Rama. 
Gjatë konferencës për shtyp të dy kryeministrave, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.Një ndër pyetjet e bëra në konferencë ishte nëse Kosova i ka votat për t’u futur në UNESCO, dhe kërkesat e Presidentit serb Aleksander Vucic për lënien jashtë të saj.

Kryeministri i Kosovës tha se përfshirja këtë vit në UNESCO do të ishte një fitore e madhe për vendin pasi sipas tij Kosova ka trashëgimi dhe diversitet kulturor.

“Kosova është një anëtare e vlefshme për UNESCO-n se ka trashëgimi kulturore, ka diversitet kulturor. Dhe kurdo që të ndodhë anëtarësimi, ajo trashëgimi e çmuar do të jetë pjesë e Unesco-s që nuk është vetëm e Kosovës, por dhe e botës. Nëse ndodh këtë vit, do të ishte fitore. Por nëse nuk ndodh, do të presim vitin tjetër”,- tha Haradinaj.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se nuk e kuptonte logjikën e refuzimit serb për përfshirjen e Kosovës në UNESCO, dhe se një gjë të tillë ia kishte thënë edhe Presidentit serb Vucic.

“Nuk e kuptoj logjikën e refuzimit serb për përfshirjen e Kosovës në Unesco. Se nëse për ta kanë rëndësi trashëgimitë kulturore, ata duhet të vraponin, në një vend ku pa dashjen e tyre qeverisin shqiptarët. Kush humbet në këtë rast nga ky proces?

Kosova humbet më pak se Serbia, sepse UNESCO dihet se çfarë është dhe për çfarë duhet, dhe i duhet Serbisë që të jetë në Kosovë për të mbrojtur atë që ata e quajnë trashëgimi të tyren kulturore. Është absurd qëndrimi serb. Unë ia kam thënë Vucic-it këtë”,- tha Rama.

Gjatë vizitës në Shqipëri, kryeministri i Kosovës takimin e dytë e zhvilloi me Presidentin Ilir Meta. Presidenti Meta shprehu angazhimin e tij për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës, në interes të rritjes së mëtejshme të njohjeve ndërkombëtare si edhe forcimit të perspektivës evropiane.

Meta theksoi rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike, tregtare, shkencore, arsimore, turistike, kulturore dhe të gjitha formave të tjera mes dy vendeve tona.

Kreu i shtetit shqiptar përshëndeti gatishmërinë e Kryeministrit Haradinaj dhe qeverisë së re të Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si një proces pa alternativë dhe në funksion të paqes dhe stabilitetit të rajonit.

Për Metën bashkëpunimi rajonal është një element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në gjithë rajonin, duke theksuar se Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët evropiane.

Gjithashtu Meta vlerësoi marrëdhëniet e NATO-s me Kosovën, si dhe rëndësinë e ruajtjes së një pranie substanciale të KFOR-it, për garantimin e një mjedisi të sigurt jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin.

Haradinaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, të cilën e nisi me takimin me Ramën ku u diskutuan çështje me rëndësi dypalëshe.

 
Shkruar Nga
More from Redaksia

‘Narcos’ Made in Albania/ Gazetari Hoxha: Në Ekuador plagosën bosin e kokainës!

Lajmi për plagosjen e një shqiptari në Ekuador është komentuar me detaje...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.