Kryeministri i Tiranës

Një tradite e krijuar edhe në Perëndim, e rrugëtimit të kryebashkiakëve në krye të ekzekutivit, ka ardhur fuqishëm në vendin tonë. Erion Veliaj është personi që drejton Bashkinë më të madhe në vend, me ambicie për më shumë. Por cili mund të jetë itinerari i tij? Një portret dhe disa shpjegime

Nga Enton Palushi, Revista Mapo

“Terrori i vërtetë është që të zgjohesh një mëngjes dhe të zbulosh se shokët e klasës në shkollën e mesme po drejtojnë vendin”.

Kjo është ndoshta një nga shprehjet më të bukura të autorit të njohur jo vetëm për amerikanët, Kurt Vonnegut. Ekspertët thonë se kjo është një nga arsyet kryesore se përse shumë prej nesh besojnë te teoritë konspirative, ose e thënë ndryshe, tek idetë se vendin e drejtojnë fuqi më të mëdha se ajo që shohim thuajse përditë.

Tek e fundit, a nuk ju trazon edhe ju ideja që ai shoku ose shoqja e dikurshme e klasës, me të cilin/ën keni ndarë mirë apo keq shumë gjëra, tashmë është bërë i fuqishëm dhe i pushtetshëm? A nuk është kjo arsyeja se përse shumë njerëz ndihen në siklet përpara se të shkojnë te ribashkimet e maturave. Atëherë ishim të gjithë njësoj, por tani shumë gjëra kanë ndryshuar. Zilia funksionon më fort për njerëzit që i kemi pasur në klasë, ose në një brez, thotë filozofi Alain de Botton.

Dhe Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, e di shumë mirë këtë. Si një njohës i mirë i marrëdhënieve me publikun, komunikimit dhe ndjenjave njerëzore, ai jo pak herë i përmend këto ‘detaje’ të së shkuarës së tij.

“Të dashur shokë qeverisës! Ata që po rrënoni janë shokët e brezit tuaj: ne po hapim sot biznese, ne po rrisim sot fëmijë, ne që dikur bashkë me ju mblidhnim 20-lekshat për kafe e çaj se nuk kishim atëherë, ishim pak a shumë të gjithë pabuksa.

Kur ju hytë në sistem, shpresuam që do të ndryshonit gjëra, sepse ne jemi rritur bashkë, ia dinim hallet njëri-tjetrit, bashkë e kaluam edhe ’97-n, kur shkonim në mësim me qese, kur na kapte ankthi se na mbinte policia në klasë për kontrolle, kur na përzinin me shkopa gome nga Parku Rinia, kur nuk bënim mësim prej shtetrrethimit dhe vdisnim të dilnim pak pas orës 8, se nuk lejohej…

Prisnim të hynit në sistem e ta ndryshonit nga brenda, ta bënit më të mirë se ai që jetuam. Po jo, ju ziheni pa pikë turpi për beton, rrihni njerëzit që duan të mos u priten pemët, rrisni çmime, taksa, ç’të mundni që të na merrni frymën, ndërsa mbajmë shpirtin gjallë për bukë, që të mos mendojmë. E vjetër shumë kjo lojë! Madje edhe na përgjoni nëpër rrjete sociale, sepse e dini mirë sa e kemi takatin, na njihni, dikur kemi qenë shokë, nxeheshim bashkë kundër dhunës së pushtetit qeverisës, i ngrinim bashkë gjimnazet në Tiranë në emër të së drejtës e lirisë së njeriut për të jetuar me dinjitet”, shkruante një ish-shoqe e klasës së Veliajt, Anxhela Çikopano, pak pasi ai mori drejtimin e Bashkisë më të madhe në vend.

Por a ka arritur ta ndryshojë Veliaj sistemin? Ai që vetë e pranoi se i hyri politikës me këtë qëllim, pasi më parë kishte milituar me shoqërinë civile…

 

Mungesa e babait dhe jeta e vështirë

Malcolm Gladwell është një nga gazetarët-shkrimtarë më të njohur në botë. Një nga librat e tij më të fundit, synon të sfidojë besimin e kudopërhapur se disavantazhet në jetë, na kthehen gjithmonë në një barrë të vështirë. Duke e nisur me historinë e Davidit dhe Goliathit, ai sjell disa shembuj që thjesht të lënë pa frymë.

Një prej tyre është ai i Emil Freireich, një nga pionierët në fushën e trajtimit të kancerit dhe kimioterapisë. Ai u rrit në vështirësi dhe varfëri. Babai u nda nga jeta kur ai ishte dy vjeç. Por pavarësisht kësaj, ai punoi fort dhe arriti të bëhej një nga mjekët më të nderuar në historinë e shëndetësisë amerikane. Mund të duket e pashpirt, por Gladwell thotë se mungesa e një prindi është kthyer në një faktor të rëndësishëm në jetën e tij e të shumë personazheve të famshëm e me ndikim në SHBA.

***

Para pak ditësh, Erion Veliaj postoi një foto prekëse me babanë e tij, në amfiteatrin e Tiranës. Prania e tij i mungonte ndjeshëm Erionit dhjetëvjeçar, i cili në verën e vitit 1991, së bashku me dajën e tij, kapërceu kufirin për t’’u vendosur në pjesën veriore të Greqisë.

“I ati i kishte vdekur pak kohë më parë nga kanceri, ndërsa e ëma, Shqiponja, ia besoi djalin të vëllait. Asokohe, shqiptarët largoheshin masivisht nga vendi i tyre i izoluar hermetikisht për më shumë se katër dekada, disa rrëmbenin anijet për t’u nisur drejt Italisë, të tjerë i drejtoheshin në këmbë kufirit në jug. Gjithçka tjetër ishte më e mirë se atdheu, ku sistemi kishte kolapsuar, popullsia vuante nga uria dhe ku mbizotëronte kaosi. Erioni i vogël u kthye sërish tek e ëma në Tiranë, mësoi në shkollë me shumë vullnet dhe në moshën 17-vjeçare fitoi një bursë të vogël për studiuar në një universitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 19 vjeç u rikthye në veri të Shqipërisë për të punuar për një organizatë amerikane në ndihmë të refugjatëve kosovarë, duke vijuar më pas në fushën e ndihmës humanitare, një punë e cila do ta çonte edhe në Kongo-Kinshasa, El Salvador, Afrikën e Jugut dhe në Ruandë. 24 vjeç, i sapodiplomuar, poliglot, rikthehet në Tiranë dhe ideja e tij ishte të bënte atë që ai e quan, duke përdorur shprehjen në anglisht, “ruffle the feathers”. Me fjalë të tjera: “t’i acarojë njerëzit””, shkruante gazeta zvicerane, Neue Zuercher Zeitung para se Veliaj të bëhej kryebashkiak.

Ishte e para dhe e fundit media që arriti të flasë me nënën e Veliajt, Shqiponjën, një personazh i shumëkomentuar në rrjetet sociale, por shumë pak e njohur për publikun. Ajo u bë subjekt debati sidomos pas dasmës së Erion Veliajt me Ajola Xoxën në kalanë e Gjirokastrës. Pas pikëpyetjeve për shumën e shpenzuar, u tha se ato kishin ardhur si kursime nga mamaja.

“E ëma, Shqiponja, shpërthen në lot kur flet për jetën e saj. Dy vjet pas vdekjes së të shoqit, humbi vendin e punës në shtet dhe mbeti përballë asgjësë, e vetme me dy djem të vegjël në një qytet kaotik, ku shteti nuk kujdesej për asgjë dhe ku secili përpiqej të mbijetonte sipas mënyrës së vet. Erioni shiste fiq të thatë në treg, të cilat ua jepnin të afërmit në fshat. Asaj i vjen keq pse i biri nuk ka pasur një fëmijëri normale. Brenga e saj është e thellë dhe këtë e shpjegon heshtja e pafund në apartamentin e saj. “U rrit shumë shpejt”, thotë duke thyer heshtjen.

A krijon dhimbja e nënës ndjenja faji ndaj të birit? Duket sikur kjo grua serioze mendon se ka dështuar në rolin e saj si nënë. Por, përkundrazi ajo i ka të gjitha arsyet për të qenë e gëzuar për djalin e saj të suksesshëm, aksionet e të cilit në të gjithë botën gjenden të dokumentuara në muret e dhomës së ndenjjes në formë fotosh apo artikuj gazetash. Veliaj vetë e sheh të gjithë këtë pa sentimentalizëm: “Burrat në këtë vend janë të ngatërruar në gjithfarë intrigash politike. Dhe nga natyra nuk janë fort të zellshëm. Njëri prej poetëve tanë kombëtar e ka shkruar që para një shekulli se burrat në këtë vend jetojnë nga gratë”. Dhe ka të drejtë!”, shkruante më tej gazeta e njohur.

 

A është Veliaj i vetëbërë?

Balaji Wiswanathan është personi më i ndjekur në forumin Quora. Indiani jep këshilla dhe ta do mendja që me atë audiencë, rëndësia e tij është shumë e madhe. Sipas tij, që një politikan të jetë i suksesshëm, ai duhet ta nisë punën nga aktiviteti me shoqërinë civile. Duket se kjo i ka dhënë një përparësi Erion Veliajt.

“Po jam rritur në Tiranë, në zonën e shkollës “Mihal Grameno”. Në atë kohë, pallatet bëheshin me punë vullnetare. Të dy prindërit e mi kanë qenë ushtarakë. Mamaja ime është me origjinë nga Vlora. Babai i saj ka qenë ushtarak dhe ka pasur një histori interesante: një nip i tij tenton të arratiset rreth viteve ’60 dhe familja e tij transferohet në Urën Vajgurore, nga një oficer i lartë në një roje pylli. Çfarë specialiteti ka pasur babai? Babai im ka qenë këmbësor, mamaja shefe kuadri. Që të dy në fillim të karrierës së tyre kanë qenë nëndrejtorë shkollash. Ushtarakët e rinj emëroheshin si drejtorë shkollash. Im atë te “Raqi Qirinxhi” në Korçë dhe ime më në Shkollën Teknologjike në Tiranë. Mbaj mend një fëmijëri të bukur, por jo komode”,  thotë Veliaj.

Krenaria e tij? Shitja e fiqve. Si për t’u kujtuar të rinjve dhe të gjithë të tjerëve se gjithçka është e mundur nëse punon e ke vullnet. Historia e fiqve është po ashtu një tjetër që ka pushtuar rrjetet sociale. Disa i kujtojnë se meqë ka shitur fiq, nuk ka pse të jetë kaq brutal me shitësit e rrugëve. Të tjerë thonë se po të mos ishte për Edi Ramën, historia e tij politike do ishte e zbehtë, aq sa shkëlqimi i pakët që pati G99.

“Edi Ramën e kam njohur në 2004, rreth 1 vit e gjysmë pasi kishte filluar Lëvizja “Mjaft”. Takimi ka qenë rastësor, gjatë një pritjeje në Ambasadën Amerikane. Ne kemi pasur një shpirt rebel dhe me ambasadorët diskutonim faktin që ju djem bëni mirë që protestoni, por në Shqipëri ka dhe histori suksesi, si Edi Rama në Bashkinë e Tiranës. Për shumë të rinj në vitet 2000 që ndiheshin të papërfaqësuar, Edi Rama ka qenë oazi i jetës për ta, edhe pse gjendja e vendit nuk ishte e mirë…

Nuk ka pasur asnjë agjendë, por pas zgjedhjeve të vitit 2005, transformimi që pasoi e majta shqiptare me Edi Ramën ishte një histori absolute suksesi.

Unë nuk isha gati të militoja në Partinë Socialiste. Thashë që jam rritur në një familje ushtarakësh, besoj tek e majta, besoj te solidariteti. Nuk kam besuar te një katapultim pa u provuar paraprakisht. “Mjaft”-i dhe G99 ishin teste për mua. G99 ishte për ata individë që vinin nga shoqëria civile, që ende nuk gjenin te PS një parti totalisht të hapur”, do shprehej Veliaj.

I pyetur se “ju jeni konsideruar si “delfini i Ramës” në PS…”, ai përgjigjet: “Unë kam bërë atë që kam besuar, nëse do të ishte kështu, do të kisha pasur një korsi preferenciale dhe do kisha zgjedhur të mos provohesha në publik, por të përfshihesha lehtë në parti”.

Por ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi pak pas kësaj interviste se Erion Veliaj dhe Edi Rama kanë bashkëpunuar me të për të rrëzuar nga pushteti Fatos Nanon në vitin 2005.

“Me këtë rast detyrohem t’i rikujtoj Veliajt jo vetëm bashkëpunimin e tij me Ramën, por bashkëpunimin e tij dhe të Ramës me mua, brenda dhe jashtë vendit, për rrëzimin e Nanos. Në dosjen e këtij bashkëpunimi të frytshëm ekzistojnë dokumente të shumta. Po i rikujtoj këtij zotërie, që do tani të fshihet mbrapa mashtrimit, se harrove sheshet plot me militantë të PD që të brohorisnin në mitingjet anti-Nano saqë të dukej vetja legjendar.

Ti dhe mund të harrosh këtë bashkëpunim, por asnjëri tjetër, pavarësisht nga qëndrimi aktual që mban, nuk e mohon atë, madje as sheshet me memorien e tyre historike nuk e harrojnë atë. Po qe se do dokumenta të tjera, dosja e bashkëpunimit është plot. Ndaj të këshilloj të mos e falsifikosh historinë, tjetër je ti si person dhe tjetër është veprimi politik. Ky veprim është historik, mos mendo ta falsifikosh për interesa të garës elektorale. Unë personalisht nuk ndihem sot aspak krenar për atë bashkëpunim, theksoj dhe një herë të frytshëm, por as nuk e mohoj dhe as nuk jam i penduar!”, shkruante Berisha.

Në fakt karriera politike e Veliajt u duk se hyri në shina në atë që është cilësuar si një nga seancat dëgjimore më të rëndësishme të historisë demokratike shqiptare. Veliaj, me të tjerë përfaqësues të shoqërisë civile dhe të politikës, u vendosën përballë ligjvënëse amerikanë të Komisionit të Helsinkit. Ajo shihet gjerësisht si nisja e rënies së Fatos Nanos.

“Në fillimet tona, para një viti, shiheshim si një grup djemsh dhe vajzash idealistë. Sot kemi respektin e një grupi që realisht sjell ndryshime. Kështu që nuk besoj se gabojmë që pretendojmë një ndryshim të këtij lloji. Në fund të fundit, do të ishte fataliste, në mos utopiste të pranonim që Shqipëria nuk mund të prodhojë mall më të mirë në tregun politik se sa ata që kemi sot.

Ajo që kemi arritur të bëjmë, është që ne kemi qenë të fokusuar në punën që po bëjmë, në dallim nga shumë grupime politike që janë për zgjidhje globale, të natyrës “largohuni ju të vijmë ne”, ose “ju s’vini se ju keni dëshmi të keqe, duhet të qëndrojmë ne”, kemi punuar që të kapim një problem të caktuar, në një kohë të caktuar, për t’i dhënë një zgjidhje të kënaqshme. Kjo besoj ka qenë strategjia që na ka dhënë si suksesin, ashtu dhe na ka ruajtur nga ndikimet të tilla. Apeli konstant që i kemi bërë klasës politike është ajo që kemi thënë këto ditë në takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, të Kongresit apo të Senatit, është nevoja urgjente për pjesëmarrjen e një klase të re në politikë, ose të një gjenerate të re në politikë. Përveç Gjeorgjisë, që ishte vendi i fundit në Europë me Shevernaxen, monolitët e politikës shqiptare nuk kanë ndryshuar që nga viti 1991”, do shprehej Veliaj pas kësaj seance.

 

Përse është kaq i suksesshëm Veliaj?

Viti 2016 ishte një nga më të vështirët për demokracinë liberale. Në fund të tij, revista “The Economist” propozoi që si zgjidhje për këtë situatë, t’u jepej më shumë fuqi kryebashkiakëve. Sipas saj, ata janë e ardhmja.

“Pyetja është, si të krijojmë një botë në të cilën kryebashkiakët dhe qytetarët që përfaqësojnë, të luajnë një rol më të rëndësishëm? Për të kuptuar këtë, duhet të kuptojmë se përse qytetet janë të veçantë, përse kryebashkiakët janë kaq të ndryshëm nga kryeministrat dhe presidentët, për shkak se premisa ime është që një kryebashkiak dhe një kryeministër janë në kahet e kundërta të spektrit politik. Që të jesh kryeministër ose president, duhet të kesh një ideologji, duhet të kesh një teori, duhet t’i përkasësh një partie. Por kryebashkiakët janë të kundërta. Kryebashkiakët janë pragmatistë, ata janë probleme-zgjidhës. Detyra e tyre është që të mbarojnë punët, nëse nuk e bëjnë këtë, nuk do zgjidhen më”, thotë një nga ekspertët më të mirë të shkencave politike, Benjamin Barber.

Kjo duket se është ajo që bën edhe Erion Veliaj. I pranishëm thuajse kudo, me një ‘ushtri’ njerëzish që kujdesen për imazhin, ai kujdeset për problemet e përditshme.

“Këtë gjë bëjnë kryebashkiakët. Ata rregullojnë kanalizimet, sistemojnë transportin publik. Nuk është e thënë që të jesh i majtë apo i djathtë për ta bërë këtë gjë. Pra, kryebashkiakët janë pragmatistë dhe probleme-zgjidhës. Ata mbarojnë punë. Si rezultat, kryebashkiakët kanë një nivel shumë më të lartë besimi. Në SHBA, i dimë të dhënat patetike: 18 për qind e amerikanëve e miratojnë Kongresin dhe atë që bëjnë ata. Madje edhe me një president popullor si Obama, të dhënat tregojnë se mbështetja shkon maksimumi deri në 50 për qind. Por kur i pyet njerëzit se a i besoni kryebashkiakut, kjo mbështetje shkon mbi 70 për qind, për shkak se ata janë njerëzit e lagjes, për shkak se njerëzit e lagjes punojnë me ta. Një kryebashkiak mund të dalë nga makina e tij dhe të shpëtojë njerëzit që digjen nga godina, kjo ka ndodhur. Asnjë kryetar shteti nuk mund ta bëjë diçka të tillë”.

Kjo duket se është arsyeja se përse kryebashkiakët që bëjnë punë, pëlqehen në Shqipëri, pavarësisht se në shpinën e tyre mund të rëndojnë akuza të rënda, deri edhe për trafiqe e krime.

Ky nivel i lartë besueshmërie është edhe arsyeja se përse kryeministrit Edi Rama i duhet Veliaj.

 

Marrëdhënia e trazuar Veliaj-Rama

Teddy Kollek ka qenë kryebashkiaku legjendar i Jeruzalemit. Thonë se në një rast, kur në qytetin e kapluar nga debatet mes komuniteteve fetare nuk po gjendej një marrëveshje, ai kishte ndërhyrë duke thënë: “Zotërinj, predikimet mbajini për vete, mua më lini që të rregulloj kanalet e ujërave të zeza”.

Veliaj ka tentuar shpesh që të jetë një person mbi palët, duke e lënë politikën mënjanë. Niveli i lartë i besueshmërisë së tij duket se e favorizon. Megjithatë në Shqipëri vjen një moment kur duhet të prononcohesh. Ashtu siç po bën kryebashkiaku Veliaj me turin e dëgjesave, kur duhet të mbrojë qeverisjen e Edi Ramës. Por teksa e akuzon opozitën për tradhti kombëtare sa i përket integrimit të vendit, kritikët i kanë kujtuar deklaratat e tij të shumta në opozitë, që bien në kundërshtim me akuzat e tanishme.

Por përse po merret tani me politikën e ditës Veliaj? A është kjo një kërkesë e kryeministrit Edi Rama?

Publikisht zor se gjen një deklaratë që i vendos në situatë konflikti Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Megjithatë marrëdhënia mes tyre nuk ka shkuar gjithmonë kaq rrafsh. Pas zgjedhjes si kryebashkiak, u duk se pati një periudhë ftohje mes tyre. Të paktën në një rast, kryeministri Edi Rama u ankua për rritjen e taksave nga ana e Bashkive, madje më shumë se sa ua lejon hapësira ligjore. Por kjo periudhë ftohje erdhi në fund kur kryeministri Edi Rama, në një nga ditët më të vështira politike, doli në krah të Veliajt në një panair pune në qendër të Tiranës.

Mediat e komentuan gjerësisht si një takim të ftohtë. Vetëm një ditë më pas, gjërat u ngrohën dhe Rama la të kuptohej se do të rikandidohej.

Ishte një periudhë çlirimi për Veliajn dhe mbështetësit e tij, sidomos kur e dinë se Edi Rama ka fuqinë për t’i dhënë fund një karriere: mjafton të mos e rikandidojë Veliajn. Dhe mediat pranë opozitës po i fryjnë me sa mund zjarrit, duke spekuluar se fati i Veliajt akoma nuk është përcaktuar, pasi Rama mund të kandidojë Ben Blushin si kryebashkiak. Po ashtu, aleanca PD-LSI, nëse ruan numrat si në zgjedhjet e fundit, mund t’ia vështirësojë shumë jetën Veliajt në zgjedhjet e vitit 2019.

Si për të kuptuar se sa e vështirë është që të jesh dikushi në qytet, duhet të lexosh shkrimin e Lonely Planet, ku Tirana shpallet si një nga 10 destinacionet për t’u vizituar. Në shkrim thuhet se ndryshimet në Tiranë kanë ardhur falë punës së kryeministrit Edi Rama, dikur kryebashkiak i Tiranës.

Si mund të ndihet Veliaj pas kësaj situate? Natyrisht jo mirë, pasi ai e di që politikanët e mëdhenj në Shqipëri e kanë vështirë që të lënë pasardhës dhe të pranojnë meritat e të tjerëve. Sidomos kryeministri Edi Rama, që ka nxituar të vendosë vulën te projektet më të mëdha të Veliajt në kryeqytet. Madje edhe për ndryshimet te Piramida, thotë se projektin e ka ofruar i biri, Zaho.

Nga ana tjetër, Veliaj duhet të navigojë me kujdes në këtë situatë, pasi duhet të thotë që Tirana ka ndryshuar, por a nuk ishte e ndryshuar për thuajse 11 vite qeverisje të Edi Ramës. Si duhet të ndihet ky i fundit kur Veliaj thotë se Tirana ishte një kryefshat, por ai e bëri kryeqytet?

 

Betonizimi i qytetit apo modernizim?

Ka shumë njerëz që mendojnë se politika është një profesion i lehtë, mbi të gjitha fitimprurës. Por politologu i njohur, Ivan Krastev thotë se është e vështirë të jesh politikan, pasi mbi të gjitha duhet të menaxhosh mosbesimin ose keqbesimin.

Për shembull, a e imagjinoni dot që njerëzit e talentuar do të garojnë për një post nëse vërtet besojnë se politika ka lidhje me menaxhimin e mosbesimit? A nuk jeni të frikësuar se me të gjithë këto teknologjitë që mund të gjurmojnë çdo deklaratë të politikanëve për çështje të caktuar, a nuk jeni të frikësuar se ky do jetë një sinjal shumë i fortë për politikanët që të përsërisin pozicionet e tyre, edhe pozicionet e gabuara, për shkak se konsistenca është më e rëndësishme se buonsensi? A nuk jeni të frikësuar se zyrtarët do ju qeverisin mbi bazën e asaj që thonë në fushatën zgjedhore?

Mendoj se kjo është ekstremisht e rëndësishme, për shkak se demokracia ka lidhje me ndryshimin e ideve bazuar mbi argumentet dhe diskutimet. Dhe ne mund ta humbasim këtë ide kaq të rëndësishme pasi nuk duam të tolerojmë oportunizmin në politikë. Për mua kjo është shumë e rëndësishme”.

A po ndodh diçka e tillë edhe me Veliajn? Arsyet mund të jenë të ndryshme, por mediat e kanë kritikuar fort sidomos për çështjen e ndërtimeve të larta në kryeqytet dhe për prishjen e Teatrit Kombëtar.

“Unë e kam thënë shpesh herë në dëgjesat e ndryshme me banorët e Tiranës, se në qytet nuk ka më hapësira për ndërtim. Ndarja e re administrative ofron një mundësi ideale që ndërtimet të shtrihen drejt zonave periurbane e rurale, ashtu siç ka ndodhur në shumë prej kryeqyteteve Europiane. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë”, do shprehej Veliaj në vitin 2015.

“Do t’i orientojmë ndërtimet drejt këtyre zonave, çka do të sjellë zhvillim për to dhe njëkohësisht, do të garantojë frymëmarrje për Tiranën aktuale. E thënë shkurt, nuk do të ketë ndërtime të reja në zonat me densitet të lartë”.

E megjithatë pas zgjedhjeve, ai përkrahu nevojën e kullave të larta në qytet.

“Këto sipërfaqe shkojnë në ajër, të cilën e kemi, tokë nuk kemi”, tha Veliaj për të treguar preferencën e tij për ndërtime shumëkatëshe në qendër të kryeqytetit. “Nëse secila prej atyre kullave – për këto nevoja hotelerie dhe zyrash që ka sot Tirana, do të shtriheshin përmbys, do na zinte një sipërfaqe jashtëzakonisht të çmuar”, shtoi ai.

Argumenti i tij qëndron, por disa kritikë thonë se ai u përkul përballë presionit të kryeministrit Edi Rama. A është kështu?

 

Rruga drejt kreut të PS

Në dhjetor të vitit të shkuar, një shkrim pushtoi me shpejtësi faqet e para të mediave shqiptare. Ishte një përkthim i një shkrimi të revistës “The Economist”.

Tim Judah, që e njeh mirë Shqipërinë, rendiste në shkrim ndryshimet e pësuara nga Tirana gjatë dy viteve të kryebashkiakut Veliaj. Artikulli niste me “lali Erin”, ashtu siç e etiketojnë fëmijë e të rritur në Tiranë dhe jo vetëm.

Në artikull theksohej se Erion Veliaj, 37-vjeçari që drejton kryeqytetin e shqiptarëve, gjatë gjysmës së parë të mandatit përfundoi punët në qendër. Tani, në mes të mandatit të tij, vëmendjen e ka fokusuar në periferi të qytetit, që siç thotë “The Economist”, po ndjen për herë të parë dorën e shtetit në 25 vjet.

“Ai nuk mund të ndodhet në një post më të mirë, sepse tani çdokush mund të shohë frytet e punës së tij, ndërkohë që ai qëndron larg skandaleve që po dëmtojnë Ramën dhe qeverinë e tij”.

Por Veliaj thotë se në mendjen e tij ai kërkon të fitojë vetëm mandatin e dytë si kryetar bashkie.

Megjithatë, ajo që bëri përshtypje ishte se “The Economist” shkruante se Veliaj mund të jetë kryetari i ri i PS, diçka që përflitet shpesh nëpër Tiranë.

“Tani ai nuk mund të jetë në një moment më të mirë. Gjithkush mund të shohë rezultatet e punës së tij dhe, ai përfiton nga mos përfshirja në një skandal që plasi në tetor dhe që e ka dëmtuar Ramën dhe qeverinë e tij. Një ish-ministër i Brendshëm u akuzua për bashkëpunim me kontrabandistët e drogës, një kërkesë që ai e mohon. Sukses për Veliajn, ish-ministri i Brendshëm, karriera e të cilit është shkatërruar, ishte sfiduesi i tij i vetëm serioz për udhëheqjen eventuale të ardhshme të Partisë Socialiste”, shkruan ‘The Economist’.

Jo më kot, Saimir Tahiri, që shihej si rival i Veliajt, e komentoi diçka të tillë ditën që dha dorëheqjen si deputet, për t’iu nënshtruar plotësisht hetimeve për dyshimet se ka lidhje me një grup të trafikut të drogës.

“Po këta të mjerë, që sot shqiptarët i drejtojnë gishtin për hajdutë të lekëve të tyre, e shesin dëngla gjithë ditën….si ia hodhën drejtësisë…

Duke bërë harbutin, ia hodhën dhe drejtësisë. Duke akuzuar të tjerët për gjëra që kanë bërë vetë, ia hodhën.

Duke blerë gjyqtarë e prokurorë, duke shpërndarë tendera e koncesione, duke marrë lekë për një legalizim, për një hipotekë, edhe për të futur njerëz në punë duke marrë lekë, e me to kanë blerë rehatin, e kështu rrojnë.

Duke blerë kundërshtarin në parlament, ia hodhën. Duke mbyllur gojë, duke blerë heshtje, në pazarin e madh bodrumeve të parlamentit ku bien dakord njëri mos merret me të shkuarën e tjetrin, tjetri mos merret me të tashmen e njërit.

Duke blerë media, portale, sondazhe. Në Shqipëri e jashtë Shqipërisë. Ku një artikull ku shahem unë, pasohet nga një tjetër ku lavdërohet ai që e ka paguar.

Duke blerë të huaj, ambasadorë e deputetë. Duke blerë e shitur gjithçka, në kurriz të njerëzve hallexhi të këtij vendi”, tha Tahiri.

Ai deklaroi se lufta sapo ka nisur dhe për disa ekspertë ky nuk është një sinjal i mirë për të ardhmen e Partisë Socialiste. A rrezikon që Edi Rama, i cili shprehet se do ketë një jetë të tretë, ta lërë Partinë Socialiste në një situatë të vështirë? Apo e ardhmja në duart e Veliajt është e ndritur? Si mund të mbijetojë ai në politikë, kur disa e quajnë fals, jo dhe aq karizmatik, në mesin e një partie që ‘të shqyen’ kur ndryshojnë erërat? Koha do e tregojë…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kapitulli nr. 26

Nga Ndriçim Kulla Nuk e kam fjalën këtu për kapitullin e ndonjë...
Read More