Kryeministrin nuk ka kush ta mbrojë



Nga Klementin Mile 

Në këto ditë protestash studentore kryeministri e gjen veten të vetëm, pa asnjë zë publik të rëndësishëm që ta përkrahë. E meqë kemi hyrë në dhjetor, mund të themi se për të ky pritet të jetë një dimër i vetmisë së madhe. Kryeministrin nuk e mbron askush sepse me reformën në arsimin e lartë ai i ka zhgënjyer të gjithë. Liberalët, të cilët shpresuan se reforma do të sillte më në fund vendosjen e tregut të arsimit, autonomi universitare, konkurrencë dhe liri zgjedhjeje sipas parimit “paraja ndjek studentin, u zhgënjyen nga forma e organizimit që vendosi reforma. Ajo ishte liberale vetëm përgjysmë; diku dha liri, diku e kufizoi edhe më tepër atë. Anti-liberalët (etatistë, komunistë etj.), nga ana tjetër, pandehën se reforma liberalizuese në arsim do të ndodhte vërtet. Kjo gjë i mërziti dhe i zhgënjeu jashtë mase edhe ata. Reforma në arsimin e lartë, në fakt, i trazoi ujërat e qeta të establishmentit, shkaktoi shqetësim tek anti-liberalët dhe shpresë te liberalët. Por vetëm kaq. Ajo nuk e përfundoi rrugën e nisur. Për rrjedhojë arsimi i lartë është tashmë më keq se më parë.

Dështimi i reformës për të vendosur konkurrencën ndërmjet sektorit shtetëror dhe privat të arsimit të lartë i ka dëmtuar jashtëzakonisht të dy sektorët. Arsimi privat detyrohet të lëvizë pafund (dhe shpesh jo në drejtime akademike) për të siguruar financat e nevojshme për vijimin e aktivitetit, ndërkohë që arsimi shtetëror nuk lëviz aspak (çka është po aq disfunksionale akademikisht), duke i patur të siguruara financat prej buxhetit të shtetit. Ajo që humbet prej reformës së lënë përgjysmë është cilësia në arsimin e lartë. Universitetet private humbasin shumë kohë, burime dhe energji në aktivitete pa rëndësi shkencore, ndërkohë që universitetet shtetërore nuk shpenzojnë aspak kohë për aktivitete të tilla, por po ashtu nuk harxhojnë kohë për të bërë as minimumin për studentët.

Me reformën e tij të lënë përgjysmë, kryeministri i ka humbur edhe mbështetësit e vjetër anti-liberalë edhe mbështetësit e rinj liberalë. Dikush duhet t’i kishte thënë që një reformë e pa nisur është më mirë se një reformë gjysmake. E para lë të pakënaqur vetëm njërën palë; e dyta të dyja. Rama, në fakt, i kishte hyrë prej kohësh kësaj rruge që tashmë po e lë të vetëm përballë protestës studentore. Qëkurse ai zgjodhi rrugën e tretë për ta pozicionuar politikën e tij, qëkurse nisi të fliste për zgjidhje standarde, teknike, përtej së majtës dhe së djathtës, rreziku i distancimit nga të gjitha vlerat ideologjike ishte aty. Kur një politikë nuk themelohet mbi vlera, alternativa e vetme është themelimi mbi interesa. Deri tani me politikën e Ramës kishte ndodhur pikërisht kjo gjë. Por në dallim prej vlerave, interesat, nga pikëpamja e vendimmarrësit politik, kanë disavantazhin që lidhen me grupe interesi konkrete, të cilat nuk mund të kënaqen të gjitha. Në këto kushte vendimmarrësit i duhet të zgjedhë kë të kënaqë dhe kë të lërë të pakënaqur. Duke u përpjekur t’i joshë të gjithë, duke u premtuar dhe dhënë sinjale pozitive të gjithëve, Rama tashmë i ka humbur të gjithë.

Mençuria popullore ka farkëtuar proverbin që është në rregull të ecësh në anën e majtë të rrugës, është në rregull të ecësh edhe në anën e djathtë, por ama kur ecën në mes të rrugës herët a vonë do të të shtypin makinat. Ose protestat studentore. Dhe askush nuk do gjendet aty për të të mbrojtur. Asnjë zë publik. Asnjë grup interesi. Asnjë shoqatë vlerore. Kur nis një reformë dhe nuk e shpie deri në fund mos prit as miq as aleatë. I ke zhgënjyer të gjithë. I ke lënë në baltë. Ua ke shpërfillur edhe vlerat dhe interesat. Nuk ka rëndësi në kanë apo jo të drejtë studentët për ato çka kërkojnë. Përballë tyre do jesh i vetëm. Ky është efekti pervers i reformave të lëna përgjysmë.

Peripatos

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Qeveria e re italiane me taksa të ulëta dhe minimum jetik, a është e mundur?

Nga Ervis Iljazaj Mbas shumë diskutimeve dhe përpjekjeve, Italia arriti më në...
Read More