Kryeqyteti feston Natën e Bardhë, ja aktivitetet që zhvillohen sot në Tiranë

Tashmë Nata e Bardhë është kthyer në një traditë për kryeqytetin, ku edhe këtë herë nuk do të mungojnë aktivitetet e shumta. Shumë institucione kanë zgjedhur të mbajnë dyert hapur për vizitorët deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa atmosfera do të kulmojë në Sheshin Skënderbej me koncertin e Emeli Sande.

Për fëmijët Teatri i Kukullave do të jetë i hapur që në orën 10:00 duke ofruar pjesët “Kësulëkuqja”, “Qeni që nuk dinte të lehte”, “Kush është fajtori” dhe “Princesha Teutë”, ndërsa do jepen edhe disa filma për fëmijë, shqiptarë dhe të huaj. Gjithashtu pasdite, po në ambientet e Teatrit të Kukullave do të gjeni një ekspozitë pikture me punimet e fëmijëve.

Edhe Teatri Kombëtar do të jetë hapur deri në orët e vona të mbrëmjes, fillimisht me shfaqjen “Mashtrimi” në orën 19:00 e më pas me “Plako t’majt e jotja” nga Gent Hazizi në orën 23:00.

Të gjithë të pasionuarit pas pikturës do të kenë mundësi që të vizitojnë Galerinë e Arteve nga ora 18:00 ku do të shfaqen ekspozitat e artistes gjermane Rosamarie Trocker, atij nga Kosova Zeni Ballazhi, britanikut Grayson Perry por edhe linja muzeale e Galerisë së Arteve.

I hapur do të jetë edhe Arkivi Qendror i Filmit ku vizitorët mund të bëjnë foto në këto ambiente, të shohin mjediset e punës e të bisedojnë me stafin lidhur me filma të ndryshëm shqiptar.

Edhe Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i hapur sonte në mbrëmje, në një ekspozitë të posaçme për 105 vjetorin e Pavarësisë. Aty do të gjeni penën, me të cilën është nënshkruar Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë; aparatin telegrafik mors, me të cilin Qeveria e Përkohshme e Vlorës ka marrë e ka dhënë telegrame gjatë periudhës 1912-1914; objekte personale të protagonistëve të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë; dhe më e rëndësishmja 30 flamuj të periudhës së Pavarësisë, foto origjinale të Ismail Qemalit dhe foto të firmëtarëve.

Shkruar Nga
More from Revista User

Bella dhe Gigi, motra dhe rivale

Të jesh një nga modelet më të famshme në botë me siguri...
Read More