Kryeveprat e artit italian të ‘900-ës mbërrijnë në Tiranë

125Nën masa të rrepta sigurie dje kanë zbarkuar në Galerinë Kombëtare në Tiranë kryeveprat e artit italian, një koleksion i rrallë me rreth 200 vepra. Ekspozita do të jetë e hapur për publikun më 15 janar, me çmim të biletës 500-700 lekë

Kur posterat në Galerinë Kombëtare të Arteve tregojnë prej ditësh se si po përgatitet “festa” e pikturës më të mirë italiane, dje pikturat e Novecentos, kryeveprat e artit italian të vitit 1900 kanë arritur në Tiranë. Njoftimi është bërë dje, nga kryeministri Edi Rama, përmes fotove të postuara gjatë këtij procesi, për të cilën pritet një ceremoni e posaçme më 15 janar.

“Kryeveprat e Novecentos Italiane mbërrijnë në Tiranë. I pari koleksion pikturash origjinale të mjeshtrave europianë që ekspozohet në Shqipëri. Një vit përgatitje e procedura speciale për një premierë të posaçme në Galerinë Kombëtare të Arteve – Ceremonia e hapjes në 15 janar”, ka shkruara Rama në Facebook. Ekspozita, nën kujdesin e Arianna Angelelli; Maria Catalano dhe Federica Pirani me më shumë se njëqind vepra të mrekullueshme, me prejardhje nga Galeria e Arteve Moderne në Romë, ka për qëllim të prezantojë kulturën artistike në Romë dhe në Itali në gjysmën e parë të shekullit XX, gjuhët që e kanë përcjellë, artistët dhe lëvizjet e referimit duke kaluar nga Simbolizmi, Secesioni, Futurizmi, Klasicizmi i Ri, Shkolla Romane, Abstraktizmi.

Figurat e mrekullueshme femërore, portretet e personazheve të famshëm, pamjet e Qytetit të përjetshëm dhe të fshatit roman, natyrat e vdekura, janë subjektet kryesore të trajtuara nga artistët protagonistë të ekspozitës, ndër të cilët dalin në pah emrat: Giacomo Balla, Carlo Carrà, Giorgio de Chirico, Fortunato Depero, Renato Guttuso, Giacomo Manzù, Tato, Giulio Turcato, vetëm për të përmendur disa nga më shumë se 60 artistët e paraqitur.

Ekspozita është promovuar nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, Ambasada Italiane në Tiranë, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, në bashkëpunim me Sovrintendenza Capitolina (Drejtoria e mbikëqyrjes Capitolina), Bashkia e Romës, Departamenti i Rritjes Kulturore, Galeria e Artit Modern të Romës dhe është realizuar e organizuar nga Arthemisia Group.

Me një shtrirje kohore gati 100-vjeçare koleksioni i rrallë dhe shumë i çmueshëm është një zhytje jo vetëm në artin italian, por edhe në rrymat e artit.

Ekspozita do të qëndrojë dy muaj e gjysmë e hapur, dhe veprat do të ruhen në kushte të veçanta sigurie. Ekspozita do të jetë e zbardhur në një katalog dygjuhësh, italisht dhe shqip, botuar nga “Silavana Editoriale”. Kjo është ekspozita e parë në sezonin e ri të Galerisë së Arteve në Tiranë, ndërsa nuk është e para e këtij lloji që pritet duke kujtuar vitet 2010-2013.

Megjithatë kjo konsiderohet një ngjarje për jetën e arteve pamore në Shqipëri me pretendimet e edukimit në një vend ku debati më i madh, ashtu si në rrjetin social të kryeministrit, bëhet për kushtet ekonomike dhe sociale. Në të vërtetë ardhja e novecentos në Tiranë është një luks, në të gjitha kuptimet.

ORARI

Çdo ditë nga ora 10 deri në orën 19:00

BILETA

E plotë 700 Lekë

Me zbritje 500 Lekë

Grupe të rriturish 500 Lekë

Shkollat 100 Lekë

(rezervat e nevojshme të aktiviteteve didaktike)

Shkruar Nga
More from revista mapo

Intesa Sanpaolo fiton çmimin “Banka më e mirë në Itali”

ÇMIMET EUROMONEY PËR EKSELENCËN PËR VITIN 2016: INTESA SANPAOLO FITON ÇMIMIN “BANKA MË...
Read More