Kthehen barakat e kampit të Tepelenës, tmerri në Muze

Autoriteti i Dosjeve publikon projektin e kujtesës me ndërtimin e Memorialit Kombëtar të Kampeve të Punës së Detyruar në Tepelenë, duke shënuar hapin e parë për transformimin e të gjithë kompleksit në një Muze të Kampeve të Punës së Detyruar të Diktaturës Komuniste; pas debateve të javës së fundit të shkaktuar nga një deklaratë e historianit Pëllumb Xhufi, mbi Kampin e Tepelenës, Autoriteti i Dosjeve ka reaguar zyrtarisht me publikimin e statistikave të tmerrit komunist

Një prej barakave të kampit të Tepelenës do kthejë kohën mbrapsht: do vendosen shtretërit, sendet, veshjet, çdo kujtim që është ruajtur deri në ditët e sotme nga ish-banorët e kampit më famëkeq në Shqipëri në kohën e diktaturës. Në një mjedis tjetër do vendosen stenda me dëshmi, fotografi dhe dëshmi arkivore për kampet e dëbimit – internimit, dizenjimin, pozicionimin si dhe do mbillen disa fidanë, qiparisa në përkujtimin e fëmijëve që kanë humbur jetën nga kushtet e rënda, sëmundjet e uria, në kampin e Tepelenës dhe janë pa një vend varrimi… Ky është imazhi i Muzeut duke rikthyer memorien, në atmosferën dhe identitetin e kampit të Tepelenës, një projekt për të cilin ka nisur punën konkrete Autoriteti i Dosjeve për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Se në Tepelenë do të ngrihet një memorial dhe do kthehet në qendër muzeale për të dokumentuar terrorin dhe masakrat e komunizmit lajmi ishte bërë i ditur. Madje ka qenë ky njoftim që mendohet se ka nxitur debatin publik prej më shumë se një jave nxitur nga historiani Pëllumb Xhufi, duke e margjinalizuar historinë e kampit të Tepelenës, ndërsa reaksioni ka qenë i menjëhershëm nga njerëzit që e kanë vuajtur në kurriz të tyre tmerrin e tij, të cilët, pothuaj në një zë, kanë deklaruar se aty ishte Aushvici shqiptar.

Pas stuhisë në opinionin publik, një ditë më parë kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, ka publikuar projektin e muzealizimit të Kampit të Tepelenës, duke u shprehur mbi ecurinë e këtij projekti. Kujtojmë se Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, institucion shtetëror, përgjegjës për mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit. Në fund të vitit 2017, ky institucion ka

miratuar realizimin e Projektit të kujtesës “Memoriali Kombëtar i Kampeve të Punës të Detyruar” dhe ngritjen e grupit të punës “Për kërkimin e dokumentacionit arkivor për kampin e Tepelenës dhe krijimin e një memoriali për përkujtimin e datës 30 gusht, si Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve”. “Ky projekt përmban rikthimin në identitet, si kamp dëbimi të një prej kapanoneve, vendosjen e stendave me dëshmi (fotografi dhe dëshmi arkivore) për kampet e dëbim – internimit, dizenjimin, pozicionimin si dhe mbjelljen e disa fidanëve (qiparisa) për përkujtimin e fëmijëve që kanë humbur jetën nga kushtet e vështira në Kampin e Tepelenës dhe janë pa një vendvarrimi. Ndërtimi i këtij Memoriali shënon vetëm hapin e parë për transformimin e të gjithë kompleksit në një Muze të Kampeve të Punës së Detyruar të Diktaturës Komuniste”, thuhet në deklaratën e Autoritetit për këtë ngjarje. Projekti i kujtesës është përfshirë në programin qeverisës 2017-2021, në kapitullin kushtuar kulturës dhe edukimit përmes saj, ku thuhet: “Rrugët e Kujtesës” janë gjithashtu një itinerar unik i Shqipërisë, që do të vijojnë të nxjerrin në pah aspektin historik dhe edukativ të siteve të ish-diktaturës, si Spaçi apo Tepelena, në vijim të projekteve tashmë të njohura muzeale të Kujtesës”.

Ndërsa ka nisur puna në mbledhjen e dokumenteve zyrtare që faktojnë periudhën e ekzistencës së Kampit të Tepelenës duke deklaruar se po bashkëpunojnë me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, me Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë, Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. “Me Muzeun Kombëtar të Kampeve të Punës në Tepelenë, AIDSSH synon të krijojë një model për të gjitha kampet e punës së detyruar në Shqipëri, ku e shkuara të shërbejë për reflektim e të mos përsëritet”, thuhet në deklaratën e postuar nga kryetarja Gentiana Sula. Nga bashkëpunimi me Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, është mundësuar një listë me të dënuarit me punë të detyrueshme në këtë kamp, 3380 persona, nga të cilët: 973 burra të moshuar, 1254 gra dhe 1163 fëmijë.

Ndërkohë, projekt-ideja e Memorialit në kampin e dëbim-internimit të Tepelenës thuhet se është ende në zhvillim. “Autoriteti është i hapur për bashkëpunim me të gjithë aktorët e faktorët, në mënyrë që kampi i Tepelenës, si dëshmi e kampeve të punës së detyruar në diktaturë, të përfaqësojë një vend reflektimi për të rinjtë, studentët, qytetarët dhe të nderojë sakrificën e dinjitetin njerëzor të mijëra vetave, burra, gra e fëmijë, që u keqtrajtuan në kampet e punës së detyruar në të gjithë vendin”, shton më tej Sula. Sa i takon sistemit të dëbim-internimeve, pse kampi i Tepelenës kthehet në një qendër muzeale Autoriteti i Dosjeve ndan disa arsye si: Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerëzore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim; Ai pasqyron më së miri tipologjinë e kampeve të rrethuara me tela me gjemba, të cilat nuk kanë qenë fenomen i përhapur në Lindjen Komuniste dhe mund të krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë; Ndërsa për kampe të tjera të tilla, si ai i Beratit, Krujës, Valiasit, Cërrikut, Shijakut, Porto Palermos, Kuçovës, Kuçit të Vlorës etj., nuk kanë mbetur objekte kujtese, për Kampin e Tepelenës këto ekzistojnë. Disa nga kazermat e kampit të Tepelenës ruhen ende. Për më tepër, skicat e Lekë Pervizit, i mbijetuar, japin dëshmi për t’i rindërtuar kabinat ku strehoheshin të internuarit. Projekti i kujtesës “Memoriali Kombëtar i Kampeve të Punës të Detyruar” është prezantuar publikisht në Tepelenë nga arkitekti Gjon Radovani, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Autoritetit, kryetarit të Bashkisë Tepelenë, z. Tërmet Peçi, ambasadorit të Kombeve të Bashkuara në Tiranë, z. Brian Williams dhe zv.ambasadorit të Prezencës së OSBE, z. Robert Wilton, në prani të të mbijetuarve dhe trashëgimtarëve të tyre, qytetarëve të Tepelenës, historianëve e studentëve, përfaqësuesve të institucioneve publike dhe joqeveritare, organizatave kombëtare e ndërkombëtare dhe medias. Më 30 gusht 2017 është hedhur hapi i parë për fillimin e punës për Memorialin, me mbjelljen e qiparisëve të parë që përkujtojnë të miturit e zhdukur. “Në muajt në vijim, do të përgatitet një kuadër kërkimor mbi konceptualizimin, historinë, dhe praktikat e punës së detyruar gjatë regjimit komunist, që do të gërshetojë një qasje historiko–juridike ndaj institucionalizimit të punës së detyruar. Kjo bazë teorike do të shërbejë për nisjen e kërkimeve shkencore dhe studimeve në këtë fushë. Në këtë kontekst, do të zhvillohen ditë të hapura në universitete të ndryshme në vend, për të informuar dhe diskutuar me studentë, kërkues shkencorë dhe profesorë mbi punën e detyruar, si dhe do të organizohet një seminar ndërkombëtar i hapur për çdo studiues, vendas apo i huaj për këtë temë”, shprehet Sula.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

UET Polivalent, ja 32 alternativat për raundin II

Nga Financat e Menaxhimi, dhe Juridiku tradicional te degët e reja: Inxhinieria...
Read More